Lajmet

​Dëshmitari thotë se Salih Mustafën e ka takuar në javët e para të prillit në fshatin Butovc

Ai ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë i interesuar për strehimin dhe sigurimin e ndihmave të nevojshme për civilët.

Published

on

Gani Sopi është dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili po dëgjohet nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Aty Sopi ka folur për periudhën e parë të vitit 1999 dhe takimet me Salih Mustafën, çka sipas tij, ata janë takuar në fshatin Butovc në javët e para të muajit prill. Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë i interesuar për strehimin dhe sigurimin e ndihmave të nevojshme për civilët.

Sopi ka thënë se në fund të marsit të vitit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, bashkë me civilët janë larguar nga Prishtina për në fshatin Butovc, ku ka theksuar se është edhe vendlindja e tij.

“Kujtimet janë të vështira, koha dhe rrethanat kanë qenë shumë të vështira, ishte një represale shumë e madhe në qytet, por jo vetëm në pjesën e qytetit tim por edhe në pjesë të tjera të qytetit, policia dhe paramilitarët serb bënin një dhunë të paparë dhe nuk kishte rrugë tjetër përveç të organizojmë në ndonjë mënyrë popullin dhe atë pjesën që ishte faktikisht kah jetonim edhe ne, me të gjithë shokët dhe bashkëveprimtarët e mi dhe t’i orientojmë nga Butovci për shkak se atje edhe ishte vendlindja ime dhe mënonim që ndoshta do të ishte një siguri pak më e madhe”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se në strehimin e civilëve në fshatin Butovc ka kontribuar edhe Salih Mustafa.

“Gjatë asaj kohe që kemi pasur strehimin, vendosjen, shumë ka kontribuar edhe Salih Mustafa, me të cilin shpeshherë jam takuar dhe kemi biseduar dhe më ka thënë që vërtetë të ndihmohet popullata, të u bëhet strehimi, të u sigurohet ushqimi, të u sigurohen barnat”, ka thënë Sopi.

Me Salih Mustafën ai ka thënë se është njohur që prej daljes së Mustafës nga burgu dhe sipas tij kjo ka ndodhur përmes vëllait të tij, Mustafë Sopit i cili kishte qenë profesor i Salih Mustafës.

Gani Sopi ka thënë se ka qëndruar në Butovc deri më 13 qershor të atij viti ndërsa ka theksuar se ai i ka raportuar vëllait të tij, Mustafë Sopit.

“Muaji prill është bukur i rëndë për mua personalisht, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe gjithë atë zonë që ka qenë e Gollakut. Është e vërtetë që e kam takuar në fillim të prillit në javët e para të prillit Salih Mustafën në Butovc. Arsyeja ka qenë se ka qenë Bajram, e para, e dyta, ka qenë ky shumë i lidhur me vëllain, profesorin e vet, dhe ka ardhur me vizitu në Butovc por gjithashtu ka ardhur me pa edhe popullatën e cila ishte e shumtë në Butovc dhe për me pa se si janë vendosur, si janë organizuar, si janë strehuar, si po grumbullohet ushqimi e shumë çështje të tjera”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se me Mustafë Sopin e Salih Mustafën kanë dalë disa herë në pika vëzhguese meqë sipas tij ushtria e policia serbe ishin të pozicionuar jo larg vendndodhjes së tyre në fshatin Butovc.

“Datat mund të jenë lëvizëse për shkak të rrethanave dhe kohës shumë të largët, 23 vjet, e di që ka qenë java e parë dhe java e dytë e muajit prill. Ne jemi takuar, kemi biseduar por ky ka qenë kryesisht kontakt edhe me profën për shkak se në ato rrethana e në atë kohë e kishim më përgjegjës, dhe koordinimin e punëve më shumë e ka pasur profesor Mustafë Sopi, vëllai im tash i ndjerë, i cili i ka koordinuar dhe i ka pasur ato detyrat e specifikat, por kam qëndruar edhe unë dhe kemi biseduar rreth situatës e cila ka qenë edhe brenda me popullatën civile”, ka thënë ai.

Sopi ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë në Butovc me rroba civile duke theksuar një xhaketë ngjyrë të gjelbër. Ai ka thënë se Salih Mustafa kishte qëndruar në shtëpinë e Mustafë Sopit.

Sopi i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafa është mik e bashkëluftëtar i tij dhe ka shtuar se me të ka edhe lidhje familjare meqë mbesa e tij është bashkëshortja e Mustafës.

Sopi ka bërë të ditur se aktivitetin politik e ka filluar në vitet e ’90-a si një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se në LDK ka qenë anëtar kryesie ndërsa në periudhën e luftës e ka udhëhequr edhe komisionin e informimit ku ka pasur struktura, të cilat i kanë dhënë informata.

Ndërsa ka bërë të ditur se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në janar të vitit 1998.

Gjatë dëshmisë së tij Gani Sopi ndër të tjera ka thënë se më 24 mars të vitit 1999 është plagosur në Prishtinë por nuk ka dashur të flas më shumë për këtë ngjarje.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

lajme

LVV kërkon konsultime me BE-në për Ligjin për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se institucionet kanë edhe dy javë kohë për të vendosur se si do të procedohet tutje me Ligjin për Gjykatën Speciale, duke kërkuar që fillimisht të zhvillohen konsultime me Bashkimin Evropian e më pas të raportohet në Kuvend.

Deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka deklaruar për KOHËN se procesi nuk duhet të zhvillohet me nxitim, në mënyrë që të shmangen gabimet e mundshme që mund t’i kushtojnë vendit.

“I kemi edhe dy javë kohë. Nuk është mirë që përsëri të nxitohemi e përsëri të gabojmë e të pendohemi. Gabimet po na kushtojnë rëndë. Nuk ka mandej lexim të katërt!”, u shpreh Rrustemi.

Ai ka bërë thirrje që Grupi Punues për Strategji drejt Apelit në Gjykatën Speciale, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, të takohet dhe të konsultohet me zyrtarët e BE-së. Sipas tij, pas këtyre konsultimeve grupi duhet të raportojë para deputetëve në Kuvend për të parë se ku mund të ndërhyhet me ndryshime. /KOHA/

Continue Reading

Aktualitet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

12 nëntor 1992

Serbët provokojnë një konflikt të përgjakshëm

Televizioni zviceran, mbrëmë dha një emision special kushtuar gjendjes në Kosovë. Në emision u transmetua edhe një bisedë me vajzën nga Peja, të cilës gjatë protestave për lirimin e shkollës shqipe, i është prerë veshi. Në emision po kështu u dhanë pamje të situatave tragjike në Kosovë. Emisioni i mbrëmshëm ishte në shenjë të vrasjes së djeshme të të riut shqiptar, Nasjet Selimi në Prishtinë, nga ushtria serbe. Redaktori tërheq vëmendjen mbi mundësinë e eskalimit të një lufte të përgjakshme nga provokimet serbe, që do të kishte pasoja tragjike jo vetëm për Kosovën, por

për tërë rajonin.

 

12 nëntor 1993

Klintoni përsërit kërcënimet kundër serbëve

Duke informuar për paraqitjen e djeshme të presidentit amerikan para gazetarëve, masmediumet gjermane njoftojnë se gjatë kësaj konference Klintoni theksoi me atë rast se serbët vazhdojnë sulmet ndaj Sarajevës. NATO-ja duhet të bombardojë caqet ushtarake serbe në Bosnjë. Për të mos mbetur në letër planet e NATO-s, presidenti Klinton shprehu nevojën që për realizimin e këtyre planeve duhet të bindet OKB-ja.

Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme thekson se NATO-ja duhet të përcaktohet, sepse përgjegjja pozitive e sajë do të shpiente në aplikimin e këtyre kërcënimeve duke përdorur mundësinë e do të shpiente në aplikimin e këtyre kërcënimeve, duke përdorur mundësinë e intervenimit ajror kundër caqeve ushtarake serbe në Bosnjë.

Ministri i jashtëm gjerman sipas gazetës “Die Welt” po orvatet që plani i tij dhe ministrit të Jashtëm francez, Zhype të përkrahet edhe nga SHBA dhe Rusia. Duke e komentuar planin gjermano-francez për Bosnjën “Die Welt” në fillim e vlerëson si iniciativë të mirë e cila nuk niset nga premtimet boshe, por nga veprimet konkrete, por kjo iniciativë, shkruan komentatori i “Die Welt”-it, është kritikuar në mënyrë shumë serioze nga SHBA-të për shkak se për herë të parë shtrohet çështja e heqjes së sanksioneve ndaj Serbisë, jo për zgjidhjen globale të konflikteve në ish-Jugosllavi, por për zgjidhjen e problemeve vetëm në një pjesë të ish-Jugosllavisë. Prandaj pyet komentatori i “Die Welt”-it: çka do të ndodh në Kosovë dhe në Maqedoni nëse i hiqen sanksionet Serbisë? A nuk mund prapë loja serbe të fillon rishtazi në Kosovë dhe Maqedoni.

 

12 nëntor 1994

Gjatë dhjetë muajve të kaluar në Kosovë nga sëmundjet ngjitëse vdiqën 193 veta

Dje në Brezovicë u mbajt një mbledhje e drejtorëve të enteve për mbrojtjen e shëndetit të Serbisë. Me atë rast u tha se gjatë dhjetë muajve të kaluar u regjistruan 18.115 të sëmurë nga sëmundjet ngjitëse, kurse prej tyre vdiqën 193. Gazeta e sotme “Jedinstvo”, duke cituar fjlaët e drejtorit të instaluar serb të Entit Shëndetësor të Prishtinës, Komnen Tmushiq, shkruan se ky ent gati ka mbetur pa kuadro dhe pa mjete themelore për punë, kurse 80 për qind e pajisjes është amortizuar.

 

12 nëntor 1995

Arvanitasit – komunitet i fuqishëm dhe i rëndësishëm në historinë e vjetër dhe të re të Greqisë

Prishtinë 12 nëntor (QIK)

Arvanitasit e Greqisë janë një komunitet shumë i fuqishëm, i cili ka dhënë një kontribut të madh në historinë e vjetër dhe të re të Greqisë. Presidenti i parë i Republikës greke ishte arvanitasi Pavlo Kundrioti nga ishulli Hidra. Po nga ky komuniteti i arvanitasve numërohen mbi 15 kryeministra, si dhe një numër i madh ministrash në qeveritë e deritashme të Greqisë, ndërkohë që nga ky komunitet doli edhe një plejadë artistësh, në mesin e të cilëve edhe e famshmja Melina Merkuri, thuhet në fillim të një bisede me Aristid Kolën, kryetar i Shoqatës së Arvanitasve të Greqisë me seli në Athinë që e botoi gazeta e djeshme “Bujku”.

Që nga viti 1981 në Greqi funksionon shoqata në fjalë. Zoti Kola është jurist me profesion. Mirëpo kohën më të madhe të tij ai ia kushton Shoqatës dhe botimit të revistës së arvanitasve “Besa”. Po ashtu zoti Kola shkroi “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviqit” si dhe është autor i dy librave tjerë: “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” dhe “Gjuha e perëndive”. Libri i tij i parë deri më tash u ribotua shtatë herë.

Në librin e tretë autori përpiqet të bëjë një analizë kritike të politikës ballkanike greke të viteve të fundit. Posaçërisht mbi varësinë e politikës greke në planet serbomëdha të Milosheviqit. Në dhjetevjeçarin e parë të këtij shekulli, kur serbët synonin, pas largimit të turqve, të pushtonin Kosovën dhe trojet e sotme të Republikës ish-jugosllave të Maqedonisë, gjithë bota politike dhe intelektuale greke u deklarua se serbët nuk kanë asnjë të drejtë mbi ato troje, sepse ato troje banohen nga vëllezërit tanë shqiptarë. Sot, për fat të keq, vëllezërit u bënë armiq dhe serbët u bënë vëllezër të Greqisë, thotë z. Kola.

Sot që arvanitasit, por edhe gjithë populli grek të luajnë një rol pozitiv në marrëdhëniet greko-shqiptare, së pari duhet t’i gjejnë gjurmët e humbura të historisë së tyre.

 

12 nëntor 1996

Kryqi i vizatuar në muret e xhamisë

Siç njofton gazeta “Bujku”, duke iu referuar Ismail Kërçelit, kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin Lisockë janë vizatuar më 8 nëntor në xhaminë e fshatit Zhujë të Kamenicës janë vizatuar me ngjyrë të kuqe kryqe me katër S në alfabetin cirilik dhe emrin Vuk.

Vlerësohet se me këtë akt është synuar provokimi i popullsisë së kësaj ane në bazë fetare.

 

12 nëntor 1997

Kontrollime në “Kurriz” në Prishtinë

Prishtinë, 12 nëntor (QIK)

Një ekspeditë e policisë serbe hyri mbrëmë rreth orës 22 në disa kafeteri e restorante të pronarëve shqiptarë në kuartin e “Dardanisë” në Prishtinë.

Policia legjitimonte dhe kontrollonte shumë mysafirë të pranishëm në këto lokale, pa dhënë asnjë shpjegim.

Në këtë kuart, në mbrëmje tubohen mijëra të rinj të Prishtinës.

 

12 nëntor 1998

Forcat serbe sulmuan Mleçanin e Malishevës – një i vrarë e disa të plagosur

Prishtinë, 12 nëntor (QIK) – Forcat ushtarako-policore serbe sulmuan sot fshatin Mleçan të Malishevës. Së paku një shqiptar u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Veprimtari i LDK-së nga fshati Vërmicë, D. Gashi, tha se rreth orës 12.30 në Mleçan hyri një konvoj i policisë dhe ushtrisë serbe, të cilat menjëherë shtinë me armë në drejtim të popullatës civile e cila ditëve të fundit ka filluar të kthehet në fshat, në shtëpitë në masë të madhe të djegura e të rrënuara gjatë ofensivave të forcave serbe.

Deri tash dihet për një të vrarë, e ai supozohet të jetë Xhafer Gashi, invalid, nga ky fshat, ndërsa ka edhe të plagosur, por nuk është mësuar ende numri i tyre.

  1. Gashi tha se edhe në orët e pasdites forcat serbe nuk janë tërhequr nga fshati, por po vazhdojnë të shtijnë armë. Me armë shtihet edhe nga pozicioni i forcave serbe te pishat e Llazicës, fshat fqinj me Mleçanin.

Banorët e Mleçanit dhe të Llazicës, të përballur me këto sulme serbe, u detyruan të largohen sërish nga shtëpitë e tyre.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara