Lajmet

​Sa kushton një jetë e mirë në Gjermani?

Rritja e çmimeve të gazit, energjisë elektrike dhe ushqimeve përfaqëson një sfidë krejtësisht të re për këtë vend.

Published

on

Në Gjermani, një nga vendet më të pasura në botë, çdo i gjashti qytetar është në prag të varfërisë.

Rritja e çmimeve të gazit, energjisë elektrike dhe ushqimeve përfaqëson një sfidë krejtësisht të re për këtë vend.

Njerëz të pastrehë që flenë në rrugë, nëna që heqin dorë nga vaktet për të bërë më shumë për fëmijët e tyre, pensionistë që kërkojnë shishe plastike në kosh…

Megjithëse Gjermania është një nga vendet më të pasura në botë, 13.8 milionë banorë të saj janë në prag të varfërisë ose jetojnë në varfëri.

Këto janë të dhëna nga raporti aktual vjetor mbi varfërinë e organizatës ombrellë gjermane të shoqatave bamirëse të angazhuara në kujdesin social dhe shëndetësor (Deutscher Paritätischer Wohlfahrtsverband). Dhe qeveria gjermane, në raportin e saj për varfërinë, vëren një hendek në rritje midis të pasurve dhe të varfërve, shkruan Deutsche Welle.

Kjo nuk do të thotë që njerëzit në Gjermani vdesin nga uria ose nga të ftohtit sepse askush nuk i ndihmon, ose se ata vdesin nga sëmundjet sepse nuk kanë qasje në kujdesin mjekësor.

Në sociologji, ekziston një ndryshim midis varfërisë absolute, kur njerëzit nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre themelore, dhe varfërisë relative, e cila matet me kushtet mesatare të jetesës së një shoqërie.

Shpërndarja e pabarabartë e pasurisë dhe varfërisë

Në listën botërore, Gjermania ishte në vendin e 20-të për nga pasuria vitin e kaluar.

Kriteri është prodhimi i brendshëm bruto për frymë. Në Gjermani arrin në 50.700 dollarë amerikanë. Në vend të parë është Luksemburgu me 136.000 dollarë amerikanë për frymë. Dhjetë vendet më të varfra në botë ndodhen në Afrikë, dhe vendi më i varfër është Burundi me 270 dollarë amerikanë të prodhimit të brendshëm bruto në vit për frymë.

Varfëria – një çështje përkufizimi

Ndërsa në vendet më të varfra të botës njerëzit zakonisht jetojnë në varfëri absolute, njerëzit në Evropë përgjithësisht janë të prekur nga varfëria relative. Ata duhet të përballen me kufizime të konsiderueshme materiale.

Në Bashkimin Evropian, dikush që ka në dispozicion më pak se 60 për qind të të ardhurave mesatare mujore është në rrezik të varfërisë ose është i varfër. Dhe kushdo që ka më pak se 50 për qind të të ardhurave mesatare është shumë i varfër.

Sipas këtyre kritereve, beqarët e varfër në Gjermani që marrin më pak se 1148 euro në muaj, nënat beqare me një fëmijë të vogël që kanë në dispozicion më pak se 1492 euro dhe prindërit me dy fëmijë nëse kanë të ardhura më pak se 2410 euro.

Gjermania e përkufizon veten si një shtet social. Ata që nuk mund të gjejnë punë ose janë të paaftë për të punuar dhe nuk kanë të ardhura të tjera, marrin ndihmë bazë sociale. Kjo ndihmë ka për qëllim mbulimin e shpenzimeve të jetesës, ndërsa shpenzimet e qirasë, ngrohjes, ujit të ngrohtë dhe sigurimit shëndetësor mbulohen nga shteti. Në vitin 2020, 5.3 milionë njerëz morën ndihmë në Gjermani.

Beqarët dhe prindërit e vetëm marrin 449 euro në muaj, nga të cilat duhet të paguajnë ushqimin, veshmbathjen, mjetet higjienike, internetin, telefonin dhe energjinë elektrike. Nëse në komunitet jetojnë dy përfitues të ndihmës, atëherë secili prej tyre merr 404 euro. Për çdo fëmijë, në varësi të moshës, merrni nga 285 deri në 376 euro.

Sa i duhet një personi për të jetuar?

Organizatat që ndihmojnë të varfrit deklarojnë vazhdimisht se sigurimet bazë shoqërore nuk e parandalojnë varfërinë dhe nuk mjaftojnë për të marrë pjesë realisht në jetën shoqërore. Qeveria synon të rrisë ndihmën nga viti 2023. Më pas ndihma bazë do të jetë 502 euro. Christoph Butterwegge, një sociolog që merret me varfërinë, beson se kjo nuk do të mjaftojë. Ai vlerëson se 650 euro është shuma minimale që do të garantonte një “jete dinjitoze” dhe një dietë normale e të shëndetshme.

Masa e ndihmës sociale është në të vërtetë rezultat i një llogaritjeje të ngushtë. Ushqimi kushton pesë euro në ditë për person. “Kjo është arsyeja pse familjet e varfra shpesh blejnë më pak ushqime ose blejnë ushqime me cilësi më të dobët,” thotë një analizë e Fondacionit Heinrich Böll vitin e kaluar. Ky fondacion, pranë të Gjelbërve, përdor termin varfëri ushqyese në këtë kontekst.

Është e vështirë edhe për pensionistët

Inflacioni i bën gjërat më keq, kështu që ata që nuk kishin nevojë për ndihmë deri më tani janë gjithashtu në rrezik.

Gjithnjë e më shumë janë ata që nuk paguajnë dot çmimet e rritura të bukës, qumështit, perimeve dhe frutave. Kjo mund të shihet edhe në 960 vendet në Gjermani ku organizata Tafel mbledh dhe shpërndan ushqime që janë të përdorshme, por së shpejti do të skadojnë. Në vitin 2020, 1.1 milionë njerëz i kanë përdorur këto shërbime dhe ndërkohë janë dy milionë.

Varfëria prek gjithnjë e më shumë të moshuarit. Pensionet janë shumë të vogla – edhe pas dekadash pune. Gratë ishin më të prekura se burrat, pasi ato shpesh punonin me kohë të pjesshme dhe paguheshin më pak. Një studim i Fondacionit Bertelsmann parashikon se në vitin 2036, rreth 20 për qind e pensionistëve do të preken nga varfëria në pleqëri.

Në Gjermani po rritet edhe numri i qytetarëve që punojnë, por paga e tyre nuk mjafton për të mbuluar nevojat elementare. Megjithatë, paga minimale për orë kohët e fundit është rritur në 12 euro, që do të thotë se një person i vetëm që punon me orar të plotë ka në dispozicion 1480 euro.

Nominalisht, kjo është mbi kufirin e varfërisë, por inflacioni e zhvlerëson atë shumë. Ky problem është i njohur për studentët. Nëse ata jetojnë me kredi studentore, ajo arrin në maksimum 934 euro në muaj – përfshirë subvencionimin për qiranë dhe sigurimin shëndetësor. Kjo është shumë më poshtë kufirit të varfërisë relative në Gjermani.

Nuk ka përmirësim në pamje

Qeveria gjermane do të shpenzojë 200 miliardë euro për të zbutur pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë. Por kjo nuk do të mbulojë të gjitha kostot shtesë dhe sipas parashikimeve të ekspertëve, inflacioni do të mbetet në nivele të larta. Këtë do ta ndjejnë para së gjithash ata që nuk kanë rezerva financiare apo kursime.

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Në raportin njëditor të Policisë së Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje. Rastet janë regjistruar në qytetet Obiliq, Fushë Kosovë, Prishtinë, Podujevë dhe Shtërpcë.

Në rastin e parë në Obiliq, një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar presion ndaj familjarëve duke kërkuar para. I njëjti ka shkaktuar dëme materiale duke dëmtuar veturën e familjes dhe gjësende të tjera në shtëpi. I dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në rastin e dytë në Fushë Kosovë,  edhe një person është vënë në pranga pasi dyshohet se ka shkaktuar probleme të vazhdueshme dhe ka ofenduar anëtarët e familjes së tij. Pas arrestimit dhe inicimit të rastit, prokurori ka vendosur që i dyshuari të lirohet dhe rasti të shkojë në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, një çift bashkëshortor janë shoqëruar në stacionin policor pas një përleshjeje mes vete. Dyshohet se fillimisht bashkëshortja kishte ushtruar presion psikik ndaj burrit dhe kishte tentuar ta godiste, ndërsa ky i fundit, duke u vetëmbrojtur, e ka goditur atë duke i shkaktuar lëndime për të cilat ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq në Podujevë, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Viktima ka refuzuar ndihmën mjekësore dhe urdhrin e mbrojtjes, duke vendosur të kthehet te familja e saj. Edhe pse i dyshuari fillimisht nuk u gjet nga policia, ai u paraqit më vonë pas ftesës dhe me urdhër të prokurorit u lirua në procedurë të rregullt.

Në rastin e fundit në Shtërpcë, policia ka arrestuar një person nën dyshimin e bazuar se ka sulmuar fizikisht vajzën e tij. Pas intervistimit nga hetuesit policorë, prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

 

Continue Reading

Lajmet

Java e Muzeve 2026 shënohet me hyrje falas dhe aktivitete në të gjithë Shqipërinë

Published

on

Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, një datë që i kushtohet rolit të institucioneve muzeore në edukim, kulturë dhe zhvillim shoqëror.

Në Shqipëri, në kuadër të kësaj jave, hyrja në muze do të jetë falas më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, si edhe më 21 maj, në Ditën Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim.

Gjatë gjithë javës nga 18 deri më 24 maj, muzetë, parqet arkeologjike dhe hapësirat e trashëgimisë kulturore në mbarë vendin do të organizojnë një program të gjerë aktivitetesh, përfshirë ekspozita, guida, performanca artistike dhe aktivitete edukative që synojnë afrimin e publikut me historinë dhe identitetin kulturor.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve u jep gjithashtu mundësi profesionistëve të muzeve të takohen me publikun dhe të ngrenë vetëdijen për sfidat me të cilat përballen këto institucione.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve e ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë dhe promovimin e kulturës në nivel global.

Continue Reading

Lajmet

Policia Ushtarake e FSK-së trajnohet nga instruktorët kroatë për kontrollin e turmave

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ngritur kapacitetet e saj operacionale përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Policinë Ushtarake të Kroacisë. Përmes një njoftimi zyrtar, ministri theksoi se FSK po vazhdon me sukses avancimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të specializuara me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë javës së kaluar, në bashkëpunim me instruktorët kroatë, është realizuar për herë të parë Kursi për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave. Ky trajnim ka integruar module të specializuara për intervenime të shpejta, kontroll të turmave, si dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB).

Sipas ministrit Maqedonci, gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëtarët e Policisë Ushtarake kanë zhvilluar aftësi të avancuara taktike dhe operacionale, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë dhe gatishmëri të lartë. Ky aktivitet vlerësohet si një tjetër dëshmi e transformimit të vazhdueshëm të Policisë Ushtarake në një njësi moderne, të përgatitur plotësisht për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës zhvilloi vizitë kulturore në Medellin

Published

on

Gjatë qëndrimit në Medellín, Baleti Kombëtar i Kosovës zhvilloi një vizitë kulturore në Museo de Antioquia dhe në Palacio de la Cultura Rafael Uribe Uribe, të organizuar nga Secretaría de Cultura Ciudadana de Medellín.

Vizita kishte për qëllim njohjen më të afërt me historinë, artin dhe trashëgiminë kulturore të Kolumbisë dhe rajonit të Antioquia-s.

Kjo përvojë kulturore u përmbyll me një prezantim të veçantë të valleve tradicionale kolumbiane nga Ballet Folclórico Bochica nga Medellín, i dedikuar për ekipin e Baletit Kombëtar të Kosovës, duke krijuar një atmosferë miqësie dhe shkëmbimi kulturor mes artistëve.

Pas kësaj vizite, ekipi vazhdoi qëndrimin në Comuna 13, një nga zonat më simbolike të Medellín-it, e njohur për transformimin social, artin urban dhe historinë e veçantë të qytetit.

Continue Reading

Të kërkuara