Lajmet

​Gërvalla optimiste që gjatë vitit 2023 Kosova do të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe

Ajo ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Published

on

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është shprehur optimiste se gjatë vitit 2023 Kosova do të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO.

Gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ajo ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian për çka ka thënë se ky proces bart sfida të mëdha por ka shtuar se një veprim i tillë është ndërmarrë pas konsultimeve të mira me aleatët e shtetit.

“Sa i përket organizatës Partneriteti për Paqe, nuk është që është ide origjinale e vetëm e jona, por është edhe rekomandim i partnerëve tanë ndërkombëtar, i cili po ashtu bartë sfida sepse si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Partneritetin për Paqe por edhe në Këshillin e Evropës kemi shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe secila prej fazave kërkon lobim të jashtëzakonshëm, kërkon shumë punë dhe kërkon shumëfish më tepër punë që u është dashur shteteve fqinjëve në të njëjtën rrugë kur kanë vendosur ta ndjekin. Personalisht jam shumë optimiste për vitin 2023 dhe Partneritetin për Paqe pa dashur të them më shumë fjalë sesa që do të mund t’i mbaja në fund, ne do të punojmë me po kaq përkushtim edhe në këtë sferë sa kemi punuar edhe për anëtarësime të tjera dhe shpresojmë që fundi i vitit 2023 Kosovën ta zërë si anëtare e Partneritetit për Paqe, me qëllim që të jetë edhe më e qartë rruga që Kosova do të ndjek rreth anëtarësimit në NATO”, ka thënë Gërvalla.

Para deputetëve, Gërvalla ka folur edhe për aplikimin në Këshillin e Evropës që sipas saj ekziston përkrahje e madhe politike.

“Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, po them shumë shkurt, kemi kaluar disa etapa të rëndësishme sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, është opinioni ligjor i cili është miratuar në vjeshtën e këtij viti, ka një raport rreth situatës së të drejtave të njeriut nga komisioni përkatës në Këshillin e Evropës, është duke u përgatitur raporti vjetor për Kosovën nga ana e raportueses, prandaj faza kur Kosova do të kalojë nga këshilli ministror në Asamblenë Paralajmëtare të Këshillin e Evropës është afruar shumë, ne po shpresojmë që në takimet e ardhshme do të jetë në agjendë, të vihet në agjendë çështja e Kosovës me qëllim që më në fund asambleja parlamentare e këshillit të Evropës të fillojë të merret me çështjen tonë. Të dimë edhe ne saktë cilat janë pritjet, cilat janë obligimet të cilat duhet t’i përmbushim me qëllim që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, aty ku e ka vendin. Përkrahja politike është e madhe, votat janë siguruar, kështu që shpresojmë që ky hapi teknik që duhet të ndodh të ndodh sa më shpejtë meqenëse nuk ka çfarë të pritet më në atë drejtim”, ka thënë ajo.

Ndërsa lidhur me faktin që nuk është arritur të sigurohet asnjë njohje e re, Gërvalla ka thënë se qeveria ka punuar në këtë drejtim por është përqendruar më shumë në sigurimin e njohjeve nga vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë pranuar Kosovën. Ajo ka theksuar se fushata e Serbisë për çnjohje nuk ka pasur sukses.

“Sa i përket njohjeve të reja, natyrisht që në aspektin teknik nuk kemi asnjë njohje të re në tavolinë por kemi lëvizje të shumta me shtete të ndryshme me të cilat nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me republikën e Kosovës, nuk kam nevojë këtu publikisht t’i shpërfaq hapat të cilët ndjekim sepse jam e sigurt që ju jeni gjatë në politikën e Kosovës dhe i njohin ofertat që mund të bëjmë, edhe ofertat për bashkëpunim që nuk janë patjetër njohje por janë mundësi të tjera bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Ka pasur një fushatë nga ana e Serbisë për çnjohje por nuk kemi asnjë informacion që kjo fushatë të ketë pasur sukses në ndonjërin nga shtetet të cilat janë adresuar nga Serbia. Përpjekjet kanë qenë të shumta duke filluar nga dhënia e armatimit rus, nga vaksinat, nga produktet të ndryshëm ushqimore, ndihma humanitare e të tjerë, ne kemi kontaktuar secilin prej shteteve të cilët kemi supozuar që mund të jenë në atë listë dhe rezultati është që ajo fushatë ka qenë e pasuksesshme”, ka thënë ajo.

Mbledhja e komisionit po vazhdon me pyetjet e deputetëve për ministren e Jashtme.

Lajmet

Vizitë zyrtare e presidentit të Shqipërisë në Kosovë, priten masa të përkohshme në trafik

Published

on

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë më 12 qershor 2026, në orët e mbrëmjes.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë lëvizjes së eskortës dhe aktiviteteve të delegacionit.

Për shkak të itinerarit të lëvizjes së eskortës nga pika kufitare në Vërmicë dhe aktiviteteve zyrtare gjatë ditës, pritet të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, si dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative në intervale të shkurtra kohore.

Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik gjatë zhvillimit të vizitës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis edicioni i 8-të i “Mitrovica Guitar Days”

Published

on

Ka nisur edicioni i tetë i festivalit “Mitrovica Guitar Days”, i cili po sjell në Mitrovicë artistë dhe kitaristë të njohur ndërkombëtarë, koncerte dhe aktivitete të ndryshme artistike që po e pasurojnë jetën kulturore të qytetit.

Festivali është hapur me një performancë nga artistja me renome botërore Carlotta Dalia, e cila ka sjellë një mbrëmje të veçantë me interpretime mbresëlënëse për publikun.

“Mitrovica Guitar Days” vazhdon të afirmohet si një prej festivaleve më të rëndësishme të kitarës në vend, duke krijuar hapësirë për shkëmbim artistik, zhvillim profesional dhe promovim të muzikës.

Ngjarja mbështetet nga Ministria e Kulturës përmes një financimi trevjeçar, me synim zhvillimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të festivalit. Në koncertin hapës ka marrë pjesë edhe zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Irani paraqet 14 kushte për marrëveshjen me SHBA-në

Published

on

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për programin bërthamor dhe Ngushticën e Hormuzit pritet të nisin vetëm pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paraprake mes dy vendeve, sipas raportimeve të mediave iraniane dhe ndërkombëtare.

Sipas IRNA, Teherani ka paraqitur një paketë kushtesh që duhet të përmbushen para se të kalohet në negociata të plota. Dokumenti konsiderohet paraprak dhe ende nuk është miratuar përfundimisht nga autoritetet iraniane, ndërsa bisedimet e detajuara pritet të zhvillohen brenda 60 ditëve pas arritjes së kornizës fillestare.

Në këtë fazë fillestare, Irani kërkon garanci politike, ekonomike dhe ushtarake nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, si dhe një qasje të re ndaj sanksioneve dhe pranisë ushtarake në rajon. Zhvillimet po ndiqen nga afër edhe nga tregjet ndërkombëtare për shkak të ndikimit që mund të kenë në sigurinë e Lindjes së Mesme dhe furnizimin global me energji.

14 kushtet e paraqitura nga Irani janë:

  1. Ndalim i menjëhershëm i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin
  2. Angazhim i SHBA-së për mosndërhyrje në punët e brendshme të Iranit
  3. Respektim i sovranitetit të Iranit
  4. Heqje e plotë e bllokadës detare brenda 30 ditësh
  5. Rifillim i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit brenda 30 ditësh
  6. Angazhim i SHBA-së për tërheqjen e trupave nga zonat kufitare me Iranin
  7. Pezullim i sanksioneve ndaj naftës, petrokimikës dhe derivateve
  8. Qasje e plotë e Iranit në burimet e tij financiare
  9. Plan rindërtimi për Iranin me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë
  10. Fillimi i negociatave për marrëveshjen përfundimtare bërthamore brenda 60 ditëve
  11. Konfirmim i angazhimit të Iranit ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore
  12. Mosvendosje e sanksioneve të reja gjatë negociatave
  13. Zhbllokim i 24 miliardë dollarëve asete iraniane gjatë procesit
  14. Krijimi i një mekanizmi monitorues për zbatimin e marrëveshjes

Sipas IRNA-s, këto kushte përbëjnë bazën e dokumentit paraprak, ndërsa SHBA dhe Irani ende nuk kanë arritur një dakordim përfundimtar.

Continue Reading

Lajmet

Ekonomia e Kosovës shënon rritje prej 5.43 për qind në tremujorin e parë

Published

on

Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 5.43 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, rritjen më të madhe e kanë shënuar sektori i administratës publike, arsimit, shëndetësisë dhe aktiviteteve të punës sociale me 22.11 për qind, ndërsa rritje është regjistruar edhe në sektorin e arteve, argëtimit dhe çlodhjes me 13.11 për qind.

Kontribut në rritjen ekonomike kanë dhënë gjithashtu aktivitetet financiare dhe të sigurimit, sektori i industrisë, informacioni dhe komunikimi, ndërtimtaria, bujqësia dhe tregtia.

Sa i përket qasjes së shpenzimeve, ASK bën të ditur se eksporti i mallrave dhe shërbimeve ka shënuar rritjen më të lartë, prej 17.26 për qind./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara