Lajmet

​Demonstratat e vitit 1981 – parathënie e krijimit të identitetit të republikës në kuadër të ish-federatës jugosllave

Published

on

Demonstratat e studentëve të vitit 1981 në Kosovë ishin parathënie e krijimit të identitetit të republikës në kuadër të ish-federatës jugosllave, pasi ishin pikënisje e një lëvizjeje erozive për shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe të një fryme nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare.

Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë – sinjalizimi i botës për shkeljen e të drejtave njerëzore në Jugosllavi”, të organizuar nga Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”. Aty vëmendje e madhe iu kushtua edhe gjenocidit dhe krimeve serbo-jugosllave në Kosovë.

Drejtoresha e Institutit Shkencor Kosovaro-Suedez, Salihe Salihu tha se se këto demonstrata ishin të nevojshme për ruajtjen e identiteti kombëtar, i cili po cenohej atë botë në kuadër të ish-federatës jugosllave. Teksa shtoi se prej protestave të studentëve u deshën dy dekada për të arritur lirinë. Ajo tha se i duhet dhënë vëmendje më e madhe institucionale demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.

“Demonstruesit paqësorë nuk u pritën me mjete paqësore, por kundër tyre u ushtrua një dhunë dhe një gjenocid, ku u deshën dy dekada për të finalizuar kërkesën për republikën, por tanimë Republikën shtet të pavarur. Prandaj, Instituti Kosovaro-Suedez konsideron se kjo ditë duhet të shënohet në gjithë Kosovën, por në veçanti nëpër konferenca shkencore, duhet t’i jepet hapësirë më e gjerë dhe vëmendje institucionale”, tha ajo.

Profesori Ibrahim Gashi foli për ndikimin e demonstratave studentore të vitit 1981 në formësimin e kulturës politike për shtet të pavarur, me ç’rast tha se këto demonstrata duhet parë si parathënie të krijimit të identitetit të republikës.

“Ky shpërthim i studentëve shqiptarë nuk erdhi si rezultat i represionit serb, por më tepër si shprehje e një vetëdijësimi kombëtar dhe të kulturës politike të shprehur përmes të drejtës demokratike përmes protestës, që Kosova të realizonte statusin e Republikës brenda federatës, i cili ishte pamundësuar me rrugë institucionale. Demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës duhet parë edhe nga një dimension tjetër, si pikënisje e një lëvizjeje erozive për shpërbërjen e Jugosllavisë federale dhe të një fryme nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare”, tha Gashi.

Profesori Islam Qerimi prezantoi punimin “Krimet e shtetit serbo-jugosllav kundër shqiptarëve gjatë shekullit të XX-të”, në të cilin kishte mbledhur dhe analizuar projekte të regjimit serb për spastrimin etnik. Ai tha se pushtuesit serbë përdorën mënyra nga më të ndryshme kundër shqiptarëve, teksa shtoi se për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë ka shumë fakte e dëshmi, të cilat po të përmblidhen do të shkruheshin libra të tërë.

“Pushtuesit serbë, politikanë, shkrimtarë, novelist, historianë, mësues, pedagogë e diplomatë, në bazë të udhëzimeve të kupolës të piramidës shtetërore serbe hartuan projekte, platforma, memorandume, programe, mbajtën tribuna të fshehta e të hapura, u tubuan në konferenca e forume shkencore, organizuan tryeza të rrumbullakëta në emër të Serbisë së vjetër, çuan mesha drejt qiellit, shenjtëruan luftëtarët serbë, shkruan libra, monografi, përplot mllefe ndaj ushtarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi”, tha ai.

Ndërsa profesori Bejtush Gashi, i cili prezantoi punimin “Veprimtaria dhe aktivitetet e pushtetit serbo-jugosllav në aspektin ushtarak në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1981”, përmendi disa fakte për organizimin dhe kompetencat e Kosovës në organizimin ushtarak. Ai tha se vetëm për rekrutët shqiptarë kërkohej formimi i 2 dosjeve, teksa shtoi se në ish-Jugosllavi serbët në numër ishin më të përfaqësuarit.

“Në strukturat udhëheqëse komanduese në ish-armatën serbët ishin të përfaqësuar me mbi 70 përqind të oficerëve në të gjitha nivelet, ndërsa në shërbimet sekrete dhe të ndjekjes penale ishin të përfaqësuar me mbi 90 përqind. Nacionalistët serbë duke shfrytëzuar aparatin shtetëror komunist, sidomos atë ushtarak kurrë nuk pushuan për t’ia ndryshuar pozitën dhe kufijtë e saj të përcaktuara me Kushtetutën e vitit 1974. Mbi oficerët dhe ushtarakët shqiptarë, që shërbenin në forca të armatosura dhe kundër tyre ushtroheshin metoda të sofistikuara të presionit psikologjik për të ndikuar në mënyrë direkte që ata të njiheshin si jugosllavë. Te oficerët shqiptarë përdorin metodat e ‘larjes së trurit’ që të bëheshin personalitete të besuara të regjimit sllavo-komunist”, tha ai.

Më 4 mars 1981, studentët e Kosovës organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981.

Si pasojë e demonstratave të studentëve erdhën tubimet e njohura si “Demonstratat e punëtorëve”, në të cilat kërkohej lirimi i studentëve të burgosur.

Por përsëri, organet shtetërore ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, dhe ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, dhe në tërë territorin u vendos gjendja e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi.

Lajmet

Katër raste me narkotikë në Prishtinë, konfiskohen mbi 300 gramë marihuanë dhe kokainë

Published

on

Katër raste të lidhura me posedim të paautorizuar të substancave narkotike janë raportuar më 9 dhe 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, gjatë kontrollit të dy personave që ndodheshin në një motoçikletë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 11.99 gramë marihuanë, 0.93 gramë kokainë dhe një telefon. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Hekurudha”, gjatë kontrollit të një personi dhe automjetit të tij, janë gjetur 52.29 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Ramë Govori”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar 19 fishekë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon, para të gatshme dhe një pako me qese të vogla të zbrazura. Sipas raportit policor, sasia e marihuanës është raportuar në 252 gramë. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Holger Petersen”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një shtetasi të huaj, është gjetur dhe konfiskuar 3.95 gramë marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tre raste me armë raportohen në Prishtinë, konfiskohen armë dhe municion

Published

on

Tre raste të ndryshme që lidhen me armë zjarri janë raportuar më 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në një rast, pas informatave të pranuara, policia ka kontrolluar tri lokacione që u përkasin tre të dyshuarve meshkuj kosovarë. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, municion i kalibrave të ndryshëm dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në rrugën “Muharrem Fejza”, pas disa të shtënave me armë zjarri, policia ka gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, ndërsa nga një i dyshuar është konfiskuar një pistoletë. Gjatë përleshjes fizike, lëndime trupore ka pësuar një person. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Qazim Pllana”, një i dyshuar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër nga një motoçikletë në lëvizje dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja, ndërsa rasti është duke u hetuar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen në Kosovë

Published

on

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar më 10 shtator në Prishtinë, Fushë Kosovë, Graçanicë, Malishevë, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në Prishtinë, një burrë kosovar është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Pas intervistimit të palëve, viktima, me pëlqimin e saj dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë janë raportuar dy raste. Në njërin rast, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, ndërsa rasti po hetohet në procedurë të rregullt. Në rastin tjetër, dy burra janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshjeje dhe kanë pësuar lëndime trupore. Të dy kanë marrë tretman mjekësor në QKUK dhe më pas janë arrestuar e dërguar në mbajtje.

Në Graçanicë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër, e cila ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është dërguar në strehimore. Rasti është duke u hetuar.

Në Malishevë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër, e cila ka marrë tretman mjekësor. E dyshuara është arrestuar dhe më pas, me urdhër të prokurorit kujdestar, është liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjakovë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një burri tjetër. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 fishekë dhe një boks të hekurit. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. I dyshuari ndodhet në kërkim policor, ndërsa rasti është në procedurë hetimore.

Sipas Policisë së Kosovës, rastet vazhdojnë të trajtohen nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Paranormal Activity” mbërrin në Broadway, producenti: Më në fund një horror që të frikëson

Published

on

Versioni teatral i filmit të suksesshëm horror “Paranormal Activity” ka mbërritur në Broadway, me autorët që pretendojnë se kanë arritur të sjellin në skenë një përvojë frikësuese që rrallë realizohet në teatër.

Producenti Jason Blum, themelues i Blumhouse dhe producent i projekteve si “Get Out” dhe “Five Nights at Freddy’s”, tha se prej vitesh kishte parë shfaqje që synonin të frikësonin publikun, por pa arritur gjithmonë efektin e dëshiruar.

“Unë nuk kam parë kurrë një shfaqje që më ka frikësuar vërtet dhe këta njerëz ia dolën ta realizonin”, tha Blum për adaptimin teatror.

Shfaqja ndjek një çift të sapomartuar që zhvendoset nga Çikagoja në Londër, ku nis të përballet me fenomene të pazakonta në shtëpinë e re. Ngjarjet ndikojnë edhe në marrëdhënien e tyre, duke vënë në pikëpyetje arsyen dhe duke hapur rrugën për situata që nuk mund të shpjegohen shkencërisht.

Ndryshe nga filmi, produksioni nuk mbështetet në montazh kinematografik, pamje nga afër apo efekte të papritura. Në vend të tyre, skena përdor elemente të thjeshta, si televizorë që ndizen, qirinj që fiken, hije dhe batanije që rrëzohen.

Regjisori Felix Barrett, krijuesi i shfaqjes “Sleep No More”, tha se çelësi ishte që historia të ndërtohej fillimisht si një dramë familjare bindëse.

“Kjo mund të funksionojë vetëm nëse shihni një çift që njihni përpara jush. Mund t’i kaloni pranë në rrugë. Madje mund ta shihni veten në atë çift”, tha Barrett.

Ekipi krijues, ku bëjnë pjesë edhe shkrimtari Levi Holloway dhe dizajneri i iluzioneve Chris Fisher, i ka integruar efektet brenda vetë skenografisë së ndërtesës së errët shumëkatëshe.

Sipas Barrett, gjatë procesit krijues ekipi kuptoi se “më pak është më shumë”, duke hequr disa nga skenat më ekstreme të versioneve të mëparshme për të ruajtur një efekt më të fortë te publiku./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara