Lajmet

​Komisioni hetimor për krizën energjetike pritet të intervistojë edhe krerët e partive politike

Pas këtyre diskutimeve, komisioni vazhdoi mbledhjen pa praninë e mediave.

Publikuar

Komisioni hetimor për menaxhimin e krizës energjetike pritet të intervistojë përgjegjësit kryesorë në sektorin energjetik në Kosovë. Përveç këtyre, në mbledhjen e sotme u diskutua që si dëshmitar të ftohet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ndërkohë u dha si propozim nga deputetët e LVV-së që në listën e dëshmitarëve të përfshihen edhe kryetarët e partive opozitare.

Megjithatë, miratimi i planit të veprimit u vendos që të bëhet në mbledhjen e radhës. Propozimet fillestare për intervistimin e dëshmitarëve i dha kryetari i komisionit, Driton Selmanaj.

“Lista e dëshmitarëve për intervistim i kam cekur vetëm institucionet, jo emrat e përveçëm. Fillimisht është Qeveria, në kuadër të saj është Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, ZRrE-ja, KOSTT, KEK, KEDS dhe KESCO. Pastaj është Ndërmarrja Kosova Thëngjill, ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj, Avokati i Popullit, Naim Qelaj dhe Agjencia Anti-Korrupsion”, tha ai.

Kërkesë shtesë për intervistim parashtroi anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.

“Të shtohet lista edhe me ekipin e task-forcës dhe të gjitha grupeve të tjera operacionale-teknike apo organizative që kanë vepruar gjatë periudhës së menaxhimit të krizës energjetike”, shtoi Shala.

Nga ana tjetër, anëtari i komisionit nga radhët e LVV-së, Artan Abrashi, tha se në listën e të intervistuarve të përfshihen edhe krerët e partive politike, për pretendimet e tyre në kohën kur është miratuar gjendje emergjente për menaxhimin e krizës energjetike.

“Në kuadër të listës së personave që duhet të intervistohen duhet të jenë edhe kryetarët e partive politike. Pasi në kohën kur është miratuar gjendja emergjente për menaxhim të krizës kanë bërë pretendime të cilët kapin elemente që mund të jenë interes i këtij komisioni për t’i hetuar”, tha ai.

Këtë kërkesë e përkrahu edhe kryetari i komisionit, Driton Selmanaj.

“Do të provojmë të fokusohemi profesionalisht sa mundemi. Nëse vlerësojmë se dikush nga politikanët në Kosovë mund të na ndihmojë në aspektin profesional të zbardhjes së vërtetës, pa asnjë telashe i ftojmë”, shtoi ai.

Pas këtyre diskutimeve, komisioni vazhdoi mbledhjen pa praninë e mediave, ku u diskutua për angazhimin e ekspertëve dhe miratimin e buxhetit të komisionit.

Lajmet

Avancimi i statusit të Kosovës në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s këtë fundjavë

Publikuar

nga

Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet këtë fundjavë në Sofje të Bullgarisë.

Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate.

Në komunikatën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar”.

Autoritetet e Kosovës bënë të ditur qysh në mars se Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e ka avancuar statusin e Kuvendit të Kosovës në këtë trup.

Në Serbi, Instituti Ndërkombëtar për Siguri u angazhua për ta penguar avancimin e Kosovës në këtë organizatë.

Në një thirrje drejtuar saj, ai tha se konsideron se dhënia e statusit të anëtarit të asocuar Kuvendit të Kosovës, “do të ishte e dëmshme si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ashtu edhe për proceset e stabilizimit dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.

“Demokracia në Kosovë nuk është funksionale. Institucionet e saj janë të ngarkuara me një nivel jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit dhe praktikave të tjera jodemokratike, ndërsa të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht ato serbe, nuk mbrohen”, pretendoi organizata me seli në Beograd.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

Organizata serbe tha, po ashtu, se nëntë anëtarët aktualë të asocuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga “vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht” dhe se “dhënia e të njëjtit status Kuvendit të Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm”.

Si funksionon Asambleja Parlamentare e NATO-s?

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar – çfarë synon të bëhet edhe Kosova – mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë – në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Në takimin në Sofje, pjesëmarrësit do të priten nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të NATO-s dhe të shtetit bullgar.

Ata do të diskutojnë tema që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë euroatlantike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të sivjetmë të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik në Uashington.

“Gjatë seancës, Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të palëkundur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmave të menjëhershme dhe afatgjate për Ukrainën, si dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitoren e saj”, bëri të ditur Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Kosova dhe NATO-ja

Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e bazës së përhershme të forcave amerikane janë nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ka thënë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.

NATO-ja nuk e ka komentuar këtë kërkesë të Kosovës, por ka siguruar se misioni i saj paqeruajtës në vend, KFOR, “mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Kosova kufizohet me tri shtete anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia./REL

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Shtyhet seanca e rigjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Publikuar

nga

Zyra e gjyqtarit në Gjykatën Themelore të Ferizajit ka njoftuar se është shtyer seanca e rigjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për në ora 13:00.

Arsyeja e dhënë për ndërrimin e orës ishte se njësiti i transportit ka mbingarkesë, dhe nuk mund të sjellë në kohë të pandehurit.

Gykata Themelore e Ferizajit me 4 gusht të 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën per vrasjen e Marigona Osmanit, kurse i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmën e kryerjes së veprës “vrasjës së rëndë”. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

Marigona Osmani është vrarë më 22 gusht të vitit 2021 në banesen e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në Ferizaj.

Sipas aktakuzës, Krivaqa me 21 gusht 2021, me ndihmën e Sejdiut, ka abuzuar dhe malltretuar në forma të ndryshme Marigona Osmanin, duke e detyruar që të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Rusia akuzon inteligjencën ukrainase për përfshirje në sulmin terrorist të 22 prillit

Publikuar

nga

Kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse, Aleksandr Bortnikov akuzoi të premten Ukrainën për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist të 22 prillit në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës.

“Hetimi është duke u zhvilluar, por tashmë është e sigurt të thuhet se inteligjenca ushtarake e Ukrainës është e përfshirë drejtpërdrejt në këtë sulm”, tha Bortnikov në një takim të krerëve të agjencive të sigurisë dhe shërbimeve speciale të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura.

Bortnikov theksoi se të gjitha rrethanat e krimit do të vërtetohen dhe të gjitha palët fajtore do të dënohen.

Më 22 mars, persona të armatosur hynë në sallën e qytetit të Crocus në Krasnogorsk, Rajoni i Moskës, dhe gjuajtën plumba rastësisht mbi njerëzit e pafajshëm, duke vrarë të paktën 144 dhe duke plagosur më shumë se 382. Rusia ka akuzuar katër persona për përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në sulm.

Sipas hetuesve, pas kryerjes së krimit, të dyshuarit ishin nisur drejt Ukrainës, ku shpresonin të gjenin strehë dhe t’i shmangeshin drejtësisë./AA/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Haradinaj: Pa një rezolutë për gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia mbeten të përgjysmuara

Publikuar

nga

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se e vërteta mbetet e përgjysmuar pa një rezolutë të OKB-së për krimet serbe në Kosovë.

“Pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima, mbeten përgjysmë. Autorët e krimit e gjenocidit, të kudondodhur, duhet ta marrin dënimin. Varrezat masive, masakrat, ekzekutimet e mijëra qytetarëve, dhunimet dhe përndjekja e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, s’mund të kenë emër tjetër përpos gjenocid”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës.

“Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje, që duhet përshëndetur. E vërteta dhe drejtësia do të jenë më të plota, atëherë kur të pranohet se edhe në Kosovë pati gjenocid”, është shprehur Haradinaj.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara