Lajmet

​Komisioni për Buxhet miratoi projektligjin për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

Kundër këtij projektligji u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Published

on

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë.

Ministri Murati tha se përmes këtij projektligji do të falen 100 eurot e para për tatimin në pronë, kjo sipas tij do të zvogëlojë barrën tatimore për qytetarët. Ai tha se në projektligj përfshihet edhe ulja e pragut të tatimit në pronë nga 0.15 për qind në 10 për qind, ndërkaq potencoi se prej vitit 2025 do të fillojë zbatimi i tatimit progresiv.

“Propozimi është për zbritjen apo faljen e 100 eurove të para deri në shumën vitit aktual për tatim paguesit e tatimit në pronë, në mënyrë që të lehtësohet barra për qytetarët. Për më tepër, sa i përket vitit 2024 ka disa ndryshime tranzitore, psh shuma e zbritur nga tatimi apo vlera e tatueshme e banimit rezidencial, në ligjin aktual është 15 mijë euro, kurse propozimi është që të dyfishohet në 30 mijë eurot e para. Po ashtu është bërë një ndryshim sa i përket tokës, pra është bërë që 50 mijë eurot e para të vlerës për tokë bujqësore të lirohet nga tatimi…Në periudhën kalimtare është paraparë edhe ulja e pragut të shkallës tatimore të poshtme që aktualisht për gjitha kategoritë është 0.15 për qind, andaj është paraparë të ulen në 0.10 për qind, ku iu mundësohet komunave që të ulin këtë prag. Nga viti 2025 e tutje pastaj, është paraparë që të fillojë zbatimi i tatimit progresiv”, tha ai.

Por kundër këtij projektligji u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai kritikoi ministrin Murati se po ndërmerr një reformë të madhe të tatimit në pronë në mënyrë at-hoc, e cila sipas tij është jo profesionale dhe e dëmshme. Ai paraqiti disa të dhëna të cilat tha se i ka kalkuluar vet, ku thekson rënien e të hyrave komunale dhe trefishimin e tatimit në pronë për bizneset.

“Një reformë kaq e madhe me kalua në këtë mënyrë at-hoc është jo profesionale dhe e dëmshme. Unë i kam bërë disa vlerësime për ndikimin buxhetor që ka në komuna ky projektligji. E kam marrë vetëm komunën e Prishtinës si mostër e komunave gjithandej. Mua po më del se nga rreth 92 mijë fatura që lëshohen për tatimin në pronë, 47 mijë fatura janë me vlerë deri 100 euro, ndërsa 44 mijë të tjera janë me vlerë mbi 100 euro. Si ngarkesë totale, Komuna e Prishtinës i ka 16.9 milionë euro, prej të cilave 6.8 milionë tash falen me këtë vendim…Një pronë që ka vlerë 5 milionë që është pronë krejt e vogël rrugës për Veternik, 116 për qind i rritet tatimi në pronë. Një pronë tjetër që ka vlerë 20 milionë euro 175 për qind”, theksoi Hoti.

Atij iu kundërpërgjigj ministri Murati, i cili tha se edhe në bazë të kalkulimeve të deputetit Hoti, komunat prapë do të arrijnë t’i mbledhin të hyrat për tatimin në pronë mbi nivelin e vitit të kaluar.

“Nëse ju kuptova saktë në rastin e Prishtinës ju thatë se nga tatimi në pronë ka diku 16 milionë euro të hyra dhe 6 milionë i bie të falen sipas këtij propozimi, apo jo. Kjo i bie që komuna prapë 10 milionë euro i mbledh nga faturimi. Nëse ju kam kuptuar saktë ju e thatë që tatimi në pronë është dyfishuar që i bie që ky 16 milionëshi përpara ka qenë 8 dhe tash është bërë 16 milionë. Nëse ka qenë 8 dhe është dyfishu është bërë 16, kjo që i thatë ju. Tash nëse ka qenë 8 milionë dhe është bërë 16 pasi është dyfishuar sipas juve. Tash me këtë zbritje apo falje të tatimit po iu mundësojmë që mbi 50 për qind të qytetarëve të komunës së Prishtinës të mos paguajnë fare dhe nivel vendi 85 për qind të mos paguajnë fare dhe prapë Komuna e Prishtinës të mbledh pak më shumë se bizneset e mëdha po paguajnë më tepër për shkak të rivlerësimit, nuk po shoh se ka një problem këtu”, deklaroi Murati.

Ndërkaq, sa i përket tatimit progresiv, Murati tha se nuk e sheh asnjë problem që dikush që ka vlerë të pronës mbi 5 milionë euro të paguajë më shumë tatim

“Nuk shoh ndonjë problem që dikush që ka vlerë të pronës 5 milionë euro apo 20 milionë euro të paguaj pak më shumë. Nëse ka paguar 20 mijë tatim dhe tash i bie 30 apo 40 mijë euro, nuk e shoh që është problematike”, tha ai.

Kritik ndaj qasjes së ministrit Murati për tatimin në pronë u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Ka komuna që i dëmton, pasi ka komunë një leje të ndërtimit, si Kamenica, Juniku, Deçani se sa leje të ndërtimit i lëshon. Nëse bazën e të hyrave i ka në tatimin në pronë kjo i dëmton. Tani nëse dëshirojmë t’i lirojmë qytetarët atëherë ne diçka duhet me veprua…Është dashur një konsultë paraprake më e gjerë me qytetarët, bizneset dhe ata që kanë impakt pozitiv në ekonominë e Kosovës”, tha ai.

Komisioni në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe raportin me amendamente të komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport për Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Lajmet nga UBT

Fondacioni “UBT Jim Xhema” hap konkursin për ndarjen e bursave për studime Bachelor dhe Master

Published

on

Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave të studimeve për nivelin Bachelor dhe Master në UBT. Ky konkurs vjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe statutin e fondacionit, duke synuar të ofrojë mundësi konkrete për zhvillim akademik dhe profesional për studentët e shkëlqyer në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.

Konkursi synon të mbështesë studentët e dalluar, të cilët kanë treguar rezultate të larta akademike dhe potencial për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm shkencor dhe kërkimor. Përmes bursave të ofruara, Fondacioni synon të fuqizojë kapacitetet e gjeneratës së re dhe të krijojë mundësi reale për zhvillim profesional në drejtimet bashkëkohore që ofron UBT.

Kriteret e aplikimit

Kandidatët për studime Bachelor duhet të bashkëngjitin:

  • Dëshmi nga shkollimi i mesëm me notë mesatare së paku 4.5;
  • Dokument që vërteton vlerësimin në vendet e para në gara të fushës së edukimit;
  • Ekstraktin e lindjes;
  • CV-në personale.

Kandidatët për studime Master duhet të bashkëngjitin:

  • Diplomën e fakultetit (origjinale ose kopje të noterizuar) me notë mesatare jo më pak se 9.0;
  • CV-në;
  • Ekstraktin e lindjes;
  • Dy rekomandime nga ekspertë të njohur të fushës.

Në të dy nivelet, komisioni përzgjedhës rezervon të drejtën të kërkojë dokumente shtesë për verifikim dhe plotësim të rastit.

Aplikimi realizohet vetëm online përmes linkut të dedikuar: LINKU I APLIKIMIT ONLINE

Kandidatët duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet e kërkuara — aplikacionet jo të plota nuk do të merren në shqyrtim.

Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, lista e studentëve përfitues do të publikohet në uebfaqen zyrtare të Fondacionit “UBT Jim Xhema”.

Konkursi është i hapur nga 04 dhjetor 2025 deri më 15 dhjetor 2025, në ora 24:00.

Pas shpalljes së rezultateve, kandidatët që nuk janë përzgjedhur kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 7 ditësh. Ankesat dorëzohen në arkivin e Fondacionit dhe shqyrtohen nga komisioni përkatës.

Ky konkurs paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë ambiciozë që synojnë të avancojnë arsimimin e tyre në një institucion të akredituar, modern dhe të orientuar drejt inovacionit. Fondacioni “UBT Jim Xhema” vazhdon misionin e tij për mbështetjen e talenteve të reja dhe krijimin e kushteve për zhvillim akademik cilësor në Kosovë dhe rajon.

Continue Reading

Lajmet

Protesta në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës pritet të mbahet më 13 dhjetor në Shkup

Published

on

By

Protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sipas raportimit të Nacionale, protesta do të nisë nga ora 13:00. Deri më tani, tubime të ngjashme janë organizuar në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

Continue Reading

Lajmet

​Ekstradohet nga Hungaria i dënuari me katër vjet burg

Published

on

By

Sot është realizuar me sukses ekstradimi nga Hungaria në Kosovë i shtetasit S.T. (49), nga fshati Gjonaj i Prizrenit, i cili kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas autoriteteve, ai ishte dënuar për disa vepra penale, përfshirë blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, kultivimin e bimëve narkotike si dhe posedimin e paautorizuar të armëve. Ndaj tij ishte shqiptuar dënimi prej tre vjet e 10 muaj burgim dhe një gjobë prej 4 mijë eurosh, të cilit i ishte shmangur.

Continue Reading

Lajmet

​Superkompjuteri parashikon fituesin e Kupës së Botës

Published

on

Superkompjuteri i Opta-s ka analizuar mijëra skenarë për Kupën e Botës 2026 dhe në krye të favoritëve del Spanja e Luis de la Fuentes.

Kampionët e Evropës shfaqen me një probabilitet 17 për qind për të fituar trofeun dhe modeli statistikor i vendos ata qartë përpara rivalëve.

Pas tyre vjen Franca me 14.1 për qind, e cila kërkon të shkruajë histori duke synuar finalen e tretë radhazi, një arritje që deri tani i përket vetëm Gjermanisë dhe Brazilit.

Në vendin e tretë qëndron Anglia me një shans 11.8 për qind, një ekip i fortë statistikisht por i penguar prej dekadash nga mungesa e trofeve të mëdha.

Argjentina, kampionia aktuale e botës, ka vetëm 8.7 për qind për të përsëritur suksesin e vitit 2022, megjithatë mbetet kombi jo-evropian me shanset më të mira. Ndërkohë Portugalia, me 6.6 për qind, shihet si ekipi më premtues që nuk ka fituar kurrë një Kupë Bote dhe kërkon të shfrytëzojë momentin e mirë pas triumfit në Ligën e Kombeve.

Sa i përket mikpritësve, vetëm Meksika ka një shans të matshëm me 1.3 për qind, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja mbeten shumë larg garës për titull. Nga Afrika, Maroku ruan statusin e ekipit më konkurrues, me 1.1 për qind, duke u mbështetur në ecurinë historike të vitit 2022.

Superkompjuteri ka dhënë verdiktin e tij dhe nëse statistikat dalin të sakta, Spanja duhet të fillojë të përgatisë hapësirën për një trofe të ri në muzeun e saj./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara