Lajmet

​Familja e avokati i Astrit Deharit: Provat e dërguara ishin të manipuluara e të dëmtuara

Gashi: Komunikata e Prokurorisë Speciale e dërguar rreth kësaj ekspertize është e dëmshme për hetimin e vrasjes së Deharit.

Published

on

Avokati Tomë Gashi së bashku me prindërit e Astrit Deharit, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë kanë deklaruar se ekspertiza plotësuese e Institutit Zviceran për vdekjen e Astritit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara.

Në një konferencë për medie, avokati Tomë Gashi tha se komunikata e Prokurorisë Speciale e dërguar rreth kësaj ekspertize është e dëmshme për hetimin e vrasjes së Deharit. Ai derisa ka paraqitur disa nga provat që ishin dërguar Institutit Zviceran, tha se provat janë të manipuluara.

“Kushdo që e sheh këtë komunikatë të Prokurorisë së Shtetit, është e dëmshme fillimisht për vetë hetimin e rastit të vrasjes së Astrit Deharit. Ne jemi të befasuar se si Prokuroria Speciale e Kosovës vepron njëjtë sikurse Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me ish-prokurorin e atëhershëm. Ne mund t’ju sqarojmë se kushdo që e sheh këtë ekspertizë plotësuese, kjo nuk mund të kuptohet nëse nuk i analizojnë ekspertizat e mëhershme që kanë qenë të shtatorit 2019, që ka qenë Instituti i njëjtë zviceran… Në këtë ekspertizë shtesë vërtetojmë se të gjitha këto prova që i ka dërguar prokurori i çështjes apo kushdo që i ka dërguar në Institutin Zviceran kanë qenë të manipuluara dhe faktikisht nuk janë ruajtur dhe këta nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të tjera dhe janë kërkuar të bëhen gjurmë gjenetike, toksikologjike dhe kapilarëve gjurmë të gishtave. Këtu kemi të bëjmë me katër prova që janë dërguar në Zvicër. Kemi të bëjmë me këtë shishe, e cila është përdorur në rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe faktikisht është emëruar si prova numër pesë. Në ekspertizën shtesë thuhet se ka qenë e pamundur që të gjejë gjurmë daktiloskopike për shkak të paketimit sepse është dërguar me letë dhe në ekspertizën shtesë thuhet se gjurmë kapilare nuk kanë mund të gjenden sepse ato thjesht janë fshirë”, tha ai.

Avokati Gashi u shpreh se ekspertiza shtesë vërteton se policia dhe organet tjera të vitit 2016 kanë manipuluar me provat. Ai tha se këtë ekspertizë nuk e shohin si diçka negative, porse Prokuroria Speciale mund të gjejë se kush ka manipuluar me këto prova.

“Ne jemi të bindur që nëse Prokuroria Speciale e Kosovës do të kishte marrë në përgjegjësi personat që kanë punuar në zbardhjen e vrajës së Astrit Deharit, do të gjendeshin edhe personat me emër dhe mbiemër, të cilët kanë qenë të involvuar në çfarëdo lloj pune që e kanë kryer në kuadër të institucioneve dhe jo të dërgohen vetëm këto prova, të cilat faktikisht janë manipuluar dhe janë shndërruar si prova të papërdorshme… Kjo ekspertizë shtesë vërteton diçka që ne gjithmonë e kemi ditur që institucionet përkatëse prej policisë, por edhe organet e tjera të vitit 2016 kanë manipuluar me provat, të cilat direkt do të dërgonin në atë që të gjithë e dimë që Astri Dehati është vrarë dhe do të mund të identifikoheshin edhe personat që e kanë kryer këtë”, tha avokati Gashi.

Babai i Astrit Deharit, Avniu u shpreh se besojnë në çdo përfundim të nxjerrë nga Instituti Zviceran. Ai tha se kjo ekspertizë shtesë tregon se të gjitha provat e dërguara në Institut janë të papërdorshme dhe të dëmtuara.

“Në çdo përfundim që kanë sjellë ata besojmë plotësisht meqë i kanë bërë në mënyrë shkencore… Edhe tash pas analizës dhe përfundimit që kanë ardhur në raportin e parë se është prania e personit të tretë që ka marrë pjesë në vrasjen e Astritit. Kanë ardhur të kërkojnë fakte e argumente plotësuese që ta zbardhin si duhet. Të gjitha provat e fotografitë që i kanë dërguar, kanë qenë të dëmtuara. Tani në këtë ekspertizë që kanë dërguar, konkludojnë se asnjë provë nuk ka mbetur pa u dëmtuar, pra të gjitha janë të papërdorshme. Kanë dërguar edhe një tojë, një laps dhe një brisk të rrojës, të cilat këta i kanë parë që janë gjëra personale të Astritit në të cilat nuk ka diçka të tretë dhe natyrisht se ata kanë thënë se nuk ka diçka nga një person i tretë dhe tash Prokuroria Speciale e Prishtinës, në të cilën kemi besuar që do ta kryejë punën me ndërgjegje, është nxitur që të del, e ka shfrytëzuar vetëm këtë konkludim dhe jo konkludimet tjera, se ka edhe 4-5 konkludime, dhe ka shfrytëzuar këtë konkludim që të krijojë mjegull në opinion, se gjoja ekspertët kanë thënë se nuk ka këtu person të tretë që ka marrë pjesë në vdekjen e Astritit, me këtë të vërtetohet përpjekja e tyre që Astritit ka bërë vetëvrasje”, u shpreh Dehari.

Nëna e të ndjerit, Xhevahire Dehari kërkoi të merr dikush përgjegjësi për mos zbardhjen e vdekjes së djalit të saj. Ajo tha se prokurori aktual nuk është duke bërë as më pak e as më shumë punë se sa prokurori Sylë Hoxha.

“Prokurori i rastit që tani është duke e kryer punën sikurse Sylë Hoxha, asnjë punë më tepër apo më pak, nuk është duke e bërë që tri vjet, e kanë marrë rastin, asnjëherë kurrgjë nuk na kanë thënë. Para katër muajve kemi shkuar vetë, i kemi pyetur, por nuk na kanë dhënë përgjigje, përveç asaj se jemi duke e pritur prej Zvicrës raportin shtesë dhe nëse doni t’ua dorëzojmë lëndën. Por nuk dorëzohet lënda kur është mbajtur tri vjet. Dikush duhet me dhënë përgjegjësi për këto që po bëjnë”, tha ajo.

Gjatë ditës së sotme Prokuroria Speciale e Kosovës i ka reaguar Ministrisë së Drejtësisë meqë kjo e fundit e akuzoi për manipulim me konkluzionet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Me ç’rast Prokuroria Speciale ka publikuar pesë konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Zvicrës për rastin e Deharit.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, që u gjet i vdekur më 5 nëntor 2016 në burgun e Prizrenit nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Lajmet

Mesazhi i Ramës për Beogradin: Nëse preket Kosova, preket Shqipëria

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar mesazhe të qarta presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke i cilësuar si të pabaza pretendimet e tij për një aleancë ushtarake Shqipëri–Kosovë–Kroaci. Rama i karakterizoi deklaratat e Vuçiqit si një frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për të pranuar realitetin.

Në një intervistë për “Turkiye Today”, Rama u shpreh se Kosova mbetet “makthi” i Vuçiqit. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet e presidentit serb se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon, duke marrë si shembull vonesat në projektet e restaurimit nga agjencia turke TIKA në Shqipëri. Sipas Ramës, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, projektet do të përfundonin shumë më shpejt.

“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund ta shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”, deklaroi Rama. Kjo ishte një përgjigje ndaj akuzave të Vuçiqit të tetorit të kaluar, i cili pretendonte se Turqia po “ëndërron Perandorinë Osmane” pas shitjes së dronëve Skydagger Kosovës, duke e portretizuar këtë si kërcënim për integritetin territorial të Serbisë.

Rama ironizoi qasjen e Vuçiqit, duke vlerësuar njohuritë e tij, por duke theksuar se emocionet ndaj Kosovës po ia humbin arsyen. “Presidenti Vuçiq është dikush me njohuri të mëdha dhe intuitë të shkëlqyer, por ai ka makthin e tij: Kosovën. Kaq është. Pikë. Kur makthi i pushton emocionet, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Megjithatë, Rama nënvizoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve për Kosovën, Vuçiqi mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet bashkëpunim mbi objektiva të përbashkëta rajonale.

Në fund, kryeministri rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Tiranës zyrtare: “Kosova është e pavarur; është republikë dhe ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova gjendet nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, raporton Ekonomia online.

/Ekonomia online/

 

Continue Reading

Të kërkuara