Lajmet

​MMPHI: Rrugët që menaxhohen prej nesh janë të qarkullueshme

MMPHI apeloi te qytetarët për kujdes të shtuar.

Published

on

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës informoi se pas reshjeve të borës ditën e djeshme, të gjitha rrugët kanë qenë të kalueshme, por në disa segmente të rrugëve komunikacioni është zhvilluar me pak vështirësi.

Sipas këtij dikasteri, operatorët ekonomikë për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në aktivitetin e tyre të plotë gjatë terë natës së mbrëmshme dhe si rezultat i këtij aktiviteti sot të gjitha rrugët e Republikës se Kosovës, të cilat menaxhohen nga MMPHI-ja, janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

“Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar”, përfundoi MMPHI.

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 20 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Podujeva

20 qershor 1994

Për tre ditë policia bastisi 25 familje në Podujevë

Muajt e fundit vala e represionit në komunën e Podujevës ka marrë përmasa të mëdha.

Kështu, siç njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë, vetëm gjatë tre ditëve të kaluara, në fshatrat e kësaj komune, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi 25 famlje.

Më 16 qershor në fshatin Bërvenik, një ekspeditë e policisë serbe bastisi shtëpitë e Sejdi dhe Hamdi Nezirit, ndërsa në fshatin Kalaticë u bastis shtëpia e Behë Zeqirit.

Më 17 qershor në Podujevë policia serbe bastisi shtëpitë e Xhevat Përveticës, Dulë Hoxhës, Avdi Behramit dhe Salih Salihut. Nga këto familje policia kërkoi armë, si dhe ua la fleturdhëresat që të paraqiten në polici.

Më 17 qershor në fshatin Popovë policia serbe bastisi familjet e Bajram, Islam e Mustafë Segaçës, Isa Maksutit, Faik Maqastenës, Ilaz Segaçës si dhe atë të Sejdi Hoxhës.

Më 18 qershor në fshatin Lladofc, policia serbe kërkoi armë te Qerim Latifi dhe Abaz Kiçmari, me ç’rast Abazit iu la fleturdhëresa që të paraqitet në polici.

Më 18 qershor në fshatin Batllavë, një ekspeditë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjet e Enver e Mustafë Malokut, Qazim, Raif, Sami e Ahmet Statofcit si dhe atë të Sylejman Berishës. Po kjo ekspeditë bastisi edhe shtëpitë e Ali Zeqirit dhe Xhafer Bahtirit në fshatin Gërdoc.

 

20 qershor 1995

Në Han të Elezit u varros fëmija Isa M. Berisha i cili u vra nga ushtria serbe

Dje rreth orës 17:00, në varrezat e qytetit në Han të Elezit në prani të mbi 2 mijë qytetarëve dhe nxënësve nga të gjitha anët e këtij lokaliteti u varros Isa Muhamet Berisha (1985), i cili u vra parmbrëmë në orën 19:40 minuta nga një ushtar serb në oborrin e kazermës ushtarake serbe në Han të Elezit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit.

Arkivoli nga spitali i Prishtinës u nxor dje në orën 12:00.

Familjes së të ndjerit në emër të strukturave politike i shprehu ngushëllime Zylbehar Hasallari, kryetar i Degës së LDK-së në Han të Elezit, me ç’rast u bë edhe një minutë heshtje për këtë viktimë, ndërsa nga i ndjeri për herë të fundit u nda Veli Bushi – arsimtar, i cili në emër të kolektivit të shkollës fillore “Tefik Çanka” në Han të Elezit, mbajti fjalimin e përmotshëm.

Vlen të theksohet se kjo është viktima e tretë nga ana e ushtrisë serbe në këtë komunë.

 

Hollësi të KMDLNJ-së për vrasjen e vogëlushit Isa Berisha nga ushtria serbe

Vogëlushi Isa (Muhamet) Berisha (1985) nga Hani i Elezit, u vra më 18 qershor e u varros më 19 qershor 1995, pikërisht në ditën që duhej të merrte librezën me sukses të shkëlqyeshëm për klasën e tretë të shkollës fillore.

Atë e vranë ushtarët serbë, vetëm shtatëdhjetë metra larg shtëpisë së tij, në orën 19:40.

Në trupin e tij kishin qëlluar dy plumba nga pushka automatike, ndërsa për vrasjen e tij, prindërit morën vesh në ora 01:00 pas mesnate, kur disa ushtarakë u thanë fqinjve të familjes Berisha se vogëlushi ishte vrarë në oborrin e kazermës.

Derisa prindërit dhe fqinjët po e kërkonin Isanë e vogël, nuk u shkonte mendja se mund ta vrisinin ushtarët, të cilëve u kishte dhënë ujë, shpesh edhe ushqime të tjera, gati çdo ditë, e madje edhe një orë para vrasjes.

Ushtarët serbë përpiqen ta arsyetojnë aktin e tyre kriminal me pohimin se gjoja fëmija kishte dashur të vidhte cigare në depon e një serbi, që gjendet në oborrin e kazermës, të tjerët janë të bindur se ai kishte hyrë në oborr për ta marrë dhinë, siç kishin vepruar ai e të tjerët rregullisht.

Pas të shtënave, policia u kishte dhënë urdhër pronarëve të shitoreve të afërme që t’i mbyllnin, pa dhënë shpjegime për arsyen.

Dëshmitarët e rastit pohojnë se e kishin parë kufomën të mbuluar me një tendë larg deposë, për të cilën eprorët ushtarakë pohojnë se kishte dashur ta thente voglushi, ndonëse dritaret janë dy metra mbi tokë dhe aq të siguruara, sa as një i rritur nuk mund t’i arrijë.

Fëmijën pastaj e dërguan për obduksion në klinikën përkatëse të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, që t’ua kthejnë prindërve më 19 qershor, pas mesdite.

Atë ditë kur u vra voglushi Isa Berisha, policia keqtrajtoi dhjetë veta në fshatin Seqishtë, si dhe hoxhën e Kaçanikut Fadil Nikoci, sepse ai, sipas rregullave fetare, kishte shpallur vdekjen e fëmijës dhe të dorasve të tij.

Isa Berisha është viktima e nëntë e terrorit shtetëror serb në Kosovë gjatë këtij viti. Të përkujtojmë se vitin e kaluar (më 1994) në Kosovë u vranë ose u mbytën nga ana e policisë dhe e ushtrisë serbe 18 shqiptarë, pa dhënë më parë shkas për këtë, njofton shërbimi për informim i KMDLNJ-së.

 

Shtypi serb dhe organet e ushtrisë serbe heshtin vrasjen e Isa Berishës

Për vrasjen e fëmijës dhjetëvjeçar Isa Berishës në Han të Elezit nga ushtarët serbë nuk informuan masmediat serbe, pos gazetës “Nasha borba”. As organet e ushtrisë serbe nuk kanë dhënë kurrfarë komunikate për këtë vrasje.

Gazeta e Beogradit “Nasha borba” transmeton lajmin e emituar dje nga agjencia Beta, që i referohet njoftimit të djeshëm të Qendrës për Informim të Kosovës.

 

20 qershor 1997

Në Mitrovicë policia serbe arrestoi dy të rinj

Dje, rreth orës 15:00 në postën nr. 4, në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë, disa inspektorë dhe policë serbë arrestuan dy të rinj shqiptarë, emrat e të cilëve nuk dihen, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Bëhet e ditur se në momentin e arrestuar të dy rinjve, policia u soll me brutalitet ndaj tyre.

Njoftohet se posta nr. 4 në Mitrovicë ishte e rrethuar dy orë para se të arrestoheshin dy të rinjtë, ndërsa disa policë dhe inspektorë serbë gjatë kësaj kohe kanë pirë në dyqanin “Shpendi”, pronar i të cilit është Shpend Misini, ndërsa kur pronari ka kërkuar që t’i paguajnë pijet, inspektorët dhe policët serbë e kanë fyer atë.

Motivi i arrestimit nuk dihet.

 

20 qershor 1998

Sulme mbi fshatrat e Gjakovës e Deçanit

Fshatrat e komunës së Gjakovës në brezin kufitar me Shqipërinë janë granatuar edhe sot nga forcat serbe.

Pas të shtënave që zgjatën mbrëmë deri në orët e vona, sulmi me granata kundër këtyre fshatrave filloi sot në orën 5,30 të mëngjesit. Po sot në drejtim të fshatrave të Rekës së Keqe kanë vazhduar të shkojnë forca serbe nga Gjakova, ndërsa mbi këtë rajon po fluturon edhe një helikopter.

Burimet e LDK-së në Gjakovë bëjnë me dije se sot po granatohen edhe fshatrat Gramaçel, Gllogjan e Baballoç të Deçanit, drejt të cilave po shtijnë forcat serbe të vendosura në Sukën e Biteshit dhe në Kodrën e Zhdrellës.

Në Gjakovë vazhdon edhe më tutje të ndihet mungesë e madhe e artikujve ushqimorë dhe barnave, ndërsa hyrje-daljet e qytetit kontrollohen rreptësisht nga forcat serbe.

Ndërkohë në gjendjen e luftës dhe të pasigurisë së plotë nuk dihet për fatin e disa banorëve të arrestuar në forcat serbe. Kështu Ali Miftar Hasanaj nga fshati Hereç është zhdukur para disa ditësh dhe familja nuk ka kurrfarë njoftimi për te. Edhe Hasan Isuf Ukaj nga fshati Bitesh ka pësuar të njëjtin fat. Thuhet se ai është arrestuar nga policia para disa ditësh dhe është keqtrajtuar, por familja nuk ka njoftim se ku ndodhet.

Dje në Deçan policia maltretoi në prani të familjes Nikollë Rrustemin nga Gjakova i cili u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore.

 

Vdiq një 7- vjeçare

Një vajzë 7-vjeçare e Sefedin Tahirajt nga Shapteji ka vdekur ditë më parë. Mësohet se ajo vdiq si pasojë e traumave të pësuara nga granatimet sistematike të këtij fshati dhe fshatrave të tjera përreth.

Continue Reading

Vendi

Mbi 100 gramë kokainë dhe marihuanë kapen në Vërmicë

Published

on

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare të Vërmicës.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në Kosovë, janë gjetur 104.90 gramë substancë e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.

Ndërkaq, në rastin e dytë janë zbuluar 5.53 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, e fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar.

Rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga autoritetet kompetente.

/A.K/

Continue Reading

Vendi

Mbyten dy vajza të mitura në Tale

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Tales, ku dy vajza të mitura, të moshës 11 dhe 9 vjeçe, janë mbytur në det.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tragjedia ka ndodhur rreth orës 12:50. Pas marrjes së informatës, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim të ngushtë me pushuesit e tjerë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë në breg.

“Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg“, thuhet në njoftimin e policisë.  /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dyshime për cilësinë: Bllokohen mbi 1 mijë e 400 infuzione në Spitalin e Mitrovicës

Published

on

By

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka bllokuar përkohësisht 1,432 njësi të një produkti mjekësor në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dyshimeve se ai mund të mos jetë brenda specifikave të kërkuara të cilësisë.

Bëhet fjalë për infuzionet e llojit Compound Sodium Lactate (500 ml). Alarmi u ngrit fillimisht nga farmacistja përgjegjëse e spitalit, gjë që vuri në lëvizje Inspektoratin Farmaceutik dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).

Pas një inspektimi të dytë të kryer më 17 qershor, autoritetet urdhëruan bllokimin e menjëhershëm të këtij kontingjenti deri në pranimin e rezultateve nga analizat laboratorike. ShSKUK ka njoftuar opinionin publik se ky është një masë parandaluese dhe se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e plotë të pacientëve dhe cilësinë e barnave nëpër spitalet publike. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara