Lajmet

​LDK për vizitën e Kurtit në ShBA: Shëtitje 18-ditore pa strategji dhe pa agjendë

Sipas tyre, si e tillë zbeh peshën e vizitave institucionale që ka zhvilluar më herët Kosova.

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se vizita e kryeministrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpërfaqi pafuqinë e Kurtit për të takuar zyrtarë amerikanë të nivelit të lartë, siç kanë bërë dikur paraardhësit e tij. Madje, nga kjo parti, duke e quajtur “shëtitje 18-ditore” vizitën e kreut të ekzekutivit në Amerikë thonë se si e tillë ishte e papërgatitur mirë dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi u shpreh se takimet me zyrtarë të lartë amerikanë kanë qenë të zakonshme për krerët e institucioneve kosovare në të kaluarën.

“Ishte një vizitë e tejzgjatur në shpërputhje me substancën e saj dhe me nivelin e takimeve për një kryetar qeverie në vendin me rëndësi të madhe strategjike për vendin tonë. Kryeministri Kurti përfundoi vizitën gati tre javore në ShBA pa asnjë takim me zyrtarët e lartë të ShBA-ve e pa pritje institucionale e shtetërore. Mungesa e takimeve të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit, dy institucione ku ndërtohet politika e jashtme e ShBA-ve, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurti, për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikbërjes madje në kohë të rëndësisë së madhe shkaku i tronditjeve të vendit e sigurisë evropiane e botërore në kohën e agresionit rus. Takimet e tilla të nivelit të lartë janë krejtësisht të zakonshme për krerët e institucioneve të rajonit siç kanë qenë të zakonshme dhe natyrshme edhe për vetë Kosovën”, deklaroi Mjekiqi.

Mjekiqi duke e quajtur shëtitje 18-ditore vizitën e Kurtit në ShBA, tha se si e tillë zbeh peshën e vizitave institucionale që ka zhvilluar më herët Kosova.

“Shëtitja 18 ditore e Kurtit në ShBA në kohë të këtyre tronditjeve të sigurisë globale e evropiane dhe në kohë krize ekonomike në vend zbeh peshën e vizitave institucionale që ka pasur Kosova çdoherë. Jo çdo takim në të kaluarën pranë ShBA ka dhënë rezultate por kjo qeveri nuk ka arritur të sigurojë as edhe vetë takimet”, vijoi Mjekiqi.

Kurse anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti vizitën e kryeministrit Kurti në ShBA e konsideroi si të papërgatitur mirë dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë.

Hamiti tha se nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike të Kurtit në ShBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe nuk mund të zëvendësojë domosdoshmërinë e takimeve në nivelin e lartë politik.

“Kjo vizitë ishte e papërgatitur mirë, pa ndonjë agjendë të publikuar më herët siç ndodh zakonisht, nga ajo çka pamë ditëve të kaluara ishin takime ad-hock pa ndonjë strategji të mirëfilltë. Konsiderojmë se takimet e tjera bëhen të rëndësishme vetëm kur atyre u paraprijnë takimet e nivelit politik. Dinamika e zhvillimeve sot nuk lejon që kryeministri i vendit të shkojë pa agjendë të akorduar e përgatitur mirë me administratën mikpritëse… Nëse qëllimi kryesor i vizitës maratonike e shëtitjes së Kurtit në ShBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe nuk mund të zëvendësojë domosdoshmërinë e takimeve në nivelin e lartë politikë. E dukshme edhe mediat e kanë parë këtë ka qenë mungesa e përfaqësuesve të biznesit të vendit në këtë vizitë. Kryeministri Kurti tregon se është i vetëmjaftueshëm se nuk ka nevojë për konsultime, as strategji, kur i qaset kompanive të huaja. Ndoshta, planifikimi i mirë i një konference investimesh në Kosovë që do të mund të zhvillohet në ShBA për dy ditë do të mund të ishte një mënyrë më e mirë e përdorimit të resurseve njerëzore dhe qeveritare të Kosovës për promovimin e zhvillimit ekonomik të vendit tonë”, u shpreh Hamiti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila nisi më 6 maj e përfundoi dje, ka takuar një sërë kompanish që operojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, senatorë e kongresistë si dhe shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Shtetet e Bashkuara. 

lajme

30 për qind bursë për ish-studentët e UBT-së në programet më inovative Master – regjistrohu sot!

Published

on

By

UBT po u ofron të gjithë të diplomuarve të tij një mundësi të veçantë për të vazhduar rrugëtimin akademik dhe profesional, duke përfituar 30% bursë për studimet Master në UBT.

Në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi, avancimi i vazhdueshëm profesional po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Për këtë arsye, ish-studentët e UBT-së kanë mundësinë të rikthehen në universitet për të thelluar njohuritë, fituar specializime të reja dhe zhvilluar kompetenca të avancuara, tashmë me një përfitim të veçantë prej 30% bursë.

Kjo mundësi vlen për programet Master të UBT-së, të cilat përfshijnë disa nga fushat më të kërkuara dhe inovative të tregut bashkëkohor, duke u dhënë të diplomuarve mundësinë të zgjedhin një program që përputhet me profesionin, interesat dhe objektivat e tyre të karrierës.

Programet Master në UBT përfshijnë:

  • Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi
  • FinTech dhe Menaxhimi i Inovacionit
  • Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri
  • Sistemet e Informacionit dhe Menaxhment
  • Inxhinieri e Mekatronikës
  • Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë
  • Inxhinieri e Trafikut dhe Transportit
  • Inxhinieri e Energjisë dhe Mjedisi
  • Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor
  • E Drejta Penale
  • E Drejta Civile dhe Pronës
  • E Drejta Komerciale
  • Gjuhë, Media dhe Komunikim
  • Politika Publike dhe Menaxhim
  • Shkenca Politike
  • Studime të Sigurisë
  • Psikologji
  • Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit
  • Shëndet Publik dhe Menaxhim
  • Biokimi
  • Shkencat Paramjekësore
  • Agrikulturë dhe Mjedis
  • Shëndet dhe Aktivitet Fizik

Përmes programeve të orientuara drejt inovacionit dhe nevojave të tregut, UBT synon që studentët Master të fitojnë jo vetëm njohuri të avancuara akademike, por edhe kompetenca profesionale të aplikueshme në praktikë.

Për ish-studentët e UBT-së, kjo është mundësia për ta vazhduar aty ku e nisën – duke e kthyer përvojën universitare në një nivel të ri profesional.

Regjistrohu sot dhe përfito 30% bursë!

Continue Reading

Vendi

PDK paralajmëron veprime jashtë Kuvendit pas refuzimit të kërkesës për seancë

Published

on

By

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se refuzimi për thirrjen e seancës më 12 gusht është një model i sjelljes politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryesuesi Avni Dehari, e jo thjesht një incident procedural. Sipas saj, shkelja e afatit 30-ditor dhe shpërfillja e rregullit për vazhdimin e seancës çdo 48 orë përbëjnë zbatim selektiv të Kushtetutës dhe bllokim të mandatit të deputetëve të zgjedhur më 7 qershor.

Ajo i bëri thirrje Albin Kurtit që ta kthejë vendin në binarë kushtetues, duke theksuar se PDK-ja nuk kërkon pushtet apo marrëveshje partiake, por funksionalizimin e shtetit. Gjithashtu, ajo bëri me dije se PDK-ja do të dorëzojë sërish kërkesë zyrtare për seancë pas 48 orësh dhe do të jetë çdo ditë në Kuvend.

Paralelisht me punën në Kuvend, ajo paralajmëroi zhvendosjen e aktivitetit politik edhe jashtë tij, përmes bashkëbisedimeve me qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore. Në fund, ajo denoncoi edhe cënimin e integritetit fizik të disa deputetëve të PDK-së nga mbrojtja e afërt, duke njoftuar se për këtë rast do t’i drejtohen Inspektoratit Policor të Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte në Vushtrri

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.S., i cili akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., më 6 prill 1999 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, mori pjesë në vrasjen e nëntë civilëve shqiptarë. Në këtë ngjarje përfshihet edhe S.T., i cili tashmë është i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale bën me dije se dërgimi i lëndës në gjykatë është hap i rëndësishëm drejt drejtësisë: “Sjellja e përgjegjësve para drejtësisë mbetet prioritet yni kryesor për të vendosur të vërtetën dhe për të sjellë lehtësim për familjarët e viktimave.”

Rasti tanimë i është kaluar Organeve të Drejtësisë për shqyrtim të mëtejshëm gjyqësor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Etnofest përmbyll edicionin e 16-të me ndarjen e 21 çmimeve artistike

Published

on

By

Mbrëmë është mbyllur edicioni i 16-të i EtnoFest-it, ku janë ndarë çmimet për 21 performanca dhe kategori të ndryshme artistike.

Para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, publiku pati mundësinë të ndiqte performancën artistike “Echoes of Origin”, me Flaka Gorancën, e cila solli këngë të njohura shqiptare në një ndërthurje mes traditës dhe muzikës klasike.

Juria profesionale e përbërë nga Bislim Muçaj (kryetar), Artan Arifi (anëtar) dhe Agron Gerguri (anëtar), ndau çmimet në kategoritë e mëposhtme:Etnoperformanca më e mirë: “Echoes of Origin” – Flaka Goranci, për trajtimin artistik të rrënjëve, ku zëri unik dhe ndërthurja e traditës me modernen krijuan një lidhje të veçantë me kujtesën kulturore.

Etnoansambli më i mirë: “Vullkani i Istogut” – Istog, për energjinë, autenticitetin dhe ruajtjen e traditës së Istogut përmes një interpretimi të fuqishëm skenik.

Instrumentisti më i mirë: Blerim Grubi, për mjeshtërinë e lartë në interpretim dhe stilin e veçantë që i jep muzikës tradicionale.

Instrumentistja më e mirë: Lule Elezi, për teknikën e sigurt në piano dhe interpretimin e përpunuar, duke përcjellë melodinë me qartësi, finesë dhe emocion.

Kostumografia më e mirë: Ansambli “Devolli” – Korçë, për kostumet tradicionale të Korçës, të pasura me ngjyra, ornamente dhe të punuara me kujdes.

Koreografia më e mirë: Gjergj Prevazi me “Void”, për kombinimin e lëvizjes, ritmit dhe hapësirës në një koreografi të saktë dhe të fuqishme skenikisht.

Valltaret më të mira: Katerina Gogadhe dhe Chiara Xoxi, për harmoninë e rrallë skenike, sinkronizimin dhe komunikimin e natyrshëm përmes lëvizjes.

Valltari më i mirë: Vasjar Hysa me ansamblin “Afërdita” – Belsh, për ritmin e sigurt, lëvizjet e fuqishme dhe prezencën e spikatur skenike.

Këngëtarja më e mirë: Arta Jashari, për zërin me ngjyra unike, interpretimin dhe ndjeshmërinë e veçantë që përcjell këngën me origjinalitet.

Këngëtari më i mirë: Mustafë Ramaj, për vokalin e fuqishëm dhe interpretimin emocionues, të realizuar me mjeshtëri skenike.

Orkestra më e mirë: Ansambli “Dardanus” nga Tetova, për harmoninë instrumentale dhe interpretimin elegant të trashëgimisë muzikore.

Koncerti artistik më i mirë: Grupi “Tavera” – Izrael, për koncertin që solli në skenë tingujt e traditës së tyre muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.

Shfaqja më e mirë: “Pylli”, produksion i Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, për realizimin mbresëlënës skenik dhe trajtimin e thellë të emocioneve njerëzore.

Regjia më e mirë: Ilir Bokshi, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, produksion i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, për vizionin e ndërtuar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri të thellë regjisoriale.

Aktori më i mirë: Adrian Morina, me shfaqjen “Pesë fytyrat e heshtjes”, për interpretimin bindës, emocionet e fuqishme dhe thellësinë psikologjike të rolit.

Aktorja më e mirë: Hajat Toçilla, me shfaqjen “Pylli”, për interpretimin plot emocione dhe vërtetësi që i dha personazhit.

Skenografia më e mirë: Bekim Korça, me shfaqjen “Pylli”, për konceptin pamor origjinal dhe krijimin e një universi skenik funksional e domethënës.

Çmimi për inovacion artistik: “Soloist of GOB” nga Bolonja, Itali, për trajtimin artistik dhe inovativ të motiveve të frymëzuara nga okarina e Runikut, një prej instrumenteve më të hershme të gjetura në trojet shqiptare.

Çmimi special i EtnoFest-it: Armend Baloku me performancën “Lahuta e Malcís”, për një performancë të jashtëzakonshme që përcolli fuqinë e trashëgimisë epike shqiptare dhe mbajti publikun të përfshirë.

Çmimi i karrierës: Selman Jusufi, për një karrierë mbi katër dekada, më shumë se 200 role dhe një kontribut të çmuar në skenën artistike, duke lënë gjurmë të veçanta në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Me këtë ceremoni, edicioni i 16-të i EtnoFest-it u përmbyll duke vlerësuar artistë, ansamble dhe krijues nga Kosova, Shqipëria e vende të tjera, të cilët përmes artit dhe performancës kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. /A.M/

 

Continue Reading

Të kërkuara