Lajmet

​Qytetarët mirëpresin vendimin për dozën e tretë

Dozën përforcuese do të mund ta marrin personat të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19.

Published

on

Nga dita e nesërme në Kosovë do të nisë dhënia e dozës përforcuese dhe asaj të tretë të vaksinës kundër COVID-19. Ekspertët shëndetësorë konsiderojnë dhënia e këtyre dy lloj dozave vjen në momentin e duhur pasi që studimet kanë treguar se ato e rrisin deri në 40 herë nivelin e antitrupave neutralizues. Por edhe qytetarët e kanë mirëpritur këtë vendim dhe thonë se posa të njoftohen nga Ministria e Shëndetësisë për termin ata nuk do të hezitojnë, por do e marrin qoftë dozën përforcuese apo edhe të tretën.

Dozën përforcuese do të mund ta marrin personat të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë, ndërsa dozën e tretë do e marrin të gjithë qytetarëtata që kanë marrë që të dy dozat e vaksinës, por që kanë imunitet të dobët apo kanë ndonjë sëmundje shoqëruese. Qytetarët pritet të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.

Internisti Driton Vela e konsideron si moment të duhur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të nisur administrimin e dozës përforcuese të vaksinës anti-COVID, pasi po afrohet limiti 6-mujor të atyre që ndër të parët janë vaksinuar me të dy dozat e që kanë qenë kryesisht profesionistët shëndetësorë e që tek të njëjtit pritet të bie efikasiteti i vaksinave të para.

Vela thotë se është shumë e rëndësishme të merren këto doza duke marrë parasysh edhe përhapjen e variantit të ri Omicron në shumë vende të botës.

“Doza përforcuese është shumë e rëndësishme për disa arsye, e para në kuadër të valës Delta e dimë që me kalimin e kohës bie efikasiteti i vaksinave sidomos ndaj infeksionit me variantin Delta, tash kur ia shton kësaj edhe shfaqjen e variantit të ri që po përhapet në Evropë dhe me gjasë do arrijë edhe në Kosovë nëse nuk ka arritur tanimë, atëherë shtohet edhe më shumë nevoja që ta marrin edhe dozën e tretë sepse studimet kanë treguar se doza e tretë e rrit 25 deri 40 herë nivelin e antitrupave neutralizues”, theksoi Vela.

Eksperti shëndetësor, Driton Vela thotë se ndoshta vendimi për dhënien e dozës përforcuese dhe asaj të tretë është dashur të merrej edhe më herët me qëllim që qytetarët të ishin më të përgatitur në përballjen me variantet e reja të koronavirusit.

Sipas tij, edhe tek doza përforcuese dhe tek ajo e tretë lejohet çdo lloj kombinimi i vaksinave.

“Ndoshta është dashur edhe më herët të merret ky vendim në mënyrë që të jemi të përgatitur për variantet e reja të cilët edhe ashtu janë pritur se do të shfaqen, në disa vende veçse për shkak të varantit të ri Omicron është shkurtuar periudha kohore e cila kërkohet që të kalojë para se ta marrësh dozën përforcuese për shkak të frikës që ky variant përhapet shumë më shpejt dhe më e rëndësishmja për shkak të dëshmive objektive se ky variant shkakton rënie të sasisë të antitrupave neutralizues”, vijoi internisti Vela.

Ndërsa, edhe qytetarët e Kosovës shprehën të gatshëm për ta marr dozën përforcuese apo të tretën.

Nazmi Berisha thotë se do të vaksinohet edhe një herë dhe këtë vendim e sheh si të qëlluar.

“Vendimi është shumë i mirë, është i qëlluar të dy vaksinat i kam marr edhe virusin e kam kaluar vitin e kaluar dhe bëj apel tek të gjithë të vaksinohen. […]Sigurisht që po do e marr […] Kjo është në interesin tonë po e shohim se çka po ndodh në botë, shumë shtete më të fuqishme se ne edhe ekonomikisht, edhe në pikëpamje të tjera, ata po i marrin pse ne mos me i marr”, tha ai.

Edhe profesori universitar, Sabri Kadriu beson që doza e tretë është e domosdoshme për t’u marrë me qëllim të luftimit të COVID-19.

“Unë mendoj se është diçka mirë, ka shumë gjëra të tjera të këqija por sa i përket shëndetësisë mendoj se vendimi janë që janë analizuar nga dikush dhe asnjë shtet nuk do që popullin e vetë ta asgjësojë. Prandaj, kam besim, dy i kam marr do e marr edhe tretën”, theksoi Kadriu.

Në fund të marsit Kosova ka nisur administrimin e dozave të para të vaksinës anti-COVID. Në atë kohë të parët që u imunizuan karshi COVID-19 ishin profesionistët shëndetësorë. Ata u vaksinuan me llojin e vaksinave AstraZenenca të cilat ishin donacion për Kosovën nga COVAX.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit e deri më tani në Kosovë janë dhënë 1.630.082 doza të vaksinës anti-COVID-19. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), 767 mijë e 742 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë anti-COVID.

Lajmet

Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha

Published

on

By

Sot futbolli kosovar përjeton një moment unik pasi në të njëjtën kohë kur ekipi A zbret në fushën e “Fadil Vokrrit” për ndeshjen finale ndaj Turqisë, Kosova U21 do të sfidojë Spanjën në Madrid.

Të rinjtë tanë po luftojnë për një vend në “Europianin Shqipëri-Serbi 2027”, duke u përballur me liderin e grupit A që mban 18 pikë, ndërsa Kosova renditet në vendin e katërt me 8 pikë.

Pas humbjes 1-3 në ndeshjen e parë në Prishtinë, dardanët e rinj kërkojnë hakmarrjen ndaj spanjollëve, duke u mbështetur në formën e mirë që treguan me fitoret bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe 7-0 ndaj San Marinos, si dhe barazimet pa gola kundër Rumanisë dhe Finlandës.

Kjo pasdite i gjen tifozët me vëmendje të ndarë mes Prishtinës dhe Madridit, në një përpjekje të dyfishtë për sukses ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim, Stephen O’Malley. Gjatë këtij takimi, vëmendje kryesore iu kushtua prioriteteve të Planit Strategjik të UNKT-së për periudhën 2026–2030, si dhe zbatimit të Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart faktin që prioritetet e këtij plani janë në përputhje të plotë me agjendën kombëtare të zhvillimit, duke mirëpritur vazhdimësinë e mbështetjes së OKB-së në vend. Gjatë diskutimit, ai vuri në dukje se ky partneritet është dëshmuar edhe përmes veprimeve konkrete financiare.

“Qeveria ka kontribuar edhe përmes bashkëfinancimit në programet e OKB-së në vend, duke nënvizuar përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me këtë organizatë,” ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UNKT-së prezantuan synimet për vitin 2026, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e Kosovës si në aspektin zbatues, ashtu edhe në atë normativ. Fokus i veçantë në bisedë u vu mbi reformat dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, ku agjencitë e OKB-së mund të japin kontributin e tyre profesional.

“Jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave, duke u fokusuar në fushat ku agjencitë tona mund të japin kontributin më të madh,” u theksua nga ana e përfaqësuesve të UNKT-së.

Takimi u përmbyll me dakordimin e të dyja palëve për të forcuar më tej mekanizmat e koordinimit dhe për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në dobi të proceseve zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet

27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe

Published

on

By

Sot, kur shënohet 27-vjetori i masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe asaj në Burim të Malishevës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar viktimat e krimeve barbare të kryera nga regjimi serb në marsin e vitit 1999.

Përmes një komunikate për media, Presidentja Osmani ka theksuar se këto akte ishin pjesë e një makinerie vrasëse që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, duke rikujtuar se më 31 mars 1999, në fshatin Pastaselë të Rahovecit, forcat serbe ekzekutuan brutalisht 106 civilë të pafajshëm.

E para e shtetit u shpreh se në Pastaselë u shpërfaqën përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor, duke e cilësuar këtë si një akt të qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli.

“Në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli,” u shpreh Osmani.

Ajo kujtoi gjithashtu se nga kjo masakër mbijetuan vetëm 13 persona, të cilët sot mbajnë mbi supe peshën e rëndë të dëshmisë për tmerrin e përjetuar.

Në të njëjtën ditë, makineria vrasëse e Serbisë goditi edhe fshatin Burim të Malishevës, ku u ekzekutuan mizorisht 42 civilë të tjerë.

Presidentja potencoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, duke bërë thirrje që autorët e këtyre krimeve të dalin para përgjegjësisë dhe duke përfunduar mesazhin e saj me nderimin se qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri.

Continue Reading

Lajmet

REL: Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj

Published

on

By

Tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj, ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

“Tarifat aktuale të energjisë elektrike do të mbesin në fuqi gjatë muajit prill, ndërsa tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj”, tha Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.

Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, por nga ZRRE-ja thanë se ende nuk ka ndonjë shifër se sa do të jetë përqindja e rritjes së çmimit.

Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), thuhet në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.

Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.

Arsye tjetër në dokument përmendet edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës.

Zyrtarë të ZRRE-së, në janar të këtij viti, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se “kërkesat do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme”.

Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.

Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.

Ndërkaq, KEDS-i ka kërkuar 235 milionë euro apo 21 milionë euro më shumë se sa kërkesa fillestare e vitit të kaluar që ishte 214 milionë euro. Ndërsa, vitin e kaluar, ZRRE-ja i kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro.

Kurse kërkesa e KOSTT-it, që tha se synon të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët, është mbi 99 milionë euro, nga rreth 102 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Vitin paraprak, ZRRE-ja kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88 milionë euro.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat./REL/

Continue Reading

Të kërkuara