Aktualitet

​Parashikimi i motit

Në vende të kufizuara ekziston rrezik për breshër.

Published

on

Fushat e fuqishme ciklonike të cilat kanë përfshirë vendin, vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, duke krijuar kushte për mot me intervale të shkurta me diell dhe vranësira konvektive të cilat gjatë ditës do të shoqërohen me reshje shiu me stuhi dhe shkarkime rrufesh.

Reshjet me intensitet më të lartë priten në jug, jugperëndim, perëndim dhe veriperëndim të vendit. Në vende të kufizuara ekziston rrezik për breshër.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë celsius.

Do të fryjë erë nga juglindja, perëndimi dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë.

Qytetarët apelohen që në kohën kur fillojnë reshjet me stuhi, të qëndrojnë brenda lokaleve, shtëpive dhe vendeve të tjera të sigurta. Qytetet, për shkak të reshjeve të shpejta, mund të kenë problem me vërshime.

Sport

Infantino uron FFK-në për 10-vjetorin e anëtarësimit në FIFA, kujton edhe Fadil Vokrrin

Published

on

By

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) me rastin e dhjetëvjetorit të pranimit në shtëpinë e futbollit botëror.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Instagram, Infantino vlerësoi progresin e futbollit kosovar gjatë kësaj dekrete, duke vënë theksin te rritja e vazhdueshme dhe frymëzimi që ky sport u ka dhënë lojtarëve të rinj dhe tifozëve në Kosovë.

Kreu i FIFA-s rikonfirmoi mbështetjen për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në Kosovë, ndërsa vlerësoi kontributin e ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, si dhe punën që po bëhet aktualisht nën drejtimin e Agim Ademit.

Kosova u pranua zyrtarisht si anëtare e FIFA-s më 13 maj 2016, duke shënuar një moment historik që u mundësoi klubeve dhe kombëtares kosovare pjesëmarrjen e rregullt në arenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Sport

Deschamps shpjegon pse e la jashtë Botërorit yllin e Realit, Eduardo Camavinga

Published

on

By

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ka komentuar vendimin e tij për të mos i përfshirë në listën e Kombëtares për Kupën e Botës 2026 mesfushorin e Real Madridit, Eduardo Camavinga, dhe portierin e PSG-së, Lucas Chevalier.

Sa i përket Camavingas, Deschamps theksoi se sezoni i lojtarit u kushtëzua shumë nga lëndimet, ndërsa pranoi se konkurrenca e fortë në mesfushë bëri që ai të merrte këtë vendim.

“Camavinga po mbyll një sezon të vështirë ku ka luajtur pak për shkak të dëmtimeve. Më duhet të bëj zgjedhje për strukturën e skuadrës, por e kuptoj plotësisht që ai është i mërzitur dhe i zhgënjyer me mua sot. Është ende i ri dhe nuk dyshoj në aftësitë e tij”, deklaroi Deschamps.

Ndërkaq, për portierin Lucas Chevalier, trajneri francez shpjegoi se roli i portierit të tretë ka specifika të veçanta. Ai bëri të ditur se për këtë pozicion ka preferuar Robin Risser, duke vlerësuar entuziazmin dhe sezonin e fortë që ai ka zhvilluar.

 

Continue Reading

Aktualitet

Ukraina sulmon me dronë një rafineri gjigante në Rusi, pas sulmit të ashpër rus me 24 të vdekur në Kiev

Published

on

By

Ukraina ka ndërmarrë një sulm masiv me dronë të rrezeve të gjata, duke shënjestruar disa rajone në Rusi, përfshirë rafinerinë gjigante të naftës në Ryazan, pas disa ditësh sulmesh të ashpra të Moskës ndaj Ukrainës.

Sulmi i Kievit të premten pasoi tri ditë sulmesh radhazi me dronë dhe raketa mbi Ukrainë, duke përfshirë edhe kryeqytetin, ku një raketë kruz goditi një bllok banimi të enjten, duke vrarë 24 persona, mes të cilëve tre fëmijë.

Numri përfundimtar i viktimave në Kiev u bë i ditur pasi ekipet e emergjencës përfunduan gërmimet në rrënojat e ndërtesës nëntëkatëshe, e cila u godit në atë që forcat ajrore ukrainase e cilësuan si rrebeshin më të madh rus ndaj vendit që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, raporton The Guardian.

Teksa Ukraina shpalli ditë zie kombëtare, Këshilli i Evropës deklaroi të premten, gjatë një samiti të 46 ministrave të jashtëm evropianë në Moldavi, se po lëviz drejt krijimit të një gjykate për krimet e luftës për të gjykuar udhëheqjen ruse për luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.

“Tani duhet të ndërmerren veprime për të përmbushur këtë zotim politik, duke siguruar funksionimin dhe financimin e tribunalit,” tha Alain Berset, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili vizitoi vendin e ndërtesës së shkatërruar në rrethin Darnytskyi të Kievit, në bregun e majtë të lumit Dnipro, vendosi lule dhe bisedoi me punonjësit e shpëtimit.

“Ekipet tona të ndërhyrjes së shpejtë punuan pa ndërprerë për më shumë se një ditë,” shkroi Zelenskyy në aplikacionin Telegram.

“Rusët praktikisht rrafshuan një pjesë të tërë të ndërtesës me raketën e tyre,” tha ai. Zelenskyy shtoi se, sipas analizave fillestare, arma që goditi ndërtesën ishte një raketë ruse Kh-101 e prodhuar rishtazi.

Rusia, e cila filloi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022, nisi më shumë se 1,500 dronë dhe dhjetëra raketa në sulme anembanë Ukrainës këtë javë për tri ditë radhazi, thanë zyrtarët ukrainas.

“Një Rusi e tillë nuk mund të normalizohet kurrë, një Rusi që shkatërron qëllimisht jetë dhe shpreson të mbetet e pandëshkuar. Nevojitet presion,” tha Zelenskyy, duke përsëritur thirrjet drejtuar aleatëve për ta ndihmuar Ukrainën të forcojë mbrojtjen e saj ajrore.

Zyrtarët e qytetit në Kiev njoftuan se 24 trupa janë nxjerrë nga rrënojat dhe rreth 30 persona u shpëtuan të gjallë. Pothuajse 50 persona u plagosën dhe rreth 400 të tjerë patën nevojë për mbështetje psikologjike, bëri të ditur ministria e brendshme.

Rusia nuk komentoi menjëherë sulmin mbi ndërtesën e banimit. Moska mohon shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve, por gjatë më shumë se katër viteve luftë, ajo ka goditur shpesh ndërtesa banimi dhe infrastrukturë tjetër civile në sulmet ajrore në mbarë Ukrainën.

Autoritetet ruse thanë se katër persona, përfshirë një fëmijë, u goditën nga sulmet ukrainase. Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi se ka hapur një hetim për terrorizëm pas sulmeve, duke pretenduar se ato kishin në shënjestër “infrastrukturën rezidenciale dhe civile”.

“Dy ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe një objekt industrial u dëmtuan,” thuhet në deklaratë.

Dëshmitarët sugjeruan se objektivi i sulmeve në Ryazan duket se ishte rafineria e naftës, një nga më të mëdhatë e Rusisë, e cila u përfshi nga një zjarri i madh pasi u godit disa herë.

Zyrtarët e Kievit shpallën ditë zie të premten për të nderuar viktimat, me flamujt kombëtarë të ulur në gjysmëhark në mbarë qytetin prej 3 milionë banorësh. Të gjitha ngjarjet argëtuese u anuluan ose u shtynë.

Ministria e brendshme tha se operacioni i kërkim-shpëtimit në ndërtesën e banimit zgjati më shumë se 28 orë dhe qindra shpëtimtarë kontrolluan përmes 3,000 metrave kub rrënoja. /The Guardian/

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Inxhinierisë së Trafikut dhe Transportit në UBT zhvillojnë vizitë studimore në kryqëzimet moderne të Prishtinës

Published

on

By

Në kuadër të përgatitjes profesionale dhe avancimit të njohurive praktike të studentëve, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës – Programi Inxhinieria e Trafikut dhe Transportit në UBT, ka realizuar një vizitë studimore në kryqëzimet e rrugëve “B” dhe “C” në Prishtinë, me studentët që ndjekin lëndën “Rregullimi i fluksit të trafikut”.

Vizita studimore, e udhëhequr nga ligjëruesi monitorues Dr. Sc. Visar Baxhuku, u organizua me qëllim që studentët të njihen nga afër me funksionimin real të infrastrukturës moderne rrugore, mënyrën e organizimit të trafikut urban, si dhe sfidat dhe zgjidhjet bashkëkohore në menaxhimin e fluksit të automjeteve dhe këmbësorëve.

Përmes aktiviteteve të tilla praktike, programi i Inxhinierisë së Trafikut dhe Transportit dëshmon përkushtimin e tij për të ofruar një edukim të avancuar dhe të ndërlidhur drejtpërdrejt me praktikën profesionale dhe nevojat reale të tregut të punës.

Gjatë vizitës, studentët analizuan nga afër format e ndryshme të kryqëzimeve, përfshirë rrethrrotullimet dhe kryqëzimet me sinjale ndriçuese, duke vëzhguar mënyrën e funksionimit të tyre në raport me qarkullimin urban dhe kërkesat e larta të trafikut në kryeqytet.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua paisjeve të sinjalizimit dhe komunikimit, sistemit të semaforëve, sinjalizimit horizontal dhe vertikal, si dhe analizës së pikave të konfliktit mes automjeteve dhe këmbësorëve. Studentët patën mundësinë të studiojnë në terren mënyrën e rregullimit të fluksit të trafikut dhe të identifikojnë pengesat dhe mangësitë që ndikojnë në rrjedhshmërinë e lëvizjes.

Po ashtu, gjatë vizitës u realizuan analiza konkrete lidhur me:

  • pozicionin strategjik të kryqëzimeve në raport me rrjetin rrugor të qytetit;
  • intensitetin dhe jolinearitetin ditor të fluksit të automjeteve;
  • kohëzgjatjen e cikleve të semaforëve;
  • krijimin e vargjeve të automjeteve në pritje;
  • përparësitë e aplikimit të sistemeve moderne Adaptive Signal Control në menaxhimin inteligjent të trafikut.

Diskutimet interaktive dhe angazhimi aktiv i studentëve gjatë vrojtimeve në terren dëshmuan interesimin e madh të tyre për profesionin dhe rëndësinë e ndërlidhjes së teorisë me praktikën.

Sipas vlerësimeve të studentëve dhe stafit akademik, vizita studimore arriti plotësisht qëllimin e saj, duke iu mundësuar studentëve të kuptojnë në mënyrë konkrete sfidat e menaxhimit të trafikut urban dhe aplikimin praktik të njohurive të fituara në auditor.

Programi i Inxhinierisë së Trafikut dhe Transportit vazhdon të organizojë aktivitete të tilla profesionale dhe studimore, të cilat i përgatisin studentët për tregun modern të punës dhe i aftësojnë ata për të kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe sistemeve inteligjente të trafikut në Kosovë dhe më gjerë.

Continue Reading

Të kërkuara