Aktualitet

​Parashikimi i motit

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-10 gradë Celsius.

Published

on

Sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat gjatë ditës parashihen të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh.

Reshje të intensitetit mesatar parashihen të shtrihen për gjatë relievit malor, kryesisht në perëndim dhe jugperëndim të vendit, deri sa në viset me lartësi të ulëta dhe mesatare do të ketë më pak reshje.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-29 gradë Celsius. Indeksi UV mbetet i lartë.

Do të fryjë erë nga drejtimi i lindjes dhe verilindjes me shpejtësi 1-5m/s.

Gjatë vikendit parashihet të mbajë moti i qëndrueshëm dhe me intervale të gjata me diell.

Aktualitet

Trump fiton “betejën” me CBS News, pas padisë do t’ia paguajë 16 milionë dollarë

Published

on

Kompania pronare e CBS News, Paramount, zgjidhi një padi të ngritur nga presidenti amerikan, Donald Trump në lidhje me një intervistë të transmetuar në tetor të vitit 2024.

CBS News është kompania e fundit mediatike që gjunjëzohet para padisë së presidentit për raportime e lajme të rreme. Paramount tha se do të paguajë 16 milionë dollarë për të zgjidhur padinë me paratë që shkojnë për bibliotekën presidenciale të Trump, e nuk do jepen Trumpit “drejtpërdrejt ose tërthorazi”.

“Zgjidhja nuk përfshin një deklaratë faljeje ose keqardhjeje”, shkruhej në deklaratën e kompanisë.

Trump ngriti padi prej 10 miliardë dollarësh kundër CBS në tetor, duke pretenduar se rrjeti modifikoi në mënyrë mashtruese një intervistë që u transmetua në programin, 60 Minutes me zëvendëspresidenten e atëhershme dhe kandidaten presidenciale Kamala Harris për të “anuar peshoren në favor të partisë Demokratike” në zgjedhje. Në një padi të riformuluar të paraqitur në shkurt, Trump e rriti kërkesën e tij për dëmshpërblim në 20 miliardë dollarë.

CBS transmetoi dy versione të intervistës së Harris në të cilat duket se jep përgjigje të ndryshme për të njëjtën pyetje në lidhje me luftën Izrael-Hamas, sipas padisë së ngritur në një gjykatë federale në Teksas. CBS më parë tha se padia ishte “plotësisht pa meritë” dhe i kishte kërkuar një gjyqtari ta rrëzonte çështjen.

Paramount tha se ra dakord që 60 Minutes do të publikonte transkripte të intervistave me kandidatët e ardhshëm presidencialë të SHBA-së pasi të transmetoheshin, në varësi të redaktimeve sipas kërkesës për shqetësime ligjore ose të sigurisë kombëtare. Çështja hyri në ndërmjetësim në prill.

Trump pretendoi se redaktimi i intervistës nga CBS shkeli Aktin e Mbrojtjes së Konsumatorit të Praktikave Tregtare Mashtruese të Teksasit, i cili e bën të paligjshme përdorimin e akteve të rreme apo mashtruese në tregti. Marrëveshja vjen ndërsa Paramount përgatitet për një bashkim prej 8.4 miliardë dollarësh me Skydance Media, i cili do të kërkojë miratim nga Komisioni Federal i Komunikimeve të SHBA-së.

Gjatë fushatës së vitit të kaluar, Trump kërcënoi se do të revokonte licencën e transmetimit të CBS nëse zgjidhet president.

Ai ka sulmuar vazhdimisht median e lajmeve, duke e cilësuar shpesh mbulimin e pafavorshëm si “lajme të rreme”.

Marrëveshja e Paramount vjen pas një vendimi të ABC News, në pronësi të Walt Disney, për të zgjidhur një padi për shpifje të ngritur nga Trump.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, e cila u bë publike më 14 dhjetor, rrjeti dhuroi 15 milionë dollarë për bibliotekën presidenciale të Trump dhe kërkoi falje publikisht për komentet e prezantuesit George Stephanopoulos, i cili tha në mënyrë të pasaktë se Trump ishte shpallur fajtor për përdhunim.

Kjo vjen pas një marrëveshjeje të dytë nga kompania pronare e Facebook dhe Instagram, Meta Platforms, e cila më 29 janar tha se kishte rënë dakord të paguante 25 milionë dollarë për të zgjidhur padi nga Trump mbi pezullimin e llogarive nga kompania pas sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së.

Trump është zotuar të ngrejë më shumë padi kundër mediave që shpifin informacione për të.

Continue Reading

Bota

Irani pezullon bashkëpunimin me inspektorët e huaj bërthamorë

Published

on

By

Irani e pezulloi përkohësisht bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).

Presidenti Masoud Pezeshkian e nënshkroi legjislacionin përkatës, raportoi të mërkurën agjencia e lajmeve Tasnim.

Vendimi do të thotë se Irani nuk do t’i lejojë inspektorët e IAEA-s të hyjnë në vend, derisa të garantohet “siguria” e objekteve të tij bërthamore.

Që kjo të ndodhë, organizata me seli në Vjenë duhet t’i dënojë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe ta pranojë programin bërthamor iranian, tha më herët kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.

Shumë detaje të rregullores së re mbeten ende të paqarta.

Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme të Iranit, inspektorët bërthamorë të IAEA-s janë ende në këtë vend.

Megjithatë, atyre nuk u lejohet qasja në objektet bërthamore, të dëmtuara nga sulmet e Izraelit dhe të SHBA-së.

Më 13 qershor, Izraeli nisi një fushatë të madhe bombardimesh kundër Iranit, për ta penguar, siç tha, nga krijimi i armës bërthamore.

Irani, i cili mohon se ka ambicie të tilla, u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit.

Disa ditë më vonë, më 22 qershor, aleatja e Izraelit, SHBA-ja, kreu sulmet e veta kundër objekteve bërthamore iraniane në Fordo, Isfahan dhe Natanz.

Sipas autoriteteve në Iran, mbi 900 njerëz humbën jetën në konfliktin 12-ditësh.

Sulmet hakmarrëse të Iranit vranë 28 persona në Izrael, sipas autoriteteve atje.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmet e SHBA-së kanë “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit, megjithëse shkalla e dëmit nuk është e qartë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi se në objektet bërthamore ka dëme “serioze”.

Aktualisht, në fuqi është një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit./REL

Continue Reading

Bota

BE propozon ulje të emetimeve me 90% deri në vitin 2040

Published

on

By

Komisioni Evropian propozoi një ulje të detyrueshme prej 90% të emetimeve të gazrave serrë deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990, ndërsa prezantoi sot objektivin e tij të ri të klimës të BE-së.

Bashkimi Evropian synon të bëhet neutral ndaj klimës deri në vitin 2050, që do të thotë se nuk gjenerohen më shumë emetime të gazrave serrë sesa mund të absorbohen qoftë nga natyra ose nga mjetet teknike.

Aktualisht, vendet e BE-së janë të detyruara të ulin emetimet që dëmtojnë klimën në të gjithë bllokun me 55% krahasuar me vitin 1990 deri në fund të dekadës.

Që kur ligji i klimës i BE-së u miratua për herë të parë nga vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian në vitin 2021, kundërshtarët e veprimit klimatik dhe ambicieve mjedisore argumentuan se masat pengojnë përparimin ekonomik.

Evropa rikonfirmon angazhimin e saj për një tranzicion të gjelbër të drejtë, ambicioz dhe konkurrues”, tha nënkryetarja e komisionit Teresa Ribera.

Mbështetja e objektivit klimatik prej 90% na ofron një dritë të qartë për të udhëhequr veprimet tona të ardhshme”, tha Ribera.

Projektligji i paraqitur sot duhet të negociohet nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian përpara se objektivi i ri klimatik të hyjë në fuqi.

Qeveria gjermane ka kërkuar një mekanizëm të tillë përpara prezantimit të objektivit./atsh

Continue Reading

Bota

Pas vlerësimit nga Pentagoni, disa armë amerikane s’do t’i dërgohen Ukrainës

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë dërgimin e disa armëve që i kishin premtuar Ukrainës për luftën e saj kundër Rusisë, sepse, pas një kontrolli nga Pentagoni, u pa që rezervat e tyre kishin rënë ndjeshëm.

Vendimi u mor “për t’i vënë interesat e Amerikës në radhë të parë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

Fuqia e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara mbetet e padiskutueshme – thjesht pyeteni Iranin”, tha ajo, duke iu referuar bombardimeve dhe sulmeve me raketa të SHBA-së kundër objekteve bërthamore të Iranit.

Deklarata e Kellyt erdhi pasi një zyrtar amerikan u citua nga Politico të ketë thënë se, pas një rishikimi nga Pentagoni, u pa se disa nga rezervat e artikujve që ishin premtuar më herët, janë shumë të pakta, ndaj disa dërgesa të planifikuara nuk do të realizohen.

Shtetet e Bashkuara – të cilat i kanë ofruar Ukrainës armë dhe ndihmë ushtarake me vlerë prej më shumë se 66 miliardë dollarësh, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 – u kanë bërë presion aleatëve që t’i ofrojnë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera.

Por, shumë prej tyre ngurrojnë t’i japin sistemet e tyre të teknologjisë së lartë, sidomos vendet në Evropën lindore, që gjithashtu ndihen të kërcënuara nga Rusia.

Ndalimi i disa armëve vjen pasi Rusia, në fundjavë, nisi sulmin e saj më të madh ajror të kombinuar kundër Ukrainës, thanë zyrtarët ukrainas.

Ukraina është duke u kërkuar me ngulm vendeve perëndimore që t’i dërgojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, pasi Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë, duke goditur edhe objekte civile.

Trump u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në margjinat e samitit të NATO-s, javën e kaluar.

Pas takimit, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen t’i sigurojnë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, për t’u mbrojtur nga sulmet vdekjeprurëse të Rusisë, por nuk do të angazhohen për të miratuar ndihma shtesë për Ukrainën.

Do të shohim nëse mund t’i vëmë në dispozicion disa [sisteme Patriot]”, tha Trump në Hagë më 24 qershor, kur u pyet nga një gazetar nëse do t’i shiste Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore.

Ato janë shumë të vështira për t’u siguruar. Edhe ne kemi nevojë për to. Edhe Izraelin e kemi furnizuar me to”, tha presidenti amerikan.

Trump, i cili, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, e ka kritikuar sasinë e ndihmës ushtarake amerikane të dërguar në Ukrainë, dha një përgjigje të paqartë kur u pyet për vazhdimin e ndihmave për vendin në luftë.

Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump, Partia Republikane e të cilit është thellësisht e ndarë për këtë çështje.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha më herët në një seancë dëgjimore në Senat se disa shpenzime të SHBA-së për Ukrainën janë ende në proces, por nuk dha detaje.

Hegseth pranoi se fondet për Ukrainën do të zvogëlohen.

Ai tha se administrata Trump ka një pikëpamje ndryshe për konfliktin në Ukrainë.

Ne besojmë se zgjidhja e negociuar paqësore është në interesin më të mirë të të dyja palëve dhe në interesat e kombit tonë”, tha ai./REL

Continue Reading

Të kërkuara