Lajmet

​Kryetari i bordit të RTK-së paralajmëron shkurtime të vendeve të punës

Sipas Boletinit, në këtë televizion janë 80 redaktorë e 60 gazetarë.

Published

on

Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini gjatë raportimit të tij para Komisionit për Buxhet dhe Financa, tha se është i shqetësuar me shpenzimet e mëdha për paga në televizionin publik, derisa theksoi se në këtë medium publik, më shumë ka redaktorë se sa gazetarë. Sipas Boletinit, në këtë televizion janë 80 redaktorë e 60 gazetarë.

“Si Bord i ri, të gjitha këto shqetësime i ndajmë me ju, fatkeqësisht shpenzimet janë për paga. Për neve ky numër që kemi gjetur, ne nuk kemi shkuar aty me heq njerëz prej pune. Ne kemi shku për t’i motivuar njerëzit për të punuar. Dhe, situata të cilën e kemi gjetur është problematike, sepse si punëtorë të rregullt në televizion më shumë ka redaktorë se gazetarë, madje goxha shumë. Janë diku mbi 80 redaktorë, ndërsa rreth 60 gazetarë në total”, theksoi Boletini.

Kryetari i ri i Bordit të RTK-së, Boletini tha se sa i përket reduktimeve të shpenzimeve, ende mbetet shqetësuese lista e punëtorëve të rregullt, dhe numri i punëtorëve të angazhuar. Madje, ai tha se si bord kanë vendosur që ta eliminojnë këtë dukuri.

“Kemi parë që numri i këtyre personave të angazhuar është 239. Kjo nënkupton që të gjithë kanë hyrë pa konkurs dhe të gjithëve i është vazhduar kontrata ndër vite pa iu vlerësuar performanca. Përveç shpenzimeve që janë bërë, që ndoshta kanë qenë edhe të paarsyeshme, ne jemi të shqetësuar edhe për të drejtat e punëtorëve, sepse ky lloj i kontratës nuk parash asnjë benefit të punës. Ka pasur raste kur gratë lehona kanë dalë në punë një muaj pasi kanë lindë. Ne si bord jemi të vendosur që këtë problem ta eliminojmë”, theksoi ai.

Boletini ka siguruar anëtarët deputetë të Komisionit se nuk ka me pasur hapje të vendeve të reja të punës në RTK, ndërkohë që theksoi se do të ketë shkurtime.

“Ideja është që nuk ka me pasur rritje të vendeve të punës, ashtu qysh është raportuar para disa ditëve, përkundrazi ka me pasur shkurtime racionale në dobi të funksionimit të mirë të RTK-së”, theksoi ai.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se si Kuvend kanë interes që RTK-së t’i sigurojnë një pavarësi editoriale ku sundon rendi dhe ligji.

“Këto informacione na duhet t’i diskutojmë në një frymë të sinqeritetit, të cilën ne nuk e kemi pasur më herët. Prandaj, që ne dhe ju nuk kemi qëndrime të ndara, të dyja palët i kemi qëllimet e njëjta ndaj publikut. Kemi interes që të sigurohet një institucion ku ka rend dhe ligj, pavarësi editoriale, qëndrueshmëri financiare dhe kushte solide për punë. Kështu që, të mërkurën mund ta bëjmë këtë diskutim”, theksoi Muja.

Ndërsa, nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku duke kërkuar përgjegjësi nga bordi ri për shlyerjen e borxheve në RTK-së, tha se është gabim të ndahen mjetet për RTK-në çdo tre muaj.

“Për mua është gabim çështja që ne vazhdimisht të bëjmë blerje dhe votojmë një projeksion tremujor, sepse po e cenojmë pavarësinë e RTK-së. Mendoj, se pavarësisht mendimeve ndryshe që kemi ne si pozitë dhe opozitë, besoj se duhet të rregullojmë këtë çështje dhe të krijojmë një pavarësi financiare edhe të RTK-së. Sigurisht se jam që për çdo cent nga Kuvendi të arsyetohet, dhe të raportohet, por jo që ata në një mënyrë t’i vëmë në presion në çdo tre muaj. Si Komision duhet të shqyrtojmë mundësinë e ndryshimit të këtij lloj planifikimi të raportimit”, theksoi Lushtaku.

Kryetari Boletini duke iu përgjigjur Lushtakut, tha se 1.6 milionë euro borxhe nuk janë të përfshira në programin buxhetor për vitin 2022, sepse sipas tij RTK ka 2.2 milionë euro buxhet më pak sesa në vitin paraprak. Boletini më tej shtoi se bordi ka për qëllim dhe strategji për t’i rritur të hyrat përmes aktivizimit të departamentit të marketingut.

Gjatë raportimit, ai ka folur edhe për punësimet dhe të angazhuarit në RTK 2, që transmeton program në gjuhën serbe.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar Programin e Shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-mars 2022 në shumën prej 2 milionë e 240 mijë euro.

Ndërkohë, të mërkurën e ardhshme në këtë Komision do të diskutohet projeksioni i përgjithshëm për krejt vitin 2022 dhe raporti për vitin 2021 i RTK-së. 

Lajmet

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara