Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim të rëndësishëm zyrtar Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Giuseppe Cavo Dragone, dhe Kryetarin e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjeneralin Seán Clancy.
Gjatë këtij takimi, Gjeneral Jashari i njoftoi mysafirët e lartë me arritjet e fundit të FSK-së dhe procesin e saj të zhvillimit, duke vënë theksin te gatishmëria dhe kontributi i forcës në operacionet ndërkombëtare. Diskutimi u fokusua në nevojën për të avancuar bashkëpunimin në aktivitete të përbashkëta mes FSK-së dhe organizatave të NATO-s e BE-së.
Përfaqësuesit e lartë ushtarakë vlerësuan lart progresin e FSK-së dhe kontributin e saj profesional, ndërsa u rikonfirmua rëndësia e mbështetjes që ofrojnë KFOR-i dhe Ekipi Këshillues e Ndërlidhës i NATO-s (NALT).
Në mbyllje të vizitës, palët u zotuan për forcimin e marrëdhënieve profesionale dhe rritjen e bashkëpunimit në sferat me interes të përbashkët, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.