Lajmet

​Haxhiu: Vetingun e mbyllim këtë mandat, katër muaj kohë për koncept-dokumentin

Published

on

Grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vetingut të enjten mbajti takimin e parë e i cili do të ketë afat katër muaj për ta përfunduar këtë dokument. Ministria e Drejtësisë, po edhe njohës të fushës së sistemit të drejtësisë, thonë se janë të mjaftueshëm katër muaj për të përfunduar një koncept-dokument që do të adresonte vetingun.

Ministrja e Drejtësisë, Albuena Haxhiu thotë se grupi punues i themeluar nga ajo do të ketë afat deri në katër muaj për të hartuar koncept-dokumentin për veting.

Ajo shprehet se grupi punues mund të përfundojë punën edhe më herët, por që deklaron se qëllimisht kanë lënë më shumë kohë që anëtarët e grupit të mos ndjehen nën presion.

“Unë besoj që për hartimin e koncept-dokumentit është i mjaftueshëm afati prej katër muajsh më së shumti, për faktin se tashmë ka pasur diskutime, tashmë ka dokumente ku vetëm duhet të dakordohen që të finalizohen ose të përfshihen në koncept-dokument. Prandaj, nëse do të ketë rrethana ku grupit punues patjetër i nevojiten edhe mandat shtesë padyshim që nuk do ta pengojë një gjë të tillë, sepse tek e fundit është interesi që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundshme. Mirëpo për aq sa unë mund të jem në dijeni, për sfidat që i kemi diskutuar katër muaj nëse punohet me intensitet dhe me vullnet padyshim që do të adresohet”, thotë ajo.

Pavarësisht sfidave që mund të kenë gjatë rrugës, Haxhiu shprehet optimiste se vetingu në sistemin e drejtësisë do të përmbyllet gjatë këtij mandati qeverisës.

“Unë jam shumë optimiste që vetingu në Republikën e Kosovës në sistemin e drejtësisë do të përmbyllet brenda këtij mandati dhe padyshim që do të punojmë në këtë drejtim. Pavarësisht sfidave që mund t’i kemi gjatë rrugës, sepse dikujt edhe mund t’i pengojë kjo çështje, por besoj që ky proces është në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Qëllimi kryesor i tij është për ta kthyer besimin e qytetarëve dhe që Kosova të jetë shtet i së drejtës, prandaj edhe çfarëdo pengese që mund të na dalë në rrugë ne mund ta tejkalojmë me vullnet dhe profesionalizëm”, thotë Haxhiu.

Sa i përket grupit punues, Haxhiu thotë se është gjithëpërfshirës dhe se anëtarët aty janë propozuar nga vet institucionet që përfaqësohen në këtë grup. Po ashtu, ajo potencon se pjesë e grupit janë edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të huaja në Kosovë, për të cilët tha se kanë ofruar ndihmën e tyre edhe përmes ekspertëve.

Nisjen e punës për hartimin e koncept-dokumentit për veting e quan lajm shumë të mirë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, e i cili thotë se për hartimin e të njëjtit janë të mjaftueshëm katër muaj. Ai thotë se pas përfundimit të rishikimit funksional të sistemit të sundimit të ligjit ka analizë të mjaftueshme që mund të shërbejë për përfshirje në koncept-dokumentin për veting.

“Për koncept-dokument unë besoj që janë të mjaftueshme (4 muaj), sepse fatmirësisht Ministria e Drejtësisë e ka përfunduar tanimë rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, vetëm ky rishikim i sektorit të sundimit të ligjit ka bërë një analizë të thuktë pothuajse të të gjitha fushave që lidhen me sistemin gjyqësor dhe sistemin prokurorial, duke përfshirë prej integritetit, profesionalizmit, qasjes në drejtësi, llogaridhënies, transparencës, luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pothuajse të gjitha fushave që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kështu që nuk është që grupi i vetingut do ta fillojë punën nga zero, ka materiale, ka analiza, ka rekomandime konkrete, kështu që krejt çka i nevojitet është që këtë dokumentacion të bollshëm që e ka ta analizojë dhe të dalin me qëndrime konkrete se si do të duhej të përfundonte procesi i vetingut”, thotë ai.

Grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për veting do të drejtohet nga Ministria e Drejtësisë, e që ka përfaqësues edhe nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera publike, shoqëria civile. Një anëtarë në këtë grup punues do të jetë edhe nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, por që ende nuk është emëruar asnjë anëtar.

Lajmet

REL: SHBA mirëpret marrëveshjen për Ligjin për të huajt, përmend nevojën e konsultimit me komunitetin serb

Published

on

By

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mirëpret marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe ka theksuar që çdo ndryshim që prek komunitetin serb në Kosovë duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.

“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës në përgjigjen me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur më 14 mars se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës siç e parasheh Ligji për të huajt dhe për automjetet, që ka nisur të zbatohet nga 15 marsi.

Vendimi është bërë publik pas një takimi të zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ligjet për të huajt dhe për automjete nisën të zbatohen pjesërisht më 15 janar, fillimisht përmes një fushate informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të tyre, ndërkaq nga 15 marsi kanë hyrë në fuqi plotësisht.

Ligji u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.

Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.

Kryeministri Kurti ka thënë se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet.

Këto lehtësira janë mirëpritur nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe nga Serbia. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Me 79 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar këtë të martë me 79 vota shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit.

Gjatë votimit pati një abstenim të cilin e votoi Redi Muçi. Nuk pati asnjë votë kundër ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë pas vendimit për bojkot.

Votimi:

79 vota pro

1 abstenim- Redi Muçi

0 kundër

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancë u shpreh se terrorizmi nuk është vetëm akt dhune por minim i rendit demokratik.

Ai theksoi se Shqipëria mbetet një shtet i lëkundur në këtë luftë dhe anën e shtetit të së drejtës. Balla rikujtoi edhe sulmin kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë duke e cilësuar akt armiqësor. Ndër të tjera, Balla theksoi se synojnë të dënojnë çdo formë të mbështetjes së agresionit.

Ai gjithashtu u kërkoi kolegëve të votojnë që ta shpallin Gardën Revolucionare të Iranit, organizatë terroriste. Pas votimit seanca plenare përfundoi. /Euronews/

Continue Reading

Lajmet

Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

Published

on

By

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të martën se duhen gjetur rrugë diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, teksa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin mes luftës në Iran.

“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë (ngushticë) të hapur, në mënyrë që të mos kemi krizë ushqimore, krizë të plehrave artificialë, si dhe krizë energjetike,” tha Kallas në një intervistë për Reuters.

Continue Reading

Lajmet

Bagdad: Sulm intensiv me dronë ndaj Ambasadës së SHBA-së

Published

on

By

Raketa dhe të paktën pesë dronë janë lëshuar drejt ambasadës së SHBA-së në Bagdad herët të martën nga zona të ndryshme rreth qytetit. Burimet irakiane të sigurisë e kanë përshkruar këtë sulm si më intensivin që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

Një dëshmitar i agjencisë Reuters pa të paktën tre dronë që lëviznin në drejtim të ambasadës. Sistemi i mbrojtjes ajrore C-RAM arriti të rrëzonte dy prej tyre, ndërsa një i tretë goditi brenda rrethimit të ambasadës, ku u panë flakë dhe tym.

Telefonat celularë të ambasadës amerikane ishin të fikur kur Reuters tentoi të kërkonte një koment. Milicitë e mbështetura nga Irani kanë sulmuar interesat amerikane në Irak si hakmarrje për luftën që filloi më 28 shkurt.

Të hënën, grupi i lidhur me Iranin, Kataib Hezbollah, njoftoi vdekjen e komandantit të tij të lartë dhe zëdhënësit. Ndërkohë, Forcat e Mobilizimit Popullor deklaruan se sulmet ajrore vranë të paktën tetë luftëtarë të tyre në qytetin irakian Al-Qaim, pranë kufirit me Sirinë.

Forcat irakiane të sigurisë janë vendosur në pjesë të ndryshme të kryeqytetit dhe kanë mbyllur “Zonën e Gjelbër” të fortifikuar të Bagdadit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet diplomatike, përfshirë ambasadën e SHBA-së. /Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara