Kulturë

​Rexhep Ferri merr çmimin “Muslim Mulliqi”

Ferri u shpreh se sot po shpërblehet puna dhe kujtohet vepra që Kosova dikur mburrej me të.

Published

on

Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” i është ndarë sot akademik Rexhep Ferrit. Veprimtaria dhe krijimtaria e tij janë vlerësuar lart, ku u tha se pa të, vështirë mund të paramendohet jeta e gjallë artistike dhe kulturore e Kosovës.

Gjatë ndarjes së çmimit vjetor në “Bibliotekën Kombëtare”, akademik Rexhep Ferri u shpreh se sot po shpërblehet puna dhe kujtohet vepra që Kosova dikur mburrej me të.

“Ne duke falënderuar harresën, është e vështirë të flasësh për vetveten kur fillon te mendoj njeriu që është bërë pak person publik. Krejt çfarë dua të them është e zbehtë në krahasim me atë çka ka qenë në mua, të cilën jam munduar në disa fusha ta shprehi dhe t’iu lë për juve që jeni më të rinj se unë… Mirë është të kesh ministër të Kulturës një njeri që e meriton, por a mund të shpëton me një vend siç është vendi ynë, pa u “djeg” ai ministër, unë nuk e di”, është shprehur ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se ky vlerësim është më e pakta që mund të bëjnë institucionet shtetërore për figura të shquara.

“Për mua sot nuk është vetëm një aktivitet në vazhdën e shumë aktiviteteve dhe ndarjen e çmimeve vjetore, por jam shumë i nderuar që sot duke e kujtuar dhe respektuar Muslim Mulliqin, ne në të njëjtën kohë respektojmë artistin tonë dhe ata që kontribuojnë në zhvillimin e artit. Veçantia e ditës së sotme është Rexhep Ferri, të cilin e falënderoj shumë për gjithë çfarë ka bërë për vendin e tij, për artin e Kosovës. Ky vlerësim është më e pakta që institucionet shtetërore mund të bëjnë për të nderuar figurat e veçanta që kanë dhënë shumë për vendin tonë”, ka thënë ministri Çeku.

Në emër të jurisë, profesor Mehmet Behluli u shpreh se veprimtaria e Rexhep Ferrit shkon krah për krah me zhvillimin e artit.

“Ne konkurrencë shumë të fuqishme, profesor-akademik Rexhep Ferri, njëri nga doajenët, themelues te gjithë asaj që kemi sot në fushën e arteve vizuele. Njëri nga baballarët themelues, pa të cilët vështirë mund të paramendohet jeta shumë e gjallë artistike dhe kulturore në vendin tonë. Po ta heqim profesor Rexhep Ferrin, gjithçka do të ishte më e zbehtë dhe më gjysmake. Veprimtaria dhe krijimtaria e Rexhep Ferrit është e pandashme dhe shkon krah për krah me zhvillimin dhe rritjen e vendit tonë, Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Në ceremoninë e sotme ishte paraparë edhe ndarja e çmimit vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor, por nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është konsideruar se nuk ka pasur mjaftueshëm konkurrencë për ndarjen e këtij çmimi.

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës mbyll me sukses turneun në Amerikën Latine

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka përmbyllur turneun në Amerikën Qendrore dhe Amerikën Latine me një performancë të suksesshme në Bogotá të Kolumbisë.

Sipas njoftimit, mbi 1800 spektatorë në Teatro Municipal Jorge Eliécer Gaitán e përcollën mbrëmjen finale me duartrokitje dhe entuziazëm. Në këtë mbrëmje u prezantua vepra “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloro, e cila krijoi një atmosferë të veçantë në skenën kolumbiane.

Nga institucioni u vlerësua se ky ishte një përmbyllje e suksesshme e turneut, i cili promovoi artin dhe kulturën kosovare në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Kulturë

141 vjet nga vdekja e Viktor Hygo, gjigant i letërsisë franceze

Published

on

Sot shënohen 141 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe poetit të njohur francez Viktor Hygo, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë botërore dhe konsideruar si babai i romantizmit francez.

I lindur më 26 shkurt 1802, Hygo la pas një krijimtari të pasur letrare që vazhdon të lexohet edhe sot në mbarë botën. Ndër veprat e tij më të njohura janë romanet “Të mjerët” dhe “Notre Dame de Paris”, si dhe një numër i madh poezish dhe dramash.

Përveç letërsisë, ai u angazhua edhe në jetën politike, duke mbështetur idetë demokratike dhe duke kundërshtuar regjimin e Napoleonit III. Për shkak të qëndrimeve të tij, ai kaloi vite në mërgim, periudhë gjatë së cilës shkroi disa nga veprat e tij më të rëndësishme.

Viktor Hygo vdiq më 22 maj 1885 në Paris dhe u nderua me një ceremoni madhështore shtetërore. Ai mbetet një nga emrat më të mëdhenj të letërsisë franceze dhe botërore.

Continue Reading

Lajmet

Drejt përfundimit restaurimi i objektit të Kryqit të Kuq në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se në Prishtinë po vazhdojnë punimet restauruese në disa asete të trashëgimisë kulturore, ndërsa një nga projektet në fazë të avancuar është restaurimi i objektit të Kryqit të Kuq.

Sipas saj, punimet në këtë objekt historik, që ndodhet brenda Qendrës Historike të Prishtinës, janë drejt përfundimit. Ajo theksoi se restaurimi po realizohet me kujdes të veçantë për ruajtjen e identitetit dhe karakterit autentik të ndërtesës.

Bogujevci tha se përmes këtyre ndërhyrjeve institucionet po vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen dhe revitalizimin e trashëgimisë kulturore në kryeqytet.

Continue Reading

Lajmet

Hapet më 17 qershor Panairi i Librit “Prishtina 2026”, mbi 2 mijë tituj të rinj për lexuesi

Published

on

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se më 17 qershor do të hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Me moton “Libri hap botën”, panairi do të mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Ceremonia hapëse do të nisë në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Sipas organizatorëve, në këtë edicion do të marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, ndërsa do të prezantohen afro 2 mijë tituj të rinj dhe rreth 6 mijë botime të viteve të fundit. Gjatë pesë ditëve të panairit do të organizohen mbi 40 aktivitete kulturore, promovime librash dhe takime me autorë vendorë e ndërkombëtarë. Mysafir nderi i këtij edicioni do të jetë shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.

Organizatorët presin që panairi të vizitohet nga rreth 30 mijë qytetarë, studentë dhe nxënës, ndërsa hyrja për të gjithë vizitorët do të jetë falas.

Continue Reading

Të kërkuara