Lajmet

​LDK dorëzon në KQZ listën e kandidatëve për kryetarë të komunave

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) listat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë në kuvendet komunale.

Pas dorëzimit të listave në KQZ, kanë folur për media anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri dhe zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi.

Për zgjedhjet e 17 tetorit, Halimi theksoi se janë publike të gjithë emrat e kandidatëve me të cilët kjo parti do të hyjë në garë. Ndërsa, Halimi që është kandidate për Ferizaj, veçoi se LDK, e vetmja parti për herë të parë në këto zgjedhje garon me tri gra.

“LDK ka zyrtarizuar të gjithë kandidatët për kryetar dhe kryetare në nivel të komunave. Për herë të parë në Kosovë kemi tri gra kandidate për kryetare, kështu që ky është një lajm i mirë. Po ashtu kemi edhe përfshirje të reja në listat e asamblistëve në nivel të komunave. Kështu që na priftë e mbara”, tha Halimi.

Kryetari aktual i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri që pretendon edhe një mandat, tha se për komunat si Skenderaj e Han i Elezit, degët kanë vendosur për të mos kandiduar me kandidatë vetëm me listë për asamble.

“Ne tash kemi dorëzuar aplikimet për ato që janë bërë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë që në komunat si Skenderaj, Hani i Elezit, degët atje kanë vendosur që atje të mos kemi kandidatura, por të kemi listë për asamble komunale. Kështu që kemi një interesim të madh të të rinjve dhe grave, sepse secila listë për asamble komunale ka më shumë se sa tejkalim të kuotës gjinore që është një lajm i mirë edhe për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë”, tha Tahiri.

Edhe subjektet tjera politike sot pasdite kanë dorëzuar listat me kandidatë për kryetarë të komunave dhe asamblistë komunalë.

Botë

Britania e Madhe dënon deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq për Kosovën

Published

on

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, të cilat kanë nxitur reagime të shumta pas komenteve të saj lidhur me Kosovën.

Përmes një deklarate të publikuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Zyra për Punë të Jashtme e Britanisë theksoi se referencat për spastrimin etnik të Kosovës janë plotësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.

“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet britanike vlerësuan se deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione në rajon, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë për një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike.

“Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë këtë gjuhë qartë dhe pa asnjë mëdyshje”, thuhet më tej.

Në deklaratë, Mbretëria e Bashkuar mirëpriti edhe faktin që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë komentet e ministres Paunoviq./A.K/

Continue Reading

Vendi

Arrestohen dy persona në Prishtinë, konfiskohen 147.7 gramë substancë e dyshuar si kokainë

Published

on

Hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë kanë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shitblerje të substancave narkotike.

Sipas Policisë së Kosovës, pas një pune operative-hetimore, më 15 korrik 2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë është lokalizuar i dyshuari F.P., i lindur në vitin 1992, i cili ishte duke udhëtuar me veturë.

Gjatë kontrollit në veturë dhe më pas në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, si dhe dëshmi të tjera relevante për rastin.

Policia ka bërë të ditur se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit tjetër, Q.K., i lindur në vitin 1993, por gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e ndaluar.

Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Ministrja serbe kërkon falje pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”

Published

on

Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka kërkuar falje pas reagimeve të shumta ndaj deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”, duke pretenduar se fjalët e saj janë nxjerrë jashtë kontekstit.

Në një paraqitje në televizionin serb Informer, Paunoviq tha se nga një emision i gjatë janë shkëputur vetëm disa sekonda dhe se kjo është përdorur si çështje politike.

“Kjo është historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politika e presidentit apo e qeverisë”, deklaroi ajo, ndërsa kërkoi falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Paunoviq tha se është krenare për mbështetjen që mori nga Partia Socialiste e Serbisë (SPS), por u shpreh e zhgënjyer me disa reagime nga brenda partisë.

Më herët, gjatë një paraqitjeje televizive, ajo kishte deklaruar se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, do të kryente pastrim etnik.

Pas kësaj deklarate, autoritetet e Kosovës e shpallën Paunoviqin person “non grata”. Ajo e ka cilësuar këtë vendim si paradoksal, duke pretenduar se bëhet fjalë për një “ndalim të përhershëm”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vdes punëtori i KEK-ut, nuk u mbijetoi plagëve nga aksidenti në vendin e punës

Published

on

Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Milazim Binaku, 58-vjeçar, ka ndërruar jetë pasi nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra në një lëndim në vendin e punës.

Sipas njoftimit të KEK-ut, Binaku kishte pësuar lëndime më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj, ku ishte i angazhuar si “Axhustator” në Fabrikën e Pajimeve Xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.

“Pas trajtimit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fatkeqësisht nuk arriti t’u përballojë lëndimeve të marra”, ka njoftuar KEK-u.

Binaku ishte punonjës i KEK-ut për më shumë se 36 vjet, ndërsa kolegët e tij e kanë kujtuar për përkushtimin, përgjegjësinë dhe korrektësinë gjatë punës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 16 korrik 2026, në varrezat e fshatit Lum i Madh në Komunën e Vushtrrisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara