Lajmet
Serbët nuk duan të largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës
Published
6 years agoon
By
Betim GashiMinistri i Mbrojtjes, Anton Quni thotë se problemet me largimin e pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës kanë stagnuar dhe tash e sa kohë nuk ka kërkesa të tilla për largim.
Në një intervistë për KosovaPress, Quni flet edhe për realizimin e planit të vitit, problemet e shkaktuara nga pandemia, shkurtimin e buxhetit për ushtrinë dhe ndihmën e marrë nga partnerët ndërkombëtarë.
Pas ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, autoritetet e Serbisë në forma të ndryshme, edhe përmes shantazheve, kishin nisur presionin ndaj ushtarëve të FSK-së, pjesë e komunitet serb, çka edhe kishte bërë që shumë prej tyre të dorëzojnë uniformën duke u larguar nga Forca.
Quni thotë se tash e sa kohë nuk ka pasur kërkesa të tilla nga serbët në FSK. Megjithatë, presioni nga Beogradi ka vazhduar në forma të ndryshme njëjtë sikurse edhe në të kaluarën, pjesëtarët serbë të FSK-së vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë Forcës.
“Mund të themi që ka stagnuar, është një periudhë kur nuk kemi pasur kërkesa të pjesëtarëve të komunitetit serb që të largohen nga FSK. Vazhdojmë t’ju japim përkrahje të gjithë atyre që i mbesin besnik Forcës së Sigurisë së Kosovës duke i ndërmarrë masat e sigurisë, duke u marrë me problemet më esenciale, për të gjitha këto ngjarje janë të njoftuara të gjitha autoritetet më të larta shtetërore dhe besoj e marrin në konsideratë shqetësimin tonë, sepse nuk është shqetësim vetëm i komunitetit serb, por i gjithë FSK-së sepse nuk dëshirojmë që asnjë pjesëtar i FSK-së të jetë viktimë e ndonjë presioni, shantazhi që vjen nga jashtë Kosovës”, thotë Quni.
FSK është në fazën e rekrutimit dhe vitin e ardhshëm pritet të pranohen 400 pjesëtarë të rinj, prej të cilëve edhe nga komunitetet pakicë.
Janë bërë dy vjet prej kur FSK ka nisur procesin e transformimit e Quni thotë se po hyjnë në vitin e tretë me përmbushjen e të gjitha çështjeve të parapara në plan.
“Jemi duke siguruar pajisjet dhe mjetet teknike që sigurojë realizimin e misioneve të njësive veç e veç, kështu që po i afrohemi fazës kur shumica e njësive munden t’i deklarojnë aftësitë për t’i kryer detyrat specifike. Në vitin 2028 ne të kemi mundësinë t’i deklarojmë kapacitetet e plota të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thotë ai.
Quni në intervistën dhënë për KosovaPress thotë se janë në hap me planin e paraparë 10-vjeçar dhe nuk mund të mendohet që procesi i tranzicionit drejt shndërrimit në Forcë me kapacitete të plota ushtarake të përfundojë më shpejtë se viti 2028 duke parë situatën e shkaktuar nga pandemia me COVID-19.
“Në këtë plan (të tranzicionit) kanë punuar ekspertët e fushës, në bashkëpunim me ekspertët e partnerëve strategjikë, kur është hartuar ky plan janë marrë parasysh shumë faktorë, zhvillimet në rajon, koeficienti i rrezikshmërisë, nevojat, mundësitë buxhetore e të tjera, dhe është hartuar gjithnjë me parashikimet për kushtet optimale. Tani të mendohet që të dinamizohet ky proces në kushtet e pandemisë, mund të them se do të ishte utopiste sepse duhet marrë parasysh nevojat e institucioneve të tjera, kështu që ne po i përmbahemi asaj dinamike të paraparë me planin e tranzicionit”, thotë Quni.
Për shkak të pandemisë, me rishikimin e buxhetit është shkurtuar ai për ushtrinë dhe i është dhënë prioritet sektorit të shëndetësisë dhe ekonomisë.
“Gjithnjë ushtria ka nevojë për më shumë buxhet sepse çdo rritje e fondeve do të thotë mundësi të mëdha për zhvillimin e ushtrisë, por ne duhet t’i kemi parasysh faktet dhe argumentet dhe bazohemi gjithnjë në të dhëna empirike dhe jo vetëm në dëshira. Edhe shkurtimet buxhetore kanë ndikuar, por për fat të mirë ne kemi raporte të mira me partnerët strategjikë, ekonomia e të cilëve është shumë më e fuqishme dhe në këto raste të vështira për Kosovën si tërësi, por specifikisht për Forcat e Sigurisë së Kosovës apo sektorin e sigurisë në përgjithësi, ne kemi pasur me të vërtetë partnerë, të cilët edhe në këtë situatë na kanë dalë në ndihmë, ne formën e donacioneve kemi arritur t’i kompensojmë të gjitha mangësitë që janë paraqitur”, thotë Quni.
Anton Quni u emërua ministër i Mbrojtjes në qeverinë e koalicionit LDK-Vetëvendosje, por udhëheqjen e kësaj ministrie e vazhdoi edhe me qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti të koalicionit LDK-AAK-Nisma.
Por me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka vendosur që Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo-kushtetuese, Kosova pritet të bëhet me institucione të reja të dala nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Mirëpo, ndryshimi i mundshëm i titullarit në Ministrinë e Mbrojtjes nuk shihet si shqetësim nga Quni që deklaron për KosovaPress se po lë një plan të detajuar të shtrirë gjatë në kohë me planifikimet për punët dhe proceset që e presin këtë dikaster.
“Për çdo ministër është privilegj të vijë dhe të ushtrojë kontrollin demokratik dhe civil, udhëheqjen civile sepse gjërat janë mirë sistemuara. […] Çdo minutë në ministri dhe FSK është i planifikuar, dihet me ditë, javë dhe muaj se cilat procese janë në pritje, në zhvillim, përfundim, kështu që edhe me ardhjen e ministrit të ri dihet saktësisht çka do të ndodh në muajin mars apo qershor edhe në aspektin e ligjeve dhe aspektin e ngritjes së kuadrove, ushtrimeve fushore që do të zhvillohen”, thotë Quni.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 gusht 1993-1998?
Published
11 hours agoon
August 1, 2026By
UBT News
lajme
Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së
Published
1 day agoon
July 31, 2026By
UBTNews
Në një kohë kur teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë ekonomitë, bizneset dhe institucionet publike, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë: cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?
Përgjigjja vjen nga Future of Jobs Report 2025, raporti i World Economic Forum, i cili analizon transformimin e tregut global të punës përmes të dhënave të mbledhura nga mijëra punëdhënës në mbarë botën. Sipas raportit, deri në vitin 2030 do të krijohen rreth 170 milionë vende të reja pune, ndërsa miliona role tradicionale do të transformohen ose do të zëvendësohen si rezultat i inteligjencës artificiale, automatizimit, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital.

Në krye të listës së profesioneve me rritjen më të shpejtë renditen Big Data Specialists, FinTech Engineers, Artificial Intelligence and Machine Learning Specialists, Software and Applications Developers, Security Management Specialists, Information Security Analysts, Data Scientists, UI/UX Designers, Internet of Things Specialists, Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers, si dhe specialistët e automjeteve autonome dhe elektrike.
Në këtë kontekst, një analizë e ofertës akademike të UBT-së tregon një përputhje të qartë me prioritetet që identifikon World Economic Forum. Institucioni ka ndërtuar një ekosistem të arsimit të lartë që i përgjigjet transformimit të tregut të punës, duke ofruar programe studimi në fusha që lidhen drejtpërdrejt me profesionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.
Në fushën e teknologjisë, UBT ofron programe si Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, Inxhinieri e Mekatronikës, si dhe specializime në Inteligjencë Artificiale, Data Science, Cyber Security, Cloud Computing, Machine Learning, Internet of Things (IoT) dhe Robotikë, duke përgatitur profesionistë për rolet që raporti i World Economic Forum i rendit ndër më të kërkuarat në botë.
Një nga profesionet me rritjen më të shpejtë sipas raportit është FinTech Engineer, një profil që po transformon sektorin financiar përmes teknologjisë. Duke e parë këtë zhvillim, UBT ka zhvilluar programin FinTech, i cili kombinon financën, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin digjital, duke përgatitur specialistë për industrinë financiare të së ardhmes.
Transformimi global nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë. Raporti evidenton se tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers dhe specialistë të sistemeve energjetike. Për këtë arsye, programet e Inxhinierisë së Mjedisit, Inxhinierisë së Energjisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UBT marrin një rëndësi strategjike, duke përgatitur profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër, teknologjive të qëndrueshme, efikasitetit energjetik dhe infrastrukturës moderne.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi i industrisë automobilistike drejt automjeteve elektrike dhe autonome po krijon mundësi të reja për inxhinierët mekanikë dhe ekspertët e sistemeve inteligjente, fusha në të cilat UBT ka investuar në laboratorë modernë dhe mjedise praktike të të nxënit.
Raporti i World Economic Forum evidenton gjithashtu rritjen e vazhdueshme të kërkesës për profesionet që lidhen me sigurinë. Përveç Information Security Analysts, të cilët mbrojnë infrastrukturat digjitale nga sulmet kibernetike, raporti rendit edhe Security Management Specialists, si rezultat i sfidave të reja gjeopolitike dhe rritjes së nevojës për menaxhimin e rreziqeve. Në këtë drejtim, UBT ofron programe në Studime të Sigurisë, krahas programeve në Cyber Security, duke kombinuar sigurinë fizike, sigurinë kombëtare dhe atë digjitale në një qasje multidisiplinare.
Ndërkohë, transformimi i industrisë ushqimore dhe rritja e fokusit global në sigurinë ushqimore, teknologjitë e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm kanë rritur rëndësinë e profesionistëve të Shkencave të Ushqimit. Përmes këtij programi, UBT përgatit ekspertë që kontribuojnë në kontrollin e cilësisë, nutricionin, inovacionin ushqimor, teknologjinë e përpunimit dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.
Përtej programeve akademike, UBT ka ndërtuar zhvillimin mbi një ekosistem të plotë inovacioni. Institucioni ofron mbi 50 programe studimi, mbi 150 fusha specializimi, më shumë se 200 laboratorë modernë, bibliotekën më të madhe akademike në Kosovë. UBT Smart City, është kthyer në rol model dhe ka tërhequr interesin e institucioneve dhe studiuesve ndërkombëtarë për t’u analizuar si praktikë e zhvillimit universitar, ndërsa së fundmi USA Today e ka përshkruar UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inovacionit që përgatit profesionistë për tregun global.
Përmes laboratorëve të specializuar dhe qendrave kërkimore, studentët angazhohen në projekte që lidhen me Artificial Intelligence, Big Data, Cyber Security, Internet of Things, Cloud Computing, Virtual Reality, Extended Reality, Smart Cities, 5G, automatizimin industrial dhe transformimin digjital. Kjo qasje i afron ata me teknologjitë që sot po udhëheqin ekonominë globale dhe që sipas World Economic Forum do të përcaktojnë profesionet e dekadës së ardhshme.
Raporti vlerëson se deri në vitin 2030, rreth 39% e aftësive aktuale të fuqisë punëtore do të transformohen, ndërsa punëdhënësit do të kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca në analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerit, sigurinë, inxhinierinë, energjinë, qëndrueshmërinë, kreativitetin dhe komunikimin.
Nëse dekada e kaluar u karakterizua nga revolucioni i internetit, dekada që po jetojmë po karakterizohet nga inteligjenca artificiale, ekonomia e të dhënave, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital. Treguesit globalë dëshmojnë se profesionet me rritjen më të shpejtë janë pikërisht ato që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Përmes programeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, FinTech, Studime të Sigurisë, Inxhinieri të Mjedisit, Inxhinieri të Energjisë, Inxhinieri Mekanike, Shkenca të Ushqimit, Media dhe Komunikim, si dhe dhjetëra programeve të tjera të orientuara drejt inovacionit, UBT po kontribuon në përgatitjen e profesionistëve që do të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë globale dhe e tregut të punës të së ardhmes.
Botë
34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi
Published
1 day agoon
July 31, 2026By
UBT News
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.
“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.
Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.
“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.
Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.
Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/
Magazinë
Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”
Published
1 day agoon
July 31, 2026By
UBT News
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar një video në llogarinë e saj në Instagram, përmes së cilës promovon Prishtinën dhe njofton se kryeqyteti i Kosovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes shërbimit Google Maps Street View.
Në përshkrimin e videos, artistja shkruan: “Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View.”
Në video, Dua Lipa flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku u rrit dhe i fton ndjekësit ta zbulojnë Prishtinën përmes syve të saj.
“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View,” thotë ajo.
Artistja prezanton disa prej vendeve të saj të preferuara në kryeqytet, duke nisur me një librari që, sipas saj, e viziton sa herë kthehet në Prishtinë, ku gjithmonë gjen një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë.
Ajo ndalet gjithashtu në disa restorante dhe bare, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë kulturën shqiptare, energjinë dhe atmosferën unike të Prishtinës.
Në fund të videos, Dua Lipa i kushton rëndësi edhe Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet dhe një ngjarje që mishëron frymën e qytetit, duke mbledhur çdo vit mijëra vizitorë dhe artistë nga e gjithë bota.
Publikimi i videos përkon me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke promovuar njëkohësisht Prishtinën, kulturën e saj dhe mundësinë që tashmë qyteti të eksplorohet virtualisht përmes Google Maps Street View./A.K/
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 gusht 1993-1998?
Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së
34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi
Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”
Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë – del të jetë shtetas i Shqipërisë, i dënuar për vrasje
Këshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
Sunny Hill Festival nis sot në Prishtinë, Katy Perry ylli kryesor i mbrëmjes së parë
32 vjet burgim për katër të akuzuarit në rastin “Toka 2”, konfiskohen 45 ngastra kadastrale
Fillon procesi “Reçaku”, lexohet aktakuza me të akuzuarit në mungesë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Sport1 day agoKëshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
-
Lajmet1 week agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet2 days agoHamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

