Lajmet

​Qeveria pret ndryshime pozitive për liberalizimin e vizave, optimizëm për pjesën e parë të vitit 2022

Kryeziu thotë për KosovaPress se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Published

on

Qeveria e Kosovës është duke pritur ndryshime pozitive të vendeve skeptike të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Në ekzekutiv shprehën të bindur se në shtatë muaj qeverisje kanë treguar qëllimet e tyre të qarta për luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformën e sistemit të drejtësisë. Megjithëse në Qeveri nuk dhanë ndonjë datë, njohësit e integrimeve evropiane si mundësi reale për liberalizim të vizave e shohin gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, pikërisht atëherë kur presidencën e Këshillit të BE-së, e merr Franca, e cila është një ndër vendet skeptike.

Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Megjithatë, ai tregon se janë në komunikim me vendet hezituese dhe se të njëjtat janë në dijeni për zhvillimet pozitive në Kosovë.

“Ky është një vendim i cili i takon BE-së, përkatësisht vendeve që vazhdojnë të shprehin një dozë skepticizmi ndaj Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kjo qasje, ky qëndrim dhe këto vendime përcaktohen nga dinamikat e brendshme politike të këtyre vendeve. Pavarësisht kësaj, vazhdimisht janë në komunikim me këto shtete dhe përfaqësuesit e këtyre shteteve. Ato kanë misione diplomatike në Kosovë ku janë në dijeni për çdo zhvillim pozitiv që shënohet në Kosovë. Ne shpresojmë se BE-ja do të tejkalojë këtë hezitim, përkatësisht këto shtete karshi Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrimin e tyre, pasi në Kosovë kanë ndodhur ndryshime. Kemi një qeveri të re që gëzon legjitimet të madh popullor dhe politik që ka qëllime të qarta për luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformën e sistemit të drejtësisë… Kjo qeveri brenda 7 muajve tashmë ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, një dokument tejet i rëndësishëm për reformën e sistemit të drejtësisë. Njëjtën kohë ka miratuar koncept-dokumentin për vetingun që është domosdoshmëri për të krijuar një shtet të mirëfilltë”, thotë ai.

Lajme të mira për liberalizim të vizave pret profesori universitar, Afrim Hoti, i cili thotë për KosovaPress, se në pjesën e parë të vitit 2022 mund të ketë lëvizje pozitive për Kosovën. Derisa shprehet skeptik se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë këtij viti.

“Nuk besoj se do të ketë diçka të re brenda këtij viti, sepse definitvisht Sllovenia përkundër dëshirës, nuk mendoj se e ka potencialin ta shtyjë këtë çështje, që eventualisht të marrim liberalizimin e vizave. Ndërkohë, Parlamenti Evropian tash e sa kohë po trumbeton, bile është i vetmi institucion i BE-së qe njeh Kosovën dhe me të njëjtën ka konstituar marrëdhëniet kontraktuale. Sido që të jetë, çështja e liberalizimit të vizave tashmë ka mbet çështje e Këshillit të Ministrave. Disa vende hezitojnë sot e kësaj dite të japin dritën e gjelbër për këtë çështje. Mbase lajme të mira dhe tone optimiste priten në pjesën e parë të vitit të ardhshme, kur udhëheqjen e këshillit do ta merr Franca. Nisur nga fakti se edhe Franca është vendi që deri tani ka shkaktuar më shumë problem”, thekson Hoti.

Më i rezervuar në afate kohore shprehët zëdhënësi Kryeziu. Ai thotë se Qeveria Kurti nuk do të bëjë gabimet e qeverive paraprake kur kanë folur në emër të BE-së.

“Kjo qeveri nuk mund të bëjë gabimet që kanë bërë qeveritë paraprake kur kanë folur në emër të BE-së. Ky vendim nuk i takon Kosovës, ndonëse ne punojmë dhe zotohemi se çfarëdo lloj hezitimi që këto shtete kanë në raport me Kosovën t’i adresoj në kohën dhe mënyrën më të mirë”, shton Kryeziu.

KosovaPress ka kontaktuar edhe eurodeputetën, njëherësh raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, por e njëjta kësaj radhe nuk ka qenë e qasshme për të treguar pritshmëritë e saja rreth këtij procesi.

Të paqasshëm kanë qenë edhe në partitë opozitare, PDK dhe LDK.

Kosova ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave qysh në vitin 2018. Mirëpo disa vende të BE-së, veçmas Franca, Holanda dhe Danimarka kanë shprehur rezervat e tyre për ndërmarrjen e një hapi të tillë.

Lajmet

Haxhiu përkujton 36-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetësisë.

Haxhiu ka thënë se më 7 shtator 1990, në rrethana të represionit dhe përndjekjes politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit politik të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.

Sipas saj, miratimi i Kushtetutës përbënte përgjigjen e një populli që, përkundër represionit dhe përpjekjeve për shuarjen e institucioneve, nuk pranoi të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur për të ardhmen e tij.

Ajo ka vlerësuar punën e juristëve që hartuan dokumentin dhe guximin e delegatëve që e miratuan atë.

Haxhiu ka theksuar se rruga e nisur me Deklaratën e 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut vazhdoi përmes rezistencës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008./A.K/

Continue Reading

Lajmet

IPK nis hetimet për incidentin ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale

Published

on

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me incidentin ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, në parkingun e Prishtina Mall.

Sipas IPK-së, incidenti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ku ishin përfshirë Ahmeti, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.

Pas incidentit, personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit. Gjatë procedurave, njëri prej qytetarëve ka pretenduar se ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.

IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor të dyshuar për keqtrajtim, ndërsa rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Ndërkohë, hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë në incidentin fillestar do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent, nën dyshimin për veprën penale të sulmit.

IPK ka bërë të ditur se hetimet janë në fazën fillestare dhe po zhvillohen në koordinim me prokurorin, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

AAK akuzon deputetët e LVV-së për mungesë të lirisë së mendimit

Published

on

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë liri të mendimit, shprehjes dhe veprimit.

Anëtarë të AAK-së kanë vendosur postera me emrat e deputetëve të LVV-së, me mbishkrimin “Jemi të shqetësuar për lirinë e deputetëve të LVV-së”, duke kritikuar atë që e quajtën “regjimi Kurti-Dejona”.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, tha se deputetët e LVV-së udhëhiqen, sipas tij, me “grusht të hekurt” dhe se nuk kanë hapësirë për të shprehur qëndrimet e tyre personale.

Ramadani pretendoi gjithashtu se disa deputetë të LVV-së janë ankuar për mungesë të lirisë së shprehjes brenda grupit parlamentar, duke paralajmëruar se një model i tillë, sipas tij, po tentohet të shtrihet edhe në institucionet e tjera të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fatmir Sheholli deklarohet i pafajshëm për akuzat për spiunazh dhe shantazh

Published

on

Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Pas leximit të aktakuzës, Sheholli është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk i pranon akuzat dhe se e ndjen veten të pafajshëm.

Mbrojtja, përmes avokatit Mentor Neziri, ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke kërkuar që rasti të kalojë sa më shpejt në shqyrtim gjyqësor.

Edhe Sheholli ka deklaruar se heq dorë nga këto të drejta. Gjykata ka bërë të ditur se rasti do të gjykohet nga një trup gjykues, ndërsa data e shqyrtimit gjyqësor do të caktohet pasi të përfundojnë procedurat për përbërjen e trupit.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se, deri më 9 tetor 2025, ka vepruar si person i rekrutuar nga shërbimi inteligjent serb BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, sigurinë dhe institucionet e Kosovës.

Ai akuzohet gjithashtu për shantazh ndaj një personi me inicialet A.J., të cilin, sipas aktakuzës, e ka detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në vlerë mbi 13 mijë euro.

Në seancë ishte i pranishëm edhe Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara