Lajmet

​“Pakicat në Kosovën e pavarur”, Rexhepi: Çdo komunitet mund të realizojë të drejtat e veta

Kryeministri Kurti deklaroi se kanë mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në tryezën kushtuar 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me temën “Pakicat në Kosovën e pavarur”, u shpreh se Kosova është shteti ynë i përbashkët, në të cilin “duhet të kemi edhe mirëqenie edhe siguri”. Ai deklaroi se kanë mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.

“Takimi i sotëm përfaqëson simbolikisht atë që Republika e Kosovës në të vërtet po e jetëson ndjenjën e përbashkësisë dhe pjesëmarrjes për të gjithë. Kosova është shteti ynë i përbashkët, ku të gjithë duhet të ndjehemi plotësisht të barabartë dhe të padiskriminuar mbi asnjë bazë. Kosova është shteti ynë i përbashkët pra, në të cilën duhet të kemi edhe mirëqenie edhe siguri dhe ky është prioritet i qeverisjes sonë si garant i mbështetjes për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit me fokus në sundimin e ligjit dhe drejtësi, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes së arsimit dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë. Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara”, tha ai.

Kurti u shpreh kanë mbështetur 800 mijë qytetarë të Kosovës apo siç tha secilën familje në vendin tonë. Ai potencoi se kanë lansuar platformën kombëtare për raportimin e rasteve të diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

“Kemi miratuar edhe Strategjinë, pra plotësimin e të drejtave të komunitetit romë dhe ashkali 2022-2026. Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit, përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve i ka mbështetur organizatat dhe mediat për aktivitetet e ndryshme kulturore. I kemi përkrahur 123 projekte për biznese të vogla dhe Start-Up-e për komunitetet joshumicë, mes tyre 48 për komunitetin serb, 27 për komunitetin boshnjak, 21 për komunitetin egjiptian, 10 për komunitetin ashkali, 5 për komunitetin goran dhe 4 për komunitetin rom”, tha ndër të tjera kryeministri.

Kurti nënvizoi se për ta mbështetur edukimin i kanë ndarë 300 mijë euro për bursa për nxënësit e komunitetev romë, ashkali dhe egjiptian, si dhe 300 mijë euro të tjera për qendrat mësimore të fëmijëve këtyre komuniteteve. Ai shtoi se që nga fillimi e kanë dëshmuar përkushtimin ndaj komuniteteve joshumicë më shumë se çdo qeveri tjetër.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se me vetë aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kuvendi vendosi t’u garantojë të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen të gjitha bashkësive kombëtare që jetojnë në Kosovë. Ajo tha se sot Kosova është një shtet demokratik, në të cilin çdo komunitet mund të afirmojë nevojat e veta dhe të realizojë të drejtat e veta.

“Sot, Kosova është një shtet demokratik, në të cilin çdo komunitet mund të afirmoj nevojat e veta dhe të realizojë të drejtat e veta kombëtare kulturore, sociale, ekonomike dhe fetare. Sot, kur festojmë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, lirisht mund të themi se vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur të zhvillimit të tij. Ne kemi institucione shtetërore, në të cilat pjesëtarët e të gjitha kombeve marrin pjesë në punët e përcaktuar me ligj, a jemi të kënaqur, sigurisht që nuk jemi dhe ky numër është ende shumë i vogël, por shpresojmë shumë te kryeministri ynë, i cili merret më intensivisht me çështjet e jetës së të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, duke krijuar një përfshirje të shoqërisë nga të gjithë qytetarët e saj, duke mos e ndarë askënd në asnjë lloj baze dhe në atë luftë do t’i japim mbështetjen tonë maksimale”, tha ajo.

Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, deklaroi se ka pasur nderin që javën e kaluar, ministria që ai drejton për herë të parë ka shpallur një ftesë publike për të aplikuar të gjitha komunitetet.

Ai tha se nga data 6 shkurt për dhjetë ditë nonstop ka shumë njerëz që aplikojnë për ftesat e shpallura.

“Në të vërtetë, ky ka qenë edhe qëllimi im, që t’i kenë njerëzit një ftesë të hapur, ku mund të aplikojnë të gjithë, por kjo gjithashtu kjo është një sfidë shtesë për të gjithë ne, para së gjithash për mua, por jom i sigurt edhe për znj. Rexhepi, po gjithashtu edhe për kryeministrin, sepse pritjet që këto procese janë normale dhe se duhet të vazhdojnë në mënyrë normale, rregullisht është dëshmi që këta njerëz besojnë që do t’i realizojnë të drejtat e veta dhe të vijnë te na për të aplikuar. Dhe këto pritje, Qeveria duhet që të plotësojë, duhet të realizon atë çfarë është në pjesën e saj të autorizimeve”, tha ai, duke shtuar se do të jetë një listë e qytetarëve kanë nevojë për kushtet themelore për jetë.

Ai deklaroi se e ka hapur ftesën në kuptimin që qytetarët të furnizohen me material ndërtimor, rinovim, gjëra ushqimore, nevoja higjienike, etj.

Ndër të tjera, Rashiq e falënderoi kryeministrin Kurti për përkrahjen e dhënë atij dhe popullit të tij, por kërkoi ndihmë shtesë, sepse tha se sapo e kanë filluar procesin e vërtetë të integrimit.

Vendi

Katër të vdekur dhe dhjetë të lënduar në aksidentet e fundit në Kosovë

Published

on

By

Një bilanc prej katër personash të vdekur dhe dhjetë të lënduar është shënuar në rrugët e Kosovës brenda një dite. Raporti i fundit i Policisë së Kosovës njofton për një seri aksidentesh të rënda të ndodhura të hënën, ku përveç aksidenteve të reja me fatalitet, një person ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra ditë më parë.

Në Vushtrri në një aksident të rëndë ku u përfshinë tri automjete në fshatin Dobërllukë një person ka humbur jetën, ndërsa pesë persona të tjerë pësuan lëndime të rënda dhe u dërguan me urgjencë për trajtim mjekësor në Qendrën Universitare Klinike të Kosovës (QKUK).

Një tjetër vetaksident fatal ndodhi në fshatin Dollc të Klinës. Një shofer humbi kontrollin mbi automjetin e tij dhe doli jashtë rruge, duke pësuar lëndime që rezultuan vdekjeprurëse. Nga kjo thyerje e rrugës mbetën të lënduar edhe katër pasagjerë që ndodheshin në të njëjtën makinë – një grua dhe tre burra.

Pothuajse në të njëjtën periudhë, një tjetër përplasje mes dy veturave mori jetën e një personi në fshatin Slivovë të Ferizajt. Policia ka nisur hetimet për të ndriçuar shkaqet e këtij aksidenti. Për të tria këto raste të reja, prokurorët kanë urdhëruar dërgimin e trupave të pajetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Përveç tragjedive të ditës, bilanci i zi u rëndua edhe më shumë pasi një person ndërroi jetë në QKUK, ku po trajtohej që prej datës 7 maj. Ai kishte pësuar lëndime të rënda në një aksident në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, saktësisht në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë. Pas konstatimit të vdekjes nga mjekët, trupi i tij u është liruar familjarëve për ceremoni mortore.

Përveç ngjarjeve me pasoja fatale, policia regjistroi edhe dy aksidente të tjera me pasoja më të lehta.

Në Prekallë të Istogut, dy vetura u përplasën mes vete, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime trupore te njëra nga drejtueset e mjeteve.

Në Prizren, në rrugën “Hysen Rexhepi”, u shënua një përplasje tjetër mes dy automjeteve, e cila fatmirësisht përfundoi vetëm me dëme materiale dhe pa persona të lënduar.

 

Continue Reading

Aktualitet

Ka nisur protesta në Shkup, studentë nga Kosova në mbështetje të kolegëve

Published

on

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve dhe studentëve në Shkup për protestën e paralajmëruar nga studentët e universiteteve në gjuhën shqipe, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Protesta, e organizuar me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, pjesëmarrësit kanë filluar të mblidhen në Urën e Gurit.

Në mbështetje të kolegëve të tyre kanë ardhur edhe studentë nga Kosova, të cilët thanë se përkrahja e tyre nuk do të mungojë dhe se protestat do të zhvillohen në mënyrë të qytetëruar.

“Studentët në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Duam të tregojmë se mbështetja jonë është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalemi këtu”, tha një student nga Kosova. Ai shtoi se në protestë po marrin pjesë të rinj nga të gjitha qytetet e Kosovës.

“Ne kemi ardhur si grup me autobus dhe këtë protestë po e bëjmë në mënyrë të qytetëruar. Jemi prej të gjitha qyteteve të Kosovës”, u shpreh ai.

Organizatorët u kanë bërë thirrje edhe sportistëve, artistëve dhe figurave publike që t’i bashkohen protestës dhe të mbështesin kërkesat e studentëve.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët, pas asaj të mbajtur më 6 prill të këtij viti.

Continue Reading

Vendi

Gjendet i vdekur një burrë në “Ulpianë”

Published

on

By

Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30.

Pas marrjes së informatës, ekipet e urgjencës dhe policia kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur menjëherë hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth identitetit të viktimës apo shkaqeve të vdekjes.

Continue Reading

Lajmet

Ka nisur Java e 17-të e Albanologjisë në Prishtinë

Published

on

Instituti Albanologjik ka hapur sot edicionin e 17-të të Javës së Albanologjisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore në fushën e studimeve shqiptare, e cila do të zgjasë deri më 22 maj.

Përgjatë katër ditëve, studiues nga Kosova, rajoni dhe më gjerë do të prezantojnë tema që lidhen me gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare, duke trajtuar edhe zhvillime bashkëkohore si inteligjenca artificiale, digjitalizimi i shqipes dhe ndikimi i komunikimit virtual në gjuhë.

Programi përfshin sesione të veçanta për letërsinë shqipe, historiografinë, trashëgiminë kulturore dhe antropologjinë e ushqimit, me fokus në identitetin kulturor dhe zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare.

Organizatorët theksojnë se konferenca synon të promovojë kërkimin shkencor dhe të krijojë hapësirë për shkëmbim akademik mbi gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare.

Continue Reading

Të kërkuara