Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashar, në rastin “Veteranët”. Kurse, u liruan nga akuza Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Në gjykimin e kaluar, Themelorja kishte shpallur aktgjykim lirues për gjithë të akuzuarit.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzoheshin ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri. Anëtarë të trupit gjykues ishin gjykatësit Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit janë fajtorë për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal, andaj secili veç e veç dënohen me nga 1 vit burgim.
Gjykatësi Bahtiri tha se Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj lirohen nga akuza pasi nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.
Gjykatësi tha se pas administrimit të provave personale dhe materiale, përtej dyshimit të bazuar mirë është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale. Kurse, për Lushtakun dhe Elezajn, Gjykata gjeti se nuk janë fajtorë pasi nuk e kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.
Bahtiri shtoi se Gjykata nuk ka mundur të identifikojë secilin veç e veç prej 19 mijë e 500 aplikacioneve për statusin e veteranti, andaj vlerëson se duhet të shqyrtohet procedura përkatëse pastaj të merret vendim se a gëzon statusin e veteranit apo jo.
Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që pëmes komisioneve përkatëse në procedurë administrative të bëjë rishqyrtimin e listës prej 19 mijë e 500 veteranëve si në shtojcën e Prokurorisë Speciale.
Prezent në shpallje ishin prokurori special Valdet Gashi dhe i akuzuari Sadik Halitjaha./BetimipërDrejtësi