Lajmet

​Kurti dhe Meta pajtohen se duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme

Meta e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon.

Published

on

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë.

Kurti e Meta u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.

Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president. Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.

Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.

Meta e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.

Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.

Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.

Lajmet

PDK bllokon serish hyrjen e Qeverisë: Kërkohet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar edhe të martën protestën e saj përpara objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen kryesore të ndërtesës. Këtij aksioni simbolik i është bashkuar edhe forum jaunor i kësaj partie, Rinia Demokratike e Kosovës (RDK).

Aksioni i protestës vjen si reagim ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët dhe aktivistët e PDK-së po kërkojnë me ngulm nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë menjëherë vazhdimin e punimeve për t’i hapur rrugë konstituimit të plotë të Kuvendit.

Kjo protestë është pjesë e një presioni të vazhdueshëm politik pas disa ditësh përpjekjesh nga opozita. Si PDK-ja, ashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kërkuar vazhdimisht rifillimin e punimeve të seancës së ndërprerë. Për më tepër, PDK-ja ka dorëzuar zyrtarisht disa kërkesa të njëpasnjëshme drejtuar kryesuesit Dehari për caktimin e datës dhe orës së vazhdimit të seancës. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Muriq shkëlqen në Kupën e Italisë, Sassuolo kalon tutje

Published

on

By

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriq, ka hapur sezonin e ri në mënyrë fantastike me skuadrën e tij, Sassuolo, duke siguruar kualifikim të bindshëm në Kupën e Italisë.

 Në ndeshjen e zhvilluar të hënën në mbrëmje në kuadër të fazës 1/32 të finales, Sassuolo mposhti pa probleme skuadrën e kategorisë së dytë, Cesena, me rezultatin e thellë 3:0. Golat e fitores për vendasit u shënuan nga Cristian Volpato, Vasilije Axhiq dhe Luca Lipani.

Gardiani 27-vjeçar kosovar ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë. Muriq realizoi pesë pritje vendimtare gjatë ndeshjes, duke mbajtur portën e paprekur dhe duke u vlerësuar me notën e lartë 8.2 për paraqitjen e tij.

Kjo fitore i jep një start mjaft pozitiv Sassuolos përpara fillimit të kampionatit. Skuadra do të luajë ndeshjen e saj të parë për edicionin 2026/27 në Serie A këtë të diel, ku do të përballet me Atalantan. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Sulmohet nga hakerët ueb-faqja e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit

Published

on

Ueb-faqja zyrtare e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, konsumatori.rks-gov.net, ka qenë cak i një sulmi kibernetik.

Për shkak të sulmit, ueb-faqja aktualisht nuk është funksionale. Autoritetet kanë njoftuar qytetarët se, deri në rikthimin e plotë të shërbimeve online, ankesat dhe kërkesat mund t’i dërgojnë përmes emailit [email protected] ose përmes Viberit në numrin +383 (0) 46 311-000.

Qytetarët janë falënderuar për mirëkuptimin, ndërsa pritet që ueb-faqja të rikthehet në funksion pas përfundimit të procedurave përkatëse./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fruthi në Kosovë, 137 raste të konfirmuara – 25 të reja vetëm gjatë javës së fundit

Published

on

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 137 raste me fruth.

Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja. Numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 47 raste dhe në Fushë-Kosovë me 34 raste. Pas tyre renditen Ferizaj me 12 raste, Obiliqi me 8, ndërsa Kaçaniku dhe Lipjani me nga 7 raste.

Raste janë raportuar edhe në Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Gjilan, Shtime, Shtërpcë, Deçan, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.

Në komunat me numrin më të lartë të rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet. Vetëm gjatë javës së fundit janë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit në qendrat e mjekësisë familjare.

Instituti rekomandon gjithashtu që personat me simptoma të dyshimta, si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara