Aktualitet

​Largimi i konstruksioneve në Pallat të Rinisë, një nga afaristët paralajmëron padi

Aksioni i Inspeksionit të Komunës së Prishtinës u mbështet nga Policia e Kosovës.

Published

on

Inspeksioni i Komunës së Prishtinës mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një aksion në Pallatin e Rinisë për largimin e disa konstruksioneve të vendosura pa leje. Kjo ka nxitur reagimin afaristit Naim Tërnava, i cili ka paralajmëruar edhe padi.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se sot po lirojnë hapësirat e uzurpuara në Pallat me qëllim që ky objekt të kthehet në gjendjen origjinale.

Rama tha se janë në proces të planit të rigjenerimit për gjithë Pallatin e Rinisë.

“Kemi një intervenim këtu, çlirimin e hapësirave të cilat kanë qenë të uzurpuara në Pallat të Rinisë dhe kthimin e Pallatit të Rinisë në gjendje origjinale. Siç e dini, Pallati i Rinisë është ikonë arkitektonike e Prishtinës është e mbrojtur me ligj dhe kemi filluar që ta pastrojmë prej këtyre elementeve shtesë në periudha kohore tash e pas luftës. Kemi filluar sot me këtë dhe do ta vazhdojmë pastrimin e gjitha këtyre intervenimeve që nuk janë të mira që janë të jashtëligjshme dhe i bëjnë dëm brendit të Pallatit të Rinisë. Këto janë iniciativat fillestare për kthimin e kësaj ikone në gjendjen e mëparshme”, theksoi ai.

Këtë vendim e ka kundërshtuar ish qiramarrësi dhe pronari i lokalit “Bly Sky”, Naim Tërnava i cili tha se veprimet e sotme janë të jashtëligjshme dhe se nuk kanë pranuar asnjë vendim për aksionin e sotëm.

Derisa paralajmëroi padi për Ramën dhe të tjerët, Tërnava hodhi akuza karshi drejtorit të Pallatit të Rinisë, Ilir Dugollit, për të cilin tha se e ka kriminalizuar këtë objekt.

“Siguromani vendimin, na takon një vendim që e keni marrë që keni ardhur për të ndërhyrë. Këtu ka tulla me bllok për ndërhyrje pse nuk i keni ndërmarrë, këtu ka pllaka, këtu ke beton e kulme. Asnjë vendim nuk na është ofruar prej anës së komunës apo Pallatit të Rinisë pa vendim keni ardhur, është e jashtëligjshme dhe për këtë nuk paskeni qenë të informuar. As nuk është uzurpim, është me kërkesë, është me një vendim të drejtorit, është paguar mbi 1 milionë euro qira dhe investime këtu dhe pagesa e shtetit tatim, mbi 15 punëtorë kanë qenë. Ju thatë se është uzurpuar, iu ftoj të kërkoni falje se nuk jemi uzurpatorë dhe nuk kemi qenë asnjëherë, kemi qenë tatimpagues. Të kanë keqinformuar më së pari drejtoi i Pallatit, i cili e ka kriminalizu Pallatin e Rinisë, e ka keqpërdorë Pallatin e Rinisë i cili miliona i ka shkaktuar dëm Pallatit të Rinisë, 2 milionë i ka shkaktim vetëm prej djegies dhe na këtu kemi pas shumë sfida prej keqmenaxhimit të keq që e ka bërë drejtori i pallatit, shihemi në Gjykatë“, u shpreh Tërnava.

E karshi këtyre akuzave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se për këtë aksion kanë përcjell të gjitha procedurat ligjore, kurse paralajmërimi për padi u shpreh se është i mirëseardhur.

“Ne i kemi përcjell të gjitha procedurat ligjore kjo faktikisht është hapësirë që nuk është dashur kurrë me u ndërtua në të. Pra çdo gjë është në aspektin ligjor dhe procedura ligjore, kështu që për atë arsye nuk ka ndodh dhe po ndodh tani. Është e mirëseardhur është vend demokratik ka të drejta me bë atë punë dhe mundet por ne iu kemi qasur kësaj pune në mënyrë ligjore”, u shpreh ai.

Kurse, drejtori i Inspeksionit të Prishtinës, Florian Dushi thase kërkesa është që këto hapësira të kthehen në pamjen origjinale.

Ai ka paralajmëruar edhe intervenime të tjera kudo rreth konstruksioneve të jashtëligjshme të Pallatit të Rinisë.

Kryeshefi ekzekutiv i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli shprehu keqardhjen për mllefosjen që ka ndodhur siç u shpreh ai, duke potencuar se intervenimet e tilla ndër vite e kanë deformuar këtë strukturë.

Ai tha se do të bëjnë të pamundurën për ta rikthyer Pallatin e Rinisë në pozicionin siç ka qenë.

“Ka që 6 muaj që nuk është më afarist i Pallatit të Rinisë kemi pritur vendimet e Gjykatës që të përfundojnë dhe në bazë të tyre të procedojmë. Pallati i Rinisë pikërisht duke u bazuar në disa veprime të gabuara që në të kaluarën kanë ndodhur është deformuar në tërësi edhe kuptimi i Pallatit të Rinisë, prandaj së bashku me Inspeksionin dhe institucionet përkatëse do ta bëjmë të pamundurën që ta rikthejmë në pozicionin siç ka qenë. Pallati i Rinisë në këtë formë siç ka qenë deri më tani është i shëmtuar”, u shpreh Dugolli.

Aksioni i Inspeksionit të Komunës së Prishtinës u mbështet nga Policia e Kosovës.

lajme

Goditet ura e dytë kryesore në Kiev, Klitschko paralajmëron për situatë “dramatike”

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.

Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.

Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.

Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.

Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.

Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.

Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”

“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.

Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.

Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.

Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”

Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara