Lajmet

​Dëshmitari i gjashtë në rastin ndaj Mustafës thotë se është rrahur për shkak të bindjeve politike

Fillimisht ai ka thënë se është mbajtur në një ahur dhe është marrë në pyetje, pastaj sipas tij është rrahur në një tjetër vend.

Published

on

Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka thënë se është rrahur e keqtrajtuar nga disa persona gjatë kohës që ai thotë se është mbajtur në një ahur. Dëshmitari pretendon se është rrahur nga disa persona me arsyetimin se i njëjti ishte spiun, por para trupit gjykues ai ka thënë se keqtrajtimi i është bërë për shkak të bindjeve të tij politike e ushtarake. Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se personat që i mbanin i urdhëronin të thoshin”vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave dhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Dëshmitari që mban kodin 4669 dhe po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në Dhomat e Specializuara në Hagë është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezar Michalzuk, ku ndër të tjera ka thënë se ka mbajtur një ditar me shënime, për çka sipas tij, nga personat që thotë se është rrahur i është thënë se po e përdor për të spiunuar.

Pjesa ku dëshmitari ka treguar si është dërguar në një objekt të mbajtjes është zhvilluar në seancë të mbyllur dhe dëshmia ka vazhduar prej periudhës ku dëshmitari pretendon se ka qëndruar në një ahur me dy persona të tjera që ka thënë se mbaheshin aty.

Fillimisht ai ka thënë se është mbajtur në një ahur dhe është marrë në pyetje, pastaj sipas tij është rrahur në një tjetër vend.

“Më morën në mbrëmje me vete, mi kanë mbyll sytë mos me pa ku po shkojmë, kur kemi shku atje mi kanë heq, pa duar të lidhura pa asgjë, vetëm në përcjellje të dy personave edhe dy kanë qenë anash tyre, edhe më thanë pjesën e sipërme me u zhvesh krejt, prej belit e lart me u zhvesh krejt edhe pastaj më pyesnin më thoshin pse ti ke marrë shënime në atë bllokun, si ditar që e kam pasur, është e shënuar me stilolaps, se atëherë kam shënuar me stilolaps ditarin jo me kimik në mënyrë që vetëm me i qitë ujë në rast rreziku fshihet ajo, dhe i kam thënë që kam marrë shënime që nuk më duket se janë të palejueshme askush nuk më ka thënë se janë të palejueshme ditari me marrë me vete. ‘Ti po spiunon, jo thash unë nuk kam të bëjë, nëse ke ti ndonjë dokument si provë që po spiunoj’. Ka filluar pastaj ‘përkulu, kam qenë në këmbë, tha kështu qëndro me rroba të hequra’ dhe më kanë goditur në shpinë, më kanë goditur me një shufër të gomës, sikur shufra e milicisë serbe, ka qenë shufër e tyre si duket, shufër e gomës jo shufër metalike, shufër e gomës policore”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ai ka thënë se është marrë në pyetje nga dy persona të ri në moshë, rreth 17 dhe 18 vjeç, ndërsa dy të tjerë më të rritur ka thënë se rrinin në gjendje gatishmërie.

“Më vonë pasi kam analizuar gjërat e kam vërejtur, që mua nuk ma merr mendja që ka qenë ai qëllimi i rrahjes sime, por ka qenë më tepër çështje e bindjeve tona çfarë kemi pasur politike, ushtarake, shkaku i tyre, sikurse që u ka ndodhur shumë të tjerëve, nuk ka qenë çështja që ne kemi qenë spiunë fare, nuk ka pasur të bëjë me atë çështje fare, më vonë e kam menduar këtë jo për kohën që po më pyesni ju”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Derisa është pyetur rreth dy personave për të cilët thotë të kenë qëndruar në mbajtje me të, dhe moshave të tyre, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun. Sipas tij, dy personat e tjerë ishin dërguar në atë ahur disa ditë përpara tij.

“Kur ka filluar marrja në pyetje, na kanë marrë secilin një nga një, na kanë dërguar prej vendit ku kemi qenë në një vend tjetër, edhe na kanë mbuluar fytyrën dhe kur kemi shkuar në atë vend na kanë hequr prej syve atë të fytyrës dhe e kemi parë vetën që jemi në një vend tjetër, por ajo ka qenë aty afër nuk ka qenë diku larg, ka qenë kapur objekti me objektin nuk më kujtohet saktë por shumë afër ka qenë në bazë të asaj që kemi ecë shumë pak. Marrja në pyetje ka qenë në mbrëmje vonë, ajo më kujtohet se ka qenë aty një dritë elektrike”, ka thënë dëshmitari.

4669 ka thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga sy personat që thotë se janë mbajtur aty, ka mësuar se ata janë rrahur gjatë marrjes në pyetje por sipas tij nuk e di se çka i kanë pyetur ata ose arsyen pse janë mbajtur.

Personat që sipas dëshmitarit kanë qëndruar aty, kanë marrë në pyetje dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, ishin me rroba të zeza dhe vetëm disa me pantallona ushtarake.

Gjatë dëshmisë së tij, 4669 ka thënë se aty ku pretendon se ka qëndruar me dy persona, më vonë është sjellur edhe një tjetër person, që sipas tij, kishte duart e lidhura dhe ishte i nxirë në fytyrë nga rrahja.

“Kur e kanë sjellë herën e dytë ka qenë në gjendje gati i vdekur, ka qenë i shtrirë duke gjëmuar, ka qenë edhe më i enjtur se që ka qenë, hundët i ka pasur pak si gjak dhe nuk ka qenë në gjendje as të flas as kurrgjë, vetëm rënkonte. Kjo ka ndodhur herën e dytë, ne e kemi dëgjuar herën e parë kur e kanë pru, pastaj e kanë marrë e kanë mbajtur jashtë, nuk më kujtohet atë ditë apo të nesërmen, mirëpo herën e dytë përpara se me pru brenda kur e kanë marrë e kanë lënë jashtë e kanë rrahur aq shumë sa që dëgjoheshin të rrahurat e tij pastaj e shihnim nga vrimat që e godisnin me tepër se pesë-gjashtë veta, me çkado që kishin në duar, e vërenim prej vrimave, dhe pasi që e kanë përfunduar rrahjen e kanë pru të ne, dhe pasi që e kanë pru herën e dytë edhe herën e parë, sa herë e kanë pru të ne na kanë urdhëruar me thënë vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave edhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto kanë qenë sa herë e kanë pru brenda që ne është dashtë e i thënë, secili prej neve të treve”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Sipas tij, rrahja ka ndodhur jashtë ahurit dhe ai ka mundur të shoh nga disa vrima që sipas tij ishin në dhomën ku mbaheshin.

Personin për të cilin ka folur, dëshmitari e përshkruan me rreth 100 kilogramë dhe gjatësi deri në 2 metra.

“Ai i ka pasur duart e lidhura me tel, edhe i ka pasur të shtrënguara shumë, tel, tel i bakrit të bardhë apo se di si me quajt, a ka qenë i bardhë apo i zi nuk më kujtohet, por tel. Ajo ka qenë e palogjikshme… Kur e kanë marrë herën e dytë brenda një nate, ose atë natë e kanë marrë ose të nesërmen dhe më nuk e kemi parë asnjëherë, kjo është ajo përgjigja që më kujtohet, jo në bazë të thashethemeve por unë çka kam parë vet”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, gjendja e personit, të cilin e përshkruan, i ka frikësuar atë dhe personat e tjerë që mbaheshin.

“Unë e kam kuptuar që më të vërtetë jemi në rrezik për shkak që mund të na ndodh sikurse ajo që i ka ndodhur atij, dhe çështja sa i përket pse e kanë pru, ata thoshin që ai ka vjedhur gjatë luftës, sidomos një person e përmendin një grua shtatzënë që i ka vjedh të hollat të tregu thoshin dhe po ashtu që bashkëpunonte me serbët. Ashtu kam dëgjuar, ashtu kanë thënë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ky është dëshmitari i gjashtë i ZPS-së dhe gjatë pjesës së parë të seancës ai ka thënë se në shkurt të vitit 1999 ka qëndruar dhjetë ditë në fshatin Zllashë ku sipas tij ka kryer stërvitje në mënyrë që të bëhet pjesë e UÇK-së.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara