Lajmet

​Fillimi i vitit shkollor i gjen shumicën e nxënësve pa libra

Nga MAShTI thonë se deri më tani kanë aplikuar rreth 92 mijë prindër për libra.

Published

on

Kur ka mbetur edhe një ditë të fillojë mësimi, gjysma e nxënësve ende nuk janë të pajisur me libra. Nga rreth 300 mijë familje sa pritet të aplikojnë për subvencionim për tekstet mësimore, deri më tani sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë aplikuar rreth 92 mijë prindër.

Vendimi i MAShT-it që të subvencionojë për tekste shkollore dhe pajisje tjera për klasat 1-5 me 80 euro dhe 30 euro për si mbështetje për materiale të tjera shkollore pë klasat 6-9, del të jetë llogaritur gabim. Nga disa fatura që ka arritur të sigurojë KosovaPress nga prindërit, shihet se vetëm blerja e teksteve shkollore për klasën e katërt ka arritur shifrën 73 euro.

Ky vendim nga MAShT-i vazhdon të kritikohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, shoqëria civile por edhe nga prindërit. Sipas SBAShK-ut, fëmijët dhe mësimdhënësit do të ballafaqohen me sfida në mbarëvajtjen e mësimit.

Ndërkaq, prindërit shprehen me mendime të ndara sa i përket kësaj çështje. Për disa është mjaft problematike sigurimi i teksteve shkollore në një librari, e për të tjerë ky vendim i arsyeshëm.

Qytetari Ymer Berisha, i cili ka regjistruar fëmijën në klasën e parë, thotë për KosovaPress se shuma e librave deri më tani ka shkuar në 57 euro, porse ende nuk i ka kompletuar.

“Djalin e kam regjistruar sivjet në klasën e parë, librat i kam blerë 57 euro, përveç gjuhës angleze. Nuk po e shoh ndonjë problem ose komplikim, sepse neve gjithmonë prindërit tanë na kanë blerë librat dhe materialin tjetër shkollor”, thotë Berisha.

Ndërsa, qytetarja Vjosa Berisha ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për këtë vendim. Derisa thotë se është krijuar tollovi në blerjen e librave, sipas saj, ka qenë përgjegjësi e MAShT-it t’i sigurojë librat për nxënësit.

“Vajza është në klasën e dytë tash, gjysmën e librave i morëm në një librari 25 euro… Sepse gjysmën tjetër i ka ble bashkëshorti tek libraria tjetër… Por, aspak i arsyeshëm (vendimi i MAShTI-t), sepse është bërë një tollovi e madhe, s’ka pas nevojë, sepse ato para nëse veç i kishin dhënë për libra, kanë mundur t’i marrin në shkollë, kështu po duhet të bartemi herë në një librari e herë në tjetrën, katër librari i kemi shikuar derisa i kompletuam të gjitha librat”, thotë Berisha.

Se ky vendim është i gabuar, e thotë edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj. Jasharaj thotë se shuma e ndarë për fëmijët në vlerë prej 80 euro, 50 euro për tekste shkollore dhe 30 euro për pajisje të tjera, për klasën e parë deri në të pestën, nuk del të jetë ashtu. Sipas tij, edhe po të bëhen dyja bashkë, në disa raste nuk e mbulojnë shifrën për blerjen e librave.

“Deklarata… për tekste shkollore dhe 30 euro ‘humaniteti’ i tyre për mjete mësimore, edhe në takimin që kishim me kryetarët, ata janë angazhuar dhe kanë pyetur libraritë ekzistuese, del se jo 50 euro por edhe të bashkohen dy shumat ka gjasa se nuk mjaftojnë vetëm për tekstet shkollore. Dhe ky ‘humanitet’ konsideroj se behet për popullaritet, për të ju treguar se ja gjoja ne i ndihmojmë prindërit, e vërteta do të na tregojë që në fillim të shtatorit prindërit do jenë të zhgënjyer, këto para nuk do ju mjaftojnë për tekste shkollore. Po ashtu pse nuk i ka pyetur njerëzit a ka nëpër të gjitha qytetet librari”, thotë Jasharaj.

Mes tjerash, Jasharaj shprehet i shqetësuar se nxënësit do humbasin javë të tëra derisa të kompletohen me tekste shkollore.

“Me të ardhur e hëna do të na dalin shumë sfida, ngase për herë të parë në mënyrë shumë të çuditshme e të gabuar, ministrja Nagavci ka sjell këtë vendim, i cili është shumë i gabuar dhe i ngarkon dhe komplikon jetën prindërve, ngase jo të gjithë prindërit dinë të gjinden në e-Kosova, dhe jo të gjithë prindërit kanë xhirollogari, madje u shqetësova kur dëgjova se ka raste kur prindërit tanë i kanë të bllokuara xhirollogaritë nga përmbaruesit për shkak se janë në gjendje të rëndë ekonomike, dhe po shkuan ato para, prindi nuk i merr dot. Pra, është krijuar një situatë e cila nuk është dashur të ndodhë… Kështu kam frikë se tre javë do shkojnë me një pjesë me tekste e një pjesë pa tekste, dhe mësimdhënësit janë pastaj në stres, të fillojnë të shpjegojnë njësitë e reja apo çfarë të bëjnë, sepse nxënësit që nuk kanë tekste nuk janë në faj”, shton Jasharaj.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me përgatitjen me libra për vitin shkollor, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.

Po ashtu, KosovaPress ka kontaktuar edhe me Këshillin e Prindërve, mirëpo as këta të fundit nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore dhe materialet mësimore.

Ekzekutivi në mbledhjen e saj elektronike ka ndarë 6,323,380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5 dhe 6,617,340 euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9. 

Vendi

Kosova në Cannes me filmin “Dua”: Një rrëfim për vitet ’90 dhe rezistencën përmes syve të një adoleshenteje

Published

on

By

Festivali prestigjioz i Cannes hap sot dyert për edicionin e tij të 79-të, duke rikthyer në vëmendje historinë e Kosovës. Këtë vit, shteti më i ri i Evropës përfaqësohet me filmin “Dua”, nën regjinë e Blerta Bashollit, i cili do të ketë premierën botërore në kuadër të “Javës së Kritikës” (Semaine de la Critique).

Filmi trajton dramën e një 13-vjeçareje në fundvitet ’90, një periudhë e shënuar nga tensionet etnike dhe spastrimi etnik në Evropë. Përmes syve të Duas, publiku do të përjetojë transformimin e një adoleshenteje në mes të pasigurisë, ku sporti i xhudos nuk vjen thjesht si disiplinë, por si një masë mbrojtëse ndaj represionit të asaj kohe.

“Pritjet janë shumë të mira dhe jemi shumë të lumtur që do të jemi pjesë e Cannes. Ky është një moment i rëndësishëm për ne dhe për të gjithë ekipin,” u shpreh producenti i filmit, Valon Bajgora, pak para nisjes për në Francë.

Sipas axhendës, ekipi i filmit do të ketë premierën gala të mërkurën në orën 17:30, ndjekur nga takime me profesionistë të industrisë dhe media ndërkombëtare. Bashkëprodhimi mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës bazohet në përvojat personale të regjisores Basholli, duke sjellë një ndjeshmëri të lartë njerëzore në ekranin e madh.

Në këtë seksion të festivalit, “Dua” garon përkrah produksioneve nga Jemeni, Meksika, Kina e Irlanda. Ndërkohë, festivali i sivjetmë udhëhiqet nga juria me kryetar regjisorin koreano-jugor Park Chan-wook, ndërsa në ceremoninë hapëse do të nderohet me çmim special regjisori Peter Jackson.

Ky rrugëtim i “Duas” në Cannes nuk është vetëm një sukses kinematografik, por edhe një mundësi që historia e dëbimit dhe vrasjes së civilëve në Kosovë të dëshmohet përmes artit në një prej skenave më të rëndësishme botërore.

 

Continue Reading

Lajmet

Pianisti polak Pawel Kowalski performon në Prishtinë

Published

on

Pianisti virtuoz nga Varshava, Pawel Kowalski, ka mbajtur një koncert të veçantë në Prishtinë, duke sjellë vepra të kompozitorëve të njohur polakë, përfshirë Fryderyk Chopin, Ignacy Jan Paderewski dhe Wojciech Kilar.

Koncerti u organizua në kuadër të aktiviteteve paralajmëruese për Festivalin e Muzikës Polake në Kosovë (POMIK), që do të mbahet në nëntor në Prishtinë.

Ngjarja u zhvillua edhe gjatë vizitës së një delegacioni polak prej 10 profesionistësh nga fusha të ndryshme, duke shërbyer si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe institucional mes Kosovës dhe Polonisë.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Aktakuzë ndaj 12 personave në Pejë për shitblerje të patentë shoferëve

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar zyrtarisht ngritjen e një aktakuze  prej 391 faqesh kundër 12 personave, të cilët dyshohen për një rrjet të organizuar të korrupsionit në procesin e pajisjes me patentë shoferë. Grupi i të pandehurve, ku përfshihen zyrtarë të Qendrës për Patentë Shoferë dhe përfaqësues të auto-shkollave, akuzohet për një sërë veprash penale, duke filluar nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare e deri te dhënia e ryshfetit dhe manipulimi me prova.

Sipas aktakuzës së Departamentit për Krime të Rënda, skema funksiononte duke u mundësuar kandidatëve kalimin e provimeve teorike dhe praktike në mënyrë të kundërligjshme. Në qendër të këtyre dyshimeve është ish-koordinatori i Njësisë në Pejë, A.Sh., i cili sipas Prokurorisë, përgjatë tri viteve “ka planifikuar dhe organizuar mbajtjen e provimeve teorike edhe në data dhe rrethana të kundërligjshme”, duke testuar persona që as nuk figuronin në listat zyrtare.

I pandehuri R.S. dyshohet se ka shërbyer si urë lidhëse mes auto-shkollave dhe zyrtarëve, ku shumat e ryshfetit për një patentë shofer “variojnë nga 300 deri në 1,000 euro”. Përveç përfitimeve financiare, hetuesit kanë gjetur prova edhe për manipulim fizik të procesit; në një rast specifik, tre nga të pandehurit akuzohen se brenda zyrës së koordinatorit kanë bashkëpunuar për “manipulimin me prova”.

Roli i pyetësve teorikë dhe ekzaminuesve praktikë ishte vendimtar në këtë skemë. Sipas Prokurorisë, pyetëset e pjesës teorike u kanë treguar kandidatëve përgjigjet e sakta, ndërsa ekzaminuesit e pjesës praktike kanë zhvilluar testime jashtë orarit zyrtar të punës, duke shkelur çdo kriter profesional. Kjo mënyrë e operimit u kishte krijuar disa auto-shkollave një “avantazh të padrejtë konkurrues në treg”, duke rritur artificialisht numrin e kandidatëve të regjistruar.

Në përfundim të kësaj komunikate, Prokuroria ka bërë të ditur se i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtorë të të gjithë të pandehurve. Përmes këtij rasti, institucioni i akuzës ka rikonfirmuar përkushtimin e tij në luftimin e korrupsionit që “cenon sundimin e ligjit, sigurinë publike dhe besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.

 

Continue Reading

Vendi

Kosova konfirmon miqësoret e radhës: Ndeshje me Çekinë në Pragë dhe me Andorrën në Prishtinë

Published

on

By

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se “Dardanët” do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore gjatë muajve maj dhe qershor, si pjesë e përgatitjeve për sfidat e ardhshme zyrtare. Përzgjedhësi dhe ekipi do të kenë mundësinë të testojnë formën e lojtarëve kundër dy kundërshtarëve me stile të ndryshme loje.

Sfida e parë do të luhet në udhëtim më 31 maj 2026, ku Kosova do të përballet me Çekinë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Epet Arena” në Pragë, një impiant i njohur që pritet të dhurojë një atmosferë të fortë për futbollistët tanë.

Pas duelit në Pragë, përfaqësuesja do të kthehet në Prishtinë për ndeshjen e dytë. Më 7 qershor 2026, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova do të jetë nikoqire e Andorrës. Ky takim u shërben tifozëve vendas për të parë nga afër ekipin kombëtar dhe lojtarëve për të konsoliduar strategjitë e tyre përpara ndeshjeve kualifikuese.

Këto dy miqësore shihen si një mundësi e mirë për të provuar emra të rinj dhe për të rritur kohezionin e grupit para nisjes së ciklit të ri garues.

Continue Reading

Të kërkuara