Lajmet

​Krasniqi flet në Hagë për objektet dhe spitalin provizor në Zllash

Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.

Published

on

Selatin Krasniqi është dëshmitari i 12-të i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë dhe sot para trupit gjykues ka folur për objektet e familjes së tij në fshatin Zllash dhe një spital të improvizuar aty. Dëshmitari ka thënë se në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s ai ndodhej në shtëpinë e tij në fshat dhe se lajmin për sulme e kishte marrë nga Isa Kastrati. Ai ka folur për datën 20 prill të vitit 1999 ku sipas tij kishte shumë të plagosur, të cilëve bëhej përpjekje t’u ofrohej ndihmë në një spital provizor në Zllash.

Krasniqi ka thënë se në vitin 1999 ai po qëndronte në shtëpinë e familjes në Zllash derisa këta të fundit ndodheshin në Prishtinë.

“Atë natë isha në shtëpinë time në Zllash. Kam qenë unë, kanë qenë edhe disa të tjerë. Kisha dalë diku në nëntor të ’98-ës në Zllash. Në ’98-ën në korrik, mes korrikut dhe fillimit të shatorit UÇK kërkoi nga prindërit e mijë, xhaxhallarët të ua lirojmë shtëpinë, personi që u liruam shtëpinë ishte Rrahman Dini me pseudonimin Bali. Më pas unë si i ri kam bajt nga pak armatim, dhe policia serbe e mori vesh në nëntor 98-ës, më arrestoi por pas dy tre orë baba intervenoi dhe më liruan dhe dola ika në Zllash”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se më 26 ose 27 mars kishte shkuar në Prishtinë ku kishte qëndruar deri më datën 30 të muajit apo 1 prill 1999.

“Më 26 ose 27 mars kemi shkuar në Prishtinë, unë pasi kam qenë i asaj ane e kam ditë pak terenin, i kam dërguar disa grupe deri në fshatin Butovc, disa i kam lënë në Mramor, dhe kam hy vet në Prishtinë, me disa persona. Deri më 30 ose me të parin kemi qëndru, nuk jam i sakë me datë. Qëndruam në Prishtinë afër Medresesë, një mëngjes ka ardhur një shok i imi nga Kodra e Trimave më ka thirr më ka thënë ‘forcat serbe hynë në Kodër të Trimave hajde’, jemi dalë në Vranjec e kam takuar Shpendin dhe më ka sugjeruar që me urdhër të Rrahman Dinit, komandant Calit, Fatmir Humollit, është që ne mos me bë diçka, mos me gjuajt në serbë, me qetësu popullatën dhe me ju ndihmu”, ka thënë Krasniqi.

Nga Prishtina, Kraniqi ka thënë se kishte arritur në Zllash mëngjesin e 1 prillit. Atë ditë ai ka thënë se aty ka parë qindra persona, në mesin e tyre gra e fëmijë të dëbuar nga Prishtina.

Shtëpia në Zllash, Krasniqi ka thënë se ishte në pronësi të axhës së tij prej vitit 1920. Ai ka thënë se shtëpitë kanë qenë të Adem Krasniqit por me fletëposeduese në pronësi të Kadri Krasniqit, të cilët ishin vëllezër.

Në Zllash ai ka thënë se ishin rreth gjashtë dhoma të gatshme për fjetje. Dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin strehuar në lagjen Cubaj deri më 17 prill kur sipas tij kishte filluar ofensiva.

“Pas tre katër ditë kam ardhur prapë në Prishtinë, pasi ka kaluar familja në atë shtëpinë ku e ceka më herët, kam ardhur në Prishtinë, kam marrë gjëra ushqimore për familjen dhe jam kthyer prapë në Zllash, më datën 3 ose 4 prill”, ka thënë ai.

Derisa është marrë në pyetje nga avokati i mbrojtjes, Julius Von Bone, dëshmitari është përgjigjur rreth shtëpive të familjes së tij në Zllash.

Ndërsa lidhur me dhomën që përdorej si ‘odë’, Krasniqi ka thënë se nga 20 prilli ishte shndërruar qendër spitali për të plagosurit nga Vitia e Marecit, Mramorit dhe Prapashticës.

“Kena fjetur aty, jo vetëm unë, Rrahman Dini ka qëndruar në odë aty, kanë qenë shtretërit, tani më 20 prill është bërë si qendër spitali mundem me thënë, kur i kemi sjell të plagosurit nga Vitia e Marecit, dy dhoma i ka pasur”, ka thënë ai.

Aty, ai ka thënë se ndihmonin infermierë, ndër të cilët ai përmendi Teutën dhe Ibadetin.

“Avnia ka qenë i plagosur, Avni Haziri dhe Avni Gashi, Sokol Sopi, Afrim Vitia. Më datë 20 prill 1999 gjatë granatimeve në Viti, disa ushtarë kanë vdekur e disa janë plagosur, por jo vetëm prej Vitisë së Marecit por kanë sjellë edhe prej Mramorit, prej Prapashticës, prej pjesëve të tjera. Kur kemi arrit në ora 12 të natës aty ka qenë tmerr, në këto dy dhomat, kërkonin ndihmë, nuk kishin mundësi mjekët dhe infermierët aty me iu dhënë sepse nuk kishte pajisje të mjaftueshme”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se nuk është në dijeni se kush e kishte marrë vendimin për të shfrytëzuar objektin si qendër spitali meqë nga data 17 deri më datën 20 prill ndodhej në viti të Marecit.

“Prej datës 17 nuk kam qenë aty, kam qenë në Viti të Marecit, dhe diku është dashur t’i lëmë ata të plagosur, nuk kemi mundur t’i lëmë jashtë. Ka pasur edhe në objektin tjetër qind për qind”, ka shtuar Krasniqi.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Sipas Dhomave të Specializuara, “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Continue Reading

Aktualitet

UBT fton studiues dhe profesionistë për dorëzimin e abstrakteve në Konferencat e Shkencave Politike dhe Sigurisë

Published

on

UBT ka kënaqësinë të ftojë studiues, akademikë, profesionistë dhe studentë të interesuar të marrin pjesë në nënkonferencat Studime të Sigurisë dhe Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, pjesë e edicionit të 14-të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion 2025.

Ky edicion i fokusuar në Qëndrueshmërinë dhe Reziliencën synon të sjellë së bashku ekspertë dhe studiues për të shkëmbyer ide, përvoja dhe rezultatet më të fundit kërkimore në fushat e sigurisë, shkencave politike dhe arsimit.

Konferenca për Studime të Sigurisë

Afatet e rëndësishme:

  • Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
  • Njoftimi për pranimin: 17 tetor 2025
  • Dorëzimi i punimeve të plota: 14 nëntor 2025
  • Regjistrimi i hershëm: 17 tetor 2025
  • Regjistrimi i vonshëm: 20 tetor 2025

Kjo konferencë synon të krijojë një platformë ku studiues dhe praktikues mund të japin një pasqyrë të fushës, të prezantojnë rezultatet më të fundit kërkimore dhe të shkëmbejnë ide dhe përvoja në shkencat politike dhe siguri.

Temat dhe objektivat kryesore përfshijnë:

  • Siguria njerëzore
  • Paqja dhe demokracia
  • Siguria kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare
  • Konfliktet pas Luftës së Ftohtë
  • Çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor
  • Konfliktet ndërshtetërore dhe etnike: shkaqet dhe zgjidhjet

Dorëzimi i punimeve:

Punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe të mos jenë në shqyrtim diku tjetër. Maksimumi i faqeve është 6. Punimet që nuk i plotësojnë kriteret e formatit nuk do të shqyrtohen.

Konferenca për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare

Afatet e rëndësishme:

  • Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
  • Njoftimi për pranimin: 17 tetor 2025
  • Dorëzimi i punimeve të plota: 14 nëntor 2025
  • Regjistrimi i hershëm: 17 tetor 2025
  • Regjistrimi i vonshëm: 20 tetor 2025

Kjo konferencë ndërkombëtare e shqyrtuar nga kolegët (peer-reviewed) ofron një mundësi për shkëmbimin e njohurive midis studiuesve inovativë, studentëve pasuniversitarë, kandidatëve doktoraturë dhe profesionistëve në arsim dhe zhvillim, si dhe në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti fokusohet në ndërtimin e sistemeve arsimore të qëndrueshme për një të ardhme të qëndrueshme.

Temat kryesore përfshijnë:

  • Politikat publike dhe arsimi
  • Ekonomia politike dhe administrata publike
  • Demokracia, migracioni dhe politikat e integrimit
  • Digjitalizimi i proceseve zgjedhore dhe anti-korrupsioni në Ballkan
  • Siguria globale dhe kërcënimet ndërkombëtare
  • Terrorizmi, krimi i organizuar transnacional, lufta kibernetike
  • Arsimi në zonat e konfliktit dhe roli i tij në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm
  • Rikonstruksioni arsimor pas konflikteve dhe arsimi për refugjatët

Dorëzimi i punimeve:

Ashtu si për konferencën e sigurisë, punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe të mos jenë në shqyrtim diku tjetër. Maksimumi i faqeve është 6 dhe punimet që nuk i plotësojnë kriteret nuk do të konsiderohen.

Continue Reading

Aktualitet

UBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025

Published

on

UBT ka bërë hapjen e thirrjes për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025 (IC-LAC), e cila këtë vit organizohet në kuadër të Konferencës së 14-të Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion.

Ky aktivitet shkencor do të bashkojë studiues, akademikë, studentë të cikleve të avancuara, doktorantë, ekspertë të fushës dhe profesionistë të arsimit nga vende të ndryshme të botës, me synim shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira mbi gjuhën, kulturën dhe ndërthurjen e tyre në sistemet bashkëkohore arsimore.

Tema kryesore e këtij edicioni është: “Ndërtimi i sistemeve arsimore reziliente për një të ardhme të qëndrueshme.”

Datat kryesore:

  • Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
  • Njoftimi i pranimit & rishikimi shkencor: 17 tetor 2025
  • Regjistrimi i hershëm: deri më 17 tetor 2025
  • Regjistrimi i vonuar: deri më 20 tetor 2025
  • Dorëzimi i punimit të plotë: 14 nëntor 2025

Qëllimet dhe objektivat

Konferenca IC-LAC synon të hapë një hapësirë të gjërë diskutimi mbi rolin e gjuhës dhe kulturës në shoqëritë moderne, duke nxitur qasje multidisiplinare për edukimin dhe komunikimin ndërkulturor.

Fushat e diskutimit përfshijnë:

  • Gjuha dhe kultura në arsim
  • Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie dhe të nxënë
  • Komunikimi ndërkulturor dhe shumëgjuhësia
  • Praktikat e qëndrueshme në edukimin gjuhësor
  • Inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në të nxënit e gjuhëve
  • Përkthimi, interpretimi dhe komunikimi global
  • Rezilienca arsimore dhe dizajnimi i kurrikulave

Dorëzimi i punimeve

Punimet e paraqitura duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe të mos jenë në proces shqyrtimi në konferenca të tjera. Gjatësia maksimale e një punimi është 6 faqe. Punimet që nuk respektojnë kriteret e formatimit nuk do të merren në konsideratë.

Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë me hulumtimet e tyre shkencore dhe praktikat profesionale, duke u bërë pjesë e një platforme ndërkombëtare shkëmbimi idesh që synon të forcojë lidhjen mes gjuhës, kulturës dhe arsimit për një të ardhme më të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata spanjolle liron Dani Alves-in

Published

on

Gjykata e Lartë e Katalonjës ka rrëzuar të premten dënimin për përdhunim ndaj ish-futbollistit brazilian Dani Alves, duke arsyetuar se çështja kishte mospërputhje dhe kontradikta në dëshmitë e paraqitura.

Alves, 41 vjeç, ishte dënuar vitin e kaluar me katër vjet e gjysmë burg për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë në vitin 2022. Megjithatë, gjykata e apelit vendosi se dëshmia e akuzueses nuk kishte besueshmëri të mjaftueshme, duke theksuar se mungonin prova të qarta për të mbështetur akuzën.

“Dani Alves është shumë i lumtur. Ai është i pafajshëm, kjo është demonstruar. Drejtësia ka folur,” deklaroi avokatja e tij, Ines Guardiola.

Ndërkohë, avokatja e akuzueses, Ester Garcia, paralajmëroi se do ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme të Spanjës, proces që mund të zgjasë deri në një vit./S.K/KP/Morung Express/

 

Continue Reading

Lajmet

Caktohet data, Pogba rikthehet në fushë

Published

on

Paul Pogba është shumë pranë rikthimit në futboll pas një periudhe të gjatë mungese tha trajneri i Monacos, Adi Hütter. Ai zyrtarisht ka konfirmuar se mesfushori francez po përparon ndjeshëm.

“Fizikisht dhe mendërisht po shkon mirë. Është stërvitur për tre muaj dhe është afër kthimit në skuadër,” deklaroi Hütter.

Sipas mediave franceze, Pogba pritet të jetë i disponueshëm më 5 tetor, në ndeshjen e Ligue 1 kundër Nice në Stade Louis II.

Ndërkohë, rikthimi në sfidën e së shtunës kundër Lorient shihet më pak i mundshëm.

Ish-mesfushori i Juventusit nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që prej 3 shtatorit 2023, kur u aktivizua ndaj Empolit.

Pak javë më vonë, ai u pezullua për doping dhe u dënua fillimisht me katër vite jashtë fushave. Megjithatë, në tetor 2024, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv uli ndalimin në 18 muaj, që skadoi më 11 mars 2025.

Pas ndarjes me Juventusin, Pogba refuzoi një transferim në MLS dhe verën e kaluar nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Monacon, e vlefshme deri më 30 qershor 2027.

Klubi monegask e ka regjistruar 31-vjeçarin edhe për Ligën e Kampionëve, ku pritet të rikthehet në tetor.

Ky rikthim do të shënojë një moment të rëndësishëm për kampionin e botës 2018, i cili synon të rifitojë formën dhe të lërë pas periudhën më të vështirë të karrierës së tij./S.K/KP/CNN/

Continue Reading

Të kërkuara