Reperi amerikan, fitues i çmimeve “Grammy”, Lil Nas X, është arrestuar në Los Angeles pas një përplasjeje me policinë, kanë konfirmuar autoritetet, raporton BBC.
Policia u thirr rreth orës 05:30 të mëngjesit me kohë lokale në Ventura Boulevard, pas raportimeve se një burrë po ecte në rrugë vetëm me të brendshme.
“Kur autoritetet arritën në vendngjarje, këngëtari i ‘Old Town Road’ u hodh mbi ta dhe u arrestua nën dyshimet për sulm”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit te Policisë në Los Angeles (LAPD).
U dërgua në spital për trajtim, pasi dyshohet për mbidozë. Zëdhënësi i policisë, Charles Miller, ka theksuar se “hetimet po vazhdojnë”.
Një video e publikuar paraqet reperin duke vallëzuar në rrugë vetëm me të brendshme dhe çizme, ndërsa ftonte kalimtarët: “Ejani në festë!”.
Lil Nas X pritet të publikojë albumin e dytë të përfolur, “Dreamboy”, gjatë këtij viti, pasi ka paralajmëruar adhuruesit përmes fragmenteve të publikuara në Instagram. I lindur si Montero Lamar Hill, hyri në histori më 2019 duke u bërë burri i parë që kishte treguar haptazi se është homoseksual, e që fitoi një çmim të Shoqatës së Muzikës Country, falë suksesit të këngës “Old Town Road”.
Ky hit theu rekordin e qëndrimit më të gjatë në krye të toplistës Billboard Hot 100, me plot 17 javë. Karriera e tij është shoqëruar me polemika. Konservatorët amerikanë e quajtën videoklipin e këngës “Montero” (Call Me By Your Name) “të shthurur” dhe “djallëzor”.
Reperi ka reaguar me një video ironike në YouTube ku shfaqej në skenën famëkeqe të vallëzimit në prehrin e djallit dhe pati shkruar në Twitter se donte që lotët e kundërshtarëve të tij “ta mbushin kupën time të Grammyt”.