Lajmet

​Qeveria: Nuk ka vend për panik, kemi mjaftueshëm miell dhe mallra ushqimore

Sipas informatave të tyre nga shoqatat e mullisëve, kanë rezerva për tre deri gjashtë muaj.

Published

on

Qeveria e Kosovës ka bërë apel te qytetarët që mos të bëjnë panik lidhur me gjërat ushqimore, sidomos miellit, pasi sipas informatave të tyre nga shoqatat e mullisëve, kanë rezerva për tre deri gjashtë muaj, derisa thotë se shteti tanimë ka arritur sasinë e rezervës shtetërore.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një konferencë për media, tha se vitin e kaluar dhe këtë vit kanë blerë naftë, miell, gjëra ushqimore dhe higjienike.

“Shteti ynë me të gjitha veprimet e nevojshme ka arritur sasinë e rezervës shtetërore dhe kemi blerë mallra dhe naftë në vitin e kaluar për nevojat rezervë, po ashtu edhe në këtë vit. Pra kemi siguruar blerjen e mallrave për rezervë, duke u fokusuar me produktet sipas programit për rezervën shtetërore që janë të listuara si produkte elementare, pra duke filluar nga gruri, nafta dhe produktet tjera që janë ushqimore dhe detergjentet. Derisa në kontakt të vazhdueshëm me kultivuesit e grurit, me shoqatat e mullisëve, ata na sigurojnë që edhe për tre muaj deri në gjashtë muaj, popullata jonë nuk ka nevojë të brengoset….ju sigurojmë që kemi qëndrueshmëri për mjaft të konsiderueshme për rezervën e grurit dhe mallrave dhe nuk ka aspak nevojë për panik. Gjithashtu, për çështje sigurie si alternativë tjetër kemi gjet edhe kanale tjera jashtë vendit, përveç mullisëve që i kemi në vend, pra kemi edhe vendet mike që sigurojnë Kosovën që do të furnizojnë me rezerva shtesë pas disa muajve nëse do të ketë nevojë”, tha ministrja Hajdari.

Ajo shtoi se mallrat shtetërore janë sekrete dhe nuk tregohet as sasia dhe as nga cili vend vijnë, pasi kontrata sipas ligjit është konfidenciale dhe mund ta rrezikojë furnizimin në të ardhmen.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se sot janë parë pranë mullive kolona të gjata për miell, por shtoi se nuk duhet të bëhet panik sepse janë të furnizuar mjaftueshëm.

“Duam t’i sigurojmë qytetarët që nuk ka nevojë për një sjellje të tillë, meqenëse jemi mirë të furnizuar dhe kemi siguruar edhe kanale të tjera. Për më tepër ne kemi ndarë edhe shumën, ditë më parë prej 10 milionë euro për t’u furnizuar me rezerva shtetërore dhe konsiderojmë se nuk ka nevojë për imazhe të tilla siç kemi parë sot”, tha ai.

Murati po ashtu bëri lutje për media dhe qytetarët që të kenë vigjilencë më shumë këto ditë me lajmet e rreme të cilat mund ta influencojnë sjelljen tonë.

Lajmet

Fakulteti Juridik i UBT-së përmbyll Akademinë Verore me diskutime mbi të drejtën dhe Inteligjencën Artificiale

Published

on

By

Pas një jave intensive me ligjërata, diskutime akademike dhe aktivitete profesionale të udhëhequra nga profesorë dhe ekspertë të fushës, Akademia Verore e Fakultetit Juridik në UBT u përmbyll me një vizitë studimore në kompaninë mediale Infokus.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të zhvillojnë një bashkëbisedim me gazetaret Era Berisha, Hateme Smajli dhe Arjeta Osmani, ku u diskutua mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në gazetari dhe media. Diskutimi u fokusua në mundësitë që Inteligjenca Artificiale ofron për punën e gazetarëve, por edhe në sfidat që ajo sjell për profesionin. Tematika si përgjegjësia profesionale e gazetarëve, paditë SLAPP, përdorimi i përmbajtjeve të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale dhe ndikimi i tyre në informimin e publikut u trajtuan në një debat të hapur, interaktiv dhe mjaft frytdhënës.

Një ditë më parë, pjesëmarrësit e Akademisë Verore ndoqën dy ligjërata me tema aktuale dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimet juridike bashkëkohore. Prof. Jorida Xhafaj ligjëroi mbi temën “Inteligjenca Artificiale, etika dhe privatësia: A mund ta ndjekë ligji zhvillimin e Inteligjencës Artificiale?”, ndërsa Prof. Elton Tota trajtoi temën “Inteligjenca Artificiale: Ndikimi në vendimmarrje, demokraci dhe lidership”.

Përmes këtij programi, Akademia Verore e Fakultetit Juridik u ofroi studentëve një platformë të vlefshme për të thelluar njohuritë mbi sfidat juridike, etike dhe shoqërore që shoqërojnë zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale. Përmes ligjëratave, diskutimeve dhe bashkëbisedimeve me akademikë e profesionistë të fushës, pjesëmarrësit patën mundësinë të lidhin teorinë me praktikën dhe të zhvillojnë një perspektivë më të gjerë mbi çështjet bashkëkohore të së drejtës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Lajmet

Startup-i i vajzës së Bill Gates përfshihet në debat për praktika të dyshuara online

Published

on

Një kompani teknologjike e bashkëthemeluar nga vajza e miliarderit Bill Gates është përfshirë në një debat pas dyshimeve për përdorimin e praktikave të parregullta në internet.

Bëhet fjalë për startup-in Phia, një kompani që zhvillon mjete për blerje online të asistuara nga inteligjenca artificiale, e bashkëthemeluar nga 23-vjeçarja Phoebe Gates.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga “Bloomberg”, aplikacioni i kompanisë dyshohet se ka përdorur një praktikë të njohur në marketingun digjital si “cookie stuffing”, e cila mund të mundësojë përfitimin e komisioneve nga shitjet online përmes metodave të diskutueshme.

Nga kompania kanë deklaruar se rasti ka ardhur si pasojë e një gabimi teknik në kod dhe se problemi është identifikuar dhe korrigjuar.

Pavarësisht debatit, Phia ka vazhduar zgjerimin e saj në tregun teknologjik, duke siguruar më shumë se 37 milionë euro investime dhe duke u vlerësuar me rreth 159 milionë euro.

Phoebe Gates ka deklaruar më herët se dëshiron ta ndërtojë suksesin e saj përmes punës dhe ideve personale, duke shmangur përdorimin e mbiemrit të saj të njohur gjatë prezantimeve para investitorëve./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” triumfon në Pragë, sjell në Kosovë medaljen e artë dhe katër çmime ndërkombëtare

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Ndërkombëtar të Orkestrave “Musica Orbis” në Pragë, duke u shpërblyer me medaljen e artë dhe katër çmime të rëndësishme.

Në këtë festival ndërkombëtar, ku morën pjesë orkestra nga vende të ndryshme të botës, “Amadeus” fitoi Çmimin e Parë dhe Medaljen e Artë, duke u vlerësuar për performancën dhe nivelin artistik.

Përveç çmimit kryesor, koncertmjeshtri i orkestrës, violinisti solist Elton Syla, u nderua me çmim special për interpretimin e tij, ndërsa violinisti Princ Fanaj mori çmimin special për violinistin më entuziast nga violinat e para.

Një tjetër vlerësim i veçantë ishte edhe Çmimi i Publikut dhe Adhuruesve, i cili iu nda Orkestrës “Amadeus” nga Kosova.

Ky sukses ndërkombëtar vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të të rinjve të orkestrës, të cilët po vazhdojnë ta prezantojnë Kosovën me dinjitet në skenat botërore.

Pas këtij triumfi qëndron edhe puna e madhe e ekipit drejtues, me dirigjentin Vehbi Shosholli, drejtoreshën Hana Petrovci, zëvendësdrejtoreshën Vanesa Petrovci Shabani, koordinatoren Arta Rexhepi dhe gjithë stafin e shkollës “Amadeus”.

Suksesi në Pragë është një tjetër dëshmi e talentit të të rinjve kosovarë dhe e rolit të artit në promovimin e vlerave të Kosovës jashtë vendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci diskuton me KMRS-në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të autorit në muzikë

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci ka zhvilluar takim me kryesuesen e Organizatës për Menaxhim Kolektiv të të Drejtave të Autorit në Fushën e Muzikës (KMRS), Kaltrina Mehmeti, ku u diskutuan zhvillimet aktuale dhe hapat e mëtejshëm për forcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në industrinë muzikore.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me funksionimin e menaxhimit kolektiv, zbatimin e tarifave për përdorimin e repertorit të mbrojtur, si dhe krijimin e një sistemi më të drejtë, transparent dhe funksional për kompensimin e autorëve, kompozitorëve, interpretuesve dhe bartësve të tjerë të të drejtave.

Ministrja Bogujevci u informua për aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet KMRS-ja, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të menaxhimit kolektiv dhe komunitetit krijues për avancimin e mëtejshëm të mbrojtjes së të drejtave të autorit në Kosovë.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit të praktikave vendore me standardet evropiane, me synim mbrojtjen më të mirë të krijuesve dhe zhvillimin e industrisë kreative e kulturore në vend./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara