Lajmet

​Kosova dhe Shqipëria nisin planin operacional për adresimin e barrierave ekonomike

Hajdari tha se pikërisht për këtë qëllim, kanë ngritur Sekretariatin për adresimin e barrierave tregtare Kosovë-Shqipëri.

Published

on

Si rezultat i arritjes së disa marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ka nisur së zbatuari plani operacional për adresimin e barrierave ekonomike e tregtare midis këtyre dy shteteve. Kështu bëri të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

Ndërsa, kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka pyetur ministren Hajdari për mundësinë e krijimit të lehtësirave për regjistrimin e bizneseve të Shqipërisë në Kosovë.

“Ka qenë e rekomanduar për fillimin e një procesi të lehtësimit të bizneseve nga Shqipëria që regjistrohen në Kosovë dhe të vendit tonë në Shqipëri. Për këtë çka keni ndërmarrë që numri i regjistrimit të bizneseve ose lehtësitë procedurale që bizneset e këtyre dy vendeve të kenë një ngritje në këtë relacion?”, ka pyetur Shala.

Ministrja Hajdari tha se pikërisht për këtë qëllim, kanë ngritur Sekretariatin për adresimin e barrierave tregtare Kosovë-Shqipëri, edhe sa i përket regjistrimit të bizneseve.

“Për këtë qëllim ne si Qeveri kemi pasur takim ndërqeveritar me Republikën e Shqipërisë dhe së bashku me ministren e Ekonomisë, jemi në plan operacional për lehtësimin e të bërit biznes në të dy shtetet, në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe një ndër to është që të kemi edhe lehtësi për regjistrime të bizneseve. Përpos barrierave tregtare që kanë qenë të shprehura aty këtu në kufi dhe është ngritur sekretariati për këtë çështje mes Shqipërisë dhe Kosovës për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe në fushat e tjera si në arsim dhe të tjera mes dy republikave. Pra, ne kishim pas disa marrëveshje të bashkëpunimit shumë të mira, por nuk ka pasur plane operative konkrete si të veprojmë”, theksoi Hajdari.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në mbledhjen e sotme ka miratuar në parim Projektligjin për Turizmin.

Këtë Projektligj e ka arsyetuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila theksoi se ky projektligj është i rëndësisë së veçantë dhe me interes kombëtar.

“Ligji për turizmin synon të vendos bazën ligjore për zhvillimin e turizmit konkurrues dhe të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës, duke shfrytëzuar burimet natyrore, kulturore, njerëzore e financiare. Po ashtu, është në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet bashkëkohore… Jemi duke punuar po ashtu edhe për strategjinë për turizmin dhe besoj se ky ligj do ta ndihmojë po ashtu në zbatimin e planeve vjetore për turizmin. Andaj, ju ftoj për përkrahjen e këtij projektligji, sepse është me rëndësi të veçantë dhe interes kombëtar”, u shpreh ajo.

Në këtë Komision është shqyrtuar edhe Plani i performancës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.

Zëvendësuesi i drejtorit menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Avni Jashari tha se Fondit Sovran pritet t’i barten 41 mijë hektarë tokë, 24 objekte administrative dhe 70 asete të tjera të ndërmarrjeve.

Jashari duke treguar se e gjithë vlera aktuale e shpronësimeve është rreth 80 milionë euro, theksoi se transformimi i pronave do të ndodhë vetëm atëherë kur të miratohet Ligji për krijimin e Fondit Sovran.

“Kemi pasur takime konsultuese me kryesuesin e Grupit për themelimin e Fondit Sovran lidhur me asetet të cilat parashihen që të barten tek Fondi sovran me procedurë ligjore, ligj i cili duhet të miratohet në Kuvend. Në parim asetet të cilat janë paraparë të transferohen janë tokat e pa shitura, diku rreth 41 mijë hektarë tokë, 24 objekte administrative të cilat mund të përdoren për akomodimin e institucioneve publike, dhe rreth 70 asete të tjera, të cilat i përkasin ndërmarrjeve të ndryshme shoqërore, por që mund të kenë një potencial për zhvillim ekonomik. Informatën e vetme e kemi që është miratuar koncept-dokumenti prej Grupit Punues për themelimin e Fondit Sovran… Se sa është kostoja e atij procesi varet sa asete vendosin në fund t’i transferojnë në Fondin Sovran. Tash kostoja aktuale e shpronësimit është diku rreth 80 milionë euro, me ligjin e AKP-së paguhet 20 përqindëshi i kostos totale të shpronësimit”, theksoi ai.

Me tej Jashari tha se Agjencia ka miratuar strategjinë përmbyllëse të Agjencisë për tri vjetët e ardhshme, derisa u shpreh po ashtu se sfida më e madhe për vitin 2022 mbetet përgatitja e listave të punëtorëve nga ndërmarrjet.

Në këtë raportim ka marrë pjesë edhe Syzana Dautaj Surdulli zëvendëskryesuese e Bordit të AKP-së, e cila bëri me dije se për vitin 2022 kanë planifikuar t’i shkurtojnë shpenzimet për paga, mallra dhe shpenzime në vlerë prej 2.6 milionë euro.

Surdulli para Komisionit tregoi po ashtu se kur mund të nis procesin e privatizimit AKP-ja.

“Lista tjetër e aseteve është listë me të cilën ne synojmë të fillojmë me shitjen dhe privatizim, porsa të merret vendimi nga Qeveria. Aktivitet tjetër është edhe kursimi i mjeteve të konsiderueshme buxhetore, që kemi bërë gjatë këtyre pesë muajve… Andaj, ne kemi vendosur që t’i zbresim pagat duke filluar nga 30 deri 10 përqind. Ky lloj i kursimit në paga e arrin vlerën 1 milionë e 400 mijë euro. Përpos këtyre kursimeve kemi bërë edhe disa kursime të tjera në mallra dhe shërbime, që në total kursimet arrijnë në vlerë prej 2 milionë e 600 mijë euro në buxhetin për vitin 2022”, theksoi ajo.

Komisioni për Ekonomi miratoi në parim Projektligjin për Markat Tregtare, si dhe Projektligjin për Mbrojtjen e Sekreteve Tregtare.

Lajmet

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Lajmet

AUV gjen ADN të pulës në suxhukun shtëpiak të prodhuesit BUQUKU, bllokohen 178 kilogramë produkte

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të prodhuesit BUQUKU SH.P.K. nga Peja, ndonëse në deklaracionin e produktit figurojnë vetëm mish dhe yndyrë lope.

Sipas AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe të pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është detektuar.

Agjencia ka bërë të ditur se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Verifikimet e mëtejshme pritet të sqarojnë nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.

Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te operatori ekonomik, ku janë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte: 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak.

Njëkohësisht, AUV ka urdhëruar ndalimin e prodhimit të suxhukut dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

Agjencia ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera të mishit të këtij operatori, burimin dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë me deklaracionet.

AUV ka sqaruar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të prodhuesit.

Sipas agjencisë, konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen e produkteve ushqimore, ndërsa deklarimi i saktë dhe respektimi i standardeve të sigurisë ushqimore janë detyrim ligjor i çdo operatori ekonomik.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara