Lajmet

​Rama: Nuk është Shqipëria që vendos sanksione për Rusinë

Ai nuk e sheh rrezikun që kriza e Ukrainës të zhvendoset në Ballkan.

Published

on

Pas samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se për sanksionet ndaj Rusisë duhet të vendos NATO, e jo Shqipëria.

Ai nuk e sheh rrezikun që kriza e Ukrainës të zhvendoset në Ballkan, por siç tha Rama, në rast të shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore nuk do të mund ta evitojnë. Mes tjerash, është pyetur edhe për iniciativën “Open Ballkan” dhe pozicionimin e Serbisë në këtë situatë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia është një situatë tragjike, por edhe zhvillim, i cili ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë.

“Është një situatë tragjike, por nga ana tjetër është një zhvillim i cili ka sfiduar gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë, të gjithë ngrehinën institucionale duke goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar. Mu duk e udhës të zhvillonim këtë konferencë të jashtëzakonshme për të folur pak më shumë për implikimet e kësaj lufte mbi Shqipërinë, e cila shumë nga vendet e ndryshme të NATO-s, nuk ka varësira të konsiderueshme të natyrës ekonomike apo tregtare me Rusinë, por sidoqoftë nuk është krejt pa lidhje, qoftë me Rusinë, qoftë me Ukrainën që urojmë dhe shpresojmë të kthehet në normalitet, por është shumë larg sot nga normaliteti”, ka thënë Rama në konferencë.

Ai është pyetur edhe për vendosjen e sanksioneve për Rusinë, ku tha se e gjithë aleanca e NATO-s duhet të bëjë një gjë të tillë.

“Është e vërtetë që sanksionet e Shqipërisë ndaj Rusisë janë i-relevante në aspektin e volumit. Nuk është Shqipëria që vë sanksione ndaj Rusisë, është gjithë aleanca që bie dakord të vendosi sanksione. Shqipëria është pjesë e kësaj aleance dhe nuk ka diskutim që i përqafon të gjitha vendimet e aleancës. Të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet të cilat janë të lidhura me aleancën, pavarësisht që nuk janë anëtare të aleancës. Siç është Kosova. Ne besojmë që nga hulumtimi që kemi bërë që nuk do të kemi efekte shumë shqetësuese”, u shpreh Rama.

Ndërkaq, sa i përket “Open Ballkan” dhe mundësisë për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë pas qëndrimit të saj neutral përballë ofensivës ruse, Rama tha se situata do të shihet hap pas hapi.


“Një qëndrim i dyjëzuar tipik për politikën e jashtme serbe. Ndërkohë që sot çka po diskutojmë është goxha më e rëndësishme. Ndërsa, sa i përket ecurisë të mëtejshme të Ballkanit të hapur kjo është çështje që pret dhe nuk kemi asnjë urgjencë për të nxjerrë konkluzionet. Sepse do të shikojmë në vijim shumë gjëra për të parë. Jo në raport me Serbinë, por në raport se si do të zhvillohet ky proces. Sepse sot jemi në kushtet që nga ora në orë, por mund të shohim lidershipin e zgjedhur demokratik të Ukrainës të vrarë apo të marrë peng. Mund të shikojmë vendosjen e një qeverie kukull atje, mund të shikojmë një vend që kalon në një botë tjetër komplet duke u kontrolluar ushtarakisht. Nga ana tjetër ka filluar vendosja e sanksioneve dhe do të duhej të shikojmë dinamikat dhe si do të sillen vendet e aleancës , BE, ShBA-të me vendet tjera që janë neutrale me dy këndvështrime”, tha ai në konferencën e mbajtur pasditen e së premtes.

Kreu i ekzekutivit në Shqipëri deklaroi se situata në Ukrainë është luftë reale dhe se ka impakt në ekonomi.

“Është luftë reale, nuk është dokumentar apo playstation apo ngjarje që ndodhë në një kontinent tjetër. Është luftë reale në dyert e Bashkimit Evropian. Dhe në shumë vende të BE-së kanë shumë aktivitet në Rusi. Që do të thotë që gjithë këto sanksione krijojnë shtrëngesa të cilat natyrisht reflektohet jo thjeshtë në jetën ekonomike të atyre vendeve që kanë drejtpërdrejt marëdhënie të tilla, por edhe vendeve të tjera që janë në marëdhënie me to”, tha kryeministri shqiptar.

Më tej, ai potencoi se anketimet që qeveria bën vazhdimisht, tregojnë se ka një pjesë njerëzish se janë të shqetësuar se kjo luftë do të vijë në Shqipëri dhe se nuk janë të pajisur me avionë.

“Shqipëria është një vend anëtar në NATO që ka një sërë prioritetesh të vetat të koordinuara për bukuri me aleancën. Ka një plan të vetin të fuqizimit të ushtrisë, ka sot investim që po kryhet për një bazë ajrore të NATO-s, që do të kemi avionët e NATO-s aty. Në këtë aspekt nuk ka shqetësime. Sigurisht që nëse Lufta e Tretë Botërore shpërthen atëherë as nuk e parashikojmë dot, as nuk e evitojmë dot nëse të tjerët e nisin, njësoj siç nuk e parashikojmë dot kur dalim nga shtëpia ndodhë diçka”, ka deklaruar ai.

Rama është zotuar se Shqipëria është e gatshme për të strehuar qytetarët ukrainas që largohen lufta.

Në konferencën e sotme, ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka foli dhe për një komunitet të vogël shqiptarësh atje, por kontaktet e qeverisë shqiptare tha se kanë qenë me 4-5 prej tyre, të cilët kanë kërkuar asistencë për t’u larguar.

Lajmet

REL: Sot deklaratat hyrëse në rastin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit për pengim të drejtësisë

Published

on

By

Thaçi në paraburgim

Nga pesë të akuzuarit në rastin kundër pengimit të drejtësisë, vetëm ndaj Hashim Thaçit ka masë paraburgimi dhe ai gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku po pret edhe vendimin e trupit gjykues për rastin kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë paraqitjeve para Gjykatës për rastin e dytë, atë të pengimit të drejtësisë, Thaçi nuk ishte deklaruar për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Deklarimin e pafajësisë ai e bëri me shkrim më 6 janar 2025. I pafajshëm me shkrim u deklarua edhe Smakaj ditë më vonë, përkatësisht më 14 janar 2025.

 Për çfarë akuzohen pesë të pandehurit?

Më 29 nëntor 2024, Gjykata Speciale njoftoi se është konfirmuar aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Në aktakuzën janë përshkruar takimet që Thaçi ka zhvilluar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Prokuroria pretendon se gjatë dhënies së udhëzimeve, Thaçi ka dhënë edhe referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të dëshmitarëve në rastin e parë kundër tij.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Ndërkaq, Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

“Përmes veprimeve të tyre, Hashim Thaçi, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe të tjerë tentuan që të komprometonin aftësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet në mënyrë efektive, përfshirë aftësinë e DHSK-së/ZPS-së për të marrë dhe mbrojtur prova relevante të dëshmitarëve”, thuhet në aktakuzë.

ZPS-ja po ashtu pretendon se gjatë bastisjeve që ka kryer në Kosovë, disa të akuzuarve u ka gjetur dëshmi, sikurse janë lista me emra dëshmitarësh apo edhe udhëzimet se si ata duhej të dëshmonin. /REL/

 

Continue Reading

Rajoni

Rama bën ndryshime në kabinetin e tij, shkarkon Ballukun dhe Spiropalin

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë disa ndryshime të mëdha në kabinetin e tij qeverisës, duke shkarkuar shtatë ministra, përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministres e Energjisë, Belinda Balluku, e cila është nën hetime për korrupsion, raportoi të enjten televizioni shtetëror shqiptar, RTSH.

Sipas RTSH-së, në mesin e të shkarkuarve gjatë një mbledhjeje të enjten pasdite, është edhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali.

As Rama e as Qeveria e tij nuk kanë folur ende për arsyet e këtyre ndryshimeve, të cilat ndodhën pas protestave antiqeveritare të muajve të fundit nga partia e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe akuzave për korrupsion ndaj ministrave të Ramës.

Këto ndryshime vijnë pesë muaj pasi u betua Qeveria e re e Ramës në shtator.

Autoritetet shqiptare filluan hetime në fund të vitit të kaluar mbi dyshimet për korrupsion kundër Balluku dhe zyrtarëve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë kundër Ballukut tetorin e kaluar dhe i ka kërkuar Kuvendit t’ia heqë imunitetin në mënyrë që të jetë në gjendje ta arrestojë atë.

Balluku, e cila njëherësh është edhe deputete dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së tenderëve.

Balluku i ka mohuar akuzat si “hedhje balte, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”.

Hetimet për korrupsion nxitën protesta kundër Qeverisë së Ramës të cilat në raste janë përshkallëzuar në përleshje mes protestuesve dhe oficerëve të Policisë në Tiranë.

Pas vendimit të Ramës të enjten, lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, postoi një video në Facebook, duke thënë se Rama “po kërkon ta shpëtojë lëkurën e vet”.

“Kjo është një lëvizje që fton qytetarët shqiptarë dhe opozitën t’i vazhdojë protestat, sepse kryengritja paqësore shqiptare kërkon shpëtimin e Shqipërisë nga Edi Rama dhe jo kukullat e tij. Me lëvizjen e tij, ai përpiqet t’i mashtrojë njerëzit, në një kohë kur ai vetë është kreu i organizatës kriminale që drejton”.

Ai i bëri thirrje Ramës përsëri të japë dorëheqje, përndryshe “do të përballet me popullin shqiptar”./REL

Continue Reading

Aktualitet

Eksplorim i procesit prodhues: Studentët e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT vizitojnë kompaninë LoniGlass SHPK

Published

on

By

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT zhvilluan një vizitë studimore praktike në biznesin prodhues LoniGlass SHPK në Gremë – Ferizaj, me pronar Arben Rexhepi, në kuadër të lëndës Menaxhimi i Operacioneve.

Vizita u udhëhoq nga profesori i lëndës, Burim Berisha, dhe menaxherja e UBT-së në Ferizaj, Fatime Tahiri, me qëllim të lidhjes së njohurive teorike me praktikën reale në biznes.

Gjatë vizitës, studentët analizuan nga afër proceset operative, duke përfshirë:

  • Menaxhimin e operacioneve në tërësi,

  • Transformimin e inputeve në outpute,

  • Procesin e shndërrimit të xhamit në pasqyra dhe produkte dekorative.

Kjo vizitë ofroi studentëve një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi organizimin operacional, teknologjinë e përdorur dhe menaxhimin e proceseve prodhuese në praktikë, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë sfidat dhe mekanizmat e biznesit real.

Continue Reading

Lajmet

Hulumtimi i profesorëve të UBT-së botohet në revistën e Akademisë së Shkencave të Republikës Çeke, të indeksuar në Scopus

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Prof. Dr. Avni H. Alidemaj nga Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike dhe Prof. Dr. Alban Maliqi nga Studimet e Sigurisë, kanë publikuar hulumtimin e tyre në revistën prestigjioze shkencore Lawyers Quarterly, e cila botohet në Pragë të Çekisë nga Akademia e Shkencave e Republikës Çeke dhe është e indeksuar në Scopus si dhe në shumë baza të tjera të të dhënave ndërkombëtare.

Hulumtimi shkencor thekson sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në vendet multietnike, duke argumentuar se garancitë e forta kushtetuese dhe ligjore janë thelbësore për sigurimin e stabilitetit afatgjatë dhe për parandalimin e tensioneve që mund të përshkallëzohen përtej kufijve shtetërorë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor shërben si ilustrim i qartë se si tensionet etnike të pazgjidhura mund të çojnë në konflikte dhe në krijimin e pakënaqësive të thella ndërmjet komuniteteve.

Po ashtu, studimi analizon të arriturat e Kosovës në garantimin e të drejtave të pakicave përmes përmirësimit të kornizës ligjore dhe rritjes së përfshirjes së komuniteteve pakicë në proceset vendimmarrëse.

Profesorët Alidemaj dhe Maliqi, brenda një periudhe të shkurtër kohore, kanë publikuar një numër të konsiderueshëm punimesh shkencore në revista prestigjioze ndërkombëtare, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në forcimin e kapaciteteve hulumtuese dhe në rritjen e reputacionit akademik të UBT-së.

Continue Reading

Të kërkuara