Kulturë

​Punëtorja e Muzeut që ishte bërë mbretëreshë e shqiptarëve

Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund ndau fatin e të shoqit, në ditë të mira e të vështira.

Published

on

Gazetat e Budapestit më 26 janar të vitit 1938, njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeçar.

Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi këtë lajm. Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.

Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldine e kishin pëlqyer njëri-tjetrin. Geraldine ishte takuar me mbretin Zog në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.

Geraldine shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh çifti u fejua. E njohur si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldine u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldine e Shqipërisë.

Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund ndau fatin e të shoqit, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së Zogut, Geraldine preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.

Në qershor të vitit 2002, ajo kthehet nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor të vitit 2002.

Lajmet

Në Prishtinë hapet ekspozita “Makth”, arti që rrëfen plagët e luftës në Kosovë

Published

on

Në galerinë e arteve “Art i Ngujuar – Artistët për Artistët” në Prishtinë po qëndron e hapur ekspozita “Makth”, e cila përmes artit figurativ dhe rrëfimeve personale trajton përvojat traumatike të luftës në Kosovë dhe pasojat e saj.

Ekspozita përmbledh 15 punime të realizuara në teknika të ndryshme figurative nga pjesëmarrësit e programit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, të organizuar nga organizata “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes” (ANP).

Çdo vepër shoqërohet me një rrëfim të shkurtër që shpjegon ngjarjen ose përvojën që ka frymëzuar krijimin artistik. Punimet pasqyrojnë ngjarje traumatike të luftës së viteve 1998–1999, si dhe përjetimet që lidhen me pasojat e saj në vitet pasuese.

Në ceremoninë e hapjes, kuratorja e ekspozitës dhe përfaqësuesja e ANP-së, Emine Ismajli, tha se “Makth” sjell në pah dhimbjen dhe kujtesën e atyre që kanë përjetuar luftën.

Sipas saj, ekspozita përcjell një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e dokumentimit të së vërtetës, reflektimit mbi të kaluarën dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke promovuar një të ardhme të ndërtuar mbi vlerat njerëzore dhe kulturën e paqes.

“Makth” është ekspozita e dhjetë e organizuar nga ANP në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”. Punimet janë realizuar nga pjesëmarrës nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët gjatë viteve 2025 dhe 2026 kanë ndarë përmes artit historitë e tyre personale mbi përjetimet e luftës.

Ekspozita mund të vizitohet në galerinë “Art i Ngujuar – Artistët për Artistët”, në katin e tretë të hotelit “Grand” në Prishtinë, çdo ditë pune nga ora 11:00 deri në 17:00. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zbulimi pranë Jerusalemit hedh dritë mbi jetën e njerëzve para 3 mijë vjetësh

Published

on

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik pranë Jerusalemit ka ofruar njohuri të reja mbi jetën e njerëzve që jetuan rreth 3.000 vjet më parë, gjatë periudhës së Tempullit të Parë.

Sipas “The Times”, edhe pse varri i lashtë ishte dëmtuar nga punimet ndërtimore dhe grabitjet, studiuesit arritën të nxirrnin informacione të vlefshme falë analizës së ADN-së së ruajtur në mbetjet njerëzore.

Vendi i varrimit u zbulua pranë Abu Ghosh, afër vendbanimit antik të Kiryat Yearim, ku arkeologët gjetën rreth 150 enë qeramike dhe mbetje skeletore të disa individëve, përfshirë edhe fëmijë.

Sipas ekspertëve, varri ishte përdorur për disa breza gjatë epokës së vonë të hekurit, në kohën e Mbretërisë së Judës.

Ruajtja e ADN-së në rajonin e Levantit është jashtëzakonisht e rrallë për shkak të temperaturave të larta dhe lagështisë, por studiuesit arritën të nxirrnin mostra nga kocka petrose e kafkës, një nga pjesët më rezistente të trupit të njeriut.

Analiza u realizua nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, ku bënin pjesë gjenetisti David Reich dhe arkeologu Israel Finkelstein.

ADN-ja u rikuperua pjesërisht nga dy individë, duke zbuluar të dhëna për linjat e tyre amtare dhe atërore, por jo një pamje të plotë të prejardhjes së tyre.

Shkencëtarët theksuan se nuk ka prova të drejtpërdrejta që personat e varrosur ishin izraelitë, pasi në varr nuk u gjetën mbishkrime apo shenja që do të përcaktonin identitetin e tyre etnik. Përfundimet mbështeten kryesisht në stilin e qeramikës, mënyrën e varrimit dhe afërsinë me qendrat e njohura të Mbretërisë së Judës.

Njëri prej individëve mbante kromozomin Y të haplogrupit J2, një linjë gjenetike e përhapur në Azinë Perëndimore dhe rajonin e Kaukazit, ndërsa të dy individët kishin linja të ndryshme mitokondriale, duke treguar prejardhje të ndryshme nga ana e nënës.

Sipas studiuesve, gjetjet nuk japin një përgjigje përfundimtare mbi identitetin etnik të banorëve të asaj kohe, por tregojnë se rajoni ishte një pikë takimi e popullsive të ndryshme./atsh/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci përgëzon Operën e Kosovës pas premierës së veprave të Puccinit

Published

on

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Operën e Kosovës pas premierës së suksesshme të veprave të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”, duke e cilësuar mbrëmjen si një ngjarje të veçantë artistike për publikun.

Bogujevci vlerësoi produksionin e realizuar nën drejtimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe me regji të Luca Ramacciottit, si dhe interpretimin e solistëve, Korit dhe Orkestrës së Operës së Kosovës, të cilët, sipas saj, sollën në skenë një shfaqje të nivelit të lartë artistik.

Ajo theksoi se ky projekt dëshmon edhe një herë zhvillimin e vazhdueshëm të skenës operistike në Kosovë dhe përkushtimin e artistëve për të realizuar produksione cilësore.

Sipas ministres, premierat e dy veprave të Puccinit përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore dhe forcimin e skenës artistike në vend./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prezantohet lista preliminare e viktimave të luftës, Kurti: E vërteta duhet të mbrohet përmes dokumentimit

Published

on

Dje u mbajt takimi konsultativ i organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku u prezantua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës dhe u diskutuan plotësimet dhe verifikimet e nevojshme të të dhënave.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe ndërtimit të një evidence shtetërore të besueshme, duke nënvizuar se çdo rast duhet të trajtohet me saktësi.

“Çdo emër në këtë listë përfaqëson një jetë të humbur dhe një histori familjare që kërkon respekt dhe drejtësi”, u shpreh Kurti, duke shtuar se e vërteta duhet të mbrohet përmes institucioneve, dokumentimit dhe verifikimit të qëndrueshëm.

Në takim morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, ministri në detyrë Andin Hoti, drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, si dhe përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe shoqërisë civile.

Sipas organizatorëve, ky proces synon të sigurojë një evidencë sa më të saktë dhe të plotë të viktimave të luftës, ndërsa mbetet një hap i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës institucionale dhe avancimin e përpjekjeve për drejtësi ndaj viktimave dhe familjeve të tyre./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara