Lajmet

​Nis vaksinimi i personelit shëndetësor edhe në Prizren

Published

on

Vaksinimi kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, sot nisi edhe për profesionistët shëndetësorë të komunës së Prizrenit. Deri në mesditë në këtë komunë u vaksinuan 18 persona, por 1 mijë e 270 dozat e AstraZenecës të ofruar për stafin mjekësor të kësaj komune po konsiderohen të pamjaftueshme.

Shefi i vaksinimit për regjionin e Prizrenit, Arsim Morina tha se faza e vaksinimit që filloi sot po shkon mirë dhe se stafi mjekësor i Klinikës Infektive të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit janë vaksinuar të parët sot.

Morina tha se në këtë komunë pjesë e personelit shëndetësor përfshihen 1 mijë e 344 persona, prandaj 1 mijë e 270 dozat e dhuruara për këtë komunë janë të pamjaftueshme. Por Morina thotë se nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka marrë zotimin se do të furnizohet me doza të tjera me qëllim që të gjithë mjekët e kësaj komune të vaksinohen.

“Pas përgatitjeve të disa ditëve më përpara për procesin e vaksinimit me vaksinën kundër COVID-19, dje jemi furnizuar me 1 mijë e 270 doza nga IKShP dhe planifikimet tona janë realizuar që sot të fillojmë aplikimin e kësaj vaksine kundër COVID-19. Kemi filluar me spitalin regjional gjegjësisht me Klinikën Infektive dhe me personelin tjetër të spitalit regjional. Deri tani kemi shkuar mirë për një orë e gjysmë janë vaksinuar 18 persona. Në komunën e Prizrenit në kujdesin parësor shëndetësor, në spitalin regjional të Prizrenit dhe në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe atij mendor dhe të gjitha klinikat private që operojnë në komunë kemi marrë të dhëna për 1 mijë e 344 profesionistë shëndetësorë. Ne kemi marrë 1 mijë e 270 vaksina, por kemi marrë zotimin e IKShP-së për furnizimin në plotë të te gjitha dozave”, tha ai.

Morina, i cili është kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, tha se tashmë kanë të dhënat e 5 mijë personave që janë mbi moshën 65-vjeçare dhe që kanë sëmundje kronike, dhe në momentin që furnizohen me dozat e mjaftueshme të vaksinës thanë se do i njoftojnë ata qytetar për vaksinim.

“Ne jemi të përgatitur për këtë çështje qysh para 1 muaji. Listën që në muajin janar e kemi marrë nga MSh e kemi parë të rrugës ta shpërndajmë në të gjitha QMF-të në ambulantet e QMF-ve dhe të marrim të dhënat e 65-vjeçarëve e tutje me sëmundje kronike. Pra kemi numër mbi 5 mijë persona të dhënat e tyre dhe numrat e telefonit të secilit. Në momentin që furnizohemi me sasi të mjaftueshme ne do i ndërmarrim edhe hapat e tjerë të njoftimit”, tha ai.

Arsim Morina, i cili është personi i parë që u vaksinua në komunën e Prizrenit, tha se këtë veprim e ndërmori me qëllim që të heq dilemat rreth vaksinimit dhe t’i motivojë kolegët dhe prizrenasit për t’u vaksinuar.

Infermierja Shukrane Rexhaj thotë se zgjodhi të vaksinohej duke e ditë qe tash e sa kohë janë në vijë të parë të frontit me pandeminë. Apelon madje që të gjitha ta marrin këtë vaksinë.

“Pasi që jemi në vijën e parë të frontit unë vendosa sot të vijë të marrë këtë vaksinë, po ndihem shumë mirë dhe iu kisha rekomanduar të gjithë kolegëve të mi që sado kudo të kemi një mbrojtje dhe gjithë të vijnë ta marrin këtë vaksinë”, u shpreh ajo.

Dozën e parë të vaksinës anti-COVID e mori sot edhe pediatrja, Lindita Sokoli e cila u shpreh se fillimisht hezitoi për t’u vaksinuar por tani e mori pasi mendon qe është mbrojtja më e mirë nga koronavirusi.

“Në fund vendosa që më mirë është me marr (vaksinën) se mos me e marr. Patjetër me marr se e vetmja mënyrë për mbrojtje prej koronës është vaksina”, deklaroi ajo.

Vaksinimi kundër koronavirusit për profesionistët shëndetësorë sot nisi edhe nëpër komunat tjera të Kosovës, derisa në kryeqytet që nga fillimi i javës ka nisur vaksinimi me vaksinën AstraZeneca, e cila në Kosovë arriti më 28 mars 2021.

Vendi

Pas bastisjeve në ARBK, reagon Ministria: Hetimet lidhen me një rast të ndryshimit të pronësisë së një biznesi

Published

on

By

Pas aksionit të hershëm të Prokurorisë dhe Policisë në ambientet e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke dhënë sqarime mbi natyrën e hetimeve.

Sipas Ministrisë, njësitë policore për krime ekonomike kanë qenë të pranishme në ARBK në kuadër të një rasti që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi, pas vdekjes së pronarit të tij.

Ministria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një lëshim që ishte identifikuar më parë nga vetë stafi i tyre. “Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në sqarimin e MINT-it, duke shtuar se institucioni mbetet plotësisht i përkushtuar për bashkëpunim me organet e rendit.

Ky reagim vjen si pasojë e një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka bastisur objektet e ARBK-së nën dyshimet për vepra të rënda penale.

Sipas Prokurorisë, hetimet po zhvillohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, ku dyshohet se zyrtarët kanë manipuluar dokumentacionin zyrtar brenda sistemit të regjistrimit të bizneseve.

Në mbyllje të reagimit, Ministria ka siguruar qytetarët dhe bizneset se po punon me vëmendje të shtuar në avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike. Ndërkohë, aksioni i Prokurorisë, i cili u realizua me urdhër të Gjykatës, është ende në zhvillim e sipër për grumbullimin e provave materiale që do të zbardhin plotësisht këtë rast.

 

Continue Reading

Botë

Izraeli vret ministrin e Inteligjencës së Iranit: Urdhër ushtrisë për eliminimin e çdo zyrtari të lartë

Published

on

By

Izraeli deklaroi të mërkurën se ka vrarë ministrin e Inteligjencës së Iranit, në sulmin e dytë brenda dy ditëve ndaj një figure të lartë udhëheqëse, dhe ka autorizuar ushtrinë që të shënjestrojë çdo zyrtar të lartë iranian që arrin të lokalizojë. Izraeli goditi gjithashtu Bejrutin qendror, duke shkatërruar ndërtesa banimi në disa prej sulmeve ajrore më intensive në kryeqytetin libanez në dekadat e fundit – ky një front tjetër i Izraelit në luftën e nisur bashkë me Shtetet e Bashkuara kundër Iranit.

Një ditë pas vrasjes së shefit të fuqishëm të sigurisë së Iranit, Ali Larijani – vrasja e nivelit më të lartë që nga ajo e liderit suprem në ditën e parë të luftës – Izraeli njoftoi se ka vrarë ministrin e Inteligjencës, Esmail Khatib.

“Askush në Iran nuk ka imunitet dhe të gjithë janë në shënjestër,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz. “Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe unë kemi autorizuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që të shënjestrojnë çdo zyrtar të lartë iranian për të cilin paraqitet një mundësi inteligjente dhe operacionale, pa pasur nevojë për miratim shtesë.”

Kjo duket të jetë hera e parë që Izraeli deklaron publikisht se do të lejojë ushtrinë të godasë zyrtarët armiq pa kërkuar leje të veçantë nga udhëheqësit politikë për misionet. Katz nuk tregoi se kur ishte dhënë ky urdhër.

Në Teheran, mijëra njerëz dolën në rrugë për funeralin e Larijanit dhe figurave të tjera të vrarë në sulmet amerikano-izraele. Turma valëviti flamuj iranianë dhe mbante portrete të zyrtarëve të vrarë, ndërsa këndoheshin vargje për dëshmorët.

Irani u hakmor për vrasjen e Larijanit duke lëshuar raketa me mbushje të shumëfishta drejt Izraelit, sulme këto që sipas autoriteteve izraelite vranë dy persona afër Tel Avivit. Teherani njoftoi se gjatë natës ka goditur Tel Avivin, Haifën dhe Beershebën në Izrael, si dhe bazat amerikane në Bahrein, Irak, Jordani, Kuvajt, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se SHBA dhe Izraeli dështuan të kuptojnë se Republika Islamike është një sistem politik i fortë që nuk varet nga asnjë individ i vetëm. /Reuters/

Continue Reading

Vendi

Një muaj paraburgim për prindërit nga Lipjani që dyshohen për keqtrajtimin e fëmijës

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy prindërve me inicialet A.K. dhe V.P., të cilët dyshohen për keqtrajtimin e djalit të tyre pesëvjeçar.

Vendimi u mor nga Departamenti i Përgjithshëm pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, ku gjyqtarja e procedurës paraprake konstatoi se caktimi i kësaj mase është i nevojshëm në këtë fazë të procesit.

Mbi të pandehurit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në publik për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën është gjetur i mituri.

Sipas raportimeve, fëmija është dërguar me urgjencë në Klinikën e Pediatrisë, ku aktualisht po trajtohet në repartin e Kujdesit Intensiv.

Mjekët kanë konstatuar se 5-vjeçari ka plagë të rënda në të dyja shputat e këmbëve, të cilat kanë pësuar ndryshime të theksuara gangrenoze, ndërsa dyshohet se i vogli ka vuajtur edhe nga kequshqyerja dhe ka vështirësi të theksuara në komunikim.

Pas arrestimit dhe ndalimit fillestar prej 48 orësh, dy prindërit do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, periudhë gjatë së cilës do të vazhdojnë hetimet e mëtutjeshme mbi rrethanat e këtij rasti të rëndë.

Sipas procedurave ligjore, palët e pakënaqura gëzojnë të drejtën e ankesës ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të dorëzohet përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

 

Continue Reading

Lajmet

Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt mbi 5.7 milionë euro

Published

on

By

Nisja e punimeve për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë ka shënuar sot një hap të rëndësishëm për infrastrukturën sportive në Kosovë.

Ky projekt modern, i cili kap vlerën e mbi 5.7 milionë eurove, parashikon ndërtimin e një palestre të re me standarde ndërkombëtare, si dhe një objekti multifunkional që do të ofrojë akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant për sportistët.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Sportit, Blerim Gashani dhe krerët e Federatës së Xhudos, e cilësoi këtë investim si një përgjigje ndaj rezultateve të jashtëzakonshme që ky sport i ka sjellë vendit ndër vite.

Hapësirat e reja pritet të shërbejnë edhe për garat e sporteve luftarake gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, duke e kthyer Pejën në një qendër rajonale të xhudos.

Përveç rëndësisë infrastrukturore, ky projekt u vlerësua lart edhe nga trajneri Driton Kuka, i cili u kërkoi xhudistëve që këtë mbështetje serioze të shtetit ta shpërblejnë me punë e rezultate të reja në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht, në këtë qendër po stërviten edhe sportistë nga Ukraina, gjë që dëshmon ndikimin e saj përtej kufijve të Kosovës.

“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës. Xhudoja është suksesi më i madh që kemi ndërtuar si shtet në sport,” deklaroi kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.

 

Continue Reading

Të kërkuara