Lajmet

​Osmani: Gratë promovojnë arsimimin duke qëndruar kundër dhunës në baza gjinore

Published

on

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, UN Women në partneritet me Zyrën e Presidentes dhe Fondacionin IPKO, të mbështetur nga Ambasada britanike në Kosovë, organizuan sot një aktivitet me gra dhe vajza nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, për t’i frymëzuar ato të vazhdojnë arsimin e tyre dhe bëhen udhëheqëse të së nesërmes.

Gjatë aktivitetit u hap edhe ekspozita me punimet e vajzave të pranishme, duke treguar se si arti mund të jetë mjet i thyerjes së barrierave, stereotipeve gjinore dhe fuqizimit të vajzave.

Në fjalimin e saj hyrës, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se gratë dhe vajzat e reja promovojnë arsimimin duke qëndruar kundër dhunës në baza gjinore.

“Vetëm së bashku do të bëjmë që zëri i grave dhe vajzave të reja të dëgjohet në çdo tryezë ku merren vendime për to, për shoqërinë dhe për të gjithë botën”, tha Osmani.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott nënvizoi ndikimin disproporcional të pandemisë mbi gratë dhe vajzat.

“Barra e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit ka rënë mbi gratë dhe vajzat, ndërsa në të njëjtën kohë ato kanë vazhduar të punojnë nga shtëpitë e tyre. Dhe kjo situatë ka qenë edhe më e vështirë për ato vajza dhe gra të reja që tashmë kanë qenë në disavantazh edhe para pandemisë. Ne po flasim për gratë dhe vajzat nga komunitetet më të rrezikuara, të cilat jo gjithmonë kanë qasje të lehtë në arsim, trajnim dhe punësim”, tha Abbott.

Vlora Tuzi Nushi, udhëheqëse e Zyrës së UN Women, tha se gratë ende përballen me diskriminim kur bëhet fjalë për udhëheqje.

“Prandaj, ne kemi nevojë për më shumë gra në vendimmarrje që përfaqësojnë gratë dhe vajzat në të gjithë diversitetin dhe aftësitë e tyre, dhe në të gjitha situatat kulturore, sociale, ekonomike dhe politike”, tha Nushi.

Ky event u organizua në përputhje me temën globale të këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Grave “Gratë në udhëheqje: Arritja e një të ardhme të barabartë në botën e COVID-19”, ditë kjo e cila vlerëson përpjekjet e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave në të gjithë botën në formësimin e një të ardhme më të barabartë dhe rimëkëmbje nga pandemia COVID-19, duke nxjerr në pah boshllëqet që mbeten.

Në bazë të një vlerësimi të shpejtë i kryer në Kosovë në maj 2020 nga UN Women, UNDP, UNFPA dhe UNKT, zbuloi se pandemia ka përkeqësuar barrën e punës së kujdesit të papaguar mbi gratë dhe vajzat duke penguar dhe kufizuar performancën e tyre profesionale dhe arsimore.

Lajmet

Kuvendi voton të hënën deklaratën për Specialen, në rend dite edhe zgjedhja e nënkryetarit

Published

on

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë të hënën, më 28 shtator, seancë plenare, e cila do të nisë në orën 11:00.

Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë disa çështje, përfshirë miratimin e një deklarate lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të 16 shtatorit 2026.

Në rendin e ditës janë përfshirë këto pika:

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme.

Betimi i deputetëve.

Miratimi i Deklaratës lidhur me Aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator 2026.

Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Formimi i komisioneve parlamentare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet gara ushtarake “Ujku Garues 2026”: Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë fiton vendin e parë

Published

on

By

Në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog është përmbyllur gara tradicionale “Ujku Garues 2026”, e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore (KFT), ku morën pjesë 20 ekipe nga njësitet e ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vendi i parë në këtë garë ushtarake i takoi Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (K2B2), vendi i dytë u fitua nga Policia Ushtarake e FSK-së, ndërsa vendin e tretë e zuri Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë (K2MB).

Gara “Ujku Garues”, e cila mbahet që nga viti 2015 si rezultat i bashkëpunimit mes nënoficerëve të FSK-së dhe kontingjentit slloven, testoi pjesëmarrësit në disiplina të rënda taktike e fizike. Pjesë e sfidave ishin vrapimi, kalimi i poligonit taktik, shtyrja e autoblindës HMMWV, bartja e municionit dhe e të lënduarve, si dhe qitja me armë e hedhja e granatës.

Aktiviteti u shqua për profesionalizëm të lartë, përgatitje intensive fizike dhe shpirt garues mes ekipeve të FSK-së.

 

Continue Reading

Lajmet

Universitetet britanike u konsultuan me kompaninë e armëve BAE Systems për protestat pro-Palestinës

Published

on

By

Së paku 13 universitete britanike kanë diskutuar me prodhuesin më të madh të armëve në Mbretërinë e Bashkuar, BAE Systems, se si t’i menaxhojnë protestat pro-palestineze në kampuset e tyre. Kjo përfshinte rritjen e masave të sigurisë në ngjarje zyrtare dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj kritikave.

Korrespondenca mes universiteteve dhe kompanisë ushtarake u zbulua përmes email-eve dhe dokumenteve të brendshme nga një hetim i përbashkët i “Liberty Investigates” dhe “Al Jazeera”.

Sipas dokumenteve, universitete të tilla si ai i Manchesterit, Nottinghamit, Southamptonit, Birminghamit, Strathclyde dhe Cranfield konsiderohen “partnerë strategjikë” të BAE Systems dhe marrin së bashku deri në 15 milionë funte (rreth 20 milionë dollarë) në vit nga kjo kompani.

Në gusht të vitit 2024, BAE Systems duket se u ka kërkuar universiteteve të hartojnë mesazhe për të kundërshtuar atë që e quante “një narrativë shpesh të deformuar nga protestuesit”. Kjo periudhë përkonte me reagimet e mëdha studentore kundër bashkëpunimit me kompanitë që furnizojnë me armë ushtrinë izraelite gjatë luftës në Gazë.

Në një rast në Universitetin e Sheffieldit, zyrtarët e hetimit të brendshëm u konsultuan me BAE Systems përpara se të dënonin katër studentë që protestuan në një ngjarje online me slloganet “BAE vret fëmijë”. Studentëve u kërkua të paguanin një gjobë prej 75 funtesh ose të nënshkruanin një zotim se nuk do të merrnin pjesë në protesta të paautorizuara.

Ndërsa studentët e ndëshkuar e cilësuan këtë si ndikim të drejtpërdrejtë të kompanisë së armëve mbi drejtuesit e universitetit, zëdhënësi i Universitetit të Sheffieldit i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se procedurat disiplinore janë të pavarura dhe bazohen vetëm në rregulloren e sjelljes së studentëve. /Al Jazzera/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi Komunal i Prishtinës shqyrton taksën 2-euroshe për trafikun në qendër

Published

on

By

Propozimi për vendosjen e një tarife prej 2 eurosh për automjetet që hyjnë në zonën qendrore të Prishtinës ka nxitur diskutime të ashpra në Kuvendin Komunal.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Luftar Braha, e mbrojti idenë duke theksuar se masa të tilla përdoren në shumë qytete botërore si Ljubljana e Tirana për të menaxhuar trafikun. Sipas tij, drejtuesit e mjeteve mund të shfrytëzojnë parkingun te Pallati i Rinisë pa u nënshtruar kësaj takse.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi propozimin me arsyetimin se kufizimi do të mbingarkojë rrugët alternative dhe do të rrisë ndotjen e ajrit. Po ashtu, edhe nga Partia Demokratike e Kosovës u kërkua që të shqyrtohen përjashtime për banorët e Prishtinës, në mënyrë që tarifa të mos aplikohet njëtrajtshëm për të gjithë.

Zona e planifikuar e lëvizjes së kufizuar përfshin rrugët kryesore brenda unazës së brendshme të kryeqytetit, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në duart e asamblistëve të Kuvendit Komunal.

Continue Reading

Të kërkuara