Meqë Shtetet e Bashkuara kanë lënë të kuptohet se mund të mos jenë të gatshme ta financojnë Ukrainën për kohë të gjatë për nevojat e saj për t’u mbrojtur, Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra të ndryshme për ta mbuluar një pjesë më të madhe të kostove në vitet 2026 dhe 2027, duke hamendësuar se lufta do të vazhdojë.
Treguesi më i qartë i kësaj erdhi gjatë fjalimit vjetor të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Parlamentin Evropian në fillim të shtatorit, ku ajo përmendi idenë e një “huaje dëmshpërblimi”.
Më shumë hollësi për mënyrën se si do të funksiononte kjo hua janë dhënë në një dokument diskutimi njëfaqësh, që Komisioni ua dha shteteve anëtare të BE-së, shkruan REL.
Dokumenti, i parë nga Radio Evropa e Lirë (REL), u diskutua shkurtimisht nga ambasadorët e bllokut më 26 shtator.
Von der Leyen pritet ta paraqesë këtë dokument para liderëve të BE-së në një samit joformal në Kopenhagë, më 1 tetor, për të diskutuar për Ukrainën. Edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka gjasa të marrë pjesë.
Ministrat e Financave të BE-së gjithashtu pritet të shqyrtojnë më shumë hollësi kur të mblidhen në Luksemburg javën e ardhshme.
Edhe pse ende nuk janë përcaktuar të gjitha mekanizmat e huas, disa elemente tashmë janë të qarta.
Çdo hua për Ukrainën do të bazohej në asetet e ngrira ruse në BE, të cilat janë bllokuar qëkurse Moska e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet në fillim të vitit 2022.
Huat do të jepeshin pa i prekur drejtpërdrejt këto të holla, dhe Ukraina do të ishte e detyruar t’i kthente paratë vetëm pasi Rusia ta ketë paguar dëmshpërblimet e luftës.
Huaja e dëmshpërblimeve, nëse miratohet, mund t’i zgjidhë një sërë telashesh.
Më e rëndësishmja, do t’i siguronte Ukrainës fondet e nevojshme, duke eliminuar çdo mundësi vetoje nga vende skeptike të BE-së si Hungaria dhe Sllovakia. Do të qartësonte gjithashtu përdorimin e aseteve ruse dhe do të ulte trysninë mbi buxhetin e BE-së./D.B/KP