Lajmet

​Kryenegociatorët i rikthehen nesër dialogut, ja temat që pritet të diskutohen

Pritet të diskutohet për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat.

Published

on

Të martën në Bruksel do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq. Pas tre muajsh ngërç, në takimin e nesërm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i pari për këtë vit, pritet të diskutohet për të pagjeturit dhe për arritjen e marrëveshjes së përhershme për targat. Megjithatë, ujdia për të njëjtat shihet si vështirë e arritshme në momentumin aktual ndërkombëtar dhe në prag të zgjedhjeve në Serbi.

Njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se rikthimi në tavolinën e bisedimeve të kryenegociatorëve është aspekt pozitiv për avancimin e dialogut.

“Në parim mund të konsiderohet si lajm i mirë rikthimi i kryenegociatorëve në tavolinën e bisedimeve pasi ishte kërkesë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të deleguarve veç e veç të Britanisë dhe Gjermanisë. Prandaj si nismë është e mirë e të dy qeverive që ulen për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi. Në anën tjetër, pritjet në perspektivën tonë janë të vogla duke marrë parasysh edhe momentumin që gjendemi, pasi Serbia është pranë zgjedhjeve parlamentare dhe ndonjë vendim i madh nuk është shumë i pritshëm që të merret në këtë periudhë ku fushata elektorale është në prag të vlimit dhe Kosova gjithmonë është një temë e nxehtë atje”, thotë ai.

Ai thotë se nesër mund të diskutohen tema që kanë mbetur nga raundet e kaluara, sikur ajo për të pagjeturit, dëmet ekonomike dhe marrëveshja për targa.

“Në këtë raund të bisedimeve mund të flitet për disa tema që kanë mbetur nga herët e kaluara, siç është për personat e pagjetur, dëmet ekonomike, apo edhe për marrëveshjen e targave. Me siguri që Serbia do të vë theksin edhe tek marrëveshja e Asociacionit, pasi është edhe taktikë e tyre që në çdo raund të negociatave ta bëjë një gjë të tillë… Pasi kjo marrëveshje (për targat) pak a shumë është implementuar në mënyrë të mirë dhe ka pasur një pajtim të dy palëve, edhe kjo mund të jetë që të vazhdojë kjo marrëveshje ose të kapitalizohet si përfundimtare. Të gjendet një zgjidhje pak më afatgjatë për të, pasi bllokimi dhe situata e tensionuar nuk i konvenoi as Kosovës dhe as palës serbe”, shton ai.

Për të konfirmuar agjendën e diskutimit të nesërm, KosovaPress ka pyetur në Qeverinë e Kosovës dhe Bashkimin Evropian, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Lidhur me takimin e nesërm, KosovaPress ka pyetur sot shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin dhe shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirin, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri kritikoi Qeverinë Kurti për mos transparencë në raport me dialogun dhe tha se çfarëdo draft-marrëveshje që mund të nënshkruhet së pari duhet të vijë në Kuvend.

“Qeveria e Kosovës është shumë jotransparente në këtë proces. Ne si deputetë dhe qytetarët pak dimë për angazhimin e Qeverisë në këtë drejtim. Andaj po e them edhe një herë se unë nuk mund të flas për draftin e mundshëm të një marrëveshjeje të cilën nuk e kemi pa. Do të shohim të ardhmen nëse Qeveria do të ndajë diçka me deputetët e Kuvendit para se të ndodhin takime të tilla”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për dialogun me Serbinë, pala kosovare duhet të diskutojë vetëm për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Është tepër me rëndësi që në këtë fazë të qartësohen gjërat, strategjia dhe qasja që e ka Kosova karshi këtij dialogu. Për neve është me rëndësi që dialogu të kalojë në një etapë tjetër”, deklaroi ai.

Takimi i fundit në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë më 16 nëntor të vitit 2021.

Rajoni

Rektori Hajrizi: Studentët e UBT-së, të gatshëm për tregun global të punës

Published

on

UBT ka dëshmuar se është institucioni lider në arsim, shkencë dhe inovacion në Kosovë e rajon, duke nxjerrë kuadro profesionale që sot kontribuojnë në kompani e industri të nivelit botëror. Në një intervistë në FIVE të Dukagjinit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, thekson se përmes programeve moderne dhe industrive të krijuara brenda institucionit, studentët përgatiten jo vetëm për tregun e punës vendor, por edhe për atë global.

“Ne prodhojmë 400 arkitektë në vit, dhe nuk është se ka aq kompani vendore për t’i absorbuar. Ata punojnë për kompani globale. Po ashtu, ne përgatisim 1.000 programerë çdo vit, dhe kërkesa nuk është vetëm në Kosovë. Janë të mjaftueshme për tregun vendor, por ka kërkesa edhe në nivel botëror”, tha Rektori Hajrizi.

Ai nënvizoi se UBT ka arritur të harmonizojë kërkesat e tregut të punës me programet akademike, duke krijuar kushte që studentët të kenë qasje në teknologjitë më të reja, sikurse universitetet dhe industritë më të zhvilluara të botës.

“Studenti ynë ka mundësi të mësojë e të punojë me teknologjitë më të fundit, njësoj sikur studentët e universiteteve elitare në botë. Ne kemi krijuar edhe industri të brendshme, kompani ku studentët përjetojnë të gjithë ciklin organizativ të teknologjive dhe të kompanive moderne, në mënyrë që kur të dalin në treg të jenë të gatshëm menjëherë”, u shpreh Rektori.

Ai veçoi si shembull programet e arkitekturës dhe urbanizmit, ku studentët përgatiten me koncepte moderne të projektimit, por edhe fushën e “smart cities”, ku UBT është shembull ndërkombëtar për ndërtimin e qyteteve të mençura.

“Smart cities janë e ardhmja e qyteteve dhe e organizimit modern. Ne kemi treguar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen modele të tilla të suksesshme. Nuk ka teknologji që e gjen në Amerikë, Gjermani apo Japoni, e që nuk mund ta hasësh edhe në UBT”, theksoi Hajrizi.

Duke folur për rolin e UBT-së në rajon, Rektori nënvizoi se institucioni ka qenë gjithmonë pararojë me programe unike dhe inovative, duke filluar që nga viti 2001 me menaxhimin inxhinierik, mekatronikën dhe më pas me teknologjitë e reja.

“Besoj se për Ballkanin gjithmonë kemi qenë një lloj lidershipi. Ne kemi qenë të parët që kemi hapur programe moderne, kemi krijuar qendra kërkimore dhe jemi pozicionuar ndërkombëtarisht, nga Londra, Vjena, deri në Finlandë. Ky është tregues se UBT është institucion proaktiv dhe inovativ në nivel global”, theksoi ai.

Në fund, Rektori Hajrizi potencoi se studentët e UBT-së nuk duhet të kenë kompleks inferioriteti, sepse tashmë kanë dëshmuar se janë të barabartë, madje shpesh më të mirë se bashkëmoshatarët e tyre në universitete ndërkombëtare.

“Shumë prej tyre sot punojnë në Zvicër, Gjermani, Amerikë, e më gjerë, duke kontribuar në zhvillime globale. Ky është konfirmim se UBT po udhëheq në Ballkan, duke prodhuar dije e kuadro të nivelit botëror”, përfundoi Rektori Hajrizi.

Continue Reading

Vendi

Në UBT Ferizaj u organizua sesioni informues për bursën prestigjioze Chevening Scholarship

Published

on

UBT Ferizaj ishte mikpritës i një sesioni të veçantë informues për bursën prestigjioze Chevening Scholarship, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ambasadës Britanike në Kosovë, në bashkëpunim me Chevening Alumni Foundation in Kosovo.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët e UBT-së në Ferizaj u njohën me procesin e aplikimit, kriteret e përzgjedhjes dhe afatet e rëndësishme, si dhe morën këshilla praktike për një aplikim të suksesshëm.

Ky aktivitet synoi të nxisë interesimin e studentëve për të aplikuar në bursën Chevening dhe të ofronte njohuri të thelluara mbi mundësitë që kjo bursë ofron pas përfundimit të studimeve, si zhvillimi i aftësive profesionale dhe krijimi i perspektivave të reja karrierike.

Continue Reading

Lajmet

Kosova e Turqia vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim shefin e Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu, me të cilin ka biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

Jashari me këtë rast falënderoi Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve profesionale, raporton KosovaPress.

Ndërsa, shefi i Mbrojtjes së Turqisë ri-konfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lart zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.

Të dy gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, thuhet në njoftimin e FSK-së./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe AMIK nisin projektin “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi” me trajnimin e parë

Published

on

Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua hapja e projektit “Inkuadrimi i Vajzave në Ndërmarrësi”, një iniciativë e organizuar nga UBT në bashkëpunim me AMIK – Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës.

Ky aktivitet ka për qëllim fuqizimin e vajzave dhe grave të reja përmes ofrimit të njohurive praktike, mentorimit dhe krijimit të mundësive të reja për angazhim në botën e ndërmarrësisë. Pjesëmarrëset do të pajisen me shkathtësi të rëndësishme për të ndërmarrë iniciativa profesionale dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke rritur mundësitë e tyre për punësim, krijim të bizneseve të vogla dhe inovacion.

Në hapje të aktivitetit, u theksua rëndësia e partneritetit mes institucioneve akademike dhe sektorit financiar për mbështetjen e gjeneratës së re të sipërmarrësve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vuri në pah se projektet e tilla janë të nevojshme për të krijuar një platformë të qëndrueshme për ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik në nivel vendi, dhe se bashkëpunimi me sektorin financiar dhe organizatat që mbështesin inovacionin është kyç për suksesin e vajzave të reja.

Zëvendësguvernatorja e Bankës Qendrore të Kosovës, Nesrin Shileku-Shala, i inkurajoi pjesëmarrëset duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar, planifikimit dhe guximit për të ndërmarrë iniciativa të reja, duke u bërë modele suksesi për komunitetet e tyre.

Drejtori i Bordit të AMIK, Adrian Alo, theksoi se fuqizimi i vajzave përmes projekteve të ndërmarrësisë kontribuon në stabilitetin ekonomik dhe përfshirjen sociale, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorit mikrofinanciar dhe inovacionin në vend.

Përfaqësuesi i AMIK, Prof. Shpresim Vranovci, nënvizoi rëndësinë e mentorimit dhe krijimit të rrjetit të kontakteve për pjesëmarrëset, si një element kyç për arritjen e suksesit profesional dhe zhvillimin e projekteve të reja sipërmarrëse.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, theksoi se institucioni mbetet i përkushtuar të ofrojë platforma praktike për zhvillimin e studentëve dhe të rinjve, duke i lidhur ata me sektorët strategjikë të ekonomisë dhe aktorë që kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të reja për punësim, ndërmarrësi dhe inovacion.

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vajzave dhe grave në ekonominë inovative dhe ndërmarrëse të vendit, duke nxitur një kulturë të barazisë, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Continue Reading

Të kërkuara