Aktualitet

​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të dytë në rastin e Salih Mustafës në Hagë

Më 4 tetor paraqitet dëshmitari i tretë.

Published

on

Dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës ka thënë gjatë se periudhës së luftës ka njohur edhe një person tjetër me emrin Salih, përveç Salih Mustafës, por mbiemrin e tij ka theksuar se nuk e mban mend. Sipas tij, të dy ishin pjesë e Brigadës 153.

Dëshmia e tij është dëgjuar edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ai i është i përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës e më pastaj edhe pyetjeve nga trupi gjykues dhe pyetjeve plotësuese të prokurorit.

Dëshmitari, duke iu përgjigjur avokatit Julius Von Bone, ka thënë se gjatë luftës ka njohur dy persona me emrin Salih.

Avokati Von Bone: A e di që ka ndonjë person në atë brigadë me emrin Salih?

Dëshmitari: Kanë qenë dy Salih…njërit Salih, mbiemrin nuk ia di.

Avokati Von Bone: Ky personi tjetër ku ishte i vendosur ?

Dëshmitari: Ka mundur me qenë herë në bazë, herë në pika të caktuara, herë në bazë të skifterëve, herë të baza e Karadakut, herë në Llap, ka pasur lëvizje.

Avokati Von Bone: Ky Salihu, çfarë detyre i kishin ngarkuar këtij, nëse e di. E ke takuar personalisht ti këtë?

Dëshmitari: E kam takuar kur kemi ndejt.

Avokati Von Bone: Për çfarë ke diskutuar me të, profesionale apo lidhur me pozicionet tuaja?

Dëshmitari: Në mënyrë të thjeshtë, jo diçka, në kuptimin ushtarak jo nuk kam diskutuar asgjë me të.

Avokati Von Bone: E di cilin ka pasur epror ai?

Dëshmitari: Ma merr mendja që eprorët i ka pasur të Brigadës 153, ashtu mendoj që ashtu ka qenë, tash nuk e di.

Avokati Von Bone: Nëse takoheshe me të, ku takoheshe mund të na thuash në ç’vend?

Dëshmitari: Kam lëvizë, ai ka lëvizë, jam takuar ndonjë odë, konak, ku kemi qenë me qytetarë, jemi takuar e kam parë, e di që ka qenë, e kam njohur si figurë që ka qenë aty.

Avokati i Salih Mustafës, Julios Von Bone e ka pyetur dëshmitarin Ë04600 nëse në policinë ushtarake ka qenë ndonjë person me mbiemrin Metolli, por ai ka thënë se nuk i kujtohet diçka e tillë.

Avokati Von Bone: A të kujtohet nëse ka pasur ndonjë punonjës të policisë ushtarake me mjekër?

Dëshmitari: Jo nuk më kujtohet.

Avokati Von Bone: A e njeh një person me emrin Cula?

Dëshmitari: Culla, po.

Avokati Von Bone: Kush ishte?

Dëshmitari: Pseudonimin e ka pasur Culla.

Avokati Von Bone: Po emrin e vërtetë si e kishte?

Dëshmitari: Enver Krasniqi.

Avokati Von Bone: Çfarë pozite mbante, nga e njeh, nga ke dëgjuar për të?

Dëshmitari: E njoh prej kur ka ardhur si ushtar në brigadë në Zllashë atje e njoh, përpara nuk e kam njohur.

Avokati Von Bone: Si ushtar ku ishte i vendosur ai?

Ka qenë në brigadë 153, në Zllashë.

Tutje, avokati Von Bone ka pyetur dëshmitarin për Rrahman Dinin dhe raportet që i ka pasur me të, për çka dëshmitari ka thënë se Dini ishte shef i brigadës.

“Kemi biseduar për mënyrën e organizimit, jetën private të njerëzve tonë, familjeve tona, dhe kemi mundur me bisedu në mënyrë shoqërore, kemi ndejt, nuk është e thënë që ne kemi ndejt gjithmonë në front duke e pritur armikun, pro kemi ndejt edhe në mënyrë të lirë, kemi biseduar edhe jashtë kompetencave ushtarake, kemi ndejt nëpër oda, nëpër familje, në atë aspekt po them që kam ndejt më shumë me të”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa ka shtuar se me Rrahman Dinin nuk ka biseduar rreth çështjeve të sigurisë.

“Kur ka qenë nevoja kam diskutuar me Rrahman Dinin, me Fatmir Sopin, Sejdi Veseli, me çdo epror kur kam diskutuar kur ka qenë e nevojshme, kur nuk ka qenë e nevojshme nuk kam pasur nevojë me diskutua, kështu që nuk kam diskutuar se nuk kam pasur arsye për çka me diskutu me të”, ka thënë dëshmitari.

Pas pyetjeve të rregullta, avokati mbrojtës ka pasur pyetje plotësuese për dëshmitarin por seanca është zhvilluar e mbyllur.

Gjithashtu pyetjet e trupit gjykues kanë qenë në seancë private. Ndërsa pyetje shtesë ka pasur edhe prokurori.

“Sot gjatë pyetjeve të avokatit mbrojtës ti the se i ke njohur sy Salih në atë kohë, njëri ka qenë Salih Mustafa dhe i dyti mbiemrin e të cilit nuk e mban mend. Këtë Salihun e dytë e ke parë në atë zonë, në atë kohë gjithashtu… Me sa e di ti, ky Salihu tjetër a ka qenë anëtar i njësisë së skifterëve”, ka pyetur prokurori.

Në seancën në të cilën është dëgjuar dëshmitari i dytë i mbrojtur, i akuzuari Salih Mustafa ka marrë pjesë përmes video-lidhjes.

Dëshmitari Ë04600 ka dëshmuar për tre ditë në Dhomat e Specializuara në Hagë, nën masa mbrojtëse të sigurisë ku identiteti i tij nuk është bërë i ditur.

Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin Ë01678 do të dëgjohet më 4 tetor 2021.

Dëshmitarët e ZPS-së kanë filluar të dëshmojnë në këtë rast nga data 20 shtator, deri tani janë dëgjuar dy prej tyre.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Live

Trump bën thirrje për mbështetje nga kjo betejë vendimtare për ekonominë dhe Kongresin

Published

on

By

Teksa amerikanët po u drejtohen masivisht kutive të votimit në këto zgjedhje përcaktuese, Presidenti Donald Trump ka shfrytëzuar fjalën e tij për t’u bërë thirrje votuesve që të mbështesin kandidatët e partisë së tij.

Përmes një sërë mesazhesh në platformën Truth Social dhe një interviste telefonike për Fox News, Trump veçoi atë që e cilësoi si përparim ekonomik nën administratën e tij, ndërsa pretendoi gjithashtu se ka “kontroll të plotë” mbi situatën në Lindjen e Mesme.

Sondazhet e fundit tregojnë se ekonomia dhe çmimet e larta mbeten faktori kryesor që po përcakton votën e qytetarëve, ku një pjesë e mirë e elektoratit po shprehet e shqetësuar për menaxhimin e sfidave ekonomike dhe efekteve të konflikteve ndërkombëtare.

Rezultati i këtij votimi do të jetë përcaktues për të ardhmen e legjislativit amerikan, pasi do të vendosë nëse Republikanët do të ruajnë shumicën në Kongres apo nëse Demokratët do të marrin kontrollin e dhomave përfaqësuese.

Continue Reading

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Të kërkuara