Aktualitet

​Çmimi i naftës u rrit me një dollar për fuçi

Çmimi i naftës u rrit në fillim të këtij viti pasi lufta e Rusisë në Ukrainë rriti shqetësimet për furnizimin.

Published

on

Nafta u rrit 1 dollarë për fuçi të martën, duke përmbysur rëniet e mëparshme, pasi Rusia raportoi se eksportet e naftës në Evropë përmes tubacionit Druzhba ishin ndalur që nga fillimi i gushtit, duke ngritur shqetësime për furnizimin e ngushtë.

Kompania ruse e energjisë Transneft njoftoi se Ukraina ka pezulluar rrjedhën e naftës për shkak se sanksionet perëndimore e kanë bërë të pamundur pagesën e tarifave të transitit nga Moska.

Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës u rrit me 92 centë në 97.57 dollarë krahasuar me ditën e mëparshme të tregtimit. Në tregun amerikan, një fuçi u tregtua me 1.02 dollarë më shumë, në 91.79 dollarë.

Deri në lajmet e Druzhbës, pritjet në rritje se recesioni do të reduktonte kërkesën për naftë kishin neutralizuar shqetësimet për furnizimin.

Tregu i naftës ndjeu gjithashtu ndikimin e negociatave për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit që do të lejonte eksporte më të mëdha të naftës iraniane.

Bashkimi Evropian paraqiti të hënën një tekst “përfundimtar” për të ringjallur marrëveshjen e Iranit të vitit 2015. Një zyrtar i lartë i BE tha se një vendim përfundimtar mbi propozimin, i cili ka nevojë për miratimin e SHBA dhe Iranit, pritet brenda “disa javësh”.

Bisedimet u zvarritën me muaj pa një marrëveshje.

Eksportet e naftës së papërpunuar të Iranit janë të paktën një milion fuçi në ditë nën nivelet e vitit 2018 kur presidenti i atëhershëm i ShBA Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, kështu që marrëveshja mund të lejojë një rritje të konsiderueshme të furnizimit.

Çmimi i naftës u rrit në fillim të këtij viti pasi lufta e Rusisë në Ukrainë rriti shqetësimet për furnizimin, me çmimin në tregun e Londrës që arriti rreth 139 dollarë në mars, afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave.

Çmimi i naftës në tregun e Londrës ra në 92.78 dollarë të premten, më i ulëti që nga shkurti, pasi paralajmërimi i Bankës së Anglisë të enjten për një rënie të zgjatur rriti pritjet për konsum më të ulët të karburantit.

Në një raport të veçantë, OPEC njoftoi sot se një fuçi e shportës së naftës të anëtarëve të tij qëndroi në 100.78 dollarë të hënën, që do të thotë se u rrit me 77 cent në krahasim me ditën e mëparshme të tregtimit.

Vendi

UBT në IOFOS 2026: Profesoresha Miranda Sejdiu Abazi prezanton hulumtimin në Portugali

Published

on

By

Prof. Miranda Sejdiu Abazi ka përfaqësuar komunitetin akademik me prezantimin e punimit të saj shkencor në kongresin trevjeçar të Organizatës Ndërkombëtare për Odonto-Stomatologjinë Forenzike (IOFOS 2026), i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.

Hulumtimi i saj i paraqitur përmes posterit shkencor me titull “Sex-related morphological trends of palatal rugae in adolescents and their forensic identification value” (PP23), trajton rëndësinë e karakteristikave morfologjike të qiellzës në identifikimin forenzik, si dhe dallimet gjinore te moshat adoleshente.

Punimi i Prof. Sejdiu Abazi është përfshirë gjithashtu në përmbledhjen zyrtare të punimeve (Proceedings) të Kongresit IOFOS 2026, duke shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në veprimtarinë e saj kërkimore-shkencore në fushën e odontologjisë forenzike.

Pjesëmarrja në këtë ngjarje supreme ndërkombëtare i shërbeu shkëmbimit të përvojave akademike, prezantimit të gjetjeve shkencore dhe krijimit të urave të bashkëpunimit me ekspertë e profesionistë të fushës nga e gjithë bota.

Continue Reading

Lajmet

Vdes në moshën 76-vjeçare Flora Brovina

Published

on

By

Lajm i plotësuar:

Ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare aktivistja e shquar për të drejtat e njeriut, poetja, pediatrja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.

Flora Brovina u lind në Skenderaj dhe kreu shkollimin e mesëm në Prishtinë, ndërsa studimet për mjekësi i ndoqi mes Beogradit dhe Prishtinës. Specializimin në fushën e pediatrisë e përfundoi në Zagreb. Para se t’i përkushtohej mjekësisë, ajo punoi edhe si gazetare në të përditshmen “Rilindja”.

Gjatë viteve të vështira të dekadës së ’90-ta, Brovina u shqua për angazhimin e saj humanitar dhe shoqëror. Në vitin 1992 ajo themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të grave.

Më 20 prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, ajo u rrëmbye nga banesa e saj nga paramilitarët serbë dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi, ku u dënua me 12 vjet burgim politik. Pas një presioni të madh ndërkombëtar, ajo u lirua në nëntor të vitit 2000, për t’u kthyer në Kosovë ku vazhdoi pa ndërprerë veprimtarinë humanitare dhe politike.

Përveç mjekësisë dhe politikës, Flora Brovina la gjurmë të thella edhe në letrat shqipe si poete dhe kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ajo botoi disa përmbledhje me poezi, ndër të cilat shquhen “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995), ndërsa krijimtaria e saj poetike është përfshirë në antologji të ndryshme dhe është përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Në jetën politike pasluftës, Brovina shërbeu për disa legjislatura si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Aktivistja kosovare për të drejtat e njeriut dhe poetja Flora Brovina (djathtas) del nga Gjykata e Qarkut, e shoqëruar nga një roje, në qytetin e Nishit në Serbinë qendrore, më 14 shtator 2000. Brovina ishte dënuar nga një gjykatë e shkallës më të ulët me 12 vjet burgim për ndihmë të pretenduar ndaj “terroristëve” gjatë konfliktit në Kosovë, por Gjykata Supreme e Serbisë e anuloi vendimin dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes.

Reuters

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe poetja nga Kosova, Flora Brovina, qëndron në një furgon policie ndërsa largohet nga Gjykata e Qarkut në qytetin e Nishit, në Serbinë qendrore, më 14 shtator 2000. Brovina ishte dënuar nga një gjykatë e shkallës së parë me 12 vjet burgim për ndihmë të pretenduar ndaj “terroristëve” gjatë konfliktit në Kosovë, por Gjykata Supreme e Serbisë e anuloi vendimin dhe urdhëroi një gjykim të ri.

 

Continue Reading

Vendi

Shtyhet seanca për Masakrën e Mejës për shkak të mungesës së tre avokatëve

Published

on

By

Seanca fillestare në rastin e Masakrës së Mejës, ku 53 persona akuzohen për krime lufte ndaj popullsisë civile, është shtyrë meqë në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm tre avokatë mbrojtës.

Trupi gjykues konstatoi se në mungesë të avokatëve Valon Hasani, Uresa Restelica dhe Laur Prenaj nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e procedurës.

“Nuk jemi në kushte me proceduar tutje. Planifikoj që seanca e ardhshme të jetë më 25 shtator, ora 08:30”, deklaroi gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Gjykimi për këtë rast po zhvillohet në mungesë, ku të akuzuarit përfaqësohen përmes mbrojtësve të tyre ligjorë. Aktakuza e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024 ngarkon 53 persona, me në krye Momir Stojanoviqin, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës. Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, Sreten Çamoviq, Verolub Zhivkoviq, Illija Todorov dhe Dragan Zhivanoviq.

Sipas aktakuzës, gjatë datave 27-29 prill 1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndërmorën një operacion ku kryen vrasje masive të civilëve, dëbim të popullsisë, plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë në disa fshatra të Gjakovës. Vetëm në fshatin Mejë u vranë 270 civilë shqiptarë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur.

Seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Prishtinës është caktuar të mbahet më 25 shtator, në ora 08:30.

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste te dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

By

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda një dite në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, me raste të regjistruara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Rahovec.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, ndaj shumicës së viktimave është ushtruar dhunë psikike, fizike dhe kanosje.

Në Prishtinë janë raportuar tre raste të ndryshme. Në dy prej tyre, të dyshuarit kanë ushtruar dhunë fizike dhe sulm ndaj viktimave femra, ndërsa në rastin tjetër është ushtruar dhunë psikike dhe kanosje. Në të tre raste, pas intervistimit me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Një person në Fushë Kosovë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një femre.

Në Lipjan është iniciuar një rast për “Dhunë në familje & Sulm” ndaj një viktime femër. Lënda do të trajtohet në procedurë të rregullt në konsultim me prokurorin.

Ndërsa në Rahovec pas një mosmarrëveshjeje, një person ka sulmuar verbalisht dhe ka kanosur një mashkull. I dyshuari ndodhet aktualisht në kërkim policor, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetime. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara