Lajmet

​Kurti për shtrenjtimin e energjisë elektrike: S’ka zgjidhje të lehtë pasi kriza është e rëndë

Sipas tij, qeveria ka vetëm tri mundësi, shtrenjtimin e energjisë, subvencionimin ose reduktimet.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtim të energjisë elektrike. Në seancën e sotme plenare, ku po debatohet për energjinë, kreu qeveritar tha se nuk ka zgjidhje të lehta, pasi kriza është e rëndë dhe e thellë.

Ai opozitarëve iu drejtua se mund të fantazojnë, pasi kjo nuk është ilegale, por qeveria ka vetëm tri mundësi, shtrenjtimi i energjisë, subvencionimin ose reduktimet.

“Ka rënë importi përgjysmë për shkak të rikthimit të bllokut B2. Nuk ka zgjidhje të lehtë dhe optimale, pasi kriza është e rëndë dhe e thellë. Unë nuk jam për shkyçejë të konsumatorëve, jo për shkak se atakon mirëqenien e qytetarëve, por edhe për shkak se me trafo të amortizuar dhe rrjetin e shpërndarjes së lodhur dhe pajisjet në amvisëri, do të paguanim një kosto më të lartë. Çdo shkyçje dhe kyçje po ka pasoja, prandaj unë nuk jam për reduktime të energjisë. Por nëse jemi që mos të kemi reduktime, atëherë duhet të kuptojmë se duhet të kemi ose subvencionim nga shteti ose shtrenjtim të energjisë ose kombinim të këtyre dyjave për të gjetur një mes të artë. Pasi jemi në një situatë ku s’ka zgjidhje të mirë. S’ka mundësi të tjera, me pikun 1.34 gigavat nuk ka mundësi të tjera të nderuar deputetë. Jam i interesuar për ide kreative, por të kërkosh që as mos të shtrenjtohet energjia elektrike, as mos të subvencionoj shteti 75 milionë euro, as mos të shkyçen konsumatorët, është e pamundur. Fizikisht, logjikisht është e pamundur. Unë e di që nuk ka dëshira ilegale, qytetarët kanë fantazi, mund të fantazojmë çka të duam. Mirëpo nuk është e mundshme as mos të shtrenjtohet, as subvencionojmë dhe as mos të ketë shkyçje”, tha ai.

Kurti deputetëve iu tregoi edhe në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë së tij për shtrenjtimin e energjisë.

“Në çfarë mase duhet t’i adresohet gishti qeverisë. Sikur tregu mos të ishte i rregulluar, vetë operatori do ti kishte shumëfishuar çmimet që nga muaji gusht dhe pastaj do të kishte qenë në duart e konsumatorëve të thonë se a duan import apo jo. Të thuash se ne kemi votuar për këtë qeveri dhe duam të konsumojmë energji me çmim astronomik dhe nuk duhet të kemi reduktime dhe nuk duam të paguajmë dhe duhet që Kurti të gjejë zgjidhje është njësoj sikur të kërkohet nga unë që të mbajë ditë gjatë 24 orëve dhe mos të lejoj të bie natën”, deklaroi ai.

Duke arsyetuar shtrenjtimin e energjisë, Kurti tha se aq lirë ka qenë energjia në katër vitet e fundit, sa qytetarët nuk e kanë ditur as sa po paguajnë.

“Kurrë s’ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës se sa këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa paguajnë. Në historinë e Kosovës numër më të madh të qytetarëve nuk ka pasur ndonjë herë. Nuk po them se janë shumica të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur ndonjë herë”, tha ai.

Ai tha se dy problemet kryesore të dekadës së fundit lidhur me energjinë elektrike, ka qenë privatizimi i KEDS-it dhe heqja e bllok tarifave në vitin 2017.

Lajmet

Nissinen: Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike

Published

on

By

Me përfundimin e mandatit diplomatik trevjeçar në Kosovë, Ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, ka ndarë me The Geopost reflektimet e tij mbi përvojën personale dhe profesionale në vend.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë i angazhuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, përmes projekteve të shumta në fushat e arsimit, shoqërisë civile, integrimit evropian dhe luftës kundër dezinformimit.

Në intervistën për The Geopost, Nissinen flet për momentet më domethënëse të misionit të tij diplomatik, për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, si dhe për shpresat e tij për të ardhmen e vendit. Derisa shprehet i bindur se Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike.

Ai jep mesazhe të qarta për domosdoshmërinë e investimit në njerëz, edukim dhe bashkëpunim të gjerë shoqëror si rrugë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe evropiane për Kosovën./D.B/EO

Continue Reading

Lajmet

Princi Salman fton Osmanin në Arabinë Saudite

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi, me të cilin bisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Në fokus të diskutimit ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik, përfshirë nxitjen e investimeve në Kosovë, si dhe mbështetja e mëtejshme ndërkombëtare që Arabia Saudite mund të ofrojë për Kosovën. Palët u pajtuan për rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, duke theksuar përkushtimin institucional të Kosovës për thellimin e kësaj miqësie.

Gjatë takimit, ambasadori Hifzi i dorëzoi Presidentes Osmani ftesën zyrtare të Lartmadhërisë së Tij, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Arabisë Saudite, Princit Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, për të marrë pjesë në forumin prestigjioz “Future Investment Initiative”, që do të mbahet së shpejti në Riad.

Presidentja falënderoi ambasadorin për ftesën dhe ritheksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të punuar ngushtë me Mbretërinë e Arabisë Saudite në funksion të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit strategjik./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Ky është gjyqtari që do ta drejtojë ndeshjen Kosovë-Suedi

Published

on

Ndeshja e radhës e kualifikimeve për Botërorin 2026 mes Kosovës dhe Suedisë do të drejtohet nga gjyqtari holandez Allard Lindhout. Sfida zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.

Allard Lindhout, i lindur më 11 shtator 1987 në Warmond të Holandës, është gjyqtar ndërkombëtar që prej vitit 2014.

Gjatë karrierës së tij ka drejtuar dhjetëra ndeshje ndërkombëtare, duke u dalluar për vendimet e sakta dhe për eksperiencën e tij në ndeshje të rëndësishme.

Asistentë të Lindhout në këtë ndeshje do të jenë Rogier Honig dhe Johan Balder, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Joey Kooij.

Për sistemin VAR do të kujdeset Clay Ruperti me asistencë nga Jeroen Manschot, të gjithë nga Holanda. Delegat i UEFA-s për këtë takim është Patrick Duffy nga Irlanda, ndërsa vëzhgues i gjyqtarëve do të jetë Stávros Tritsónis nga Greqia.

Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për Kombëtaren e Kosovës, e cila kërkon kthimin në rrugën e fitoreve pas humbjes 4-0 nga Zvicra./S.K/KP/World Football/

Continue Reading

Lajmet

Rekomandohet të mos përdoret për pije uji në Vushtrri

Published

on

By

KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje konsumatorëve të Vushtrrisë që të mos e përdorin për pije ujin, deri në një njoftim tjetër.

KRU “Mitrovica” ka njoftuar se janë në pritje të rezultateve laboratorike, pasi mostrat janë marrë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Të nderuar konsumatorë të Vushtrrisë. Në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik jemi ende në pritje të rezultateve laboratorike, prandaj deri në një njoftimin tonë të radhës mbetet në fuqi rekomandimi që: Uji i pijes të mos përdoret akoma për konsum njerëzor, por vetëm për nevoja tjera (teknike dhe higjienike). Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!” – ka njoftuar KRU “Mitrovica”.

Të dielën kishte pëlcitur një gyp në rrugën “Bahri Kuqi” dhe ishte ndërprerë furnizimi me ujë i një zone./D.B/EO

Continue Reading

Të kërkuara