Lajmet
Kuvendi i Shqipërisë përcjell në KiE rezolutën mbi pa bazueshmërinë e raportit të Dick Marty-t
Rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Evropës.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiKuvendi i Shqipërisë i përcolli zyrtarisht sot Këshillit të Evropës Rezolutën “Mbi pa bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Kuvendi i Shqipërisë i përcolli zyrtarisht Këshillit të Evropës Rezolutën “Mbi pa bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.
Rezoluta u është dërguar vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
Më poshtë rezoluta e plotë:
REZOLUTË MBI PABAZUESHMËRINË E PRETENDIMEVE PËR TRAFIKIMIN E PALIGJSHËM TË ORGANEVE NJERËZORE NË KOSOVË DHE SHQIPËRI
1. Duke iu referuar rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKiE) “Për hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport (Dokumenti 12462, datë 7 janar 2011) të Dik Martit (Dick Marty), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE;
2. Duke rikujtuar se raporti u hartua në vijim të një mocioni për rezolutë (Dokumenti 11574, datë 15 prill 2008), me autor ish-anëtarin e APKiE-së, Kostandin Kosaçev (Konstantin Kosachev), Federata Ruse, Grupi Europian Demokrat, bazuar në kujtimet e zonjës Karla Del Ponte (Carla Del Ponte), ish-Prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila në librin e saj “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”, botuar dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe rreth tre muaj pasi kishte dhënë dorëheqjen si prokurore e ICTY-së, ngrinte dyshime se pjesëtarë, drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer trajtime çnjerëzore të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri, krime këto që nuk mund të hetoheshin nga ICTY-ja për mungesë juridiksioni, si dhe për shkak të mandatit të kufizuar në kohë dhe territor të kësaj gjykate; këto pretendime ishin hetuar edhe më parë nga zyra e ICTY-së gjatë mandatit të Del Pontes, por nuk ishin gjetur prova për të bazuar pretendimet për kryerjen e këtyre krimeve;
3. Duke nënvizuar se raporti i Dik Martit, në vijim të pretendimeve të ish-prokurores Karla Del Ponte dhe mocionit për rezolutë të nisur prej deputetit rus në APKiE, Kosaçev, edhe pse nuk është një raport faktmbledhës apo hetimi, ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore, që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK-së ndaj shtetasve serbë, kosovarë dhe komunitetit rom apo minoriteteve të tjera të Kosovës në territorin shqiptar, më konkretisht në Veri të Shqipërisë: Kukës, Burrel, Rripe, Cahan dhe Fushë-Krujë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999, dhe ka shërbyer si dokumenti ku bazohen rekomandimet në rezolutën 1782 (2011) të APKiE-së drejtuar vendeve anëtare të Këshillit të Europës, Bashkimit Europian, organizatave ndërkombëtare, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe mbi të cilin u realizuan një sërë nismash kushtetuese dhe/ose ligjore dhe rregullatore, si dhe veprimtari institucionale në Kosovë, Shqipëri dhe Bashkimin Europian (EULEX), siç përshkruhen në vijim në këtë rezolutë;
4. Duke vlerësuar Kuvendin e Kosovës që pati vullnetin politik, edhe pse disa prej atyre të cilët votuan ishin të akuzuarit e krimeve të pretenduara në raportin e Dik Martit për të miratuar amendamentin kushtetues n.24 të gushtit 2015, që parashikoi krijimin e dhomave të specializuara për ndjekjen penale mbi pretendimet që lidhen me çfarë pretendohet në raportin e Dik Martit dhe që ishte objekt hetimi edhe nga Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian, ngritur sipas vendimit të muajit maj të vitit 2011 të Komitetit Politik dhe Sigurisë së Bashkimit Europian për disa ndryshime në planin operacional të EULEX-it, në vijim të rezolutës 1782 (2011) të APKiE-së;
5. Duke sjellë në vëmendje se veprimin e klasës politike të Kosovës për amendamentin kushtetues n.24 të gushtit 2015 e vlerësoi edhe APKiE-ja në rezolutën 2094 (2016) “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Europës”, e cila në pikën 3 thotë shprehimisht: “Asambleja mirëpret miratimin nga Kuvendi i Kosovës të amendamenteve kushtetuese, të cilat i hapën rrugën krijimit të dhomave të specializuara për ndjekjen penale të rasteve të hetuara nga Task Forca Hetimore Speciale, si vazhdim i rezolutës së Asamblesë 1782 (2011) për hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Asambleja e konsideron këtë vendim si një hap drejt pajtimit dhe një shenjë e gatishmërisë së pushtetit për të luftuar mosndëshkimin.”;
6. Duke vlerësuar dhe rikujtuar gjithashtu se në zbatim të amendamentit kushtetues, si dhe ligjit nr. 04/L -274 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian mbi misionin e Bashkimit Europian për sundim të ligjit në Kosovë”, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe ligjin nr. 05/L -053 “Për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, duke u dhënë juridiksionin këtyre organeve të pavarura dhe të përkohshme, pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, në përbërje të së cilave nuk ka shtetas kosovarë, për të hetuar e ushtruar ndjekjen penale për krimet e supozuara që janë raportuar në raportin e Dik Martit dhe që kanë qenë edhe objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian;
7. Duke nënvizuar se as Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian, e kryesuar nga Klint Uilliamson (Clint Williamson), e autorizuar në vitin 2011 për një hetim të plotë penal për akuzat për vrasje të personave, me qëllim nxjerrjen dhe shitjen e organeve të tyre, nuk gjeti kurrë prova dhe fakte në mbështetje të pretendimeve në raportin e Dik Martit;
8. Duke vënë në dukje se as Zyra e Prokurorit të Specializuar, që është krijuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht individë për krime të supozuara në raportin e Dik Martit, në asnjë prej hetimeve të saj e në asnjë prej aktakuzave që u ngritën kundër ish-drejtuesve të UÇK-së në vitin 2020, nuk përmend asnjë rast që të lidhet me trafikimin e organeve njerëzore;
9. Duke theksuar gatishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me të gjitha institucionet ndërkombëtare, me qëllim që t’u jepet një përgjigje përfundimtare pretendimeve në raportin e Dik Martit dhe për t’i shkuar deri në fund këtij procesi, për të mbyllur njëherë e mirë kapitullin se në Shqipëri nuk janë kryer krime të supozuara si ato që përmenden në raportin e Dik Martit, si dhe duke nënvizuar asistencën dhe bashkëpunimin efektiv të Shqipërisë me çdo mision faktmbledhës ose investigues të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Europës, EULEX-it, Bashkimit Europian apo tjetër që kanë pasur interes të kryejnë investigime veçanërisht në zbatim të rekomandimeve të rezolutës së APKiE 1782 (2011) edhe përpara se të ngriheshin Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit Special në Kosovë;
10. Duke vënë në dukje se shprehje e vullnetit të Shqipërisë për të bashkëpunuar në interes të drejtësisë dhe zbardhjes së të vërtetës për krimet e supozuara në raportin e Dik Martit është edhe miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i ligjit nr. 53/2012 “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it”, i cili autorizon autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë t’i ofrojnë Task Forcës Hetimore Speciale të Bashkimit Europian bashkëpunimin dhe ndihmën përkatëse që u kërkohet;
11. Duke rikujtuar se miratimi i ligjit nr. 53/2012 nga Kuvendi i Shqipërisë është vlerësuar në raportin e APKiE-së (Dokumenti 13586, datë 2 shtator 2014), “Respektimi i detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria”, ku në pikën 5.5 “Ndjekja e raportit të Asamblesë për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, paragrafi 129, shprehimisht thuhet: “Ne mirëpresim faktin që autoritetet shqiptare kanë ofruar një bashkëpunim të plotë dhe të papenguar për hetuesit e EULEX-it për këto krime të supozuara në territorin shqiptar. Duke e konsideruar me rëndësi të madhe që pretendimet e ngritura në këtë raport të hetohen plotësisht dhe në mënyrë transparente, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it” në maj të vitit 2012. Bazuar në këtë ligj, prokurorët e EULEX-it lejohen të hetojnë brenda territorit shqiptar për implikimet e supozuara të Shqipërisë në trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në territorin shqiptar. Ata kanë pasur mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve kompetente. Në lidhje me hetimin e pavarur dhe të veçantë nga autoritetet shqiptare, siç kërkohet nga Kuvendi, autoritetet deklaruan se hetimet e tyre deri më tani nuk kanë konfirmuar gjetjet e Martit.”;
12. Duke nënvizuar se pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 53/2012, autoritetet shqiptare bashkëpunuan ngushtësisht me Task Forcën Hetimore Speciale të Bashkimit Europian dhe organet e specializuara në Kosovë, duke ofruar të gjithë ndihmën, asistencën e nevojshme, informacionet e kërkuara, si dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në lidhje me to, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi pretendimet në raportin e Dik Martit;
13. Duke konstatuar se nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 53/2012 e deri më sot asnjë prej organeve të specializuara në Kosovë apo organizatat ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë pretendim për mungesën e bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare në këtë proces;
14. Duke nënvizuar seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të ushtruar kontrollin parlamentar për zbatimin e rezolutës 1782 (2011) të APKiE-së, si dhe të ligjit nr. 53/2012, me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 71/2020 u ngrit një komision i posaçëm për realizimin e këtij funksioni parlamentar, i cili nuk e përmbylli dot veprimtarinë e tij për shkak të mbarimit të legjislaturës së IX të Kuvendit (2017-2021), por arriti të marrë informacione e raporte të plota që vërtetojnë se gatishmëria e autoriteteve shqiptare ka qenë efektive dhe këto autoritete u janë përgjigjur në kohë e me konstruktivitet kërkesave të autoriteteve të huaja për bashkëpunim, ndihmë, asistencë dhe veprime konkrete sipas përcaktimeve të ligjit nr. 53/2012, duke përmbushur kështu njëkohësisht edhe rekomandimet e rezolutës 1782 (2011) për Shqipërinë;
15. Duke konstatuar se nga aktet, provat, raportet dhe informacionet që mblodhi komisioni i posaçëm ngritur me vendim të Kuvendit nr. 71/2020, nuk ka asnjë fakt apo provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në raportin e Dik Martit për vrasje të personave me qëllim nxjerrjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;
16. Duke theksuar se Dik Martit, pas vizitave që kreu si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, kurrë deri më sot nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar krimet e supozuara të kryera në lidhje me trafikimin e organeve njerëzore, siç pretendon në raportin e tij;
17. Duke qenë se kësisoj, edhe pas më se një dekade nga rezoluta 1782 (2011) e APKiE-së rezulton se asnjë nga misionet dhe/apo hetimet e organeve të drejtësisë vendase apo ndërkombëtare nuk kanë gjetur asnjë fakt e asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në raportin e Dik Martit për vrasje me qëllim trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;
18. Duke respektuar dhe pa ndërhyrë në asnjë hetim apo procedurë gjykimi ndaj personave
të veçantë, udhëheqësve të luftës së UÇK-së dhe duke qenë të përkushtuar për zbatimin e plotë të rekomandimeve të rezolutave të APKiE-së si vend anëtar i Këshillit të Europës;
19. Duke ndarë të njëjtin mendim me Dik Martit, aty ku shprehet në raportin e tij se: “E vërteta dhe përgjegjshmëria janë nevoja absolute nëse duhet të ketë pajtim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”;
20. Duke vlerësuar legjitimitetin e luftës heroike të UÇK-së për çlirimin e vendit dhe duke qenë të bindur se, pavarësisht se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit në Kosovë nga ana tjetër, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor, por procesi për këtë çështje do të duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë forcën të pajtohen e të jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës,
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë:
Konstaton se pas më shumë se dhjetë vjetësh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE-së dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në raportin e Dik Martit për vrasje të personave me qëllim nxjerrjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në rezolutën 1782 (2011) të APKiE-së, pikat 1 dhe 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e për rrjedhojë duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
Përgëzon autoritetet e Republikës së Kosovës, të cilat në përputhje me kërkesat e parashikuara në pikën 19.6 të rezolutës 1782 (2011) të APKiE-së kanë bashkëpunuar pa rezerva me EULEX-in dhe çdo organ tjetër gjyqësor të mandatuar për të kryer hetime vijuese, si dhe në kuadër të çdo procedure tjetër që synon të zbulojë të vërtetën.
Përshëndet autoritetet e Kosovës, të cilat në përputhje me një marrëveshje ndërkombëtare dhe amendamentin kushtetues nr. 24 të gushtit 2015 miratuan themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe të natyrës së përkohshme, me qëllim kryesor hetimin dhe/ose gjykimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dik Martit.
I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë edhe një rishikim të rezolutës 1782 (2011) duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe për sa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
I kërkon qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT) brenda juridiksionit të saj.
Shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.
Miratuar në datën 21.7.2022./ATSH
Vendi
Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës
Published
18 hours agoon
September 12, 2026By
UBTNews
Sot në kryeqytetin e Kosovës po mbahet një nga tubimet më të mëdha qytetare të periudhës së fundit, “Marshi për Liri”, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”. Ky mobilizim masiv po zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — vetëm katër ditë para se Dhomat e Specializuara të Kosovës me sedër në Hagë të shpallin aktgjykimin e tyre përfundimtar.
Skena kryesore e ngjarjes, ku po zhvillohen fjalime politike, mesazhe sensibilizuese dhe performanca artistike, është ngritur në sheshin “Skënderbeu”.
Ky shesh, së bashku me arteriet kryesore që çojnë drejt tij, si sheshi “Nëna Terezë” dhe ai “Zahir Pajaziti”, po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish. Në turmën e mbledhur bien në sy përfaqësues të lartë të partive politike, veteranë e invalidë të luftës, si dhe familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit.
Gjatë fjalimeve të mbajtura përpara mijëra pjesëmarrësve, përfaqësuesit e shoqatave të dalura nga lufta dhe udhëheqësit politikë përçuan mesazhe të qarta për drejtësi dhe paanësi. Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, potencoi se kërkesa e vetme e veteranëve dhe e familjeve të tyre është për një proces të drejtë.
Ai paralajmëroi se një “proces i padrejtë” nuk do t’i shërbente asgjëje tjetër përveçse interesave të Serbisë dhe Rusisë, duke shtuar me vendosmëri: “Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”.
Në të njëjtën frymë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, theksoi se opinioni publik nuk do ta pranojë vendimin e caktuar për datën 16 shtator nëse ai do të analizohet si i padrejtë. Ai iu drejtua drejtpërdrejt trupit gjykues: “Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi ‘mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator’”. Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, përkujtoi se katër ish-krerët e UÇK-së kishin vënë jetën në rrezik për lirinë e Kosovës dhe se sot ishte momenti që populli t’u shprehte mirënjohjen e thellë, duke deklaruar: “Kush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri”.
Kjo protestë masive nuk është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë kundër mënyrës se si po zhvillohen proceset në Gjykatën Speciale. Në prill të vitit 2023, sërish në Prishtinë, mijëra qytetarë marshuan një ditë para nisjes zyrtare të gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, duke e cilësuar procesin që po niste si një goditje të padrejtë ndaj luftës çlirimtare. Blloqe të ngjashme mbështetjeje u përsëritën edhe më 17 shkurt 2026, gjatë shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku marshi me moton “Drejtësi, jo politikë” mblodhi mijëra njerëz në kohën kur procesi gjyqësor në Hagë po hynte në fazën e tij përfundimtare.
Procesi maratonë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka zgjatur më shumë se tre vjet prej hapjes së tij më 3 prill 2023. Prokuroria e Përshtatur kishte përfunduar paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj në prill të vitit 2025, derisa mbrojtja e mbylli rastin e saj në dhjetor të po atij viti. Pas deklaratave përmbyllëse të mbajtura në shkurt të vitit 2026, shpallja e aktgjykimit përfundimtar ishte paraparë të bëhej më herët gjatë vitit, mirëpo në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan zyrtarisht shtyrjen e verdiktit për më 16 shtator, me arsyetimin e kompleksitetit ekstrem të çështjes dhe vëllimit masiv të provave të dorëzuara.
Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan nga Policia e EULEX-it në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan menjëharë në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, të cilat prokuroria pretendon se janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Prokuroria ka kërkuar një dënim prej 45 vjetësh burgim për secilin nga të akuzuarit, ndërkohë që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar në mënyrë kategorike të gjitha pikat e aktakuzës. Vendimi që do të merret më 16 shtator pritet të jetë verdikti më përcaktues dhe më domethënës i Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Foto: Koha
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 shtator 1993-1998
Published
22 hours agoon
September 12, 2026By
UBT News
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
12 shtator 1994
Në Nekoc e Kishnarekë vazhdon represioni i policisë serbe
Tash disa ditë, policia serbe vazhdon t’i keqtrajtoi banorët e fshatrave Nekoc e Kishnarekë të Gllogovcit, nën pretekst të vrasjes së paradoditshme të rojes së pyllit, Milaim Gashi në rrethana ende të panjohura, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.
Më 9 shtator, prej orës 11:00 deri në mbrëmje rreth orës 18:00, një ekspeditë e policisë serbe defiloi tërë ditën nëpër fshatrat e lartëshënuara. Policia ishte e pajisur me një llandrover dhe dy vetura.
Njoftohet se gjatë tërë ditës mbi fshatrat Nekoc e Kishnarekë fluturoi edhe një helikopter i policisë serbe.
Në fshatin Nekoc, policia kërkoi Bajram A.Rukiqin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Bajram A.Rukiqi gjendet i shtrirë në spital, pasi ai ditë më parë është keqtrajtur brutalisht nga ana e policisë serbe, me ç’rast mori plagë të rënda trupore.
Ndërkaq, në fshatin Kishnarekë, policia serbe i provokoi nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “7 Marsi” duke i “përshëndetur” me dy gishtat lart.
E njëjta ekspeditë e policisë serbe, vazhdoi rrugën për në fshatin Llapushnik, me ç’rast morën Ferat Sopin dhe djalin e tij (emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë, si dhe veturën e tyre të markës “Reno 4”).
Pardje, në fshatin Kishnarekë, policia kërkoi Rexhep A.Hykollin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas, policia legjitimoi çdo kalimtar të rastit, i cili kalonte nëpër fshatin Kishnarekë.
12 shtator 1995
Tragjedi e rëndë e pasagjerëve në një barkë shqiptare
Në një barkë që transportonte refugjatë nga Shqipëria për në Itali, ndodhi një tragjedi e rëndë në të cilën humbën jetën së paku 3 udhëtarë, ndërsa 12 konsiderohen të humbur.
Barka u përmbys për shkak të valëve të larta të shkaktuara nga një trajekt që kaloi fare pranë barkës.
Korrespondenti i BBC-së nga Roma, Ilir Gurakuqi, tha se edhe 10 pasagjerë të tjerë janë të lënduar.
Kjo ngjarje do të ishte edhe më tragjike sikur mos të ndërhynte një anije amerikane që patrullon në ujërat e Adriatikut, në kuadër të embargos ndaj ish-Jugosllavisë.
12 shtator 1997
Vatikani: Nënë Tereza mund të shpallet e shenjtë në kohë rekorde
Sekretari i Shtetit i Vatikanit Angjelo Sodano deklaroi sot se Papa Gjon Pali e donte shumë Nënën Tereze dhe se të gjithë në Kishën Katolike shpresojnë se ajo mund të kanonizohet shumë shpejt. “Procesi i shndërrimit të nënës Tereze në shenjtore mund të realizohet brenda një kohe rekorde – deklaroi ai.
Me rastin e mëparshme të shenjtërimit, zakonisht afati ka qenë i gjatë deri në 30 vjet. Sipas praktikës së deritashme së pari të caktohet një komision nga Vatikani i cili e vlerëson deri në hollësi veprën dhe shëmbëlltyrën e kandidatit për të shenjtë, e pastaj ai vlerësim i dorëzohet Papës. Pikërisht pse shëmbëlltyra dhe vepra e Nënës Tereze është tejet humane, dhe e pastër, mund të pritet që ajo të shpallet e shenjtë në kohë rekorde, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.
12 shtator 1998
Gjatë sulmeve të djeshme në fshatrat e Skënderajt janë vrarë 3 dhe janë plagosur 16 shqiptarë
Dje, që në orët e hershme të mëngjesit, një konvoj i madh i forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe i përbërë nga 58 tanksa, 38 kamionë dhe automjete të tjera të motorizuara nga Mitrovica arritën në Llaushë, ndërsa menjëherë nga këto forca filluan të granatohen fshatrat Rezallë, Ticë, Plluzhinë, Likoc e Makërmal, i tha sot QIK-ut Fadil Ymeri, përgjegjës i Këshillit për Informim në fshatin Qirez të Skënderajt.
Bëhet e ditur se gjatë kësaj ofensive, janë zhvendosur shumë banorë, të cilët e kaluan natën nën qiellin e hapur dhe gjendja e tyre është shumë e rëndë.
Edhe sot, që në orët e hershme të mëngjesit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, filluan t’i granatojnë fshatrat e lartpërmendura dhe fshatrat tjerë si Vërbovcin, Abrinë, Açarevën, Polluzhën e Kryshecin. Këto fshatra po sulmohen me artileri të rëndë, duke filluar nga minahedhësit deri te raketat e tipit tokë-tokë.
Gjatë këtrye dy ditëve, forcat e UÇK-së kanë bërë një rezistencë të fuqishme dhe me heroizëm po u kundërvihen forcave armike.
Si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri tash janë vrarë tre shqiptarë, në mesin e të cilëve dy fëmijë dhe kanë plagosur 16 civilë të tjerë.
Bëhet e ditur se forcat serbe kanë vrarë, Leutrim Ahmetin (9), Xufë Ahmetin (8) dhe Ramë Ahmetin (42), ndërsa kanë plagosur Fatmire Malush Ahmetin (18), Gjyle Racin (30), Brahim Ahmetin (29), Makfirete Ahmetin (14), Bajram Ahmetin (11), Shpresa Ahmetin (9), Naser Gashin (15), Feti Musliun (22), Nuredin Bacajn (39), Xheladin Behramin (53), Rifat Smakiqin (34), Fatmire Ahmetin (35), Arben Makollin (24), Tahir Lladrovcin (22), Jahir Dërgutin (44) dhe Skënder Ahmetin (39).
Gjithashtu, si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri në Bëhet e ditur se nga pasojat e bombardimeve serbe deri tash janë shkatërruar e djegur qindra shtëpi shqiptare dhe objekte të tjera ndihmëse.
Aktualitet
Gjithçka gati për “Marshin për Liri”
Published
23 hours agoon
September 12, 2026By
UBTNews
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë përfunduar përgatitjet e fundit për “Marshin për Liri”, i cili nis sot në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton Ekonomia Online.
Nga platforma “Liria Ka Emër” kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, ndërsa marshi zhvillohet para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale, të paralajmëruar për 16 shtator.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se bazuar në interesimin dhe gatishmërinë e qytetarëve, pritet që marshi të jetë masiv.
“Marshi me siguri do të jetë shumë masiv, edhe në bazë të asaj se çka kemi parë në terren edhe entuziazmit edhe gatishmërisë së njerëzve, në thirrjen tonë qytetare që të marshojnë për liri nën moton ‘Kosova po pret’”, tha ai.
Tasholli ka bërë të ditur se në sheshin “Skënderbeu” janë duke u përfunduar detajet e fundit të përgatitjeve, ndërsa bina tashmë është gati për nisjen e aktivitetit.
“Tashmë e shihni, bina është gati, në përfundim janë do të thotë detajet e fundit, që e rrumbullakësojnë edhe nisjen e këtij marshi qytetar, që ka për qëllim të përçojë një mesazh shumë të rëndësishëm, që Kosova me të vërtetë po pret, po i pret çlirimtarët në shtëpinë e tyre”, tha Tasholli.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të nisen më herët drejt Prishtinës, në mënyrë që në orën 14:00 të përcillet mesazhi i organizatorëve.
“Po, i ftoj le të vijnë sa më herët, Prishtina e ka zemrën e madhe, po i uron mirëseardhje të gjithë qytetarëve të saj, edhe le të nisen sa më herët sepse është shumë e rëndësishme që sot të përçojmë një mesazh bashkë në ora 14:00, që Kosova po pret. Jemi duke i pritur të gjithë”, tha ai.




Vendi
Kurti i bën thirrje Hamzës për takim, do ta votojmë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit
Published
2 days agoon
September 11, 2026By
UBT News
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit.
Ai ka kërkuar që emrat e kandidatëve të diskutohen në takimet mes partive dhe ka thënë se ende nuk është tepër vonë për të arritur marrëveshje.
“Ne medoemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne medoemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se dëshiron të takohet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar emrat e kandidatëve.
Ai e ka cilësuar si të keqardhshme braktisjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se sot është humbur një mundësi për përmbylljen e tij.
“Jemi vonë, por nuk është tepër vonë. Nëse e bëjmë këtë të dielën, megjithatë do të konsiderojmë që përgjithësisht dhe së bashku ishim të suksesshëm”, ka deklaruar Kurti./A.K/
Prishtina mbush sheshet në “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vetëm katër ditë para verdiktit të Hagës
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 shtator 1993-1998
Gjithçka gati për “Marshin për Liri”
Fundjava e shqiptarëve në Evropë, këto janë ndeshjet
Kurti i bën thirrje Hamzës për takim, do ta votojmë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit
Avokati: Kërkojmë shpalljen të pafajshëm të Fazliut, të akuzuarit s’u intervistuan nga ZPS-ja
Avokati i Kuçit: ZPS-ja ndërtoi teorinë e saj mbi gabime në përkthim
Fundjavë e zjarrtë në futboll, këto janë sfidat kryesore
“Liria ka Emër” fton qytetarët në “Marshin për Liri” më 12 shtator
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport1 month agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet1 month agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet1 month ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë
