Lajmet

​Mbi 60% e gastronomëve të vaksinuar, presin masat e reja

Published

on

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje paraditen e së mërkurës, por asgjë nuk u diskutua rreth masave të reja të cilat janë paralajmëruar. Ndër masa, u përmenden zgjatja e orarit të punës për lokalet e gastronomisë e klubet e natës, si dhe kufizime për qytetarët e pavaksinuar. Hyrja në këto lokale nga 20 gushti u paralajmërua se do të jetë i mundur vetëm me librezën që dëshmon se qytetari të paktën ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID. Infektologët shpresojnë që të njëjtat masa të funksionojnë, pasi aktualisht në klubet e natës ka shumë njerëz dhe pa distancë.

Siç bëhet e ditur, identifikimi i qytetarëve të vaksinuar pritet të bëhet edhe përmes QR Code. Këto masa janë mirëpritur nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit dhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, të cilët premtojnë se po bëjnë të pamundurën nga ana e tyre që masat kurdo që ato zyrtarizohen të respektohen dhe të parandalojnë një mbyllje të serishme të ekonomisë.

Me hyrjen në fuqi të këtyre masave të paralajmëruara, klubeve të natës do t’u mundësohet operimi përtej orës 23:00, më saktë deri në orën 03:00 pas mesnate, ndërsa zgjatje të orarit të punës do të ketë edhe për lokalet e gastronomisë.

Visar Demolli, drejtor ekzekutiv në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, tregon se është paraparë edhe vaksinimi i tërësishëm i stafit të cilët punojnë në sektorin e gastronomisë. Ai thotë se këto masa janë përkrahur edhe nga vet ata, me qëllimin e vetëm që të shmanget një tjetër mbyllje.

“Gastronomë, hotelierë, kamerierë, banakierë, kuzhinierë, shefa, duhet të kenë të paktën dozën e parë të vaksinës. Është shumë e lehtë dhe kemi bërë apel. Jemi duke bërë një fushatë vetëdijesimi që duhet t’i kenë ato për shkak të shëndetit dhe për shkak të mundësisë së rimbylljes të serishme në shtator apo tetor. E dyta, është edhe për klientët, për mysafirët të cilët i frekuentojnë restorantet, baret, diskotekat, klubet e natës me një fjalë edhe salla dasmash nga data 20 gusht duhet ta kenë edhe ata të paktën dozën e parë të vaksinimit që të hyjnë në këto ambiente. E treta është që jemi dakorduar që për klube nate ta zgjatim orarin nga ora 23:00 deri në orën 03:00 pas mesnate”, u shpreh Demolli.

Deri më tash, Demolli potencon se janë mbi 60 përqind e stafit të sektorit të gastronomisë të vaksinuar, derisa thekson se një rimbyllje e sërishme do të ishte fatale për ta.

“Mbi 63 përqind e stafit është vaksinuar … po shpresojmë që shumë shpejt do të kryhen dozat e para, se kemi dalë edhe vet në vizita dhe jemi duke bërë një vetëdijesim se pse duhet të bëhet vaksinimi. Shkurt, qëllimi ynë është që të mos ketë më një vendim të rimbylljes së sërishme se ajo do të ishte fatale për ne, ishim mbështetur për muri se nuk kishim mundur t’ia dalim”, thekson ai.

Këto masa janë mirëpritur edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ku përfaqësuesi nga kjo shoqatë Arian Vranica, potencon se janë pajtuar që vetëm vaksinimi mund të eliminojë opsionin e mbylljes pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19.

Sa i përket verifikimit të qytetarëve të vaksinuar që frekuentojnë lokalet e gastronomisë, Vranica thotë se secili lokal duhet ta caktojë një përgjegjës që do të kryejë këtë verifikim.

“Kanë qenë disa variante të ndryshme të masave të cilat mund të aplikoheshin dhe duke dashur të evitojmë një mbyllje eventuale ne jemi pajtuar se vaksinimi është e vetmja zgjidhje, në mënyrë që të dalim nga kjo gjendje me pasoja sa më të lehta si për shëndetin publik, si për shëndetin ekonomik. Ndoshta nuk ka qenë më e lehta si lloj kompromisi që të bëhet në raport me këto masa, sepse kemi një kohë relativisht të shkurtër për të mundësuar operimin e të gjithë sektorit të gastronomisë dhe të pajisjes së tyre me vaksina… Ka qenë një masë e cila ndër të gjitha variantet ka qenë varianti më i mirë dhe më i përshtatshëm për funksionimin e ekonomisë në përgjithësi”, thotë Vranica.

Duke qenë se ditëve të fundit është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19, e sidomos shtimi i rasteve me variantin Delta, marrja e këtyre masave sipas infektologut Ilir Tolaj është e vetmja zgjidhje që të frenohet infektimi i popullatës. Ai tërheq vëmendjen se nuk ka distancë në klube nate si dhe duhet të shmanget qëndrimi për kohë të gjatë në një ambient të mbyllur i shumë njerëzve njëkohësisht.

“Çfarë kishin mundur të bëjnë autoritetet në këtë rast për pengimin e përhapjes masive të variantit Delta ndoshta që të kufizohej në vendet ku po grumbullohen me mijëra njerëz për kohë të gjatë në ambiente të mbyllura siç janë klubet e natës, të cilat edhe me gjasë janë vendi kryesor ku tash po përhapen këto infeksione. Në anën tjetër gjithashtu të kufizojnë edhe numrin në lokale, në kafiteri ku po shihet që nuk ka asnjë lloj kufizimi as të distancës. Në qoftë se këto pak veprime do të bëheshin atëherë mendoj që rrjedhimisht do ta ngadalësonin përhapjen e variantit delta dhe do t’i jepte kohë vaksinimit që ta bëjë punën e vet”, potencon Tolaj.

Të martën në Kosovë janë shënuar 562 raste të reja me COVID-19 dhe janë shënuar edhe dy raste të vdekjes.

Vendi

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Continue Reading

Vendi

LDK reagon ndaj Presidencës: Largimi i fotos së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë është i papranueshëm

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.

Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/

Continue Reading

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara