Moti i ligë që përfshiu Kosovën gjatë ditëve të fundit, i shoqëruar me erëra të fuqishme, stuhi dhe breshër, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në shtëpi banimi, prona private, rrjetin energjetik si dhe në dhjetëra hektarë toka bujqësore. Sipas parashikimeve meteorologjike, mot me reshje dhe stuhi pritet të ketë edhe në ditët në vijim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.
Në qytetin e Rahovecit, stuhit e fuqishme dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të shumta materiale si në qytet, ashtu edhe në lokalitetet rrethuese. Ekipet e emergjencës dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë dalë menjëherë në terren për sanimin e dëmeve dhe kthimin e gjendjes në normalitet. Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë pemëve, shtyllave elektrike apo objekteve të dëmtuara.
Ngjashem edhe në Lipjan reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë goditur bujqësinë, rrjetin energjetik dhe infrastrukturën publike.
Dëme janë evidentuar në shkollën e Gadimes, sallën e sportit dhe shtigjet e ecjes ku janë rrëzuar drunj. Si pasojë e rrëzimit të shtyllave elektrike, disa zona kanë mbetur pa energji. Ekipet e shërbimeve publike po punojnë në terren për largimin e pengesave dhe sanimin e gjendjes.
Ndërsa në Skenderaj nga breshëri është goditur rëndë sektori i bujqësisë, veçanërisht në fshatrat Vajnik, Burojë, Likoc dhe Izbicë.
Vetëm në fshatin Vajnik raportohet se janë dëmtuar plotësisht rreth 60 hektarë të mbjella me grurë, përveç dëmeve të mëdha në pemë e perime. Komuna ka nisur pranimin e kërkesave nga fermerët dhe komisionet po bëjnë vlerësimin në terren për të proceduar me kompensim nga niveli qendror.
Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në Suharekë e Istog, ku janë formuar menjëherë komisionet komunale për vlerësimin e dëmeve në bujqësi, institucione arsimore, biznese dhe hapësira publike.
Komisionet kanë dal edhe në terren bashkë me përfaqësues të nivelit qendror për të parë nga afër të mbjellat e shkatërruara pak para vjeljes, ndërsa procesi i vlerësimit të dëmeve synohet të përmbyllet brenda një afati rekord prej 7 ditësh. /E.A/