Lajmet

​Falë subvencioneve të dyfishuara bujqit ia dolën të mbijetojnë në pandemi

Published

on

Përkundër vështirësive, bujqit edhe në pandemi sivjet nuk hoqën dorë nga prodhimi i kulturave bujqësore. Ndonëse edhe dora e shtetit këtë vit ka mbërritur tek fermerët për ta përballuar këtë sfidë që kaploi tërë botën.

Pagesat për fermerë, subvencionet janë në përfundim nga Ministria e Bujqësisë, që deri tani janë realizuar pagesa për rreth 27 mijë fermerë me shumë totale prej mbi 25 milionë euro.

Kanë mbetur më pak se dy mijë fermerë që ende nuk i kanë marrë subvencionet, e që pritet deri në fund të vitit të përfitojnë edhe këta bujq nga pagesa e parë e subvencioneve.

Ndërkaq, pagesa e dytë, si pjesë e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në sektorin e bujqësisë ka filluar këtë javë dhe është duke vazhduar.

Fermeri nga fshati Baicë, Naim Bylykbashi përfitues i subvencioneve “Qumësht sipas cilësisë”, ka thënë se kjo është një mbështetje e madhe për të si blegtor dhe për të zhvilluar edhe më tej këtë sektor.

Veç kësaj me këtë veprimtari bujqësore të fermerit nga Lipjani që sigurohen gjashtë paga në muaj, Bylykbashi thotë se tash e tetë vjet nuk kanë probleme për të gjetur tregun e shitjes së qumështit me cilësi të lartë.

“Është një hap i mirë që kanë rritur subvencionin 100 përqind për neve dhe për të gjithë bujqit. Ka pasur rritje edhe tek subvencionet e qumështit të cilësisë për 100 përqind. Është një plus mjaft i mirë për neve. Shpresoj të ketë mbështetje edhe vitin tjetër. Pjesën e parë, gjashtë mujorin e parë e kemi marrë (subvencionin), ndërsa këtë të dytën ende”, thotë ai.

Ndërsa, fermeri nga Barileva e Prishtinës, Besim Rexha i cili është kultivues i rreth 50 hektarëve me grurë ka thënë për KosovaPress, se pandemia sivjet ka vështirësuar punën në bujqësi, megjithatë siç thotë ai subvencionet e dyfishuara për këtë vit kanë mundësuar të ketë leverdi.

Fermeri me plot energji për punë nga Barileva që aktualisht po lëvron arën për të mbjellat pranverore, thekson se këtë vit që po lëmë pas ka pasur të mbjella rreth 110 hektarë me kultura bujqësore, prej tyre 45 hektarë me patate, 50 me grurë dhe 4.5 me spec.

“Pjesën e parë të subvencioneve e kemi marrë, nga 150 euro për një hektar, tash pritet pjesën e dytë me na e dhënë. Mbështetja për fermerët kurrë nuk është boll, këtë vit veç po shihet se është më mirë me mbështetje, meqenëse edhe pandemia ka qenë, pra këtë vit mjaft kemi qenë të dëmtuar. Meqenëse subvencionet janë dyfishuar edhe ia kemi dalë shumë mirë”, thotë Rexha.

Driton Sulejmani nga biznesi “Eurolona”, në Fushë Kosovë thotë për KosovaPress, se mbështetja direkte është mjaft e qëlluar për të simuluar dhe ndihmuar fermerët. Ai thotë se janë kultivues të grurit me rreth 180 hektarë, dhe sivjet kanë marrë mbështetjen nga shteti me nga 300 euro për hektarë.

“Po besoj që deri në fund të javës do të ekzekutohen edhe pagesat siç kanë premtuar nga Ministria e Bujqësisë. Edhe për neve subvencionimi është i mirë se ardhur për shkak se kosto e prodhimit është mjaft e lartë dhe në nëse nuk do të ishin edhe këto subvencione atëherë leverdia e bujkut për të prodhuar do të ishte minimale”, theksoi Sulejmani.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa duke treguar për rëndësinë e subvencioneve për bujqit, thotë se këto pagesa për kulturat bujqësore për vitin 2020 janë në përfundim, derisa ka bërë me dije se kjo ministri është duke realizuar çdo ditë pagesa për fermerët dhe do të vazhdohet me këtë ritëm deri në moment të fundit.

“Me krijimin dhe miratimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike në kuadër të saj vendosëm që fermerët e dëmtuar në mungesë të shitjes së produkteve të tyre t’i kompensojmë në një formë financiare. Aty edhe lindi ideja që baza më e mirë ligjore ishte që të paguanim subvencionet dy herë. Nuk po e quajmë dyfish, por dy herë, për secilën kulturë t’i paguajmë subvencionet dy herë për vitin 2020. Kjo vlen vetëm për vitin 2020, si rezultat i Covid-19. Deri më tani kemi arritur që të paguajmë subvencione nga program i rregullt për mbi 27 mijë fermerë nga gjithsej 29 mijë që kanë aplikuar për subvencione në vlerë prej mbi 25 milionë euro. Ndërsa sa i përket pakos se rimëkëmbjes, pagesa e dytë tanimë kemi filluar t’i procedojmë pagesat dhe presim që së shpejti edhe fermerëve të fillojnë t’iu dalin këto mjete në xhirollogaritë e tyre. Ne po tentojmë që t’i paguajmë të gjitha këto pagesa brenda këtij viti. Eventualisht ndoshta një pjesë shumë e vogël mund të mbesin për janarin e vitit të ardhshëm”, thekson ministri Mustafa.

Ministri Mustafa ka thënë po ashtu se programi i rregullt i subvencionimit për këtë vit ka qenë program i ngjashëm me atë të vitit të kaluar, me disa ndryshime të vogla te kultura e mjedrës, perimet në fushë të hapur dhe në sera, si dhe disa ndryshime tek blegtoria.

Këto ndryshime, sipas Mustafës kanë ndodhur në periudhën pranverore, në valën e parë të COVID-19.

Vendi

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit për mungesë kuorumi, shtyhet shqyrtimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet të martën për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili para gazetarëve foli edhe për Projektligjin për Gjykatën Speciale. Ai tha se vazhdimi i seancës së ndërprerë, ku ishte paraparë shqyrtimi i këtij projektligji, kërkon koordinim dhe dakordim mes partive politike.

“Është çështje komplet jashtë rendit të ditës së Kryesisë. Arsyeja që është ndërprerë seanca ka të bëjë me mungesë të kuorumit dhe realisht kryetarja Haxhiu ka autorizuar që, në koordinim me shefat e grupeve parlamentare, të caktohet një datë kur do të vazhdojë ajo seancë. Mbetet çështje e dakordimit politik, të menaxhuar dhe drejtuar nga kryetarja e Kuvendit”, theksoi Gola.

Ai u pyet edhe për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gola shprehu keqardhje për procesin gjyqësor që po zhvillohet në këtë institucion, ndërsa bëri të ditur se vendimi i fundit do të trajtohet edhe në kuadër të grupit punues për strategjinë lidhur me ish-krerët e UÇK-së, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

“Shprehim keqardhjen tonë për gjithë procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi themeluar një grup punues, në krye të të cilit është zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, dhe shpresojmë që edhe ky vendim të jetë si pjesë shtesë e këtij grupi punues”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Gjykata e Lartë në Beograd cakton paraburgimin dhe lëshon urdhërarrest për Milan Radoiçiqin

Published

on

By

Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit dhe lëshimin e urdhërarrestit ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, pasi ky i fundit nuk është paraqitur në stacionin policor, konfirmim ky i dhënë për median serbe Insajder nga vetë Gjykata e Lartë në Beograd.

Sipas Gjykatës, vendimi për paraburgim dhe fletarrest është marrë për shkak se Radoiçiq i cili ndodhet nën hetime për pjesëmarrje në sulmin e armatosur në fshatin Banjskë nuk është lajmëruar në stacionin policor më 15 nëntor. Paraqitja periodike në polici ishte një nga masat e sigurisë të caktuara nga gjykata si garanci se ai do të ishte i disponueshëm gjatë kohëzgjatjes së hetimeve. Sipas po të njëjtave burime gjyqësore, paraburgimi u caktua për shkak të rrethanave që tregojnë se i pandehuri po fshihet ose është arratisur. Informacionin fillimor se për Radoiçiq është lëshuar urdhërarrest e kishte publikuar portali BIRN.

Milan Radoiçiq po hetohet në Serbi në kuadër të lëndës “Banjska”, e cila u iniciua pas konfliktit të armatosur në fshatin Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, ku mbetën të vrarë katër persona, rreshteri i Policisë së Kosovës,  Afrim Bunjaku i cili ishte në detyrë dhe tre anëtarë të grupit të armatosur.

Radoiçiq kishte pranuar përmes avokatit të tij, Goran Petronijević, se kishte qenë përgjegjës logjistike për organizimin e grupit terrorist.

Ndonëse Prokuroria e Lartë në Beograd kishte kërkuar paraburgim pas nisjes së procedurës penale për vepra të tilla si armëmbajtje pa leje dhe vepra kundër sigurisë përgjithëshme, gjykata e kishte lënë të mbrohet në liri, me kusht që të dorëzonte pasaportën, të mos udhëtonte në Kosovë dhe të paraqitej në polici çdo dy javë. Që atëherë, prokuroria nuk kishte dhënë asnjë informacion për ndonjë përparim tjetër në këtë hetim.

Paralelisht me këto zhvillime në Serbi, në Kosovë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 45 personave, ku rasti në Banjskë është cilësuar si terrorizëm dhe sulm ndaj rendit kushtetues, proces në të cilin dy persona tashmë janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe një tjetër me 30 vjet burgim.

Në kohën kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq ushtronte funksionin e nënkryetarit të Listës Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës me lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, ndërsa më parë ishte shfaqur shpesh në tubime politike dhe në shoqërinë e zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Serbisë. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Marko Hatlak kërkon falje për interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në Bruksel

Published

on

Muzikanti dhe fizarmonicisti slloven, Marko Hatlak, ka kërkuar falje për përzgjedhjen dhe interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë ceremonisë hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2026 në Bruksel.

Kënga, e cila përmban pretendime nacionaliste serbe ndaj Kosovës, kishte nxitur reagime të shumta pas interpretimit të saj në këtë aktivitet.

Hatlak, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e programit muzikor në emër të Komisionit Evropian, ka thënë se përzgjedhja ishte e paqëllimshme dhe se nuk ishte në dijeni të kontekstit historik e politik të këngës.

Në një reagim publik, ai ka shpjeguar se ishte ngarkuar të përzgjidhte dhjetë këngë, nga një për secilin vend pjesëmarrës në forum, dhe t’ia dorëzonte ato organizatorëve për miratim.

Sipas tij, gjatë kërkimit në Google për një këngë tradicionale nga Kosova, kishte hasur në “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila ishte përshkruar si këngë patriotike.

“Unë e përzgjodha atë nga këndvështrimi i një muzikanti, pra duke u bazuar në harmoninë, ritmin dhe tingullin e saj”, ka shpjeguar Hatlak.

Ai ka thënë se kishte vetëm një javë kohë për përgatitjen dhe interpretimin e programit dhe se, për shkak të afatit të shkurtër, nuk kishte arritur të hulumtonte prejardhjen dhe domethënien e këngës. Sipas tij, as organizatorët nuk e kishin vënë në pah natyrën problematike të përzgjedhjes gjatë shqyrtimit të programit.

“U kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje”, ka deklaruar muzikanti.

Hatlak ka bërë të ditur se kërkimfaljen ua ka dërguar drejtpërdrejt edhe ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, ambasadorit të Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kryenegociatorit për Integrimin Evropian, Jeton Zulfaj, si dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Ai ka theksuar se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd dhe se nuk do ta kishte interpretuar këngën po ta kishte ditur kontekstin e saj.

“Po ta kisha ditur kontekstin dhe domethënien e saj, sigurisht që nuk do ta kisha interpretuar. Gjatë gjithë karrierës sime, jam përpjekur që përmes muzikës t’u sjell njerëzve vetëm gëzim dhe paqe të brendshme. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të fyej askënd”, ka shkruar ai.

Në fund, Hatlak ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke shpresuar që kërkimfalja e tij të pranohet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Studimi i profesorëve të UBT-së publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”

Published

on

By

Punimi shkencor i profesorëve të Shkencave Mjekësore në UBT, Prof. Dr. Fitim Alidema dhe Prof. Dr. Zejdush Tahiri, në bashkëautorësi me Mr. Ph. Flakron Alidema, është publikuar në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology.

Ky studim vëzhgues retrospektiv ka analizuar të dhënat e 4.668 pacientëve të trajtuar me aspirinë 100 mg në kujdesin parësor shëndetësor. Gjetjet kryesore të hulumtimit tregojnë se përdorimi potencialisht i papërshtatshëm i aspirinës është dukshëm më i lartë në parandalimin parësor kardiovaskular (52,3%) krahasuar me atë dytësor (1,8%).

Kontributi i veçantë i këtij punimi të profesorëve të UBT-së qëndron në vlerësimin e përbashkët të indikacionit mjekësor, profilit të rrezikut për gjakderdhje dhe barnave shoqëruese, në raport me ndërprerjen e dokumentuar të terapisë. Sipas analizës, historia e gjakderdhjes gastrointestinale rezultoi të jetë faktori kryesor i lidhur me ndërprerjen e trajtimit me aspirinë, duke nxjerrë në pah nevojën për rivlerësim individual të raportit përfitim–rrezik te secili pacient.

Revista Pharmacoepidemiology, e botuar nga MDPI, renditet në kuartilin Q2 sipas SCImago 2025 në kategorinë e farmakologjisë dhe toksikologjisë, indeksohet në platformat e njohura Scopus dhe Web of Science (ESCI), dhe ka faktor ndikimi 1,6 sipas Clarivate.

Continue Reading

Të kërkuara