Lajmet

​Jasharaj: Nuk paska fund poshtërsia e të pafytyrëve

Kjo pasi atij i është hapur një llogari e rrejshme në Facebook.

Published

on

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, i është drejtuar mediave përmes një letre ku ka sqaruar se atij i është hapur një llogari e rrejshme në Facebook.

“Të pafytyrët nuk pushuan duke me sharë e fyer edhe për pamjen sepse kishin hulumtuar me UDB-në e tyre dhe nuk kishin gjetur as edhe një minus te unë. Më i poshtëri nga ta, që tani u shpërblye të jetë anëtarë kryesie i partisë në pushtet me kishte bërë sulmin më të rëndë e që më kushtoi me pasoja në shëndet dhe si i tillë e i poshtër që është e mbetet doli e kërkoi falje”, ka shkruar mes tjerash ai.

Jasharaj ka shtuar se, një individ, që fatkeqësisht ka humbur gjithë njerëzoren, paska hapur një profil në Facebook me foton time nga një emision shumë i shikuar televiziv dhe çdo gjë dukej sikur ai është Facebook-u im.

“I tmerruar nga ky realitet u ndala në Pejë sot dhe shkova në polici për ta lajmëruar këtë akt penal e të dënueshëm. Policia bëri gjithë të duhurat dhe u ndjeva edhe një herë krenar që Kosova ka djelmosha e vajza të tilla që kryejnë me përkushtim detyrën e tyre”, ka sqaruar Jasharaj.

Letra e plotë:

Gjatë gjithë kohës së Qeverisë Kurti më kanë fyer e më kanë linçuar përkrahës të tij për të vetmen arsye se u mundova ta prezantoj në mënyrë të denjë zërin e anëtarësisë dhe kërkesat e tyre legjitime. Të pafytyrët nuk pushuan duke me sharë e fyer edhe për pamjen sepse kishin hulumtuar me UDB-në e tyre dhe nuk kishin gjetur as edhe një minus te unë. Më i poshtëri nga ta, që tani u shpërblye të jetë anëtarë kryesie i partisë në pushtet me kishte bërë sulmin më të rëndë e që më kushtoi me pasoja në shëndet dhe si i tillë e i poshtër që është e mbetet doli e kërkoi falje.

Mendova se greva u pezullua dhe se “luftën “ me mua e përfunduan langoit e sahanlëpirësit e pushtetit, por doli se kjo nuk është ashtu. Vërejta se nuk paska fund poshtërsia të ca krijesa, që ngjasojnë, por nuk janë njerëz. Unë kisha mbyllur rrjetin social sepse më fyenin e më shanin pa as edhe një arsye, por vetëm sa për t’i hyrë në qejf të madhit. Por, një mik imi më thirri dje dhe më pyeti se pse kam ndërruar qëndrimin që kisha thënë se kurrë më nuk do të hap Facebook. Mbeta i habitur dhe e mora si humor telefonatën e mikut tim, por pas ca momentesh luta shokët që kisha afër të shikonin dhe u pa. Nuk paska fund poshtërsia e të pafytyrëve sepse një individ, që fatkeqësisht ka humbur gjithë njerëzoren, paska hapur një profil në Facebook me foton time nga një emision shumë i shikuar televiziv dhe çdo gjë dukej sikur ai është Facebook-u im. Kishte bërë edhe shkarravina ky farë i pafytyri dhe të gjitha sikur unë i kam postuar. I tmerruar nga ky realitet u ndala në Pejë sot dhe shkova në polici për ta lajmëruar këtë akt penal e të dënueshëm. Policia bëri gjithë të duhurat dhe u ndjeva edhe një herë krenar që Kosova ka djelmosha e vajza të tilla që kryejnë me përkushtim detyrën e tyre.

Unë u kërkoj falje gjithë atyre që mund t’u ketë shkuar ndonjë mesazh e fyerje nga ky profil, që nuk është imi, por është hapur nga një i pafytyrë e i pakarakter. Nuk po e publikoj pamjen e profilit të rrejshëm sepse mund t’i dëmtoj hetimet, por policia e ka.

Të nderuar punëtorë të arsimit, por edhe në sektorët tjerë kjo dhe të tjerat dëshmojnë se duan të na përçajnë dhe të shuajnë sindikatat. Ju lus me mirësi të qëndrojmë unik dhe të mos e lejojmë këtë gjë. Pa zërin sindikal do të jemi të nënçmuar, të ofenduar e të shkelur.

Rrahman Jasharaj,

Kryetar i SBASHK-ut

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë sundimin e ligjit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e institucioneve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Ajo ka riafirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, pavarësinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara