Kulturë

​Presidentja Osmani e dekoroi gazetarin e ndjerë, Sulejman Gashi me medaljen Presidenciale të Meritave

Familjarët e Gashit, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani.

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar të ndjerin.

Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Presidentja Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin z. Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se z. Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri”, thuhet në komunikatën për media.

Me këtë rast presidentja ka thënë: “Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”.

Familjarët e Gashit, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën Presidentja ia ka ndarë Gashi.

Kulturë

Dy net magjie letrare në Prishtinë me edicionin jubilar të “FICTION FEST”

Published

on

Në Prishtinë po zhvillohet sot dhe nesër edicioni i pestë i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST”, i organizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”.

Ky edicion jubilar sjell dy mbrëmje të veçanta të dedikuara bisedave letrare dhe leximeve publike nga disa prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Në mbrëmjen e parë do të marrin pjesë autorët Rita Petro, Mark Pashku, Bardhyl Zaimi, Suad Arilla dhe Shpresa Qeriqi, ndërsa nata e dytë do të jetë e rezervuar për Besnik Mustafajn, Sali Bashotën, Bardh Frangun, Shpëtim Selmanin dhe Dhurata Hotin.

Sipas organizatorëve, qëllimi i “FICTION FEST” është promovimi i prozës bashkëkohore shqipe dhe afrim i publikut me krijimtarinë e autorëve nga mbarë hapësira shqiptare. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Kulturë

Lekë Dukagjini “kthehet në shtëpi”, busti i tij vendoset në Shpenadi të Prizrenit

Published

on

Busti i Lekë Dukagjinit po kthehet në tokën e tij në fshatin Shpenadi të Prizrenit, falë iniciativës së Shoqatës “Lekë Dukagjini” Shpenadi–Prizren.

Sa herë që në vendlindje bëhen vepra të mira, gëzimi është i dyfishtë — njëherë për zhvillimin që sjellin, e njëherë tjetër për rikthimin e figurave historike që i takojnë trojeve arbërore.

Këtë ndjenjë e përjetova sërish kur mora vesh për angazhimin e banorëve të fshatit Shpenadi, fshatit më të afërt me vendlindjen time, Çaparcin.

Këtë vit, ata u bashkuan dhe themeluan Shoqatën “Lekë Dukagjini”.

Me përkrahjen e mërgimtarëve dhe banorëve të fshatit, ata grumbulluan fonde dhe nisën realizimin e tri projekteve të rëndësishme: vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit, rregullimin e varrezave të vjetra të fshatit dhe restaurimin e selisë së Shoqatës.

Ky përkushtim më frymëzoi që edhe unë të jap kontributin tim për vendlindjen.

Me këtë rast, i propozuam Shoqatës “Trojet e Arbrit” që në të njëjtën ditë të mbahet në Prizren një sesion shkencor madhështor me temën “Roli i Dukagjinasve në historinë shqiptare”.

Pas përfundimit të sesionit, më 2 nëntor 2025, pjesëmarrësit udhëtuan drejt fshatit Shpenadi, ku do të mirëpriten nga veprimtarët e Shoqatës “Lekë Dukagjini”.

Në këtë ditë të veçantë do të zhvillohen tri ngjarje madhore:

Zbulimi i bustit të Lekë Dukagjinit, vepër e mjeshtrit skulptor Fiqiri Kasa;

Bekimi i varrezave të fshatit, të cilat janë plotësisht të rinovuara falë mërgimtarëve;

Hapja zyrtare e selisë së Shoqatës “Lekë Dukagjini”.

Këto tri projekte janë dëshmi e gjallë se kur mërgimtarët dhe bashkëfshatarët e tyre në vendlindje bashkojnë forcat, përkushtimin dhe dashurinë për atdheun, rezultatet janë të prekshme dhe të lavdërueshme.

Në këtë mënyrë, Shpenadi dhe Prizreni po bëhen sërish qendra të kujtesës dhe krenarisë shqiptare. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Libra

Dy libra të Nehat Islamit rikthejnë gazetarinë dhe historinë shqiptare

Published

on

Botimet DRINI sjellin dy libra të rëndësishëm të gazetarit të njohur Nehat Islami: “Hotel Bejruti” dhe “Kur vjen kamerieri”.

Të dy përbëjnë dëshmi të çmuara të gazetarisë shqiptare dhe reflektimi mbi periudha historike të ndryshme.

“Hotel Bejruti”, në botimin e tij të tretë, ofron raportime autentike nga vendet e krizave në Lindjen e Mesme gjatë viteve ’70 – Libani, Siria, Iraku, Irani dhe Egjipti – dhe përmban një epilog që pasqyron zhvillimet e mëvonshme.

Si korrespondent i gazetës Rilindja, Islami nuk ishte vetëm raportues, por edhe analist i thellë i ngjarjeve, duke sjellë përvojën e Lindjes për lexuesin shqiptar në formë të letërsisë dokumentare.

“Kur vjen kamerieri” përmbledh artikujt e tij të viteve ’90 në gazetën Bujku, në një periudhë të vështirë për shqiptarët e Kosovës. Shkrimet dokumentojnë realitetin politik dhe social, duke lidhur kontekstin vendor me zhvillimet ndërkombëtare dhe ruajtur shpresën kolektive.

Të dy librat e Nehat Islamit ofrojnë një profil të rrallë të gazetarit të ndershëm dhe të përkushtuar, duke qenë burim referimi për studentë, studiues, diplomat dhe çdo qytetar që dëshiron të kuptojë botën përreth tij.

Me këto botime, Botimet DRINI ruajnë trashëgiminë dokumentare, kulturore dhe profesionale të gazetarisë shqiptare. /A.Z/UBT News/

 

 

Continue Reading

Kulturë

Filharmonia e Kosovës prezanton ciklin e plotë të koncerteve për piano të Beethovenit

Published

on

Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se do të realizojë ciklin e plotë të koncerteve për piano të Ludwig van Beethovenit, në dy mbrëmje të veçanta koncertale që do të mbahen më 5 dhe 7 nëntor 2025, duke filluar nga ora 19:30.

Në këtë ngjarje të veçantë muzikore, pesë pianistë do të interpretojnë secili nga një koncert për piano dhe orkestër të Beethovenit, të shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Peter Valentovič.

Programi është ndarë në dy mbrëmje:

Më 5 nëntor do të interpretohen Koncertet nr. 1, 2 dhe 4,

Më 7 nëntor do të pasojnë Koncertet nr. 3 dhe 5.

Të dy koncertet do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Salla e Kuqe, Prishtinë (Palace of Youth and Sports, Red Hall, Prishtina). /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara