Lajmet

​Hoti: Këto ditë do të fillojnë gërmimet në një lokacion në Serbi

Ai ka deklaruar që kërkesë urgjente e Kosovës mbesin imazhet satelitore.

Published

on

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti ka bërë të ditur se këto ditë në Serbi do të fillojnë gërmimet në një lokacion të dyshuar për varrezë masive. Ai ka deklaruar që kërkesë urgjente e Kosovës mbesin imazhet satelitore përmes së cilave do të arrihej më lehtë zbardhja e fatit të personave të zhdukur.

Hoti ka thënë se përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kanë bërë kërkesa për imazhe satelitore në vendet partnere të Kosovës, por sipas tij ene nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Këto ditë delegacioni i Kosovës, në Serbi do të fillojë gërmimet edhe në një lokacion të radhës. Por natyrisht ne kemi pritur dhe vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhet satelitore sepse ne kemi pasur disa informacione për lokacione të ndryshme në Serbi por jo të mjaftueshme. Bazuar në praktikat e mëhershme, bazuar Rudnicë e Kizhevak, të dyja kanë bërë dhjetë vite gërmim, dhjetë vite hulumtim nga ekipet tona, nuk duhet me qenë e njëjta sot, nuk mundemi të shkojmë pesë vite me një lokacion për shkak se dikujt i teket me na sillë rrotull duke mos na treguar informacionin e saktë të varrezave masive”, ka thënë Hoti.

Ai ka deklaruar se lokacionin në të cilin do të gërmohet në Serbi do ta bëjnë të ditur së shpejti.

I biri i Ukshin Hotit, veprimtarit të zhdukur, ka thënë se shteti vazhdon të kërkojë dokumente e incizime, sekrete apo jo, të cilat sipas tij i ka Serbia.

Hoti ka deklaruar që kërkesë mbetet hapja e të gjitha dokumenteve sekretë të Serbisë të kohës së lutës në Kosovë.

“Me presion e kemi provuar që 20 vite më shumë dhe presioni nuk ka mjaftuar dhe si rrjedhojë ende i kemi edhe 1617 persona duke përfshirë edhe babin tim edhe djalin e bacës Bajram. Prandaj kushtëzimi është ajo që kemi kërkuar në Bruksel, kam qenë katër herë në bisedime me zotin Lajcak kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë, kurse kërkesa e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të jap informacionet për persona te zhdukur”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, i cili përfaqëson familjet e të pagjeturve, ka thënë se në Bruksel ende nuk është bërë asnjë hap drejt zbardhjes së fatit të familjarëve të zhdukur.

“Në Bruksel e kanë qitë një pikë kanë thënë pika e parë e rendit të ditës është për të pagjeturit dhe aty ka mbet, rendi i parë, kur vinë thonë i kemi të pagjeturit. Thonë se në rend ditë është të pagjeturit, kur t’ju vijë shumë keq, diqysh, e gjejnë të pagjeturit. Asnjë hap nuk është bërë, asnjë hap nuk e kanë bërë prej asaj dite që kanë thënë se duhet të flitet për persona të pagjetur”, ka thënë Qerkini.

Qerkini ka thënë se kërkesë e familjarëve është që Kosova të kërkojë nga ndërkombëtarët presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë lokacionet e varrezave masive.

“Unë e di që kjo çështje nuk do të kryhet shpejtë unë e di se ne kemi probleme dhe plagë të pashënuara plot që 23 vjet, unë e di që sa herë u kemi drejtuar kësaj ndërtese, këtyre njerëzve të cilët duhet të na ndihmojnë, por jo vetëm këtyre por ju kemi drejtuar edhe ndërkombëtarëve. Ende po shkojnë punë të zhagitura apo mos kujdesi i tyre sa duhet”, ka thënë Qerkini.

Ai ka thënë se çështja e të pagjeturve është politizuar dhe nuk po shënohet përparim andaj ka theksuar se kërkesa e tyre është që kjo të trajtohet si çështje humane.

“Nënat tona, baballarët, motrat, vajzat, djemtë janë duke prit plot që 23 vjet, vajin që o na e bëjnë, po i drejtohem obeliskut që e shihni në pjesën anash po sillen e ne i kemi çu duart nuk po dimë çka me bë se nuk po mundemi me ardh, ata po na thërrasin me vajin në buzë ‘hajde merrna’, ne nuk po dimë ku i kemi. Kush duhet me na tregu, a e ndjejnë vetën të obliguar ata që ua dhamë votat dhe na udhëheqin”, ka thënë ai.

Në Kosovë nesër shënohet Dita e të Pagjeturve derisa nuk dihet fati i më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Lajmet

Shuhet ëndrra e Kosovës për Botëror, Turqia fiton minimalisht

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje me rezultat 0-1 ndaj Turqisë duke i dhënë fund shpresave për kualifikim në Kampionatin Botëror.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Kerem Aktürkoğlu në minutën e 53-të, një gol që rezultoi vendimtar për fatin e takimit.

Kosova pati përpjekje gjatë gjithë ndeshjes për të barazuar rezultatin, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Në minutat shtesë, loja u tensionua edhe më shumë, ku pati kartonë të verdhë dhe ndërhyrje të shumta nga të dyja skuadrat.

Kjo humbje zyrtarizon eliminimin e Kosovës nga gara për një vend në Botëror, duke shuar kështu një tjetër ëndërr për përfaqësuesen.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës shpall masat e shtuara të sigurisë dhe bllokimet e rrugëve për finalen Kosovë-Turqi

Published

on

By

Sot, më 31 mars 2026, Prishtina është qendra e vëmendjes sportive botërore, pasi Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes finale të play-off-it për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026” ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Dueli, i cili fillon në orën 20:45, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, çka ka shtyrë Policinë e Kosovës të ndërmarrë një plan gjithëpërfshirës për rendin dhe sigurinë publike.

Për të garantuar mbarëvajtjen e kësaj feste sportive, Policia ka njoftuar se do të ketë prani të shtuar të zyrtarëve në stadium, në të gjithë qytetin dhe në tri “Fan Zona” të krijuara enkas për tifozët.

Si pasojë e fluksit të madh dhe lëvizjes së delegacioneve zyrtare, do të ketë bllokime të përkohshme dhe kufizime të qarkullimit në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Segmentet më të prekura përfshijnë rrugët “Tring Ismajli”, “Agim Ramadani”, “Eqrem Çabej”, zonën te semaforët kryesorë, Bulevardin “Bill Clinton”, rrethin te Stacioni i Autobusëve, si dhe rrugët “Hekurudhat” e “Tirana” që çojnë drejt stadiumit.

Gjithashtu, kufizime do të ketë në perimetrin rreth stadiumit, përfshirë rrugën “Luan Haradinaj” deri te Ministria e Drejtësisë dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Pas përfundimit të ndeshjes, vëmendja do të përqendrohet në rrugët që dërgojnë drejt aeroportit, duke përfshirë lagjen “Arbëria” dhe rrugën “Ahmet Krasniqi”. Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve në terren, të shfrytëzojnë rrugë alternative sa më shumë që të jetë e mundur dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë, duke e cilësuar sigurinë si një përgjegjësi të përbashkët për këtë ngjarje madhore.

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu priti në takim Shefin e EULEX-it

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Në këtë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë takim u rikonfirmua përkushtimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për avancimin e proceseve që kontribuojnë në stabilitetin institucional dhe në rritjen e besimit të qytetarëve, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës

Continue Reading

Lajmet

Ambasada e SHBA-së mbështet “Dardanët” para finales me Turqinë në “Fadil Vokrri”

Published

on

By

Atmosfera para përballjes vendimtare mes Kosovës dhe Turqisë është ndezur, madje kësaj ngjarje vëmendje i ka kushtuar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë

Përmes një postimi në rrjetet sociale, përfaqësia diplomatike amerikane ka rreshtuar veten përkrah tifozëve dardanë në këtë natë historike, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje: “Nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, ne po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare”.

Kjo ndeshje, e cila konsiderohet si një finale e vërtetë për fatet e kualifikimit në Kampionatin Botëror, pritet të fillojë në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Interesimi për këtë takim është i jashtëzakonshëm dhe shkallët e stadiumit pritet të jenë të stërmbushura me tifozë që kërkojnë fitoren historike.

Përfaqësuesja e Kosovës zbret në fushë me moral të lartë dhe me përkrahjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa vëmendja e gjithë opinionit publik është përqendruar në Prishtinë për këtë sfidë vendimtare që përcakton rrugëtimin drejt botërorit.

Continue Reading

Të kërkuara