Lajmet

​Këtë vit pritet miratimi i rregullores së re të Kuvendit

Published

on

Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të bëhet me rregullore të re më së largu deri në fund të sesionit veror. Grupi punues ka nisur punën për hartimin e saj, në kuadër të së cilës përfshihet edhe formimi i një trupi të ri të Kuvendit i quajtur “konferenca e kryetarëve”, që u jep rol vendimmarrës edhe shefave të grupeve parlamentare.

Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës për vite me radhë nuk është miratuar, porse si duket këtë radhë ka vullnet për finalizimin e saj. Kështu beson kryetari i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, i cili thotë se Kuvendi pritet të bëhet me rregullore të re para sesionit vjeshtor.

“Si kryetar i Komisionit për legjislacion dhe pjesë e grupit punues do të përpiqemi që sa më parë ta kemi rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës, që shqyrtohet dhe miratohet në seancë. Unë nuk po jap afate, por gjithsesi mendoj se duhet të miratohet para sesionit vjeshtor. Kjo nënkupton që brenda verës së këtij viti do të miratohet rregullorja e re”, thotë ai për KosovaPress.

Teksa shprehet optimist se do të miratohet rregullorja e re në një afat të afërt, Rrustemi thotë se kjo e fundit duhet të jetë reflektim i të gjitha palëve. Ai tregon se përmes rregullores së re synojnë të përmirësojnë efikasitetin e punës në Kuvend, duke marrë praktikat më të mira që janë shfaqur përgjatë viteve.

“Ne synojmë gjatë këtij procesi që të përmirësojmë efikasitetin e Kuvendit të Kosovës, të përfshijmë të gjitha sfidat dhe pengesat që janë hasur gjatë legjislaturave, por edhe të formalizojmë praktikat e mira që janë shfaqur gjatë këtyre viteve. Sa i përket vonesave, kjo duket qartë që në legjislaturat e kaluara nuk ka pasur kosnensus të mjaftueshëm për ta miratuar rregulloren e Kuvendit, sepse rregullorja e punës e Kuvendit miratohet me 2/3 dhe kjo e ka vështirësuar”, thekson ai.

Se Kuvendi duhet të bëhet sa më parë me rregullore të re, thotë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, sipas të cilit, rregullorja aktuale ka nevojë për plotësim-ndryshim të tërësishëm. Ai thotë për KosovaPress se rregullorja do vetëm vullnet politik.

“Unë kosnideroj që është më shumë se e domosdoshme të ndryshojë rregullorja e Kuvendit, ka nevojë për plotësim ndryshim të tërësishëm. Ne e dimë që ka pasur shpesh gjatë seancave në mandatet e kaluara zbrazëtira, të cilat nuk i ka mbuluar rregullorja. Mendoj që duhet të miratohet këtë vit, edhe pse kjo është legjislatura e katërt që ka marrë në agjendë rregulloren dhe nuk ka mundur me dërgu deri në fund. Në vitin 2019, kam qenë unë kryetar i komisionit, e kemi kalu në lexim të parë, por nuk ka pasur vullnet politik. Rregullorja donë vetëm vullnet politik”, thotë ai.

Pak më skeptike për miratimin e rregullores së re del të jetë Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Ajo thotë se përkundër deklarimeve të subjekteve politike se kanë për ta shtyrë përpara miratimin e rregullores së punës të Kuvendit, një gjë e tillë tash 10 vite nuk ka ndodhur.

“Edhe tash grupet parlamentare të gjitha e kanë deklaruar vullnetin e tyre për të miratuar rregullore këtë legjislaturë, mirëpo mbetet të shihet nëse do të ketë dakordim mes tyre në fund kur ajo të draftohet për përmbajtjen e rregullores”, thotë ajo.

Meqenëse është punuar 10 vite në të, Haxhiu thotë se draft-rregullorja ka pësuar shumë ndryshime në krahasim me rregulloren aktuale me të cilën punon Kuvendi. Ajo bënë të ditur se pothuajse çdo kapitull ka ndryshime, diku ndryshime të mëdha, e diku ndryshime teknike.

“Një prej risive që është propozuar në Rregulloren e re, është një trup e re Kuvendit, e cila është emërtuar si ‘konferenca e kryetarëve’, kjo është marrë model nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe është pak a shumë një formalizim i asaj se si punon kryesia, se si vendoset për seancat plenare, ku edhe shefat e grupeve parlamentare kanë mundësi për vendimmarrje, që aktualisht nuk e kanë. Më së shumti kundërshtime ka pasur në këtë pikë. Grupet më të vogla e kanë përkrahur, të tjera kanë kundërshtuar. Mbetet të shihet tash sesi do të procedohet tutje, ajo vazhdon në mbes në draftin që ka qenë në legjislaturat e kaluara”, thotë ajo.

Ndër ndryshimet tjera që parasheh draft-rregullorja, Haxhiu numëron edhe risitë tek procesi legjislativ, ku është ndryshuar pjesa e procedurës së përshpejtuar të ligjeve, duke përcaktuar afatin se kur mund të ndodh kjo; ndarja e procedurës për shqyrtimin e buxhetit nga ligjet tjera, që sipas saj është mëse e nevojshme si dhe, ndryshimet tek pjesa e seancave, ku sipas këtyre ndryshimeve prioritet të lirohet nga ngarkesa e pyetjeve parlamentare seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Lajmet

Kapiteni i FSK-së përfundon kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane

Published

on

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si “U.S. Army Special Forces Qualification Course”.

Kursi u zhvillua në “U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School” në SHBA dhe zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026.

Gjatë këtij programi, kapiteni përfundoi trajnimin për kualifikimin “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin “18A Special Forces Detachment Officer”. Programi përfshiu edhe ushtrimin përfundimtar “Robin Sage”.

Në përfundim të kursit, E.V. u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja vazhdojnë investimet në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimeve në institucionet ushtarake të vendeve partnere./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kapet mbi 41 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, vlera rreth 2 milionë euro

Published

on

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, ku janë sekuestruar mbi 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Operacioni policor, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar të një kontejneri që kishte ardhur nga Brazili dhe që, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule, policia zbuloi në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike.

Sasia totale e sekuestruar ishte 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, ndërsa vlera e saj në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 2 milionë euro.

Sipas Policisë së Shtetit, ky është rasti i tretë i goditur brenda një muaji në Portin e Durrësit lidhur me tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të drogës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Shame and Money”, filmi fitues në edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Çmimi për filmin më të mirë, “Vjosa Berisha Award” në edicionin e 18-të të PriFest I është ndarë filmit “Shame and Money” me regji të Visar Morinës.

Filmi, që trajton historinë e një çifti në të 40-at, i cili detyrohet të largohet nga shtëpia dhe ferma e tij në Kosovë pas një konflikti familjar, do të shfaqet më 23 shtator, në orën 18:30, në Kinema Millennium, në kuadër të Tirana Film Festival. “Shame and Money” sjell në qendër përpjekjen e çiftit për të nisur një jetë të re në Prishtinë, duke u përballur me presionin dhe realitetin e një shoqërie gjithnjë e më kapitaliste./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara