Lajmet

​Mitrovicë: Hidhen poshtë dyshimet për helmim nga uji

Published

on

Dyshimet për helmimin e ujit në regjionin e Mitrovicës, që përfshinë komunat e Mitrovicës jug dhe veri, Skenderaj dhe Zvecan, janë krejtësisht të pasakta dhe të pavërteta, ndërsa qytetarët nuk kanë nevojë as edhe për shqetësimin më të vogël.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, menaxheri i Fabrikës së ujit në Shipol të Mitrovicës, Bahri Hamza.

Sipas tij, cilësia e ujit të pijshëm i plotëson standardet dhe parametrat tregojnë për ujë kualitativ dhe cilësor.

“Në mënyrë profesionale dhe argumentuese i hedhim poshtë të gjitha dyshimet rreth kontaminimit të ujit në Mitrovicë. Situata me ujë të pijshëm në regjionin e Mitrovicës është stabile. Cilësia e ujit i plotëson standardet dhe të gjithë parametrat korrespondojnë për ujë kualitativ dhe cilësor. Kjo nënkupton se e gjithë sasia e ujit që trajtohet dhe del në distribuim i nënshtrohet procedurave të kontrollit”, ka thënë Hamza.

Ai shtoi se ka pasur raste në të kaluarën kur kanë qarkulluar thashetheme të tilla për ujin, por që më vonë është konstatuar se informacione të tilla kanë qenë të pavërteta dhe janë përdorur më shumë për të favorizuar Kompanitë private dhe bizneset që merren me ujë.

Hamza ka apeluar tek qytetarët që të mos kenë shqetësime rreth ujit të pijshëm sepse fabrika e ujit zbaton të gjitha masat e nevojshme të kontrollit të sigurisë.

Në anën tjetër, Luljeta Zhubi, u.d. drejtoreshës së spitalit në Mitrovicë, ka konfirmuar disa raste të pacientëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore ditët e fundit, por që ka mohuar se këto raste kanë të bëjnë me helmim nga uji i pijshëm.

“Bëhet fjalë më shumë për sëmundje sezonale, siç janë viroza, diarreja dhe të ngjashme dhe jo asesi helmim nga uji”, theksoi Zhubi. 

Lajmet

Të shtëna me armë e përleshje fizike në Kosuriq të Pejës: Lëndohet një kalimtar, arrestohen dy të dyshuar

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë, pasi dyshohen se janë përfshirë në një përleshje fizike dhe kanë shtënë me armë zjarri, me ç’rast ka pësuar lëndime trupore një kalimtar i rastit.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Kosuriq të Pejës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë nga rajoni i Pejës, pas marrjes së informacionit për të shtëna me armë, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje ku kanë takuar victimën. Ai ka deklaruar se pas një përleshjeje fizike me një person, ky i fundit së bashku me një të dyshuar tjetër kanë shtënë me armë zjarri.

Si pasojë e të shtënave, një kalimtar i rastit ka pësuar gërvishtje dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal në Pejë për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka gjetur një gëzhojë. Më pas, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ushtruar kontroll dhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar: Një (1) armë zjarri; Një (1) gëzhojë; Një (1) karikator.

Pas arrestimit dhe intervistimit nga hetuesit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Kanosje”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” si dhe “Sulm”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK me rekomandime për qytetarët pas paralajmërimit për stuhi me rrufe

Published

on

Pasi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar për sot stuhi lokale me bubullima dhe rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar disa rekomandime për qytetarët.

Sipas IKSHPK-së, për të mbrojtur veten dhe familjen gjatë stuhive me rrufe, qytetarët duhet të hyjnë menjëherë në një ndërtesë të mbyllur ose në një automjet.

Po ashtu, rekomandohet të shmanget qëndrimi në fusha të hapura, nën pemë, pranë shtyllave elektrike dhe objekteve të tjera që mund të paraqesin rrezik gjatë motit të lig.

Më poshtë i gjeni rekomandimet e plota të IKSHPK-së:

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Trump premton mbështetje për Libanin pas takimit me presidentin Aoun

Published

on

Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Libanin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin libanez, Joseph Aoun.

“Ka qenë një vend shumë i keqtrajtuar dhe ne do ta trajtojmë siç duhet dhe me respektin që meriton. Ne do ta ndihmojmë shumë”, ka deklaruar Trump, pa dhënë detaje konkrete për mbështetjen.

Presidenti Aoun e falënderoi Trumpin për mbështetjen amerikane, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e SHBA-së ndaj sovranitetit të Libanit, institucioneve shtetërore dhe Forcave të Armatosura Libaneze.

I pyetur për tërheqjen e trupave izraelite nga Libani jugor, Trump tha se procesi është duke vazhduar, duke shtuar se forcat izraelite janë në fazën e ridislokimit, por pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Nga ana e tij, Aoun e vlerësoi qasjen e presidentit amerikan ndaj paqes, duke e cilësuar atë si pjesë të trashëgimisë së tij. Trump iu përgjigj me humor, duke thënë se pajtohet me këtë vlerësim dhe shtoi se presidenti libanez “di si ta kontaktojë”.

Takimi u zhvillua në kohën kur Libani po kërkon mbështetjen e SHBA-së për stabilitet afatgjatë pas muajsh përleshjesh mes Izraelit dhe Hezbollahut. Ndërkohë, Uashingtoni njoftoi se kanë nisur operacionet në tre fshatra të Libanit jugor, në kuadër të një plani pilot për të lehtësuar vendosjen e ushtrisë libaneze, ndërsa forcat izraelite përgatiten të ridislokohen nga disa zona./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore shqiptare

Published

on

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga figurat më të rëndësishme të studimeve mbi trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën tradicionale shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe komunitetin akademik, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Rizës në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.

I lindur më 3 korrik 1937 në Shkodër, Emin Riza zhvilloi një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në dokumentimin dhe mbrojtjen e monumenteve shqiptare.

Ndër veprat e tij më të njohura janë “Qyteti-Muze i Gjirokastrës” dhe monografia “Banesa shqiptare me qoshk”. Ai ishte autor i 16 monografive dhe 134 artikujve shkencorë në revista të specializuara.

Emin Riza ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, si dhe një nga kontribuuesit në përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n.

Për kontributin e tij shumëvjeçar, ai ishte nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe Beratit. Homazhet për akademikun Emin Riza do të mbahen sot në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e Tufinës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara