Lajmet
Kryetari i Sindikatës së Policisë: Shumë policë kanë aplikuar për viza
Ai ka thënë se ka indikacione që do të vazhdojë largimi i pjesëtarëve nga institucioni i Policisë së Kosovës.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiKryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se bazuar në informacione ende të pakonfirmuara, shumë zyrtarë policorë kanë aplikuar për viza dhe janë në pritje për t’u larguar nga vendi. Në komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Zeqiri ka thënë se 1 mijë e 108 zyrtarë policorë janë larguar vullnetarisht nga ky institucion që prej themelimit të tij. Aty ai ka folur për sfidat e policëve dhe nevojën që të njëjtit të marrin trajtim dinjitoz nga shteti.
Kryetari i sindikatës ka thënë se ka indikacione që do të vazhdojë largimi i pjesëtarëve nga institucioni i Policisë së Kosovës.
“Është shqetësuese puna e policëve që kanë lëshuar punën dhe ka indikacione që do të vazhdojë kjo dukuri për shkak se sigurisht ata e kanë arsyen, për shkak se po gjejnë më mirë. Unë nuk e di, nuk e kam ndonjë statistikë, mirëpo nga informacione të pakonfirmuara, ka shumë zyrtarë policorë që janë duke pritur viza, kanë aplikuar për viza dhe janë duke pritur viza. Vërtet është shqetësuese për shkak se dëmi është i madh dhe nëse mendojmë të ndërtojmë një polici taman për me e siguru këtë vend ashtu siç jemi duke e mbajtur dhe duke e siguruar, atëherë vërtet duhet të mendojmë në këtë drejtim jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Zeqiri.
Ndërsa ka shtuar që janë 1 mijë e 108 zyrtarë policorë që në mënyrë vullnetare janë larguar nga ky institucion që prej themelimit të tij, e sipas tij kjo është bërë për shkak se të njëjtit kanë qenë në kërkim të kushteve më të mira.
Zeqiri ka folur edhe për projektligjin për paga për çka ka thënë se është i papranueshëm nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
“Për Sindikatën e Policisë së Kosovës ky projektligj që në start është i papranueshëm për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit, vlera e koeficientit është e pacaktuar, për neve është e panjohur. Nuk ka dalë zyrtarisht dikush me na thënë kaq është vlera, pastaj është e papranueshme rangimi i koeficienteve në Policinë e Kosovës në krahasim me institucionet e tjera… Një prokuror në krahasim me këtë polic i merr pesë paga, pesë paga të këtij polici, nëse nuk e dini aktualisht paga e policit është 392 euro”, ka thënë ai.
Shqetësim tjetër sipas tij është mungesa e sigurimeve shëndetësore.
“Neve si sindikatë kemi kontaktuar edhe me Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe mund ta bëjmë një sigurim shëndetësor derisa të bëhet ligji për mos me na mbetë zyrtarët policorë pa sigurim shëndetësor. Ne e kemi bërë një kalkulim dhe po e them haptazi diku me 5 milionë në vitin e mund të bëjmë një sigurim shëndetësor për Policinë e Kosovës, është kërkesë e jona, do të jetë kërkesë në vazhdimësi dhe kjo është nëse qeveria ka vullnet me na dhënë përgjigje në këtë çështje”, ka thënë Zeqiri.
Ndër të tjera, Zeqiri ka thënë se nuk janë të ndikuar politikisht dhe se asnjëherë nuk kanë pasur presion nga pushteti apo ndonjë parti tjetër politike.
Ndërsa ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti Rashit Qalaj ka thënë se ministri i Brendshëm po shihet edhe në zyra të hetuesisë dhe dhoma komanduese, që sipas tij është brengosëse.
“Ministri shkon nëpër zyra të hetuesve, nëpër dhoma komanduese, që nuk ka qenë praktikë kurrë deri më sot në asnjë qeveri, kurrë hiç, është duke më brengosur, ndoshta vjen ndonjë ministër ende më i keq në të ardhmen por, policia duhet me qenë sa më e pavarur se tendenca ka pasur gjithmonë edhe në pushtetet e kaluara por tash për mua unë po e shoh që është kulmi kur një ministër e ke në të gjitha zyrat e Policisë, e që besoj që nuk është mirë”, ka thënë Qalaj.
Lidhur me këtë, Zeqiri ka thënë se nuk ka njohuri nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Për ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla ka folur edhe kryetari i komisionit, Bekë Berisha, i cili ka thënë se po bëhet propagandë gjoja se ministri është duke e luftuar krimin dhe jo policia.
“Po bëhet një propagandë e madhe që ministria është duke e luftuar krimin dhe jo policia, edhe që ja keni humb farën krimit në Kosovë, do të thotë nuk ka kriminel për ilaç, nuk gjendet askund sepse krejt i ka arrestuar Xhelal Sveçla, a keni edhe ju këtë mendim apo vetëm mua po më bëhet përshtypja që ja keni humbur, keni bërë gjenocid në krim ka bërë, ja ka humbur farën, apo këto janë raporte që gjithmonë luftohen ato statistika mirëpo tash po paraqitet që ja kanë humb farën krimit”, ka thënë Berisha.
E kjo pyetje është kundërshtuar nga deputetja Shqipe Selimi, e cila ka thënë se sindikata nuk është ftuar të flilet për ministrin. Ndërsa kryetari i sindikatës ka thënë se policia është ajo që e lufton krimin dhe jo ministri.
“Unë nuk po dua me ua përshtat juve asnjërit, po du me qenë shumë transparent, ne e dimë kush e lufton krimin, krimin e lufton e ndjek, e heton, edhe bën rend dhe qetësi publike, dhe kontrollin e kufirit, Policia e Kosovës, pavarësisht se kush është ministri, ministri është pozitë politike… Po u them shumë sinqerisht që unë nuk kam prova, nuk kam fakte të them se ministri po e ndjek krimin, unë nuk kam deri tash, nëse i kemi do të ua them publikisht edhe juve edhe të gjithëve”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, deputeti Hisen Berisha ka thënë se sindikata duhet të luftojë për amendamentimin e ligjit për shërbim në Policinë e Kosovës dhe jo të u jap prioritet shujtave dhe pagave shtesë.
“Mos u ndjeni komod në rregullimin e ndonjë kushti, ku ta di unë, ndonjë page me ua shtu 100 euro apo me ua dhënë do shujta, asgjë, nuk vdisni urie, djemtë që shkojnë atje janë të trajnuar me qëndru edhe katër e pesë ditë pa ngrënë, janë të trajnuar ata në organizëm, ju duhet ta rregulloni një status të përhershëm të këtyre zyrtarëve të shtetit, e kjo bëhet në ligj”, ka thënë Berisha.
Por sipas nënkryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, shujta është kërkesë legjitime.
“Nuk ka më legjitime se me lyp bukë, ka lyp një shujtë, po ku ka më drejtë se njeriu me lyp bukë nëse punon 8 orë me kërku një shujtë, sa për informatën tuaj vetëm Policia e Kosovës dhe administrata nëpër ministri nuk e merr shujtën, mjekët e marrin shujtën, doganierët e marrin shujtën, shkojmë tek arsimtarët, qysh e përfitojnë ata është në mënyra të tjera, por po, është një ministër që po ja jep shujtën, shkojmë tek gardianët, ata e hanë bukën në qendra të veta, kush po mbetet pa bukë, Policia e Kosovës”, ka thënë ai.
Para deputetëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga përfaqësuesit e sindikatës është thënë se më 10 janar kanë kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Aktualitet
Sot nis faza përfundimtare e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë
Published
2 hours agoon
February 9, 2026By
ubtnews
Sot nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.
Prokuroria, ekipi mbrojtës dhe të pandehurit do të kenë mundësinë që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces, shkruan KosovaPress.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregon se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ky vit pritet të jetë vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare./Kosovapress/
Aktualitet
Një gjykatë ushtarake në Rusi zbuloi të vërtetën rreth njërës prej humbjeve më të rënda të luftës në Ukrainë
Published
1 day agoon
February 8, 2026By
ubtnews
Rusia pranoi për herë të parë se një raketë ukrainase fundosi anijen e saj të çmuar në Detin e Zi, duke e fshirë më vonë deklaratën dhe duke u rikthyer në versionin zyrtar se kryqëzori raketor Moscow u fundos për shkak të një aksidenti, raporton CNN.
Kur u fundos në prill 2022, Moscow ishte një nga anijet luftarake më të rëndësishme të Rusisë, vetëm shtatë javë pasi Kremlini nisi pushtimin e tij të paprovokuar dhe të plotë të Ukrainës. Kievi pretendoi se anija u godit nga raketa e saj anti-anije Neptune, por Rusia dha një version të ndryshëm të incidentit në atë që ishte ndoshta turpi i saj më i madh gjatë pushtimit, gjithashtu një nga fitoret më të mëdha të ushtrisë ukrainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka këmbëngulur gjithmonë se Moscow u fundos pasi shpërtheu një zjarr dhe shkaktoi një shpërthim municionesh në bord. Ushtria ruse tha në atë kohë se ekuipazhi i anijes luftarake ishte evakuuar, megjithëse më vonë pranoi se disa ishin të zhdukur.
Sipas agjencisë së pavarur ruse të lajmeve Mediazona, një gjykatë ushtarake në Moskë javën e kaluar korrigjoi pa dashje versionin zyrtar të Kremlinit. Gjykata, sipas Mediazona-s, lëshoi një deklaratë mbi vendimin kundër komandantit të marinës ukrainase i cili urdhëroi sulmet ndaj Moskës dhe një anijeje tjetër, fregatës Admiral Essen. Sipas gjykatës, ai u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë.
Ukraina në eufori, ekspertët në mosbesim për versionin rus të historisë: “Çfarë lloj ekuipazhi është ky?!”
CNN pyeti autoritetet ruse në lidhje me tërheqjen e dukshme të deklaratës. Irina Zhirnova, një zëdhënëse e Gjykatës së 2-të Ushtarake të Distriktit Perëndimor, e cila duhej të lëshonte deklaratën e fshirë tani, tha se nuk do të kishte koment. Ushtria ruse nuk iu përgjigj kërkesës së CNN për koment.
Mediazona ka raportuar gjerësisht mbi rrethanat e fundosjes së anijes Moskva në të kaluarën, duke publikuar dëshmi nga familjet e marinarëve që vdiqën – vdekjen e të cilëve ushtria ruse nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht.
“Më 13 prill 2022, një sulm me raketa me dy raketa goditi kryqëzorin raketor të Gardës Moskva, duke shkaktuar një zjarr dhe tym që mbushte brendësinë e anijes”, tha deklarata e gjykatës, sipas Mediazona-s.
“Në shpërthim, zjarr dhe tym, 20 anëtarë të ekuipazhit të kryqëzorit vdiqën, 24 morën lëndime të ndryshme dhe tetë janë të zhdukur, gjatë betejës më shumë se gjashtorëshe për të shpëtuar anijen”, thuhet në deklaratë, sipas Mediazona, duke shtuar se anija “nuk ishte e përfshirë” në operacionin rus në Ukrainë.
I pyetur nga CNN për koment, Dmytro Pletenchuk, një zëdhënës i forcave detare të Ukrainës, tha se ishte e vështirë për Rusinë të mohonte faktet e fundosjes, veçanërisht pasi familjet e ekuipazhit të Moskës dolën hapur.
Tërheqja e deklaratës është vetëm dështimi i fundit propagandistik i autoriteteve ruse, raporton CNN.
Aktualitet
“Hajdutët 2.0” që ju vjedhin me pajisje POS!
Published
2 days agoon
February 7, 2026By
ubtnews
Hajduti 2.0, siç e kanë quajtur kolegët tanë nga Italia, përkatësisht stafi editorial i medias me reputacion italiane “Corriere della Sera”, është një nga temat tek italianët. Italianët kanë analizuar histori rreth hajdutëve teknologjikë që dyshohet se fshihen në turma dhe, me ndihmën e pajisjeve POS, shfrytëzojnë pagesat pa kontakt për të vjedhur shuma deri në 50 euro nga viktimat e tyre. Por sa realiste është kjo formë grabitjeje? Ata pyesin veten…
Një sërë pengesash për hajdutët
Nga Milano në Romë, deri në rastin shumë të fundit në Napoli, duket se një valë frike e lidhur me vjedhjet fantazmë ka filluar përsëri, dhe psikoza është nxitur më tej nga videot në rrjetet sociale që dyshohej se ishin të inskenuara – u pretendua se ato ishin filmuar në Itali, por kishin origjinën nga vende të ndryshme. Tani, nga Napoli vijnë raportime të reja për vjedhje të kryera duke përdorur të njëjtën metodë krijuese dhe teknologjike: viktima është një kontabilist nga San Giorgio a Cremano, i cili e vuri re vjedhjen kur telefoni i tij inteligjent vibroi me një njoftim nga një aplikacion bankar: “Pagesa u krye: 50 euro, nëpërmjet terminalit POS”, shkruan Corriere della Sera, duke kujtuar se gushtin e kaluar pati një arrestim në Sorrento, dhe një grua 36-vjeçare, e ndaluar për vjedhjen e një kartëmonedhe 100 euroshe, u gjet me një terminal POS portativ në çantën e saj.
Por a është e mundur të vidhni para nga kartat ose telefonat inteligjentë duke mbajtur një pajisje POS portative afër xhepave të kalimtarëve dhe duke përfituar nga opsioni i pagesës pa kontakt pa një PIN? Përgjigja është – PO, por në kushte shumë specifike që e bëjnë këtë lloj grabitjeje jashtëzakonisht të vështirë në praktikë.
Kur bëhet fjalë për kartat, që një hajdut të jetë në gjendje të tërheqë para prej tyre, ai së pari duhet të kapërcejë disa pengesa fizike dhe teknologjike. Konkretisht, kartat “gjallërohen” vetëm kur hyjnë në fushën elektromagnetike të gjeneruar nga lexuesi (POS), dhe që çipi të aktivizohet dhe të fillojë transmetimin e një sinjali, distanca midis antenës së lexuesit dhe antenës së kartës duhet të jetë minimale, zakonisht më pak se katër centimetra. Fizika e dobësimit të sinjalit në 13.56 MHz, frekuenca në të cilën funksionojnë kartat e afërsisë, e bën jashtëzakonisht të vështirë, madje pothuajse të pamundur me pajisje standarde, “leximin” e një karte nga një distancë prej një metri ose përmes çantave të trasha. Hajdutët teorikisht mund të krijojnë antena të modifikuara, por edhe atëherë ato do të ishin jopraktike për hajdutët e xhepave, shkruan Corriere della Sera, duke shtuar se një hajdut modern, duke mbajtur terminalin e tij POS afër xhepit në të cilin mbajmë kartën tonë të kreditit ose debitit, teorikisht mund të vjedhë një shumë më pak se 50 euro.
Arsyeja qëndron në faktin se kartat e gjeneratës së re janë gjithmonë aktive dhe nuk kërkojnë zhbllokim. Por, ekziston një pengesë e madhe në të gjithë historinë, e njohur si përplasje kartash, e cila funksionon në mënyrë të tillë që nëse një përdorues ka dy karta pa kontakt në portofolin e tij, të dyja i përgjigjen fushës magnetike të hajdutit, dhe pajisjet POS janë të programuara të mos zgjedhin rastësisht dhe, nëse zbulojnë më shumë se një përgjigje, do ta ndërpresin transaksionin. Pra, që një hajdut të vjedhë para, viktima duhet të ketë vetëm një kartë pa kontakt në portofolin e tij, portofolin në xhep ose në pjesën e çantës më afër hajdutit, dhe viktima nuk duhet të ketë asnjë kartë tjetër të pajtueshme me RFID, siç është një kartë biznesi ose, le të themi, një kartë palestre. Përveç kësaj, nuk duhet të ketë mburoja metalike si monedha dhe çelësa, sepse ato gjithashtu do ta dobësojnë sinjalin. Pra, një grabitje është e mundur, por probabiliteti që gjithçka të përkojë në të njëjtën kohë, ose të krijojë kushte ideale për hajdutin, është jashtëzakonisht i vogël.
Telefonat inteligjentë paraqesin një sfidë edhe më të madhe për hajdutët
Kur bëhet fjalë për telefonat inteligjentë, transaksionet funksionojnë ndryshe dhe siguria përmirësohet më tej falë token-ave. Nëse një kriminel do të hakonte me sukses një transaksion me telefon inteligjent, ai do të merrte vetëm të dhënat e lidhura me atë token, të dhëna që janë plotësisht të padobishme për krijimin e një karte fizike të klonuar ose për të bërë blerje online në faqet e internetit, ku kërkohet numri aktual i kartës, shkruan Corriere della Sera, duke shtuar se vjedhja nga një iPhone është pothuajse e pamundur sepse arkitektura e sigurisë së Apple Pay kërkon vërtetim biometrik ose futjen e një kodi zhbllokimi për të aktivizuar antenën NFC.
Prandaj, një iPhone me ekran të fikur ose të kyçur nuk do t’i përgjigjet pajisjes POS, duke e bërë të pamundur një transaksion të padëshiruar dhe të fshehur. I vetmi përjashtim është modaliteti “Express Transit”, i projektuar për të shpejtuar kalimin nëpër barrierat e metrosë pa zhbllokuar telefonin.
Corriere della Sera shton se disa studiues britanikë kanë treguar në laborator se është e mundur të mashtrosh një iPhone të kyçur duke e bërë të besojë se është përpara një barriere metroje. Nga ana tjetër, pronarët e Android-ëve të vjetër duhet të jenë ende pak më të kujdesshëm, sepse për vite me radhë Google Wallet(më parë Google Pay) u lejonte përdoruesve të kryenin transaksione të vogla, zakonisht deri në 25-50 euro, thjesht duke ndezur ekranin, pa pasur nevojë ta zhbllokonin plotësisht, dhe kjo veçori përfaqësonte një cenueshmëri pak më të madhe kur bëhet fjalë për mundësinë e vjedhjes. Këshillohet që këta përdorues ta mbajnë funksionin NFC të fikur, ose ta aktivizojnë atë vetëm kur është e nevojshme. Megjithatë, prezantimi i Android 15 solli një hap përpara, pasi Google filloi të kërkonte zhbllokimin e pajisjes për të gjitha transaksionet NFC.
A ndihmojnë portofolet bllokuese RFID/NFC?
Ekzistojnë portofolet bllokuese RFID/NFC në treg, por a ndihmojnë ato? Përgjigja është – PO, sepse materialet e përfshira në to krijojnë një pengesë që reflekton ose thith valët e radios 13.56 MHz, duke parandaluar që fusha elektromagnetike e terminalit POS të arrijë antenën e kartës, dhe kjo mund të arrihet edhe duke e mbështjellë kartën pa kontakt në letër alumini. E gjithë kjo është efektive, por mund të mos jetë e rëndësishme për përdoruesin mesatar, pasi mbajtja e dy ose më shumë kartave krah për krah në portofolin tuaj eliminon problemet. Si përfundim, ndërsa “Hajduti 2.0” është teknikisht i mundur, një numër pengesash fizike, teknologjike dhe praktike e bëjnë këtë skenar të pamundur.
Lajmet
Gjakovë: Paraburgim për 22 të dyshuar për falsifikim votash
Published
3 days agoon
February 6, 2026By
UBTNEWS
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Sipas komunikatës për opinionin publik, kërkesa për paraburgim është paraqitur pas veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria njofton se ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar procedura penale për veprën-falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thekson Prokuroria.
Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare. /Ekonomia online/
Ylli i Javës – Almir Kryeziu
Gjashtë vjet pa Bilbilin e Kosovës
Shtatë raste të dhunës në familje në Kosovë brenda 24 orëve të fundit
Në Fushë Kosovë arrestohet një i dyshuar për sulm seksual
Sa është i rëndësishëm Irani për luftën e Rusisë në Ukrainë?
Sot nis faza përfundimtare e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë
Rektori Hajrizi zhvilloi takime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Një gjykatë ushtarake në Rusi zbuloi të vërtetën rreth njërës prej humbjeve më të rënda të luftës në Ukrainë
Shkëlqen Distria, rrëmben medaljen e artë në Paris
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet nga UBT2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT2 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
