Lajmet

Dënohet me 10 vjet burgim ish-polici dhe inspektori Shaqir Lutvija, për torturat ndaj shqiptarëve

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 10 vjet burgim Shaqir Lutvija, nën akuzat se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte.

Këtë vendim e ka mirëpritur Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për krime lufte, Sh.L. Sipas aktakuzës së ngritur më 04 shtator 2024, Sh.L., në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë viteve 1998-1999, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, me qëllim të garantimit të drejtësisë për viktimat dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e  popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së./EO


 

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti takohet me zyrtarët francezë, diskutojnë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe përfaqësues të organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024” nga organizata France Sport Expertise.

Në takim është diskutuar për përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke përfshirë bashkërendimin institucional dhe infrastrukturën e nevojshme.

Kurti ka thënë se nga përfaqësuesit francezë kanë marrë këshilla lidhur me veprimet që duhet të kenë përparësi në këtë proces, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin e projekteve.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përcaktimit të afateve, ndarjes së përgjegjësive, kostove dhe burimeve të financimit.

Kurti ka rikujtuar se në fund të muajit korrik është nënshkruar marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, si dhe Deklarata e Synimit për themelimin e Komitetit të Përbashkët për këto lojëra.

Sipas tij, këto marrëveshje e bëjnë Francën një partnere të rëndësishme në organizimin e “Prishtina 2030”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara