Lajmet

​Shtatë vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushit

Ai me të drejtë është vlerësuar ‘Simboli i dijes dhe paqes’.

Published

on

Sot mbushen shtatë vjet nga vdekja e akademik Pajazit Nushit, njeriu i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, dijës dhe shkencës, por edhe çështjes kombëtare.

Ai me të drejtë është vlerësuar ‘Simboli i dijes dhe paqes’, ’profesori i respektuar’, ‘pedagogu ynë’, ‘mendjendrituri’, e me emërtime të tjera.

Akademik Pajazit Nushi ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, ndërsa ishte rektor i kolegjit universitar “Iliria”.

I lindur në Gjakovë, më 8 janar 1933, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, prof. dr. Pajazit Nushi, pas mësimit në Shkollën Normale të Gjakovës, i ndoqi mësimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku u diplomua në degën e Psikologjisë më 1955.

Më 1958 ka dhënë provimin shtetëror për profesor të psikologjisë dhe psikologjisë pedagogjike pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë dhe me këtë rast u shpall profesor i rendit I. Studimet e larta i kurorëzoi me mbrojtjen e tezës së disertacionit të doktoratës “Zhvillimi i terminologjisë psikologjike dhe baza semantike e përcaktimit të saj në gjuhën shqipe”.

Nga 1956-1995 punoi si profesor i psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe profesor i psikologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Krahas mësimdhënies ka punuar në këto funksione administrative-profesionale: drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës kryetar i Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish- Federatës së Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriu dhe redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë.

Ka mbajtur leksione nga psikologjia e përgjithshme në Universitetin e Tetovës në Maqedoni. Ka qenë anëtar i grupit hulumtues të RSFJ në konceptimin e projektit “Televizioni edukativ” dhe lidhur me këtë ka qenë kryesues i këtij grupi i angazhuar në udhëtimin studimor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit maj – qershor 1972. Ka marrë pjesë në konceptimin e shkollës fillore unike për RSFJ-në dhe ka studiuar zhvillimin e arsimit institucional të nivelit fillor në Norvegji.

Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e zgjodhi anëtar të rregullt. Ka qenë sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-së në periudhën dhjetor 2008 – 2011.

Ka botuar këto vepra nga fusha e psikologjisë: “Bazat psikologjike të kulturës së të folurit të nxënësve të shkollës fillore” 1964,”Fjalor i psikologjisë”, “Sistemi i grafisë së tingujve të shqipes dhe vetitë perceptive e përmasat e lexueshmërisë së shkronjave të alfabetit të shqipës”1987, ”Të nxënit e lëndëve mësimore dhe zotërimi i tyre” 1997, ”Orientimi profesional dhe individualiteti psikofiziologjik i zgjedhësit të profesionit 2004, ”Inteligjenca dhe masat e zhvillimit të saj ndër shqiptarët e moshës madhore” 2006, “Çështja shqiptare dhe integrimet politike ekonomike (Kërkimet teorike-empirike)” 2003, “Kujtesa dhe trajtimi i saj në literaturën shqipe nomotike” 2008, “Psikanaliza dhe mendimi psikologjik shqiptar” 2006 dhe “Fjalor shpjegues i psikanalizës” 2010.

Është autori i tekstit shkollor të psikologjisë “Psikologjia” për klasën e dytë gjimnaz – fitues i çmimit “Naim Frashëri” si libri më i mirë shkollor në vitin 1996, koautor i disa botimeve të librit “Psikologjia” për gjimnaz dhe shkolla profesionale.

Ka botuar këto tekste universitare: “Psikologjia e përgjithshme – Kaptina të zgjedhura” 1995, “Psikologjia e përgjithshme 1” 2002 dhe “Psikologjia e përgjithshme II – Njeriu dhe personaliteti i tij në psikologji”, 1999.

Ka përkthyer nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe tekstet shkollore “Logjika” 1967 dhe “Të mësuemit dhe kujtesa”, 1964.

Aktiviteti profesional dhe shkencor i tij është shtrirë në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikologjisë. Lista e punimeve studimore, e kumtimeve shkencore dhe e artikujve nga fusha e psikologjisë arrin në 142. Përmbajtja e këtyre punimeve ka qenë e lidhur kryesisht me paraqitjen e rezultateve të hulumtimeve empirike, të cilat janë preokupim kryesor i tij.

Më 23 shtator 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Teksas me vendim të guvernatorit të këtij shteti, ndërsa më 10 tetor 1970 është shpallur qytetar nderi i shtetit Nebraska me vendim të guvernatorit të këtij shteti federal amerikan.

Më 2005 u zgjodh anëtar nderi i Institutit të Sociologjisë në Tiranë. Më 14 qershor 2011 është shpallur “Nderi i Qytetit të Gjakovës” me vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Në marsin e vitit 2011 u zgjodh këshilltar i lartë shkencor në Institutin e Hulumtimeve të Krimeve të luftës në Kosovë.

Më 1957 u shpall fitues i Çmimit të Dhjetorit – çmimit më të lartë për të arritura arsimore e shkencore në KSAK. Është bartës i disa dekoratave – dekorata e fundit është dekorata e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e akorduar nga presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2001.

Vendi

Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar

Published

on

By

Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale, thuhet në raportin e publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Raporti u hartua pas një misioni ndërkombëtar faktmbledhës, i zhvilluar në Prishtinë më 24-26 mars të këtij viti nga përfaqësues të tetë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, përfshirë: Reporterët pa Kufij (RSF), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gazetarë, redaktorë, përfaqësues të RTK-së, Komisionit të Pavarur të Mediave, sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatë ndërkombëtarë.

Në përfundim të misionit, organizatat vlerësojnë se, ndonëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivel relativisht të ulët të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, këto zhvillime janë zbehur nga një klimë gjithnjë e më problematike për lirinë e medias.

Raporti identifikon disa arsye kryesore për këtë vlerësim: ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili më vonë u shpall antikushtetues, problemet me financimin dhe pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe shtimin e sulmeve verbale dhe diskreditimit të gazetarëve nga politikanët, veçanërisht nga përfaqësues të partisë në pushtet.

Sipas raportit, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në renditjen ndërkombëtare të Kosovës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke rënë për 28 pozita, krahasuar me vitin 2023.

Organizatat paralajmërojnë se kjo ka dëmtuar reputacionin e Kosovës si një nga vendet më të avancuara në rajon për lirinë e medias dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së ardhshme që ta rikthejë besimin në institucionet demokratike dhe në procesin e reformave.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Zyra e Kryeministrit lidhur me këto gjetje dhe është në pritje të përgjgjes.

Përndryshe, një pjesë e konsiderueshme e raportit i kushtohet edhe sigurisë së gazetarëve.

Sipas autorëve, megjithëse sulmet fizike kanë rënë krahasuar me vitin 2023, gazetarët përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime verbale, fushata diskreditimi dhe ngacmime në internet, që shpesh burojnë nga figura të larta politike.

Vetëm gjatë vitit 2025, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 69 raste që përfshinin gazetarë dhe media, përfshirë raste denigrimi publik, diskreditimi dhe sulmesh online.

Raporti vëren se një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhen me deklarata ose veprime të zyrtarëve publikë dhe politikanëve.

Delegacioni shpreh shqetësim edhe për retorikën e përdorur ndaj gazetarëve, duke përmendur raste kur kryeministri Kurti ka kritikuar mediat ose gazetarët publikisht.

Sipas raportit, organizatat i kanë bërë thirrje kryeministrit dhe partisë së tij që të shmangin gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe të japin shembull për një debat publik më të respektueshëm.

Raporti thekson se gjatë takimit me delegacionin, Kurti nuk e pranoi seriozitetin e shqetësimeve lidhur me sigurinë e gazetarëve, ndërsa më vonë Zyra e Kryeministrit, në përgjigje me shkrim, tha se ai nuk mbështet dhe nuk toleron sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe se vetë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.

Raporti, po ashtu, ngre shqetësime për gjendjen në transmetuesin publik RTK.

Sipas organizatave, financimi i pamjaftueshëm, paqartësitë ligjore dhe pretendimet për presion politik kanë krijuar një situatë që rrezikon pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.

Delegacioni përmend dëshmitë e gazetarëve për largime nga emisionet, procedura disiplinore dhe ndërprerje emisionesh, ndonëse menaxhmenti i RTK-së i ka mohuar këto pretendime.

Një kapitull i veçantë i kushtohet Komisionit të Pavarur të Mediave.

Raporti rikujton se ligji për KPM-në, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2024, u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se cenonte pavarësinë e institucionit.

Organizatat shprehin shqetësim se edhe procesi i mëvonshëm i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPM-së dhe bordit të RTK-së është zhvilluar me procedura të përshpejtuara dhe jotransparente, duke ngritur dyshime për ndërhyrje politike.

Raporti kritikon, gjithashtu, nivelin e transparencës së institucioneve publike.

Gazetarët i kanë thënë delegacionit se qasja në informata zyrtare mbetet e vështirë, se konferencat për media janë të rralla dhe se komunikimi me zyrtarët është i kufizuar.

Organizatat vënë në dukje edhe rritjen e vazhdueshme të numrit të ankesave për moslejimin e qasjes në dokumente publike gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive.

Organizatat vlerësojnë bashkëpunimin me sistemin gjyqësor, duke përmendur trajtimin më të shpejtë të rasteve që lidhen me gazetarët dhe miratimin e Strategjisë 2026-2028 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila, mes tjerash, u jep përparësi rasteve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe shpifjen. /REL/

 

 

Continue Reading

Vendi

KPK-ja refuzon kërkesat për rikthim në punë të pesë prokurorëve serbë në Mitrovicë

Published

on

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës, ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.

Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb, votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit- Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se policët serbë që u dorëhoqën në fund të 2022-s, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe, nuk do ta kenë mundësinë e rikthimit në punë. /EO/

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 20 korrik 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

20 korrik 1995

Katër të vdekur nga moti i lig në Prizren

Katër vetë humbën dje pasdreke jetën për shkak të motit të lig që përfshiu Prizrenin me rrethinë.

Në fshatin Lubeçevë të Prizrenit vërshoi përroi i fshatit, i cili mori me vete vëllezërit Ridvan e Resul Ponika i pari 9, ndërsa i dyti 7 vjeçar, si dhe nipin e tyre Arben Shalën (7) nga Billusha, i cili ishte mysafir. Ata humbën jetën derisa po ktheheshin nga fusha për në shtëpi.

Ndërsa dje në mëngjes, humbi jetën Tahir M. Berisha (24), baba i dy fëmijëve. Tahiri ra viktimë e elektroshokut nga përçuesit e dëmtuar të rrjetit elektrik në afërsi të furrës së qytetit.

Për shkak të të reshurave, u vëshuan disa shtëpi, rrugët e qytetit u mbuluan me rërë, ndërsa në disa vende u dëmtua edhe asfalti e kalldërmi, pastaj rrjeti elektrik e telefonik, si dhe u shkktuan dëme të konsiderueshme në bujqësi.

Rrugët sot ishin të mbushura me rërë e vende-vende pati edhe shpërthime të ujërave nga kanalizimi.

 

 20 korrik 1998

Gjendje dramatike në Rahovec

Sot në Rahovec mbretëron një gjendje dramatike. Dëshmitarët okularë pohojnë se forcat serbe po granatojnë pa ndërprerë pjesë të tëra të qytetit. Shumë ndërtesa janë rrënuar e janë përfshirë në flakën e zjarrit, ndërsa banorët po lëvizin në drejtim të zonave më të qeta, në mënyrë që t’u shpëtojnë masakrave që u kërcënohen. Një burim i Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Prizren, i cilia ka arritur të depërtojë vetëm 1 kilometër larg Rahovecit, ka takuar shumë gra e fëmijë që kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe ishin nisur në drejtim të fshatrave që nuk janë përfshirë në luftime.

Alisa Berisha (15) dhe Vileta Krasniqi (30), të cilat ishin nisur në drejtim të Prizrenit kanë pohuar se në Rahovec po luftohet pa ndërprerë qe 48 orë. Në qytet dëgjohen shpërthime të fuqishme dhe të shtëna të pandërprera. Deri tani janë rrënuar së paku 30 shtëpi, ndërsa shumica e banorëve të qytetit janë evakuuar.

Ato kanë treguar se në grupin e grave e fëmijëve që ishin nisur në drejtim të Prozrenit kishin qrenë edhe disa burra. Në mesin e tyre ishte edhe babai i Alisës, Ymer Berisha dhe Sherif Malisa nga Studençnai, të cilët ishin arrestuar nga policët serbë në postbllokun e vendosur në fshatin Landovicë.

Gjendje dramatike mbretëron edhe në fshatin Bellacerkë. Në këtë fshat, i cili dje ishte në shënjestër të armëve të rënda të forcave serbe, nuk mund të hyjë askush, por besohet se shumë banorë të tij janë vrarë e masakruar.

Një dëshmitar okular ka deklaruar se në fshat kanë mbetur trupat pa jetë të Ibrahim Popajt dhe bashkëshortes së tij, Azizes, të dy mbi 72 vjeçarë. Dyshohet se janë vrarë edhe bashkëshortet e Ismail Popajt dhe Halim Popajt.

Dëshmitarët okularë pohojnë se forcat serbe kanë marrë peng disa shqiptarë nga ky fshat. Beqir Kollari ka njoftuar se forcat serbe kanë marrë peg të afërmit e tij: Isuf, Ismet, Mejdi e Beqir Kollarin, katër vëllezërit Bekeri, Masar Ejupi, Agim Canzibaj, Mustafë Kasapi, profesori me emrin Behxhet dhe një shqiptar nga Prizreni, i paidentifikuar. Sipas dëshmitarëve ata janë marrë peng nga forcat paramilitare që i udhëheq Arkani.

Kryesia e Degës së LDK-së në Prizren bën apel që të mundësohet nxjerrja e kufomave nga fshati Bellacerkë.

 

Vazhdon sulmi serb në Rahovec – dyshohet se ka shumë të vrarë

Qyteti i Rahovecit është në flakë në luftën e ashpër midis forcave shqiptare dhe forcave serbe.

Forcat serbe po e sulmojnë Rahovecin nga të gjitha anët, me tanke, topa, raketa e me armë e makineri tjetër lufte.

Burimet nga Rahoveci bëjnë me dije se forcat serbe po terrorizojnë e masakrojnë popullatën civile shqiptare. Korrespondenti i “Rilindjes” nga Rahoveci i ka thënë korrespondentit të ATSH në Prishtinë se kishte parë me sytë e tij se si forcat serbe e vranë me plumba dum-dum një grua shqiptare shtatzënë, Hatixhe Hundozin (38).

E ndodhur para sulmeve e masakrave serbe, popullata shqiptare po largohet nga Rahoveci. Njoftohet se më se 20. 000 veta kanë shkuar në drejtim të Malishevës. Të ikurit thonë se në Rahovec e rrethinë ka shumë të vrarë, të masakruar e të plagosur.

Ndërkohë njoftohet se forcat serbe kanë hyrë në disa lagje të qytetit, ku kanë marrë qytetarët shqiptarë dhe i kanë lidhur nëpër shtylla të rrjetit elektrik e të telefonit, në mënyrë që të shërbejnë si mbrojtje nga sulmet e forcave të rezistencës.

 

 

Continue Reading

Lajmet

1,517 gjoba dhe 48 aksidente në një javë në rajonin e Ferizajt

Published

on

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, nga data 13 deri më 19 korrik 2026, ka shqiptuar 1,517 gjoba kundërvajtëse për shkelje në komunikacion.

Gjatë kësaj periudhe janë pezulluar 23 patentë shoferë për drejtuesit që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.

Ndërkohë, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 48 aksidente, prej të cilave 14 me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 22 persona, si dhe 34 aksidente me dëme materiale.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për rritjen e sigurisë në trafik dhe ka apeluar te shoferët që të respektojnë rregullat e komunikacionit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara